Politike

Dekretet/ Meta 2 orë llogari në KH: Kisha dijeni se në 8 qershor do digjej Kuvendi. Palët s’i ula dot në dialog

  • PD e çuditur pas deklaratës së Metës: S’ka patur asnjë plan për djegien e Kuvendit!
  • “Djegia e Kuvendit”, Vasili përgënjeshtron PD-në: Pashë njerëz të dyshimtë, isha bashkë me Bardhin
  • Presidenti Ilir Meta ka dhënë llogari sot për mbi 2 orë në Komisionin Hetimor në Kryesinë e Kuvendit. Meta arsyetoi se i anuloi zgjedhjet pasi kishte informacione se Kuvendi do të digjej më 8 qershor. Socialistët u panë të shtensionuar në bisedën e tyre me kreun e shtetit. 

    TIRANE- Për më shumë se 2 orë, ashtu edhe siç e kishte njoftuar presidenti i Republikës, Ilir Meta ka raportuar para Komisionit Hetimor të ngritur nga socialistët për shkarkimin e tij, lidhur me dekretin e lëshuar prej tij për anulimin e zgjedhjeve dhe dekretin e dytë për një palë zgjedhje të reja më 13 tetor.

    Për thirrjen e sotme Presidenti deklaroi se nuk do të bëjë shoë mediatik, dhe se është i vendosur për vendimet që ka marrë. Kreu i shtetit, është shprehur se vendimi për anulimin e zgjedhjeve, dhe shoqërimi me dekret, është bërë pasi ka patur informacione sekrete dhe të kualifikuara, se në protestën e 8 qershorit, disa persona do të digjnin godinën e Parlamentit.

    Në komision nuk munguan batutat me deputetin Bashkim Fino, por edhe “gërricjet” me deputetin e opozitës së re, Halit Valteri.

    Kreu i shtetit pranoi se nuk arriti dot që të ulte palët në dialog. Presidenti tha se kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Lulzim Basha ishin “çmendur” dhe po shkonin drejt një përplasjeje, dhe se presidenti kishte në dorë vetëm dekretin.

    Prania e presidentit Ilir Meta në këtë Komision, vjen pas vendimit të tij, për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, me motivacionin se gara ishte farsë dhe rrezikonte përplasjen civile në vend. Kjo solli kundërshtinë e mazhorancës, dhe vendimin që kryesocialisti Edi Rama iu shpalli të tijëve se PS do të shkarkojë Metën për shkelje të rëndë kushtetuese. Nga ana tjetër, KQZ rrëzoi Metën duke i hapur rrugë PS në zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

    (J.V;F.G;K.M/Dosja.al)

    • 16:14

      “Do digjej Kuvendi”, PD rrëzon Metën: S’kemi pasur plane për djegie institucionesh

      Sekretari i Përgjitshëm i Partisë Demorkatike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratës së Presidentit Ilir Meta, se ka pasur plan për të djegur Kuvendin.Në një reagim  për mediat, Bardhi u shpreh se PD dhe opozita e bashkuar nuk kanë pasur kurrë qëllim të tillë.

      Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar nuk ka pasur kurrë asnjë plan për djegien e institucioneve, pavarësisht se ato nuk përfaqësojnë interesin publik, por interesin e një grupi oligarkësh dhe kriminelësh të lidhur me kryeministrin e vendit. Partia Demokratike fton mediat të hapë arkivat e javëve përpara 30 qershorit dhe do të gjejë se opozita dhe kreu i saj, Lulzim Basha, ka denoncuar skenarët e dhunshëm të Edi Ramës, që ka patur për qëllim t’i përdorë më pas kundër PD dhe opozitës. Në këtë këndvështrim, duhet të lexohet edhe deklarata e Presidentit Ilir Meta, i cili u shpreh se “nuk mund të pranonte një Rajshtag në Shqipëri”. Të gjithë e dinë se me djegien e dyshimtë të Parlamentit gjerman, Hitleri çimentoi pushtetin nazist pas ardhjes në pushtet pak kohë para djegies së Rajshtagut. Partia Demokratike e konsideron komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit si një mjet për të mbuluar skandalet e qeverisë ilegjitime të Edi Ramës, ndërsa anëtarët e këtij komisioni, personazhe të dosjeve 184 dhe 339, si bashkëpunëtorë të krimit në vjedhjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare”, ka qenë ky ragimi i Bardhit.

