Bota

Gjykata Speciale: Nasim Haradinaj pritet të dëshmojë më 11 janar 2022

16 Dhjetor 2021, 16:35 Nga DOSJA
Gjykata Speciale: Nasim Haradinaj pritet të dëshmojë më 11

HAGË- Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle, përmes platformës online “Zoom”, ka thënë se Nasim Haradinaj pritet që të dëshmojë me 11 janar 2022. Betimi për Drejtësi shkruan se gjatë konferencës për medie të mbajtur të enjten, Doyle ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Doyle ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave në Dhomat e Specializuara të Kosovës u mbajtën seanca për tri çështje gjyqësore. Ai tha se në çështjen gjyqësore Salih Mustafa, në fillim të javës, trupi gjykues ka dëgjuar dëshmitarin e thirrur nga prokurori i specializuar, i cili dëshmoi me masa mbrojtëse, ku përfshihet ndryshimi i zërit, fytyrës dhe përdorimi i një pseudonimi.

“Dëshmitari pothuajse gjithë dëshminë e dha në seancë private, për shkak të natyrës identifikuese të dëshmisë. Ky dëshmitar dha shkurtimisht dëshmi në seancë të hapur lidhur me zhvarrosjen e një kufome në Zllash”, ka thënë Doyle.

Sipas tij, seancat gjyqësore për këtë çështje do të rifillojnë më 18 janar me dëshminë e dëshmitarit W04485, të thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Sa i përket çështjes gjyqësore ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, ai tha se javën e kaluar paraqiti provat e veta mbrojtja e Gucatit.

“Dëshmitari i parë që u thirr ishte vetë i akuzuari, i cili dëshmoi për tri ditë. Trupi Gjykues dëgjoi dëshmitë e pesë dëshmitarëve të tjerë që janë anëtarë të Organizatës të Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe gazetarë. Këtë javë për këtë çështje gjyqësore u mbajt vetëm një seancë ditën e mërkurën, më 15 dhjetor”, ka thënë ai.

Tutje, bëri të ditur se trupi gjykues autorizoi mbrojtjen e Gucatit t’u drejtonte pyetje shtesë dy dëshmitarëve të thirrur nga prokuroria në muajt tetor dhe nëntor.

“Pyetjet e mbrojtjes lidheshin vetëm me materialin që iu dha mbrojtjes pas mbylljes së paraqitjes së provave nga prokuroria. Pyetjet nga mbrojtja u bënë në seancë private për të mbrojtur identitetin e dëshmitarëve dhe sigurinë e informacionit”, ka thënë Doyle.

Më 26 shtator të vitit të kaluar, dy ish-krerët e OVL-së së UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj u arrestuan me urdhër të Gjykatës Speciale. Ata akuzohen për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

(I.A/dosja.al)

Cila mendoni se është alternativa më e mirë:

View Results

rajoni rajoni hysni gucati kosova ne hage michael doyle nasim haradinaj hysni gucati kosova ne hage michael doyle nasim haradinaj

Sondazh

Poll