Politike

Përfundon mbledhja te “Zgjedhorja”, Gjiknuri: Reformën e miraton Kuvendi, PD nuk është në parlament (VD)

Mblidhet komisioni i Reformës Zgjedhore. Gjiknuri ka deklaruar se PD nuk ka sjellë propozime për ndryshimet që kërkon.
Përditësuar:

Tiranë– Ditën e sotme është zhvilluar me dyer të mbyllura mbledhja e radhës e Komisionit të Reformës Zgjedhore.  Para se të futej në Kryesinë e Kuvendit, për çështjen e Reformës Zgjedhore foli edhe kreu i këtij komisioni Damian Gjiknuri. Ai theksoi se PD nuk ka sjellë asnjë propozim për këtë reformë. Ai deklaroi se brenda dhjetorit  do të adresohen rekomandimet e OSBE-së.

“Meqë ne nuk e kemi PD-në në tavolinë, këto çështje do t’i diskutojmë në një tavolinë më të gjerë, ku do të jenë të pranishme edhe mediet. PD nuk sjellë propozime në lidhje me çështjen e Reformës Zgjedhore. Edhe ata kanë të drejtën për të bërë propozime, si çdokush tjetër. 

Ne i kemi kërkuar Partisë Demokratike çdo lloj komunikimi për Reformën Zgjedhore.  Ne jemi të gatshëm që ato propozime që janë në përputhje me rekomandimet e ODIHR, ne do t’i marrim për bazë. Vetëm kuvendi do të miratojë Reformën Zgjedhore. PD nuk është në parlament.  Ne kemi vullnetin politik për Reformën Zgjedhore, për një javë ekspertët do të sjellin draftet. Ndërsa vota e emigrantëve është një çështje që kërkon kohë”,  u shpreh ai.

I pyetur më tej  “Do të vetësakrifikoheni për t’u larguar nga komisioni?“, ai u përgjigj:  “U ezaurua, PD-ja nuk e ka më në objektiv, ka të tjera”.

Partia Demokratike refuzoi dje ftesën e Gjiknurit për të marrë pjesë në tryezë, ndërsa theksoi se u qëndron pesë kushteve që vendosi për shumicën për të marrë pjesë.

Disa ditë më parë PD zbardhi platformën me 5 pika për zgjidhjen e krizës. Ndër të tjera Opozita kërkon largimin e Hajdarit, si përfaqësuese e opozitës së re nga Komisioni i Reformës Zgjedhore. “Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare., thuhet në platformë.

J.V/Dosja.al

Shto Koment