    • 16:06

      2 orë llogari në Komisionin Hetimor, komenton Meta: I lumtur, deri në 2022, presidenca, kështjellë e pamposhtur

      Ilir Meta:  Shumë i lumtur që m’u dha sot mundësia të kthehem në Parlament pas një mungese gati dy vjeçare, për të rikonfirmuar edhe njëherë se deri në 24 korrik 2022, Institucioni i Presidentit do të jetë një kështjellë e pamposhtur në mbrojtje të Kushtetutës, demokracisë, pluralizmit, interesit kombëtar dhe atij publik, me qëllimin e vetëm anëtarësimin e shpejtë dhe pa vonesa të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

    • 16:05

      Hyn në histori! Ulsi Manja ‘mund’ Alketa Vejsiun, 5 FALENDERIME për Ilir Metën: Edhe njëherë…z.president, ishit korrekt, faleminderit!

      Socialistët zbusin tonet e diskutimit me presidentin Ilir Meta. Deklaratat e forta të muajve qershor-korrik, ku Meta cilësohej si një i “çmendur” që po i frynte destabilitetit, i lanë vendin 5 falenderimeve që Ulsi Manja i bëri sot në Komisionin Hetimor të ngritur për shkarkimin e tij. ‘Baba Xhikja’, është njeriu që duhet falenderuar.

      Ulsi Manja, e ka falenderuar sot Ilir Metën plot 5 herë. Kjo pa dyshim kalon edhe moderatoren Alketa Vejsiu, e cila njihet gjerësisht për falenderimin e saj për regjisoren Vera Grabocka. Nga sot, batuta “Faleminderit Vera”, do të bëhet “Faleminderit z.president”.

      Faleminderit e Ulsi Manjës

      Ulsi Manja:  Zoti president, përpara se ta mbyllim mbledhjen, jeni i lutur të depozitoni çdo provë shkresore që mendoni se i shërben objektit të hetimit. S’më ngelet gjë tjetër, t’ju falenderoj për praninë tuaj sot në Komision. Por edhe për korrektesën tuaj ndaj pyetjeve të kolegevë. Jam i hapur për të bashkëpunuar deri në fund për hetimin e këtij dekreti. Edhe njëherë tjetër, shumë faleminderit zoti president.

      Flet Meta:  Unë ju falenderoj përzemërsisht që më dhatë mundësinë të rikthehem në këtë institucion kaq të dashur dhe të shtrenjtë për mua, ju uroj suksese në punët tuaja. Lidhur me këtë çështje nuk kam nevojë për dëshmitarë se veprimet e mia kanë qenë publike dhe i dinë gjithë shqiptarët. Nëse do duhen dokumente, institucioni i presidentit është i hapur, dhe do të ftoja zotin Fino për të ardhur sa më shpejt për të ardhur në Presidencë për të pirë një kafe me presidentin, se jo vetëm nuk ka qenë personale, por ai mbetet i preferuar.

      Ulsi Manja: Edhe njëherë shumë faleminderit zoti president. Mbledhjen e deklaroj të mbyllur. Faleminderit mediat etj… Shumë faleminderit prapë (Sheh nga Meta)

    • 13:02

      Pas dëshmisë në Komision, Meta takim të beftë me Gramoz Ruçin, ‘kafja’ në ambientet e Kryesisë

      Gramoz Ruçi dhe Presidenti Ilir Meta

      Pas dëshmisë prej dy orësh para Komisionit të Hetimit, Presidenti Ilir Meta në ambientet e Kryesisë ka zhvilluar një takim me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçin.

      Të dy krerët politikë kanë konsumuar një kafe por ende nuk dihet se çfarë është diskutuar mes tyre. Duhet të themi se kjo ka qenë një ftesë e kryeparlamentarit drejtuar Presidentit të vendit.

      Ndoshta marrëdhëniet mes Ruçit dhe Metës kanë ndryshuar, pasi kreu i Kuvendit ishte i ftuar edhe në 15-vjetorin e LSI-së, ku u shfaq duke trokitur gotat edhe kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhin. 

