LIVE UPDATES
Ekonomi

Rritja e çmimeve në vend, mishi zëvendësohet nga buka

Për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, familjet shqiptare kanë rritur konsumin për bukën dhe mishin e pulës, ndërsa është ulur përdorimi i mishit, sallamit, vajit dhe bulmetit. Kompanitë pohojnë se rënia e konsumit ka arritur deri në 40% krahasuar me vjet. Edhe në bare dhe restorante, këtë vit po konsumohet më pak. Bizneset kërkojnë ulje të taksave, pasi tkurrja e konsumit parashikohet të japë efekte në falimentime dhe shkurtime të vendeve të punës.

7 Gusht 2022, 07:27 Nga d.a.
Rritja e çmimeve në vend, mishi zëvendësohet nga buka
Foto ilustruese

TIRANË- Në këtë periudhë konsumi ka shënuar rënie për produktet e shportës që varion nga 15 deri në 40% më pak krahasuar me vjet.

Kompanitë kryesore të prodhimit dhe importit në vend pohojnë se arsyet kryesore të tkurrjes së konsumit janë rritja e çmimeve nga shtrenjtimi i kostove dhe emigracioni masiv i popullsisë, kryesisht të rinjve.

Në qershor, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të caktuar, arriti në 7.4%, niveli më i lartë në 20 vjet, i ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i produkteve ushqimore dhe karburanteve.

Për shkak të shtrenjtimit të çmimeve, tendenca e konsumit është me rënie për produktet e mishit, bulmetit, vajit të lulediellit, birrës dhe pijeve freskuese, ndërsa është rritur konsumi i bukës.

Në bare dhe restorantet e Tiranës e bregdetit të Jugut, operatorët thonë se konsumi ka rënë 30 deri në 40% nga rritja e çmimeve.

Shqetësimi më i mprehtë për strukturat e shërbimit është mungesa e madhe e fuqisë punëtore dhe emigracioni i të rinjve që ka shtuar kostot e shërbimit.

Çmimet e katër artikujve ushqimorë prej fillimit të muajit prill kontrollohen nga Bordi i Transparencës. Operatorët e tregut pohojnë se mbajtja në kontroll e çmimeve nuk ka ndikuar te rritja e ekonomisë së shkallës (konsumit), por te shtimi i marzheve të fitimit, pasi ka nxitur dyqanet e vogla të produkteve ushqimore për të shtrenjtuar çmimet e produkteve të tjera.

Në anën tjetër, prodhuesit, përveç shtimit të kostove nga shtrenjtimi i lëndëve të para, për shkak të tendencës globale, vuajnë konkurrueshmërinë e produkteve të rajonit, pasi paguajnë më tepër taksa.

Përpunuesit e mishit ngrenë shqetësimin se taksa e lëndës së parë përpunuese dhe TVSH-ja e shtrenjton 40% më shumë prodhimin e tyre sesa Maqedonia e Veriut. Përfaqësues të industrisë i bëjnë thirrje qeverisë të heqë taksën 12% të përpunimit të lëndës së parë dhe TVSH-në e naftës te bizneset.

Kostot nga taksat dhe çmimet e lëndëve të para janë shtrenjtuar edhe për përpunuesit e qumështit pas heqjes së TVSh-së 6% të kreditueshme nga 1 janari 2022.

Përfaqësuesit e këtyre industrive njëzëri kërkojnë që qeveria të ndërhyjë me uljen e TVSh për produktet e shportës, në ndihmë të konsumatorit.

Çmimet e larta tkurrin konsumin e mallrave të shportës

Konsumi i produkteve të shportës për mallrat e shportës, si: vaj luledielli, oriz, makarona dhe sheqer për muajin korrik është me rënie krahasuar me vitin e kaluar.

Përfaqësues të kompanisë “Teuta”, një nga distributorët kryesorë të mallrave ushqimore, thanë për “Monitor” se tkurrja e konsumit është ndikuar nga blerjet e panikut të konsumatorit, pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, por edhe për shkak të stinës së verës, që karakterizohet për rënie të kërkesës te disa mallra të shportës ushqimore.

Rrjeti i supermarketeve “Big Market” pohoi për “Monitor” se për 20 ditët e para të muajit korrik, të ardhurat janë 8% më shumë krahasuar me vjet.

Përfaqësuesit e “Big Market” shpjeguan se tendenca e konsumit shfaqet e njëjtë në raport me vjet, ndërsa rritja e të ardhurave është ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve për produktet e shportës të mallrave të importit për shkak të tendencës globale.

