Sport

Revolucion te Barcelona: Ja 10 rregullat e vështira, të “kodit profesional” të Xavit

9 Nëntor 2021, 15:48 Nga DOSJA

SPANJE – “Rend dhe rregulla” është baza e projektit të trajnerit të ri të Barcelonës, Xavi Hernandez. Ish-mesfushori “blaugrana” e bëri të qartë tashmë gjatë prezantimit, se do t’i imponojë skuadrës së tij një sërë rregullash që i ka mësuar dhe respektuar si lojtar: “Gjërat kanë shkuar gjithmonë mirë kur ka pasur rregull dhe disiplinë në grup”. Gazeta spanjolle “AS” ka zbuluar 10 rregullat që Xavi do t’i vendosë skuadrës, për ta ngritur atë nga vendi i nëntë në kampionat, me 11 pikë prapa kreut.

Ja rregullat që do të vendosë Xavi Hernandez:

1 – Xavi do të vendosë një orar të ri për stërvitje: afati i fundit për ardhjen e lojtarëve do të jetë në orën 9.30, ose një orë e gjysmë para fillimit të seancës. Në këtë mënyrë do të ketë hapësirë ​​për bisedime individuale mes lojtarëve dhe trajnerit.

2 – Ndryshojnë oraret edhe për stafin, me ndihmësit e tij dhe pjesëtarët e tjerë të dhomave të zhveshjes, të cilët duhet të jenë të pranishëm 2 orë përpara seancës, për të qenë gati për ardhjen e lojtarëve.

3 – “Blaugranët” gjatë ditëve do të duhet të drekojnë ekskluzivisht në dhomën e ngrënies së klubit, me një dietë të vendosur sipas parametrave të dietologëve të klubit.

4 – Xavi do të vendosë një kod të ashpër sjelljeje, me gjoba të parashikuara edhe për faullet e kryera në stërvitje. Kjo ide u mor direkt nga Guardiola.

5 – Do të ketë edhe gjoba për të ardhurit e vonuar, të cilat do të rriten vazhdimisht në rast të gabimeve të përsëritura: gjoba e parë do të paguhet 100 euro, e dyta do të rritet në 200 e kështu me radhë.

6 – Do të ketë edhe kontroll të aktivitetit të jashtëm të skuadrës para ndeshjeve: lojtarët duhet të kthehen në shtëpi, më së voni deri në mesnatë.

7 – Xavi do të zgjedhë lojtarët që do të dërgojë në fushë në bazë të një sistemi meritokracie. Nuk do të ketë titularë të përhershëm: vendi në ekip duhet të fitohet me përkushtim, si gjatë ndeshjeve ashtu edhe në stërvitje.

8 – Xavi dhe stafi i tij do të monitorojnë të gjitha aktivitetet e lojtarëve, që mund të ndikojnë në performancën e tyre në fushë. Për shembull, shumë udhëtime private do të ndalohen.

9 – Të gjitha aktivitetet potencialisht të rrezikshme të lojtarëve, do të ndalohen. Gjithashtu Xavi dëshiron të shmangë dëmtimet e reja në çdo mënyrë, duke kufizuar lojtarët me dënime për shkelje.

10 – Së fundi, të gjithë lojtarët duhet të ruajnë imazhin e mirë të klubit: duhet të respektojnë rregullat, të përshëndesin dhe të ndërveprojnë me tifozët, të inkurajojnë ekipin dhe të shmangin sjelljet e këqija.

B.T (Dosja.al)

Cila mendoni se është alternativa më e mirë:

View Results

sport sport

Sondazh

Poll