    • 12:57

      Meta tregon prapaskenat me Bashën: E mora në telefon para protestës, ishin të paralajmëruar

      Ilir Meta dhe Ulsi Manja

      Kryetari i Komisionit Hetimor, Ulsi Manja i ka drejtuar disa pyetje presidentit Ilir Meta lidhur me shtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale në vend.

      Teksa i përgjigjej Manjës, Meta u shpreh se situata ishte tejet emergjente dhe për këtë arsye ishte detyruar që të shtynte datën e votimeve, kjo edhe për të siguruar fshehtësinë e votës.

      Ndër përgjigjet e tij, Meta tregoi se para protestës së 8 qershorit kishte paralajmëruar kryedemokratin Lulzim Basha se do të mbante përgjegjësi për çdo veprim të qytetarëve të mbledhur nga ai.

      “Ekipi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare gjykoi se situate ishte emergjente. Unë kam qënë disa ditë në Gjermani dhe jam kthyer në datën 8 pak para se do të fillonte protesta e opozitës. Kam qënë i papërgatitur sepse dekretin do ta kisha nxjerrë që atë ditë. Mora në telefon Bashën para se të niste protesta. Kam kontaktuar edhe me përfaqësues të opozitës, për ndalimin e qytetarëve kur shkuan tek Kuvendi. Madje i kërkova edhe njerëzve të shpërndahen. Mesazhi ishte i qartë për Bashën dhe gjthë të tjerët që ndodheshin aty sepse ata ishin paralajmëruar,”-tha ndër të tjera Meta.

      BISEDA NË KOMISION:

      1.Ju kompetencën tuaj për përcaktimin e datës së zgjedhjeve e konsideroni një të drejtë tuajën apo si një detyrim kushtetues për të garantuar cilësisht sovranitetin e popullit?

      Pikërisht për të garantuar të drejtën e zgjedhjes siç e përcakton Gjykatës e Strasburgut me vullnetin për të vendosur një datë tjetër.

      2.Ju, ju referuar Gjykatës së Strasburgut, rastit të Bullgarisë, a mendoni ju zoti presidenti se tentuat që t’i mohonit njërës palë të drejtën e votës?

      Unë nuk i kam mohuar askujt të drejtën e zgjedhjes, doja të garantoja një të drejtë gjithpërfshirëse, në mënyrë të lirë dhe të fshehtë. Sepse zgjedhjet me një kandidat nuk janë të fshehta dhe njerëzit nuk i kanë ato mundësi që të ushtrojë të drejtën e tyre. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut e ka bërë shumë të qartë se çfarë janë zgjedhjet dhe votimet. Një argument tjetër është që Shqipëria ka një mundësi historike që të bëjë një figurë të mirë si kryesuese e OSBE-së vitin tjetër. Sipas vlerësimit tim, nëse shfaqim probleme do ta kemi të vështirë të flasim për standartin e zgjedhjeve.

      3. Mendoni se kjo është mbrojtja e duhur që i bëhet Kushtetutës, caktimi i një date të re?

      Nuk ka afat në Kushtetutë për këtë, por vetëm përcaktohet periodiciteti. Nuk caktova datë sepse ishim në kushtet e emergjencës për të krijuar një situatë reflektuese. Kam nisur menjëherë bisedat dhe reflektimet për të caktuar një datë. Sa i takon datës 13 tetor, është zgjedhur për të garantuar një datë gjithpërfshirëse.

      4. Kemi një reflektim kur caktuat një datë të re, apo kjo përbën një standart të ri kushtetues dhe jo respektimin, pra reflektuat ju?

      Sjellja ime është me standartet kushtetuese që janë sjellë paraardhësit e mi më situata të ngjashme. Jam i bindur se nëse kryeministri do t’i jeptë një mundësi opozitës për të realizuar një proces zgjedhor gjithëpërfshirës. Besoj se situata do të ishte ndryshe. Në rast se unë vendosa, e bëra për të mbrojtjen e zgjedhjeve. Jam shumë i qartë në këtë drejtim.

      5. Gjatë fjalës tuaj ju iu referuar situatës së rëndë për firmosjen e anulimit të datës së zgjedhjes. Thatë se kishit informacione se do të digjej Kuvendi, unë se di sa të besueshme ishin ato informacione. Ndoshta janë edhe sekret shtetëror. Megjithatë Kushtetuta ka zgjidhje dhe ka përcaktuar edhe rastin se kur mund të anulohen zgjedhjet për situata të jashtëzakonshme. A tentuat t’i ulnit palët politike përpara se të firmosnit dekretin e 10 qershorit?