Administratori i një prej kompanive të mëdha të importit të vajit në vend, Aredi Sado, shtoi se aktualisht, konsumi i vajit të lulediellit është 30 deri në 40% më pak se vjet. Për muajt prill-qershor të 2022, konsumi i vajit të lulediellit u tkurr 50% në raport me vjet, nga rezervat që krijuan konsumatorët të frikësuar nga çmimet e larta dhe mungesa e produktit për shkak të fillimit të luftës.

Përfaqësuesi i kompanisë “Olim” thotë se tre janë arsyet kryesore të rënies së konsumit: emigracioni i lartë dhe mungesa e madhe e turistëve, kryesisht emigrantëve që nis pas datës 15 korrik, sasia ende e lartë e vajit të magazinuar nga konsumatori dhe rritja e lartë e çmimit.

“Rënia e konsumit pritet të krijojë situatë të vështirë te bizneset, pasi kostot operacionale (pagat e punonjësve, tarifat e transportit, taksat) vijojnë të mbahen në të njëjtat nivele kur konsumi ishte më i lartë.

Nëse kjo situatë vijon, i gjithë presioni do të shfryhet diku, bizneset do të jenë të detyruara të shkurtojnë numrin e të punësuarve, pasi nuk do të kenë mundësi financiare”.

Importuesit ngrenë edhe shqetësimin e tjetërsimit të konsumit të vajit, për shkak të sasisë të vajit që po hyn i pakontrolluar dhe i falsifikuar.

Sipas tyre, abuzimi është rritur në të gjitha drejtimet, duke përfshirë falsifikimet e markave të huaja, por edhe te hyrjet kontrabandë nga qytetet e pikave kufitare. Sipas të dhënave të Doganave, importet e vajit të lulediellit për vitin 2021 u rritën 8% më shumë se në 2020.

Ulet konsumi për mish, sallam, proshutë

Prodhimi i sallamit në vitin 2020, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, u ul 9,6% krahasuar me 2019-n, ndërsa prodhimi i proshutës shënoi rritje të lehtë në vlerën e 0,8%. Sipas të dhënave të doganave, për vitin 2021, importet e sallamit u rritën 21% krahasuar me 2020-n.

Një nga drejtuesit e kompanisë kryesore të përpunimit të mishit në vend, Nikolla Tona, tha për “Monitor” se konsumi për produktet e përpunuara këtë sezon është 25% më pak se vjet. Drejtuesi i kompanisë “Tona” thotë se arsyet kryesore të tkurrjes së konsumit janë shtrenjtimi i çmimeve të produkteve deri në 20% më shumë se vjet dhe emigracioni.

“Arsyet kryesore të rënies së konsumit janë çmimet e shtrenjtuara dhe largimi i popullatës. Në emigracion po largohen të rinjtë që zënë peshë të lartë në konsumin e mallrave ushqimore. Konsumatori aktualisht nëse shpenzonte 100 lekë për produktet e sallamit dhe mishit, sot po shpenzon 75 lekë”, thotë ai.

Kompania parashikon ndryshime të konsumit edhe në vjeshtë, pasi pritet të ketë sërish rritje të çmimeve për konsumatorin nga një tjetër shtrenjtim prej 20% që fabrikat e huaja kanë njoftuar për lëndët e para. Z. Tona ngre shqetësimin se taksat e larta që paguan industria i rrisin kostot e prodhimit 40% më shumë se te prodhuesit e rajonit.

“Në industrinë e përpunimit të mishit, çmimet e produkteve të konsumatorit nuk po rriten artificialisht, por për shkak të kostove. Përveç shtrenjtimit të lëndëve të para, që tashmë është një problem global, industria vuan shtimin e kostove nga taksat e larta.

Taksa e lëndës së parë përpunuese në Shqipëri është 12%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut është zero. TVSH e produkteve të konsumit është 20%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut nga 5% që ishte u bë zero.

Prodhuesi maqedonas automatikisht konkurron prodhuesin shqiptar me kosto 32% më pak, për shkak të lehtësive fiskale, duke shtuar këtu taksat për karburantin, gazin dhe energjinë, kostoja e lartë nga taksat arrin deri në nivelin 40%.

Nëse për të prodhuar një produkt mishi me kosto 500 lekë në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, për shkak të lehtësive fiskale, kostoja e prodhimit është 300 lekë”, thotë ai.

