Bota

Programi i spiunimit Pegasus në Indi: Kundërshtari i Kryeministrit Modi mes “viktimave” të sulmit kibernetik

19 Korrik 2021, 17:44 Nga DOSJA
Programi i spiunimit Pegasus në Indi: Kundërshtari i Kryeministrit

INDI- Rivali më i shquar politik i kryeministrit indian Narendra Modi, figura e opozitës Rahul Gandhi, u zgjodh dy herë si një objektiv i mundshëm i përgjimit të telefonit. Kështu ai është një nga dhjetra politikanë, gazetarë, aktivistë dhe kritikë qeveritarë indianë, numrat e të cilëve u identifikuan si objektivat e mundshëm për klientët e qeverisë së kompanisë izraelite.

Dy numra që i përkisnin Gandhit, gjatë zgjedhjeve kombëtare të Indisë 2019, u zgjodhën si kandidatë të mundëshëm për tu përgjuar një vit para votimeve. Po nuk mbaron këtu. Pasi telefonat që i përkisnin të paktën pesë miqve të ngushtë të Gandhit dhe zyrtarëve të tjerë të partisë së tij, u identifikuan gjithashtu si shënjestra të mundshme për tu përgjuar.

Të dhënat u aksesuan nga organizata jofitimprurëse e gazetarisë Forbidden Stories dhe Amnesty International dhe u ndanë me “The Guardian” dhe media të tjera si pjesë e projektit Pegasus.

Nuk është e mundur të thuhet nëse një telefon u hakua me sukses, pasi ende nuk janë kryer analiza ligjore. Por konsorciumi konfirmoi ndërhyrjet e Pegasus, në telefonat e lidhur me 10 numrave indianë. Gandhi, i cili ndryshon celularët e tij çdo disa muaj për të shmangur përgjimet, nuk ishte në gjendje të merrte mbrapsht telefonin që përdori në kohën kur pretendohet se u përgjua.

“Nëse informacioni juaj është i saktë, shkalla dhe natyra e mbikëqyrjes që përshkruani tejkalon një sulm ndaj privatësisë së individëve. Është një sulm ndaj themeleve demokratike të vendit tonë. Duhet të hetohet tërësisht dhe personat përgjegjës të identifikohen dhe të ndëshkohen,”-tha Gandhi.

Përzgjedhja e telefonit të liderit të opozitës si një objektiv i mundshëm i përgjimit në vitin 2019 përkoi me identifikimin e numrave të dy anëtarëve të stafit, Sachin Rao dhe Alankar Sawai, të cilët në atë kohë po punonin kundër partisë së Modi-t në Haryana dhe Maharashtra.

Ekspertiza ligjore e kryer të mërkurën në telefonin e Prashant Kishor, një strateg politik që punon për partinë që mundi partinë e Modi Bharatiya Janata (BJP) në zgjedhjet shtetërore të Bengalit Perëndimor këtë vit, vërtetoi se ishte hakuar duke përdorur Pegasus.

Ekzaminimi nga Amnesty International gjithashtu gjeti prova të ndërhyrjes nga Pegasus në Prill – në mes të fushatës zgjedhore – duke treguar që telefonatat, postat elektronike dhe mesazhet e Kishor po monitoroheshin gjatë gjithë kohës, javën e fundit të garës.

Kishor tha se rezultatet ishin “me të vërtetë zhgënjyese. Ata që kryen hakimin po kërkonin të përfitonin padrejtësisht nga pozicioni i tyre i pushtetit”.

Numrat e tjerë të identifikuar në regjistra, përfshinin agjensitë e sigurisë së vendit, udhëheqësit separatistë, diplomatët pakistanezë, gazetarë kinezë dhe biznesmenë të njohur. 

Pas fillimit të projektit Pegasus, Shalev Hulio, themeluesi dhe shefi ekzekutiv i NSO, tha se të dhënat e rrjedhura “nuk kanë ndonjë lidhje me NSO”, por shtoi se ai ishte “shumë i shqetësuar” për raportet dhe premtoi t’i hetojë ato. 

Një ‘autokraci elektorale’?

Një vëzhgues i pavarur i të drejtave civile këtë vit e uli Indinë në një vend “pjesërisht të lirë”, ndërsa një tjetër e klasifikoi atë si një “autokraci elektorale“, të dy duke përmendur frikësimin e shtuar të gazetarëve, ndërhyrjen në gjyqësor dhe dhunën ndaj pakicës muslimane të vendit që kur BJP erdhi në pushtet në 2014. Përzgjedhja e numrave indianë filloi kryesisht rreth kohës së udhëtimit të Modi në vitin 2017 në Izrael, vizita e parë në vend nga një kryeministër indian që shënoi një kthesë të re në marrëdhënies mes dy vendeve.

Një rrjetë e gjerë

Kandidatët indianë për përgjim shkuan përtej politikanëve të opozitës. Numri i telefonit i një gruaje që akuzoi shefin e atëhershëm të Indisë për ngacmim seksual u zgjodh menjëherë pasi pretendimet e saj u bënë publike, së bashku me 10 numra të tjerë të lidhur me të, duke përfshirë ai i përdorur nga burri i saj dhe dy anëtarë të tjerë të familjes. Motivi i vëzhgimit është i paqartë.

Një zyrtar i dytë i kabinetit, ministri i sapobetuar i Indisë për elektronikën dhe teknologjinë e informacionit, Ashwini Vaishnaw – portofoli i të cilit përfshin rregullimin e përdorimit të mbikëqyrjes dixhitale – gjithashtu u zgjodh si një objektiv i mundshëm i mbikëqyrjes në vitin 2017. Përsëri, motivet janë të paqarta.

Gazetarët shfaqen si një fokus kryesor në regjistra, duke përfshirë disa që mbulojnë mbrojtjen dhe politikën në gazetat kryesore, të tilla si Indian Express dhe Hindu

Marrë nga: The Guardian

(i.a.k.m/dosjaa.al)

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

bota bota narendra modi pegasus rahul gandhi narendra modi pegasus rahul gandhi

Sondazh

Poll