      Ky informacion, nga një institucion shumë të rëndësishëm, është vlerësuar si kritik sepse përputhej me shumë paralajmërime. Ekipi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare gjykoi se situate ishte emergjente. Unë kam qënë disa ditë në Gjermani dhe jam kthyer në datën 8 pak para se do të fillonte protesta e opozitës. Kam qënë i papërgatitur sepse dekretin do ta kisha nxjerrë që atë ditë. Mora në telefon Bashën para se të niste protesta. Kam kontaktuar edhe me përfaqësues të opozitës, për ndalimin e qytetarëve kur shkuan tek Kuvendi. Madje i kërkova edhe njerëzve të shpërndahen. Mesazhi ishte i qartë për Bashën dhe gjthë të tjerët që ndodheshin aty sepse ata ishin paralajmëruar.

    • 11:58

      ‘Eja të pish një kafe, s’kam gjë me ty’, Meta 'gjuan' Finon, salla shpërthen në të qeshura: S’kam gjë, sa më parë… (BATUTA)


      Presidenti i Republikës, Ilir Meta, e mbylli me batutë raportimin e tij në Komisionin Hetimor të ngritur nga socialistët për t’a shkarkuar.

      Teksa tha se është i hapur për të ndihmuar punën e Komisionit, kreu i shtetit ftoi deputetin Bashkim Fino të shkojë në presidencë për të pirë me të një kafe.

      Ilir Meta: S’kam nevojë për dëshmitarë. Po t’ju duhen dokumente, jam i hapur. Në mënyrë të veçantë, do ftoja zotin Fino, të vinte në presidencë, të pinte një kafe. Sa më parë… Jo vetëm që s’kam asgjë personale, po është i preferuari im. (Plasin të qeshura në sallë)

    • 11:51

      ‘Je i preferuari im’, Meta ‘përkëdhelje’ me Finon, e sqaron për keqkuptimin: S’kam asgjë personale me ju (E PLOTË)

      Bashkim Fino, deputet i Partisë Socialiste, e pyeti presidentin e Republikës, Ilir Meta, se nëse qeveria socialiste do të votonte për shkarkimin e tij, a do e respektonte ky i fundit këtë vendim. Meta në përgjigjien e tij, fillimisht u fokusua të sqaronte Finon, se nuk ka asgjë personale me të, dhe se lajmet në media, i kanë krijuar një perceptim të gabuar. Këtu, presidenti u shpreh se Fino është socialisti i tij i preferuar.

      Replika e plotë në Komisionin Hetimor:

      Bashkim Fino: Jemi të dy me eksperiencë në politikë, por mua më keni krijuar bindje se jeni i anshëm, dhe jo mbi palët. Tani unë kam një tjetër pyetje. Nëse qeveria ju shkarkon, a do ta zbatoni vendimin për shkarkim?

      Ilir Meta: Kam marrë vesh nga mediat se keni një perceptim se mendoni se kam një problem personal me ju. Jo s’kam asgjë me ju. Keni qenë gjithnjë i preferuari im. Sa për palët, dua t’ju kujtoj juve se kam qenë mbi palët për çështje madhore. Kujtoni reformën në drejtësi. Pse nuk mendoni ju për vendimet e mia, për rolin tim si president. Pse duhej nxituar aq shumë? Për të bërë zëvendësime në bllok?

    • 11:45

      “Ti je mbreti i pyetjes”, përplaset Alimadhi dhe Ulsi Manjën, deputeti: Ju jeni të pamëshirshëm… (DEBATI)

      Debat në Komisionin e Hetimor, ku po dëshmon presidenti Ilir Meta. Një përplasje ka ndodhur mes Ulsi Manjës dhe deputetit Adriatik Alimadhi. Ky i fundit kërkoi që të bënte një konstatim por nuk është lejuar nga Ulsi Manja, pasi iu ka dhënë urdhër deputetëve që nuk duhet të replikojnë ndaj presidentit.

      Por Alimadhi është shprehur: “Ju jeni të pamëshirshëm.”