Përpunuesit e mishit përsërisin kërkesën ndaj qeverisë që të heqë taksën 12% të përpunimit të lëndës së parë, TVSH-në e naftës te bizneset dhe të reduktohet TVSH-ja te produktet e shportës.

“Në këtë situatë, por edhe në kuadrin e nismës ‘Open Balkan’ është e domosdoshme marrja e vendimit për lehtësi fiskale, pasi produktet shqiptare nuk do të arrinin asnjëherë të konkurronin produktet e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës. “Open Balkan” pa njehsim të taksave sa vendet e rajonit nuk do të funksionojë, pasi prodhuesit shqiptarë janë në disavantazh nga taksat e larta.

Po ashtu nuk është e drejtë që produkti i sallamit të gatshëm të importohet me zero taksë doganore, ndërsa përpunuesit për mishin e importit të paguajnë taksë. Ulja e taksave do të ndikonte edhe te përmirësimi i konsumit. Rënia e konsumit është fatale për të gjithë, pasi ndikon te rënia e të ardhurave buxhetore, të kompanive dhe te papunësia”.

Rënie të konsumit ka pasur edhe te mishi i viçit dhe derrit, pasi çmimi i mishit të viçit është shtrenjtuar 20% më shumë se vjet dhe ai i derrit është dyfishuar.

Operatorët e tregut pohojnë se rënia e konsumit të mishit të viçit e derrit, po zëvendësohet nga mishi i punës, që është më i lirë.

Pas rënies 20% të kapacitetit prodhues të furrave të bukës në muajin mars, për shkak të shtrenjtimit të çmimit të miellit, në këtë periudhë konsumi i bukës është në rritje. Gëzim Peshkopia, kryetari i Shoqatës së Brumërave dhe Pastiçerive, tha se konsumi i bukës është shtuar në qytetet kryesore të vendit dhe në zonat bregdetare krahasuar me vjet.

Për periudhën 2021-2022, çmimi i bukës është rritur tre herë radhazi me një rritje totale prej 71%. Shtrenjtimi i parë nisi në muajin shtator të vitit të kaluar, kur buka masive nga 70 lekë u rrit në 80 lekë.

Në mesin e muajit mars, çmimi i bukës shënoi sërish rritje, duke arritur në 100 lekë. Ndërsa çmimi në 120 lekë ka nisur të tregtohet në rrethet si Korça, Pogradeci, Gjirokastra apo Saranda, për shkak të shtrenjtimit të kostove të transportit të miellit nga karburanti.

Gëzim Peshkopia, kryetari i Shoqatës së Brumërave dhe Pastiçerive, pohon se rritja e çmimit të bukës masive deri në 120 lekë ishte individuale, ku në shumë furra të tjera, çmimi nuk ka ndryshuar, duke amortizuar koston te marzhet e fitimet, me qëllim ruajtjen e ekuilibrit mes prodhimit dhe konsumit.

“Ashtu siç reflektohet ka një zgjatje të situatës së vështirë të çmimeve që nisi që nga pandemia e Covid-19 dhe u bë edhe më problematike me fillimin e luftës, duke përcjellë edhe ndikime psikologjike. Për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para, çmimet janë rritur nga disa biznese, ndërsa në të tjera nuk ka pasur rritje.

Disa furra buke kanë amortizuar fitimet, për të mos prekur konsumatorin. Furrat e bukës janë prekur më tepër nga rritja e çmimit të miellit, vajit, margarinës, majasë dhe karburantit. Për të përballuar shtrenjtimin e çmimit të karburantit furrat e bukës kanë kufizuar lëvizjet, duke bërë vetëm lëvizje të planifikuara”, veçoi ai.

Përveç sektorit të përpunimit të qumështit, një tjetër industri që po vuan rënien e prodhimit është industria e vezëve. Për shkak të influencës aviare deri në fund të muajit mars, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë ngordhën 380 mijë shpendë.

Në total, për vitin 2020, sipas INSTAT numëroheshin 5 milionë pula në të gjithë vendin. Pulat e ngordhura deri në fund të marsit zinin 8% të numrit të shpendëve të gjalla.

Për të zëvendësuar një pulë nevojiten 5 muaj kohë, ndërsa çmimi i shpendëve me moshë prodhimi të vezëve është 5 euro. Për shkak të rënies së prodhimit vendas, për periudhën janar-qershor 2022, importet e vezëve arrijnë në shifra rekord.

