LIVE UPDATES
Aktualitet

Për kë ndryshon Tirana?

26 Shkurt 2020, 11:59 Nga DOSJA
Për kë ndryshon Tirana?

Për kë ndryshon Tirana? Për ambasadorët buzagazë me sy të qelqtë që janë “në garë” kush të vijë në Tiranë? Për “vip-at nga vende serioze” të cilët veç Tirana i sjell në terezi? Për miqtë e kryeministrit tonë artist? Për ata që do na gjykojnë e masin nëse jemi prerë apo jo për në BE? Për të thënë se kemi ndërtesën më të lartë në Ballkanin Perëndimor?

80% e fjalës së kryeministrit shqiptar për 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet, nuk iu dha Tiranës së njerëzve, por Tiranës së ambasadorëve dhe të vipave – që, pasi e shohin, bëjnë kryq për Tiranën(!) Ai u përçap të na bindë të gjithë ne që s’kuptojmë, se Tirana është flori, dhe prova është se ashtu e shohin atë ata që marrin rroga prej tjetërkund, dhe në Tiranë vijnë të gëzojnë nja katër vjet fuqie absolute blerëse dhe politike. “Shikoni si u shkëlqejnë sytë ambasadorëve”, thotë kryeministri. Nuk imagjinoj të ketë pasur fjalë që t’i ketë dhënë më pak dinjitet Tiranës dhe tiranasve sesa përçartja prej dandy të llastuar e të papërgatitur e kryeministrit. Historitë pa kripë që kallëzoi dhe sidomos pa ndjeshmëri prej njeriu që përfaqëson një popull hallexhi, fyejnë Tiranën. Gjëja themelore që u pa nga fjala e kryeministrit, ishte se e ka humbur krejt kontaktin me Tiranën e vërtetë dhe me njerëzit realë të saj. Të njëjtat teori të vjetruara e meskine që defteroi atje, ndoshta na bënin të gjithëve të na dukej vetja cool në vitet ’90 të shekullit të kaluar; por jo sot. “Amerika jonë e vogël!” “Tirana që të disiplinon!” “Tirana ku secili çon përpara fiksimin dhe protagonizmin e vet!” “Tirana që siç prodhon gjithçka me shumicë, prodhon me shumicë edhe energji autoshkatërruese!” Tirana, një delir mbushur me delirantë, që, me këtë rast, kryeministri do e pranonte pa keqardhje edhe si tipar të vetin. Në ç’qiej fluturon, kryeministri im? Në ç’livadhe e baret mendjen? Si do ia bënim qejfin vetes kur ishim të rinj, veçse me kësi mediokritetesh elegante?! Edhe tani e them ndonjë histori si këto lidhur me absurdin shqiptar kur jam pakëz e dehur(!). Por, kryeministri im, ti nuk je më 20-vjeçar. Dhe, sidomos, tani je kryeministër! Por, ajmè: ligjëratën e vet prej djaloshi rebel të Tiranës së viteve ’90, kryeministri nuk e mbajti për tiranasit, por që të zaliste ambasadorët dhe ambasadoreshat.

Krijimi i disa pikave qendrore me denduri ndërtesash shumëkatëshe, estetikën e të cilave nuk e diskutoj këtu, – që mund të kishin vlerë në New York a Chicago por jo në Tiranë – e kanë ndarë qytetarin nga qyteti dhe e kanë bërë atë të huaj ndaj qendrës së vet. Në pjesën e parë të këtij shkrimi për Tironën dhe nostalgjinë, trajtoj dy rima të thjeshta fëminore (ose familjare) të një kohe kulturore në dukje të largët, që paradoksalisht nuk është aq larg. Linja logjike themelore që ndjek narrativa tironase që kallëzoj aty, është se kultura e qytetit, në thjeshtësinë njerëzore dhe natyrën rrethanore që e ka mbarsur në shekullin e fundit, sado e vjetruar, ka pasur një lidhje të natyrshme me Tironën: si me ambientin natyror, si me atë të ndërtuar të qytetit. Shekulli i 21-të e ndryshoi Tiranën, “me në njërën dorë busullën e mafias politike, e në tjetrën timonin e fadromit dhe betonierës”, në mungesën totale të një planifikimi urban afatgjatë, human dhe historikisht të ndjeshëm. U shkatërruan sistematikisht ambienti natyror dhe ai i ndërtuar, duke vrarë hapësirat njerëzore komunitare tradicionale, gjelbërimin brenda qytetit dhe vijën qiellore qytetase (skyline); ndoshta, përgjithmonë. Kjo është mënyra si shkatërrohet më tej një komunitet qytetar, i tronditur e i copëzuar ndërkaq nga një vazhdë ngjarjesh historike ku e vetmja gjë e pandryshuar ka qenë varfëria. Nëse udhëheqësit tanë politikë pretendojnë se do bëjnë njujorkez qytetarin e Tiranës (që si qytet tashmë u afrohet përmasave të metropolit), duke i ngritur atij një tufë me pallate gjigante që ai i sheh nga poshtë lart — i papunë dhe fukara siç është — tregojnë padije ose ligësi e mashtrim.