      Debati: 

      Ilir Meta: Nuk kam ardhur këtu për të kërkuar ndihmë. Kam dhënë ndihmë për të mos minuar procesin e negociatave. Duhet të bëhen zgjedhjet më 13 tetor për të mbyllur të gjithë procedurën dhe këto paqartësi. Zgjidhja e vetme është që t;u japim atyre mundësive të zgjedhin. Krijova mundësi për relflektim nga të dy palët.

      Alimadhi: Kam një konstatim.

    • 11:39

      ‘S’ju merr njeri seriozisht’, deputeti ‘tradhtar’ provokon Metën, presidenti e thumbon: S'ke përvojë (REPLIKAT)

      Presidenti i Republikës, Ilir Meta, është përballur edhe me thumba në seancën dëgjimore në Komisionin Hetimor të ngritur për shkarkimin e tij.

      Halit Valteri, njëri nga deputetët e PD-së, i futur në Kuvend pas djegies së mandateve nga opozita, tha se nëse Meta s’është i aftë të ulë palët në dialog, atëherë nuk duhet të jetë më president. Këtu Meta e ka ironizuar duke i thënë, se jeta parlamentare bazohet mbi eksperiencë dhe përvojë.

      Replikat në Komisionin Hetimor:

      Halit Valteri: Dëgjova që thoni se nuk munda të ul palët. Ju jeni presidenti i Republikës dhe në rast se nuk arrini të ulni palët politike kur keni 30 vite që bëni çorap këtë vend, atëherë mendoj që ata nuk ju marrin seriozisht dhe ju kot sa e ushtroni këtë detyrë që keni.

      Ilir Meta: Parlamentarizimi është edhe eksperiencë edhe përvojë.Kolegët mund të t’ju ndihmojnë me shpjegime për këtë pjesë

    • 11:29

      ‘Ia kam kërkuar Ramiz Alisë’, Meta nxjerr foton e 30 viteve më parë: E tepërtë…isha student i dhjetorit

      Gjatë raportimit në Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij, presidenti Ilir Meta ka nxjerrë para socialistëve një foto të 30 viteve më parë.

      Në foto, shihen studentët e dhjetorit, mes tyre dhe Meta, që i kërkonin presidentit të asaj kohe, Ramiz Alia zgjedhje pluraliste.

       “Është e tepërt që ti kërkosh një studenti të dhjetorit që të krijosh precedent të ri, të zgjedhjeve pa kandidat”, u shpreh Meta.

    • 11:19

      ‘2 vetë duan të çojnë vendin në përplasje’, Meta tregon prapaskenat: Ishin çmendur, çfarë të bëjë presidenti

      Presidenti i vendit Ilir Meta ka deklaruar se nuk i mblidhte dot palët në dialog pasi kreu i PD-së, Lulzim Basha i kishte vënë kusht që me kryeministrin Edi Rama nuk ulej në tryezë. Ai ka theksuar se kreu i PD-së për çështjen e dialogut nuk ulej në tryezë as me vetë kreun e shtetit.

      “Kam bërë aktin më të mirë. Tryezën e dialogut nuk e mblidhja dot. Nuk jam i pari Ramiz Alia shtyu me dy muaj zgjedhjet. Kushti i Bashës për mua ishte i papranueshëm pasi nuk ulej në tryezë me Ramën. Për këtë nuk donte të ulej në tryezë as me kreun e shtetit. Gjuha e përdorur nga Basha po ndikonte tek protestuesit.” u shpreh Meta.

      Ai theksoi më tej  se kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së Lulzim Basha ishin ‘çmendur’ pasi mund ta çonin vendin në përplasje me qëndrimet e tyre.

      “Kryeministrit nuk i kam kërkuar dorëheqjen, sic ka bërë kreu i PD-së, por i kam kërkuar vetëm të jemi fleksibël për një datë të re sa më shpejt, para 17 – 18 tetorit. Është e qartë se standardi i zgjedhjeve është i panegocieshëm. Duhet ta dini që kam bërë edhe kërkesë me shkrim, se kryeministri nuk pranonte për të biseduar për 30 qershori. Për të respektuar dekretin, u detyrova ta bëj edhe me shkrim dhe përgjigjen e dini: Takohemi pas 30 qershorit. Kur dy veta ‘çmenden’ ç’duhet të bëjë Presidenti? Dekretin ka presidenti për t’iu dhënë mundësi palëve të reflektojnë në interes të integrimit të qytetarëve dhe të mbarë vendit”, tha Presidenti.

