Politike

Vettingu/ Strasburgu jep vendimin e parë për Shqipërinë, Gjykata rrëzon padinë për Altina Xhoxhaj

9 Shkurt 2021, 09:26 Nga DOSJA
Vettingu/ Strasburgu jep vendimin e parë për Shqipërinë,

TIRANË- Gjykata e Strasburgut ka dhënë vendimin e parë për procesin e Vettingut në Shqipëri. Në njoftimin e bërë publik ditën e sotme, Gjykata ka rrëzuar padinë e ish-gjyqtares së Kushtetueses Altina Xhoxhaj, e cila çoi në Strasburg vendimin për shkarkimin e saj. Gjykata me shumicë votash vendosi se nuk ka asnjë shkelje të Konventës së të Drejtave të Njeriut. Vendimi është pritur me interes nga të shkarkuarit, por edhe nga ata që janë në proces gjykimi.

VENDIMI

Në vendimin1 e sotëm të trupës gjyqësore të Dhomës në çështjen Xhoxhaj k. Shqipërisë (çështja nr. 15227/19) Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi:
me shumicë votash (6 kundër 1) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 (e drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut përsa i përket pretendimit për mungesë të pavarësisë dhe paanshmërisë të organeve të vetingut,
me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 përsa i përket pretendimit për parregullsi të procedurave, me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 përsa i përket pretendimit për mosmbajtjen e një seance publike përpara Kolegjit të Apelimit, me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 përsa i përket pretendimit për shkelje të parimit të sigurisë juridike, dhe me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare). Çështja shqyrtoi shkarkimin nga detyra të një gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese në vijim të procedurave të filluara ndaj saj, si pjesë e një procesi të jashtëzakonshëm për rivlerësimin e përshtatshmërisë në detyrë të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, i njohur ndryshe si procesi i vetingut. Çështja e kërkueses u shqyrtua nga organet e vetingut, dhe Kolegji i Apelimit, pasi
e mori çështjen në shqyrtim në dhomë këshillimi, la në fuqi shkarkimin e saj nga detyra.
Gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1, pasi organet e vetingut kishin qenë të pavarura dhe të paanshme, procedurat kishin qenë të rregullta, shqyrtimi i ankimit të kërkueses në seancë publike nga Kolegji i Apelimit nuk kishte qenë i domosdoshëm dhe nuk ishte shkelur parimi i sigurisë juridike. Për më tepër, Gjykata konstatoi se nuk kishte shkelje të nenit 8, pasi shkarkimi nga detyra kishte
qenë proporcional dhe ndalimi i përhershëm ligjor për të rihyrë në sistemin e drejtësisë për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore kishte qenë në përputhje me garantimin e integritetit të detyrës së magjistratit dhe të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

Altina Xhoxhaj, ish gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese u largua nga detyra në 3 maj 2018. Xhoxhaj u shkarkua nga posti,  pasi nuk arriti të kalojë vetingun, por ajo vendimin e KPK-së e apeloi, ndërsa kolegji vendosi për lënien e vendimit të mëparshëm të KPK-së në fuqi. Në Prill të vitit të kaluar është shkarkuar nga detyra edhe prokurorja e apelit të Shkodrës Besa Nikëhasani. Ky ka qenë vendimi i dhënë nga ana e KPK-së. Ndërkohë deri më tani në Strasburg janë ankimuar 15 vendime të Vettingut.

(A.k.dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike altina xhoxhaj gjykata e strasburgut altina xhoxhaj gjykata e strasburgut

Sondazh

Poll

Politike 9 Shkurt 2021, 07:09

TIRANË– Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm mëngjesin e sotëm në banesën e rindërtuar nga qeveria pas tërmetit. Së bashku me ministrin Arben Ahmetaj dh...