Kryeministri thotë se Tirana është “eklektike”, “me katër pamje, katër kohë e katër botë të ndryshme që i sheh të katra, mjafton të rrotullohesh”, thua se është lloji i kafshës i tillë dhe nuk e kanë bërë me katër (a 100) fytyra ky kryeministër dhe ata para tij, bashkë me shpurën e kryebashkiakëve. “Tirana u ndërtua nga shumë duar”, thua se kryeqytetet e tjera i ka ndërtuar një dorë e vetme. Kryeministri qahet prapë ndaj ankesaxhinjve edepsëzë që thonë se “Këtu s’jetohet! Të mbyt betoni!”, thua se duhet shumë që të shihet se në Tiranë (dhe qendra të tjera urbane) vërtet të mbyt betoni, e parqet qytetase janë të rralla ose joekzistuese! Për alarmistët urrejtës kryeministri ka prova që tregojnë se në Tiranë s’të mbyt betoni: “Ata që vijnë, duan gjithnjë të kthehen.” Prapë këtu, ai u referohet të huajve dhe vip-ave duke treguar se e ka humbur simiten, Xhaferrin dhe Tiranën bashkë. Kryeministri im: edhe im shoq joshqiptar dhe vajzat e mia e duan Tiranën, u duket e bukur dhe e zbukuruar, dhe duan të rikthehen aty çdo vit! Njoh kosovarë që thonë të mahnitur sa e pashme është Tirana! Por ata nuk kanë dhe nuk ka pse ta kenë sensin mbrojtës apo kritik ndaj Tiranës që ka tiranasi i palidhur me pushtetin. Ata nuk janë qytetarët e zakonshëm të Tiranës; nuk kanë jetuar, nuk jetojnë dhe nuk duan të jetojnë aty. Hapi sytë, kryeministri im, të shohësh cilët janë ata që janë të kënaqur me Tiranën sot, dhe do shohësh se janë ose njerëz që paguhen direkt nga jashtë Shqipërie, ose janë njerëz pagesa e të cilëve ndërthuret me interesa e lidhje të veçanta ekonomike pushtetare, me fondacione, shoqëri civile, shoqata ndërkombëtare etj. Janë të gjithë njerëz me trajtim të veçantë ekonomik a politik, dhe që Tirana u jep mundësinë e vetme të jenë sipërorë apo të katapultohen nesër në pozicione ndërkombëtare që pa Tiranën politike nuk do i siguronin dot. Herën tjetër, bëj gajret, leri ambasadorët në selitë e veta, dhe merru me kategorinë më të madhe dhe më të pashpresë që përfaqëson Tiranën: pleqtë dhe të rinjtë e Tiranës.

Festimet zyrtare që iu bënë Tiranës më 11 shkurt dhanë versionin origjinal të pëlhurës që kryeministri end në kryet e vet për të justifikuar këtë lloj Tirane që ai e ka mataruar edhe më keq se paraardhësit e vet. Bazuar në ambasadorë e vip-ër kryeministri konkludon: “Keq nuk jemi. Ka edhe më keq!”; dhe se “Mbasi ke qenë në Tiranë, s’ka kontinent që ta mbush syrin!”. Si s’ka kontinent që ta mbush syrin, kur shqiptarët s’dinë nga të marrin vrapin, dhe vendi vazhdon të boshatiset?! Ndërkaq, siç kryeministri e di, Shqipëria vazhdon të mbajë krenare flamurin e varfërisë europiane, dhe Tirana e ka papunësinë edhe më të lartë se mesatarja e Shqipërisë; 4% më të lartë thuhet, por jam e sigurt që shifrat reale të papunësisë absolute dhe relative janë më të larta sesa shifrat që vijnë nga Tirana zyrtare dhe institutet nën kontroll të saj. Kur të kemi 110 vjetorin, merru edhe me NE njerëzit që sorollaten por s’guxojnë të pinë kafe në qendër, që kruajnë xhepat, marrin autobusë për periferitë e Tiranës, që kur kemi një hall nuk kemi as këpucë e as gojë t’u afrohemi institucioneve, që kemi frikë të shkojmë tek doktori se s’dimë ku rri e çfarë t’i japim, që vdesim kur duhet të jetonim, që s’dimë a të kthehemi në katundin nga i sollëm kalamajtë në kryeqytet apo t’ia mbajmë më këmbë për në Amerikë e Kanada.