Rritja nisi që në muajin mars, kur te shpendët ra influenca aviare, duke arritur pikun për muajt maj dhe qershor. Sipas të dhënave të doganave, për periudhën janar-qershor, importet e vezëve janë rreth 25 herë më të larta se e njëjta periudhë e vitit 2021.

Në total, në këtë periudhë, janë importuar 380,7 mijë kg vezë nga 15,4 mijë kg vezë që u importuan vjet. Tendenca e lartë e importeve të vezëve është shënuar edhe në 2015-n. Në raport me këtë periudhë, importet e janar-qershor 2022 janë rreth 2,5 herë më të larta. Për 2021 u prodhuan 9% më shumë se në 2020-n.

Për vitin 2022, rreth 70% të importeve të vezëve e zë Serbia, 20% e tyre janë nga Turqia dhe Italia. Vjet importet e vezëve nga Serbia ishin zero. Drejtori i shitjeve të kompanisë të vezëve “Ovvital”, z. Lilo Seraj, pohoi më herët për “Monitor” se importi i vezës së kategorisë A nga Serbia, është i lartë për shkak të çmimit shumë herë më të lirë, kjo si pasojë e sistemit të taksave që kanë për lëndët e para në blegtori.

“Ne taksohemi 20% për lëndët e para, kurse në Serbi, taksa është 6%. Serbia është një nga prodhuesit më të mëdhenj të grurit dhe misrit në rajon. Konsumi në përgjithësi i të gjithë artikujve ka shënuar rënie dhe ndikimi nga turizmi nuk është ai që pritej”, theksoi ai.

Operatorët pohojnë se nga fermat blegtorale, çmimi i vezës me shumicë është ulur 5%. Para valës së rritjes së çmimit të drithërave, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, çmimi i vezës me shumicë ishte 13 lekë për kokërr.

Në mesin e muajit mars, veza me shumicë nga fermat u shit me 18 lekë për kokërr (rritja 38%) nga 15 lekë për kokërr që ishte më parë, ndërsa në dyqanet e produkteve ushqimore, çmimi i vezës arriti 19 lekë nga 17 lekë për kokërr që shitej më parë.

Në fund të muajit mars, çmimi i shitjes së vezës nga dyqanet e pakicës arriti në 24 lekë për kokërr. Arsyeja e shtrenjtimit të vezëve ishte mungesa e prodhimit ditor, për shkak të ngordhjes të pulave nga influenca aviare.

Pse është ulur konsumi i birrës

Sipas të dhënave të Doganave, për vitin 2021, prodhimi ishte 7,5% më shumë se 2020, por 7,6% më pak se në 2019-n. Importet e birrës për muajt janar-prill 2022 janë rritur 13% krahasuar me vitin 2021. Rreth 54% të konsumit të birrës në vend për 2021 e zunë importet, ndërsa 46% ishte nga prodhimi vendas.

Konsumi për këtë produkt shfaqet me rënie deri në 15% më pak se vjet sipas Kryetarit të Shoqatës së Prodhuesve të Birrës, Stefan Pinguli.

Shkaqet kryesore të tkurrjes së prodhimit janë çmimet e larta, pamundësia e kompanive të birrës për të investuar në teknologji dhe mungesa e masave lehtësuese fiskale nga qeverisa, si dhe emigracioni i popullsisë dhe mungesa e turistëve.

“Janë një sërë faktorësh që kanë ndikuar te rënia e konsumit këtë vit. fillimisht do të përmendja rritjen e çmimeve të birrës, që është ndikuar nga rritja e kostove së lëndëve të para. Thuajse të gjitha kompanitë e birrës nuk kanë mundësi financiare për të investuar në teknologji për rritjen e cilësisë së birrës dhe marketingun.

Në anën tjetër, në këtë situatë, linja e qeverisë në lidhje me taksat është tepër egoiste. Për shkak të inflacionit, qeveria ka rritur nivelin e të ardhurave, duke mos sakrifikuar asnjë të ardhur për sipërmarrjen që vuan shtimin e kostove nga shtrenjtimi i lëndëve të para.

Për sektorin prodhues të birrës, rimbursimi i akcizës dhe TVSH-së së karburanteve vijon të jetë në nivele të ulëta. Ndërsa taksat që ne paguajmë (TVSH + akcizë) zënë 12% të shpenzimeve, nga qeveria rimbursohen vetëm 3%.

