Politike

Mbyllet me debate të forta rinumërimi 114 kutive në Berat, LSI rikuperon 15 vota, nuk merr dot mandatin, PS dhe PD dalin me m

21 Maj 2021, 07:27 Nga DOSJA
Mbyllet me debate të forta rinumërimi 114 kutive në Berat, LSI

TIRANË- Komisioni i Ankesave dhe Sanksionave ka rinumëruar të gjitha kutitë (114) në qarkun e Beratit. Rinumërimi ka nisur që ditën e djeshme, në orën 14:00, duke u ndërprerë në darkë, për të rinisur sot në orën 09:00 të mëngjesit. Në përfundim të rinumërimit të votave, rreth orës 16:00, publiku dhe subjektet zgjedhore janë njohur dhe me rezultatin përfundimtar.

LSI rezulton të ketë rikuperuar 15 vota, ndërsa Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë dalë me minus. Në krahasim me votat e marra në procesverbal, PS ka humbur 20 vota, ndërsa PD-AN ka humbur 9 vota. Me një diferencë prej 58 votash, LSI-ja sërish nuk ka arritur që ta merrte mandatin në Berat. PS konfirmohet sërish me 5 mandate kurse PD me 2 mandate. 

Por, përfundimi i rinumërimit të votave dhe dalja e këtij rezultati ka sjellë dhe debate të forta në seancë. Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në Komisionin e Ankimimeve dhe të Sanksioneve, Marash Logu ka denoncuar se gjatë seancës së ditës së sotme dhe dje, vëzhguesja e Partisë Socialiste Joana Melëngu ka kërcënuar vëzhguesin e Partisë Demokratike, pa thënë emrin e këtij të fundit.

Menjëherë sapo u mbyll përfundimi i numërimit të 114 kutive për qarkun e Beratit, Logu shpërtheu në seancë teksa denoncoi me emër Melëngun. Ai tha se Melëngu ka kërcënuar me jetë një nga vëzhguesit e PD-së në sy të të gjithëve, duke krijuar një skenë krimi.Do të të pres gjuhën, do ta shohësh kur të dalësh jashtë,” janë fjalët që Logu pretendon se Melëngu i ka thënë vëzhguesit të PD-së në sy të të gjithëve në seancë, por që askush nuk ka reaguar. 

Anëtari i KAS, Elvis Cefa e konsideroi të rëndë akuzën e Logut, ndërsa shtoi se ky i fundit bashkë me prokurorinë do të kenë në duar pamjet filmike të seancave të KAS, për të parë nëse qëndron denoncimi i fortë që bëri Logu. 

Përfaqësuesit ligjorë të Partisë Demokratike, dhe të Lëvizjes Socialiste u shprehën se për ta procesi ka qenë i padrejtë dhe i njëanshëm. Për përfaqësuesin e Partisë Socialiste, Eridian Salianji, procesi ishte i rregullt dhe sipas tij, PS mbështeti kërkesën e bërë nga LSI për hapjen e kutive, por rezultati është i qartë dhe në qarkun e Beratit nuk ka pasur vjedhje të votave. Gjatë mbledhjes është bërë e ditur se ditën e hënë në orën 10:00 do të nisë gjykimi për Durrësin.

Në cilën fazë ndodhet procesi?

Pas humbjes në zgjedhjet parlamentare 2021, opozita ka ankimuar rezultatin në KAS. PD kërkon rivotim në 9 qarqe pasi pretendon se votat janë blerë, ndërsa LSI kërkoi rivlerësim dhe rinumërim të kutive për 5 qarqe. KAS ka rrëzuar kërkesën e PD në tri qarqe, Gjirokastër, Berat dhe Vlorë, ndërsa ka pranuar kërkesën e LSI. Nga hapja e kutive siç kërkoi LSI u provua një nga pretendimet se regjistri elektronik mungon dhe se në shumë kuti, janë më shumë fletë votimi sesa numërues. Probleme të të njëjtës natyrë janë hasur edhe në Gjirokastër. LSI në kërkesën fillestare kërkoi hapjen e 114 kutive të votimit, por më pas kërkoi rinumërimin dhe rivlerësimin e 277 kutive të të gjithë qarkut të Beratit. PS mbështeti kërkesën e parë për 114 kutitë duke nënvizuar se nëse do të ketë ndryshim rezultati nga rinumërimi i këtyre kutive, do të rinumërohen të gjitha, dhe kështu u bë duke sjellë rezultatin e sotëm.

(a.b;kle.mu)/dosja.al

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

politike politike kas 21 maj 2021 kas 21 maj 2021

Sondazh

Poll