Ndryshe nga të tjera kryeqytete, ne e patëm mundësinë që, pas socializmit, të ndërtonim një kryeqytet të mrekullueshëm e njerëzor, modern por me karakter, të veçantë dhe po aq të ëmbël, me një kënd ku pasaniku mëkatar dhe ai me më pak haqe për të larë, të argëtoheshin dhe jetonin si donin, por ku qendra t’i takonte pjesës qendrore qytetare, mesit tonë. Këtë fat që patëm, e shkelëm dhe e përmorrëm, e shfrytëzuam për më të ligat e më tekanjozet dëshira. Tirana është qytet shqiptar, ballkanas dhe mesdhetar. Edhe si kryeqytet ashtu duhet të jetë: shqiptar, ballkanas dhe mesdhetar. Kultura qytetase e saj është pikërisht kështu; por arkitektura jonë e shtuar e hedh shurrën përpjetë, dhe nuk është asnjëra prej të trejave. Kultura dhe historia nga një krah, dhe arkitektura e Tiranës në tjetrin, i kundërvihen çdo ditë e më fort njëra-tjetrës. U është shkuar kundër njerëzve dhe kulturës lokale dhe është krijuar ndërprerja kulturore së cilës i referohem në pjesën e botuar më parë. Nuk u realizua asnjë plan që t’u kish hije e t’u bëhej konak tiranasve sot dhe nesër.

Problemet themelore që kam me qendrat “qiellore” të Tiranës janë se ato dënojnë tiranasin normal duke ia treguar me gisht vobektësinë; gjithashtu, sepse janë shenjë ulëritëse e suksesit të korrupsionit ekonomik e politik shqiptar. E së fundmi se e masakruan thelbin dhe imazhin e Tiranës në një mënyrë të pariparueshme. Dhe arsyet janë të lidhura mes tyre. Zarët e të frikësuarit prej kryeministrit ndryshojnë ligjet që mbrojnë qytetin, bëjnë sikur flenë apo sikur lumturohen nga shendi lokal e jeta aktive, zhvendosin vëmendjen në tjetër kah, shpërndajnë rastësishëm “shprehjet” dhe direktivat kryeministrore nëpër media sociale sikur t’u vinin natyrshëm. Mileti fle. Ndoshta si edhe unë ata s’dinë nga t’ia mbajnë se s’dinë për kë mund të votohet e kush sjell ndryshim që u vlen njerëzve. Ja iku Rama & Co., por kush do vijë?! Tiranasi është në gjendje të dëshpëruar. Mos u mashtroni nga sasia e kafeneve a birrarive dhe frekuentimi i tyre: ato nuk janë shenjë e mirëqenies dhe energjisë, por fasadë për ideologët e pushtetit dhe ambiente ku hutohet fukarai e miklohet prekariati, shtresa më e gjerë sociale sot. Por arsyeja prapa ndërtimeve tona pa moral e pa kuptim nuk është dëshira për të kapur qiejt e zhvillimit; ajo është, në të kundërt, vetja e shitur dhe alibia që i japim mafia-s ndërtuese dhe asaj shqiptare të çdo lloji. Sa shoh e sa lexoj më bind që prishja e Teatrit Kombëtar (që qeveria e përgjon si vdekje të paralajmëruar, varrin e të cilit ka kohë që e ka hapur por e ka maskuar nga sipër me sherbelë), si dhe ndërtimi i aq ndërtesave Tirana-prishëse në disa pika qendrore të qytetit, nuk janë akte nevoje a pamundësie për alternativë.  Dhe pres (me vjet e pres me ditë) që këtë pjesë, gjithë shkatërrimin arkitekturor të Tiranës si edhe manovrimet politike me karakter ligjor, si dhe ato ekonomike nëpërmjet tenderimeve dhe lëvizjes së parave, t’i investigojë e paraqesë shkencërisht një grup institucional i pavarur. Aq më mirë, një grup akademik ndëruniversitar në Shqipëri. Por mos qoftë opozita e tanishme ajo që t’ia bëjë këtë peshqesh vetes dhe dhe të rigjunjëzojë Tiranën. Ishte e turpshme ajo festa treshe që iu bë Tiranës në tri vende të ndryshme ku presidenti dhe kryeministri me krybashkiakun i bënin karshillëk njëri-tjetrit: një- i nënës, dy- i nënës, tre- i nënës. E njerkës- mbeti veç Tirana. Sikur ka tiranas që nuk e di se presidenti Meta nuk e rruan për Teatrin, por e ka zar kundër armiqve për pushtet.