    • 10:57

      Meta dëshmon në Komisionin Hetimor, Manja i prerë me deputetët, jep urdhrin: T’u mbyllet mikrofoni….

      Presidenti, Ilir Meta

      Presidenti Ilir Meta ka deklaruar se për shfuqizimin e datës së 30 qershorit gjithë përgjegjësinë e mban mbi vete pasi vendimi i tij është i bazuar në Kushtetutë. Sipas tij në këtë drejtim Presidenti nuk pasur për qëllim të plotësojë tekat e opozitës, por të garantojë një proces zgjedhor gjithëpërfshirës.

      Gjatë dëshmisë së Presidentit, kreu i Komisionit Hetimor, Ulsi Manja u kanë urdhër deputetëve që të mos replikojnë ndaj përgjigjeve të presidentit. Madje ka kërkuar që t’u mbyllet edhe mikrofoni atyre që flasin teksa flet presidenti.

      Debatet:

      Klotilda Bushka:  Ai thirrët ju partitë politike për të mos marrë pjesë në procesin zgjedhor?  Kur zgjidhët dekretin a u konsultuat me partinë?

      Manja: Nuk ka replikë mbi përgjigjet e presidentit.  Ju lutem fikni mikrofonin për deputetët.

      Meta: Shfuqizimi i datës 30 qershor është udhëhequr nga përgjegjësitë e mia si kryetar i shtetit. Këtë e thotë edhe Kushtetuta dhe kjo është një kushtetutë për të parandaluar një ’97. Në këtë drejtim Presidenti nuk pasur për qëllim të plotësojë teksa te opozitës, por të garantojë një proces zgjedhor gjithëpërfshirës.

    • 10:45

      Raportimi i Metës në Komision, Manjani e mendon ndryshe: Gabim vajtja në atë gjellë qensh, prokurori dhe Ulsiu t'i shkonin në zyrë si Çeço!

      Ylli Manjani, ish-minister

      Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, njëherazi një nga figurat kryesore të LSI gjatë kohës që drejtohet nga Ilir Meta, del kundër vendimit të presidentit për të shkuar dhe për të raportuar në Komisionin Hetimor të ngritur për shkarkimin e tij. Manjani thotë se presidenti nuk ka detyrim ligjor në bazë të Kodit të Procedurës Penale.

      Për të gjithë ata që më pyetën “mbi ç’ligj Presidenti i Republikës nuk duhet të shkojë tek Komisioni Hetimor”,po ju sjell në vemendje nenin 162 të Kodit të Procedurës Penale. Nenet e këtij Kodi janë të zbatueshme edhe për procedurat hetimore parlamentare. Dhe kur Prokurori i shtetit e ka detyrë ti shkojë në zyrë Presidentit të Republikës, Ulsiu po e po! Si Çeço madje.

      Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit mund edhe të shkojnë, Presidenti JO! Ky është një nen që ka të bëjë me dinjitetin e funksionit Publik dhe jo domosdoshmërisht të personave që e kryejnë arë funksion. Nuk mund të shkalafatet Presidenti i Republikës nëpër qorrollepsje politike parlamentare. Presidenti është zyrtari që ka në dorë të kufizojë Parlamentin nëpërmjet të drejtës së vetos. Ka të drejtë edhe ta shpërndajë Parlamentin, në rrethana të caktuara.

      Ndaj them që është gabim vatja e Presidentit aty, në atë gjellë qensh. (Ndjesë qenve)

    • 10:27

      Meta flet para Komisionit Hetimor: Më 8 qershor do të digjnin Kuvendin, mund të kishte viktima

      Presidenti Ilir Meta ka deklaruar pas Komisionit Hetimor se më datë 8 shtator ishte planifikuar të digjej Kuvendit, ditën kur po zhvillohej mitingu i PD-së.