Për shkak të mungesës së politikave lehtësuese të taksave jemi ndër të paktat vende në botë që 50% të konsumit të birrës e zënë importet. Këtë vit, importet e birrës erdhën me çmim shumë më të lirë se vjet dhe shumë konsumuan pijet më të lira. Janë të gjitha këto arsye që kanë sjellë që konsumi i birrës të mos jetë në nivelet e dëshiruara”, pohoi ai.

Ndër problemet më madhore të sektorit, sipas Pingulit, mbetet mungesa e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit. Por në anën tjetër, emigracioni i popullatës po jep efekte te konsumi që është reflektuar edhe te birra. Pinguli thotë se këta faktorë do të vijojnë të pengojnë përmirësimin e konsumit.

“Sot për sot, problemi më madhor është mungesa e fuqisë punëtore. Pavarësisht se çdo vit kemi rritur pagat e tyre 20 deri në 30%, është e vështirë të gjesh punëtorë, pasi po largohen në emigracion. Në çdo qytet që të shkosh në Vlorë, në Lezhë etj., në rrugë shikon më pak njerëz.

Në zonat bregdetare po ashtu shikon që mungojnë turistët emigrantë. Krahasuar me vjet, numri i tyre është shumë më i ulët.

Kjo ndodh edhe për shkak të krizës në gjithë shtetet. Në Shqipëri, mungesa e njerëzve po jep efektet te konsumi. P.sh., në Vlorë konsumi i birrës është 40% më pak se vjet, për shkak të emigracionit dhe mosardhjes së emigrantëve”, veçon ai.

Importet e karburantit për periudhën janar-qershor 2022 janë rreth 9% më pak se 2021, sipas të dhënave të Doganave.

Operatorë të tregut shpjegojnë se rënia e konsumit është ndikuar nga rritja e lartë e çmimeve, ulja e aktivitetit të ndërtimit, për shkak të shtrenjtimit të lartë të çmimit të hekurit, çimentos dhe plastikës.

Për shkak të çmimit të lartë të karburantit në këtë periudhë shumë qytetarë kanë gjetur si zgjidhje furnizimet në vendet kufitare, pasi çmimi është më i ulët. Edhe ky fenomen ka ndikuar te rënia e konsumit.

Çmimi i naftës pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë është rritur mbi nivelin e 200 lekëve për litër, duke kërcyer deri në 265 lekë për litër në muajin qershor.

Me gjithë ndërhyrjen e bordit, çmimi i naftës ka vijuar të rritet vazhdimisht, duke reflektuar ndryshimet në bursë. Që nga krijimi i Bordit, kur karburanti tregtohej me rreth 230-235 lekë, nafta aktualisht është 226 lekë për litër (2 deri 4% më lirë)./Monitor/

stefan pinguli rritja e cmimeve ne shqiperi

Sondazh

Poll

Privatizimi i ish-klubit ‘Partizani’, dëshmon Qirjazi: MM më kërkoi firmën, bëra ç’ishte e ligjshme

Privatizimi i ish-klubit ‘Partizani’, dëshmon Qirjazi: MM më kërkoi firmën, bëra ç’ishte e ligjshme

Tiranë, bënin kontrabandë me veshje, pije, cigare dhe rroba, 3 të arrestuar në 2 operacione

Me 14 emigrantë në Morinë, arrestohet 19-vjeçari, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij

Rrumbullaku ngre strukturë për emërimet në polici: Riformatim ekipeve që hetojnë krimin

Me dy kallashnikovë në shtëpi e municion luftarak, arrestohet 31-vjeçari në Dibër

"Porsche", "Maseratti" e 'Mercedes Benz", arrestohet 52-vjeçari që shiste mjetet e vjedhura në BE

Pellusha, rripa e çanta markash kontrabandë, arrestohet pronari i 5 dyqaneve në Tiranë e Durrës

Mandati i Xhaçkës, Bushka: Duam kohë për raportin. Alibeaj: Mos nxirrni sebepe

Dashnor Sula shpërndan "paund" në Kuvend, i lë ca para edhe Ramës tek vendi

Autor i 4 vjedhjeve në banesa dhe biznese, vihet në pranga 35-vjeçari në Tiranë

Aksident me vdekje në Korçë, zetori përplas motorin, dy persona të vdekur

PD kërkon përballje me Nanon:Trego ç’bisedove me Lamin për Martinajn. Naço:S’e lejon sekreti hetimor

“Ekstradoni kriminelët nga Dubai”, Noka shtron kërkesën. Naço: Na jep informacione nëse ke

Noka kërkon llogari për Martinajn, Kuko: Jam këtu për tjetër gjë, Deputeti:Po thërrasim Kulturën pra