Tirana nuk do ngelet kurrë pa dashurinë time. Dhe pa dyshim do ketë edhe dashuri të frekuencave e ngjyrave të ndryshme prej qindra-mijëra njerëzve qe jetuan dhe jetojnë aty. Sado të ma prishin e tëhuajnë, unë e rindërtoj si dua, dhe e bëj rishtas timen Tiranën. Por unë kam më shumë vjet jetuar sesa për të jetuar, dhe e kam këtë aftësi magjike ta rindërtoj, që është thurur prej shumë e shumë vitesh me kujtime dhe ëndrra të çmendura! Ëndrrat e mia të para dhe më të fortat lindën e u rritën në Tiranë; si edhe ato të kryeministrit. Por, sa më të rinj banorët e saj, aq më fort do u rëndojë qyteti që nuk u bë për ta, por për të larë para të pista e për të fituar zgjedhje – një qytet që u kujton se janë pa punë e pa mjete, që kanë kryer e kryejnë shkolla pa vlerë, ku modeli i suksesit është delenxhiu dhe mizori, ku gjetën shumëkatësha por jo dinjitet për veten, një qytet kujtimet themelore prej të cilit u lidhen me ëndrrën për të ikur në një tjetër qytet apo kryeqytet të botës. Ëndrra e tyre nuk ka lidhje me Tiranën, në paçin ëndrra fare. Këta janë nënat dhe baballarët e Tiranës së ardhshme. Tirana nuk duhet të jetë ëndrra ime, dhe sidomos nuk duhet të jetë qyteti që ndërtojmë për Ndërkombëtarët, as ambasadorë dhe as vip-a. Kryeqytetin duhet ta ndërtojmë për ata që vijnë pas e ta afrojmë me ta, me ata si “konsumatorë” të mençur e moralë të kryeqytetit. Që korrupsioni ulëritës i shumëkatëshve të pushojë, duhet që energjia të mos shkojë tek dukja boshe e Tiranës, por tek shkollimi i mirë dhe punësimi i të rinjve (jo nëpër fushata partiake dhe Call Centers). Kur kryeministri të kishte zgjidhur ca nga këto çështje, atëherë mund edhe t’ia lejonte vetes të përmbushte një biçim “fiksimi” apo “protagonizmi” me qytetprishësa. Një, ama! Dhe fjalimin tjetër për Tiranën, kryeministri im, nise me një anë pozitive të saj që s’lidhet me ty, por që e njohim dhe e ndajmë me ty të gjithë ne që e duam e na dhemb ai qytet: është një qytet me shumë shumë diell Tirana.

(c) 2020, Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

*Shënim: Ky shkrim është pronësi intelektuale e Peizazhe.com

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet eda derhemi ndertimet ne tirane eda derhemi ndertimet ne tirane

Sondazh

Poll
Aktualitet 26 Shkurt 2020, 11:24

DURRES- Vajza e familjes Tosuni, ka shpërthyer në lot dhe ulërima kur ka mësuar se i ati, Ruzhdiu e ka lenë të pajetë, Hajdien, pasi e ka qëlluar për vdekje me ...

Vijon marshimi masiv në rrugët e Tiranës, shtohen thirrjet për dorëheqjen e Ramës

Vijon marshimi masiv në rrugët e Tiranës, shtohen thirrjet për dorëheqjen e Ramës

Nga Kryeministria te Parlamenti, qytetarët vijojnë prej disa orësh protestën kundër Ramës

"Ata që për Ramën janë strategjikë për ne janë tragjikë/Adoleshenti në protestën para Kryeministrisë

“Ju erdhi fundi"/ Mijëra qytetarë "pushtojnë: Bulevardin: Rama jepe dorëheqjen!

Atmosferë magjike nga protesta, qytetarët me flamuj kombëtarë marshojnë në Bulevard

Ish-oficeri i Antidrogës Dritan Zagani poston videon e Ramës në Zvicër: Tirana në protestë

“Duhet qeveri teknike”/ Qytetari në protestë: Këtu mungon drejtësia për çdo problem

Cila është arsyeja e protestës? Qytetarja: 3 fëmijët i kam jashtë, kam ngelur vetëm

Qytetari: Rama dhe Berisha janë i njëjti brum, ndërrojnë vetëm pozicionet

Korreshi 'zhvishet' nga kostumi i deputetit, shkon në protestë si qytetar

Vogëlushi thirrje para kryeministrisë: Asnjëri prej nesh nuk e do Edi Ramën....