      Meta:Përveç Kushtetutës kemi edhe marrëveshjen e asocim stabilizimit. Duhet të mbrojmë të drejtën për zgjedhje. Kjo është sa i takon anës Kushtetuese. Një arsye themelore, se unë janë edhe kryetari i Sigurisë Kombëtare, është siguria publike. Nuk do të bëja një ekspoze më të gjatë. Për shkak të detyrës time kam pasur informacione, si në rrugë zyrtare dhe nga institucionet zyrtare dhe por edhe burime të tjera, do të kishte trazira. Në datë 7 qershor, një ditë para se të shfuqizoja 30 qershorin, kam marrë një informacion sekret dhe të klasifikuar, mund të njihet edhe komisioni. Persona të caktuar do të shfrytëzonin mitingun e PD-së për të djegur kuvendin e Shqipërisë. Kjo ishte ishte tërësisht e vëretetë dhe mund të kishte viktima.

    • 10:06

      " Na tregoni rrethanat", Meta përballet me Ulsi Manjën, presidenti: Kemi shkelur Kushtetutën (DEBATI)

      Nis mbledhja e KomisIonit Hetimor.

      DEBATET:

      Manja: Çështja është me rëndësi për Republikën. Në mbledhjen e sotme iu kemi thirrur për të dëshmuar  për shkeljen e rëndë të Kushtetutës  për zgjedhjet e 30 qershorit. Kjo një nismë e 55 deputetëve.  Na jepni rrethanat tuaj dhe të na tregoni çdo provë që ju keni për këtë çështje.  Nuk mund të dëshmoni për fakte dhe rrethana që janë sekret shtetëror. Në këtë rast mund të kërkoni mbledhje me dyer të mbyllura, por edhe kjo mund të diskutohet, Kjo mbledhje gjithsesi do të jetë e regjistruar.  Tani i jap fjalën presidentit të vendit.

      Meta: Faleminderit. Nuk do të dëshiroja të mbaja ndonjë fjalim pasi të gjitha aktet e mia janë publike, si zhdekretimi i zgjedhjeve apo edhe dekretimi i 13 tetorit. Unë e kam dhënë një përgjigje për Ruçin të gjitha janë bërë publike. Unë jam sot këtu se ka një lidhje të fortë se kreu i shtetit duhet të tregojë respekt ndaj institucioneve. Erdha këtu në interes të transparencës dhe do të vë në transparencë disa gjera të reja. E para është shkelja e Kushtetutës.  Të gjitha e sqarojnë shumë mirë dallimin mes votimit dhe zgjedhjes. Pra të zgjedhësh me një kandidat shkel ligjin, kjo është një  e drejtë themelore. Zhdekretova zgjedhjet e 30 qershorit për të mbrojtur zgjedhjen e qytetarëve.

    • 9:49

      Meta niset për në Komisonin Hetimor: Jam i bindur për vendimet, nuk do bëj show

      Presidenti, Ilir Meta drejt Komisionit Hetimor

      Presidenti Ilir Meta niset është duke shkruar në këmbë në Komisionin Hetimor. Për mediet ai është shprehur se është shumë i bindur për vendimet që ka marrë dhe se sot do të bëj show mediatik.

      Ai  tha se nisma e mazhorancës për shkarkimin e tij nuk është shqetësimi i tij teksa shprehu bindjen se do të vijojë të jetë në detyrë deri në fund të mandatit.

      “Jam i bindur për vendimet që kam marrë. Deri më 2020 do të jem në Presidencë për të mbrojtur Kushtetutën. Nuk po shkoj për të bërë show politik apo spektakël.  Nisma e mazhorancës nuk është shqetësimi im.”, është shprehur ai.

      Presidenti është i shoqëruar nga nga 2 këshilltarë: Këshilltari për Sigurinë, Bahri Shaqiri; dhe Këshilltari për Mediet, Tedi Blushi.

    • 9:11

      Presidenti Meta sot në Komisionin Hetimor, ja nga kush do të shoqërohet

      Ilir Meta

      Presidenti i Republikës Ilir Meta ka deklaruar se ditën e sotme në orën 09:59 do të jetë në ambientet e Kuvendit për të marrë pjesë në Komisionin Hetimor.

      Po kush do ta shoqërojë Metën?

      Burime për Dosja.al bëjnë me dije se Presidenti do te shoqërohet nga personat më të besuar të tij.

      Krah Metës do të jenë 3 këshilltarë: Këshilltari për Sigurinë, Bahri Shaqiri; Këshilltari Ligjor, Bledi Dervishaj dhe Këshilltari për Mediat, Tedi Blushi.

    Shto Koment