Aktualitet

Mbahet Forumi i Parë Ekonomik në Shkup, Zaev, ministrat dhe Rama shprehin zhgënjimin nga BE-ja për negociatat: Dështuan ata

23 Qershor 2021, 11:54 Nga DOSJA
Mbahet Forumi i Parë Ekonomik në Shkup, Zaev, ministrat dhe Rama

MAQEDONIA E VERIUT– Forumi i Parë Ekonomik që po mbahet në Maqedoninë e Veriut ka bërë bashkë kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev, zëvendëskryeministrat Nikolla Dimitrov dhe Fatmir Bytyqi, ministrin e Financave, Fatmir Besimi, ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ministri i Mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Naser Nuredini, ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq e guvernatorja Anita Angellovska Bezhovska. Edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka udhëtuar drejt Maqedonisë së Veriut bashkë me ministren e Financave Anila Denaj, për tu bashkuar në këtë forum. Mes pjesëmarrësve në Forum është edhe eurokomisioneri për zgjerim, Oliver Varhelyi Të ftuar janë dhe Ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Greqisë dhe Polonisë në Maqedoninë e Veriut dhe udhëheqës të institucioneve të tjera financiare si brenda dhe jashtë vendit.

Gjatë fjalës së tij Zaev tha se vendimi i BE-së për të mos caktuar një dtaë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ishte një dëshpërim i madh për ta por edhe një mossukses i politikës së Bashkimit Evropian. Zaev tha se Shqipëria është Europë dhe se VETO-ja nga Bullgaria nuk është një vlerë europiane. Zaev ka theksuar edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në përballimin e sfidave me të cilat përballet Ballkani Perëndimor.

“Ne nuk jemi vetëm dhe nuk jemi të izoluar. Ne dhe populli shqiptar kemi përpara rrugën e njëjtë drejt BE-së dhe ne nuk jemi vetëm, ndajmë politikën evropiane. Në këtë rrugë së bashku me ne janë edhe Serbia, Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja”, deklaroi Zaev.

Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar si një dështim të Bashkimit Europian, mos caktimin e një date për konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë. I ndodhur në Maqedoninë e Veriut, në Forumin Ekonomik, Rama tha se do të ishte më e ndershme nga ana e Bashkimit Europian që të thonin se nuk ishin gati për të pranuar qoftë Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut në familjen e tyre, se sa t’i fajësonin këto vende për mosplotësimin e kushteve apo për ‘VETO’-n e Bullgarisë. Rama tha se Shqipëria ka qenë gati prej kohësh, por që kjo që po ndodh është e gjitha pjesë e politikave të brendshme të BE.

Ministri i jashtëm Maqedonas Bujar Osmani shprehu zhgënjimin që nuk u arrit të përcaktohej data, pasi sipas tij vendi i kishte plotësuar të gjitha standardet. Osmani theksoi se është e rëndësishme që të zgjerohet dhe forcohet bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor, një rajon që është i ndarë nga malet dhe pengesat gjeografike dhe më tepër edhe nga infrastruktura, duke hedhur idenë e forcimit të tregut të përbashkët rajonal. Në anën tjetër Osmani prezantoi edhe një nismë të re të liderëve të Ballkanit Perëndimor, duke marrë shembull nga takimeve e vazhdueshme të liderëve të Bashkimit Evropian. Edhe Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kate Byrnes u shpreh e zhgënjyer nga BE-ja për vendimin e negociatave.

Në takimin e djeshëm, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian nuk kanë rënë dakord për vendosjen e një date për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për shkak të problemeve mes Sofjes dhe Shkupit. Tashmë gjithçka do spostohet në shtator, kur presidencën e radhës do ta ketë Sllovenia.

(d.a/dosja.al)

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

aktualitet aktualitet edi rama forumi ekonomik i shkupit zoran zaev edi rama forumi ekonomik i shkupit zoran zaev

Sondazh

Poll