Protesta e 16-të/ Mijëra qytetarë kërkojnë largimin e kryeministrit#dosja #protesta #videovirale

"S’do të bllokojmë kurrë aeroportin"/ Protestuesi: Do ta shporrim këtë klasë politike

Oshëtin nga thirrjet e qytetarëve bulevardi/ Protestuesit Edi Rama o legen prite popullin se po vjen

Protestuesit drejt kryeministrisë: Edi Rama o tradhtar jep dorëheqjen sa më parë

Berisha: Dosja faktoi shpifjet e opozitës së opozitës për Malin e Tiranës!

Berisha: Në Aruba ishte edhe ‘Rama i gjatë’! Pse i fshehin emrat? Ky është një krim i vërtetë

Takimi i Arubës/ Berisha denoncon skandalin: Spanjollët sollën dosjen e plotë

Berisha: Altin Dumani është monstra e votës së lirë të shqiptarëve!

Të akuzuarit për vrasjen e Renis Dobrës konfliktohen fizikisht, ndërhyn policia

Me flamuj amerikanë dhe britanikë, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

I riu mesazh Ramës: Ne të kemi vendosur, duhet të na shërbesh, jo të na dëbosh

Shqiptarët protestojnë në Mynih: O ku ka si ty, o Shqipëria ime

Sot protesta e 15-të në Tiranë/ Nis marshimi drejt Kryeministrisë

Dita e 15-të e protestës/ Nis grumbullimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbej”

Protesta zhvendoset edhe në Hagë, shqiptarët e diasporës protestojnë teksa këndojnë këngë polifonike

Emigrantët shqiptarë protestojnë në Berlin, kërkojnë largimin e Edi Ramës: Ju erdhi fundi

Aksident i rëndë në aksin Pogradec–Lin, një person humb jetën, 4 të plagosur

“E çova në shkollë dhe nuk më u kthye më”/ Nëna e Martin Canit: Duam drejtësi

Qytetarët rreshtojnë atletet para Kryeministrisë, si simbol i largimit të rinisë nga Shqipëria

Banorët e Rrjollit shembin rrethimin rrethues, debat me policët: Jemi bijtë e këtij populli

Berisha: Çdo demokrat e ka vendin te protesta, sloganet kundër nesh janë vepër e veglave të qeverisë

Berisha: E mbrojta dinjitetin tim në gjykatë, do të rikthehem në SHBA dhe do të takoj miqtë e mi

Berisha: Disa slogane të opozitës së opozites nuk duhet të errësojnë pamjen madhështore të protestës

Berisha falënderon qytetarët për mbështetjen: Treguat guxim këto pesë vite

Protestë kundër ndërtimit të resortit luksoz në Rrjoll, banorët heqin gardhin dhe telat me gjemba

Pas rrethimit të truallit me tela me gjemba, banorët e Rrjollit dalin sërish në protestë

“Rama në burg, Berisha në burg"/ Tensione në Rrjoll, banorët përplasen me policinë

Marshim kilometrik në Tiranë! Protestuesit njëzëri:Rama jep dorëheqjen

“Poshtë patronazhistët”/ Protestuesit zhvendosen në sheshin Italia: Rama jepe dorëheqjen!

Prapaskenat e tensioneve në shesh, djali i Paulin Sterkajt fyeu influenceren dhe protestuesit

Rama për protestën: Nuk është fjala për flamingot, por për Donald Trump

“Me çfarë do ta bëjnë mirëqenien këta patriotët?”/ Rama: Shqipëria e 2030 do jetë në BE

“Ky është investimi i madh që i ka ardhur Shqipërisë”/ Rama: Nëse bota do të ishte kaq e ndjeshme...

Rama për projektin në Zvërnec: Shqipëria nuk e ka luksin ta refuzojë

Rama protestuesve: Unë nuk kam asnjë negociatë me ju!

Rama: Nuk përfaqësojmë interesat e investitorëve, por interesta e Shqipërisë

Rama: Nëse akuzat do të ishin të vërteta, do të isha po aq i neveritur sa disa prej jush

Patronazhistët provokojnë protestuesit, tensione në shesh

Rama: Krenohem se i kam dhënë PS-së pa kursim gjithçka që kërkohet nga një lider