Salianji: Ekstradoni kriminelët nga Dubai, këtu kërcet pushka, atje hapet shmapanja. Kuko:I takon MD

Salianji: Në Shqipëri kërcet pushka, në Dubai hapet shampanjë! Krerët e grupeve kriminale të lirë

Ka shkuar mirë? Rama del i qeshur nga "Vila 30", i hedh dorën në qafë Kurtit

E PAPRITUR! Rama zhvillon takim 'kokë më kokë' me Kurtin në Tiranë

'RING'/ Kontrabandë nga Libia në Durrës, sekuestrohen 2275 ton naftë, arrestohen 4 persona

Marrëveshja Shqipëri-Emirate të Bashkuara, Alibeaj: Kush kryen krime është në Dubai

Shqiptarët me gomone drejt Anglisë, Ministria e Brendshme: Nuk është fenomen i panjohur

Noka kërkon 'llogari' për zhdukjen e Martinajn: A ka informacion Qeveria? Thonë e gjeti hasmi

Bushka- Alibeajt: Ti je anatemuar në publik. Deputeti: Po e di, merr masë nëse shkela etikën

Çantën e mbushur me detonatorë e C4, arrestohet sa zbret nga urbani 44-vjeçari në Shijak

'Po u thonë diçka politikës shqiptare'/ Alibeaj: Çunat e Londrës vijnë në Bllok me makina angleze

Shqiptarët drejt Britanisë, Alibeaj: Largohen për të qëndruar në shtëpi bari, sa të rinj janë atje?

'Ligjet'/ Memorandumi Shqipëri-Britani e Madhe për emigracionin, Sula: Pse u miratua me urgjencë?

'Territorialja'/ PS kundërshton propozimin e PD, Balla: I qëndrojmë ndarjes aktuale me 61 Bashki

Balla: Bashkëpuntorët e sigurimit të shtetit sillen sikur nuk u ka hyrë asgjë në këmbë

'Të hetohet Berisha', Balla: Dua përgjigje nga SPAK, PS qëndron ndarjes aktuale të Bashkive

Xhixho përplaset me kryebashkiakun Suli për shkollën "Ibrahim Basha": Pse s'është ndërtuar?

Transportonte 17 emigrantë të paligjshëm, arrestohet 35-vjeçari në Qafë-Botë

Hajdari: Të dalim në protesta, një grup njerëzish me në krye Ramën po uzurpojnë pushtetet

Përkujtimohet Azem Hajdari,djemtë i shkojnë me nuset për dore,Rudina merr të bijën, s'mungon Berisha

Veliaj s'përmbahet përballë gjimnazistëve/ Tregon idenë e tij për një shkollë të mirë: Si hotel

24 vite nga vrasja e Hajdarit/ Berisha: Hyri në histori, për 3 ditë rrëzoi regjimin

Shqiptarët dynden drejt Britanisë, ambasadori: Pasurimi i shpejtë ju çon drejt drogës

Deputetja i kthehet keq ish-zv.kryeministrit: Ahmetaj po deshe ta liroj vendin ta drejtosh

Sulmi ndaj sistemeve/ Salianji dhe Noka kërkesë AKSHI-t: Pse nuk u garantua siguria?

Arsimimi në Shqipëri, Yuri Kim: Faktor kyç, ndikon në përparimin tuaj

'Fëmijët kanë mundësi të punësohen'/ Rama: 11-vjeçarja në Shenavlash mbante shtëpinë me para

Abetarja e unifikuar/ Rama: Maqedonia parimisht dakord, diskutuam me Malin e Zi dhe Serbinë

Dëgjohet muzikë në Kongres, Rama: Jetojnë me ‘radio’ në xhep, njëri më tha është zilja e gruas

Kongresi, Rama: Kërcënimi ndaj gjuhës është i madh, do diskutojmë futjen e saj në çdo nivel arsimi

Rama mbledh Kongresin e Arsimit, Yuri Kim ende përgjumshëm

Dita e parë e shkollës, Rama këshillon të vegjëlit: Bëni qef dhe punë

Shtëpinë e kishte kthyer në “dyqan”, arrestohet i riu në Fier, e spiunuan për "Zastava"

Hakerat e Iranit futen në sistemin e kamerave të kufijve shqiptarë! Publikojnë videon

Sulmi kibernetik, radhë të gjata në doganën e Bllatës

Probleme me sistemin TIMS në Kapshticë, po punohet me regjistra