Protesta për Zvërnecin/ Protestuesit çajnë kordonin metalik, policia i sulmon me ujë. Tubimi shpërndahet në gjithë Tiranën
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Tragjedia me dy viktima në Shëngjin, policia jep detaje: Të gjithë shtetas nga Kosova, tre persona në spital 3 Qersho...
“Ka forca në Shqipëri dhe jashtë që janë kundër”/ Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thot&eum...
"Shqipëria është e shqiptarëve"/ Qytetarët mbushin rrugët e Tiranës, kërkojnë anulimin e pr...
Të ardhurat e operatorëve të komunikimeve elektronike u rritën për të dytin vit radhazi dhe arritën vlerën më të lartë që prej vitit 2016. Edhe për vitin 2022, kontributin më të madh në rritjen e të ardhurave e dha segmenti i shërbimeve fikse të komunikimit, kryesisht të internetit dhe IPTV.
TIRANË- Tregu i komunikimeve elektronike u rrit me 5.4% vitin e kaluar. Mbështetur në të dhënat e raportuara në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) nga operatorët e tregut, të ardhurat totale prekën vlerën e 38.2 miliardë lekëve, ose 334 milionë eurove.
Të ardhurat e operatorëve të komunikimeve elektronike u rritën për të dytin vit radhazi dhe arritën vlerën më të lartë që prej vitit 2016. Edhe për vitin 2022, kontributin më të madh në rritjen e të ardhurave e dha segmenti i shërbimeve fikse të komunikimit, kryesisht të internetit dhe IPTV.
Nga afërsisht 2 miliardë lekë që ishte rritja e të ardhurave të tregut vitin e kaluar, 53% e rritjes erdhi nga segmenti i shërbimeve fikse, ndërsa 47% nga ai i shërbimeve celulare.
Që prej vitit 2012 e në vazhdim, volumi i tregut të komunikimeve elektronike ka pasur një tendencë të përgjithshme në rënie. Rënia i detyrohet kryesisht shtimit të konkurrencës dhe uljes së çmimeve, që i pakësoi gradualisht shpenzimet e shqiptarëve për shërbimet e komunikimit. Megjithatë, segmenti më i madh i tregut, ai celular, ndodhet në një fazë përqendrimi.
Në vitin 2017 doli nga tregu operatori i katërt, Plus Communication, ndërsa në fund të vitit të kaluar, të njëjtën gjë bëri edhe operatori i tretë, Albtelecom. Që nga fillimi i këtij viti, numri i operatorëve ka zbritur në dy, duke u kthyer në strukturën e duopolit kur ishte deri në vitin 2008.
Ulja e numrit të operatorëve dhe nevoja për investime, e lidhur me zhvillimet e shpejta teknologjike në këto tregje, mund të krijojnë premisa për rritje të çmimeve.
Tregu celular, në rritje të ngadaltë
Tregu i shërbimeve celulare vazhdon të dominojë strukturën e të ardhurave të tregut, me më shumë se 66% të totalit. Megjithatë, ritmet e rritjes së këtij tregu edhe në vitin 2022 rezultuan ndjeshëm më të ulëta krahasuar me tregun e shërbimeve fikse dhe pesha e këtij segmenti ndaj totalit të tregut është në rënie nga niveli prej 69% i një viti më parë.
Operatorët raportuan të ardhura prej komunikimeve elektronike në vlerën 25.4 miliardë lekë, në rritje me 3.7% krahasuar me vitin 2021. Rritja e volumit të tregut ishte në nivele të përafërta me vitin 2021.
Të dhënat e AKEP tregojnë se numri total i abonentëve celularë, ose kartave SIM në fund të vitit 2022 arriti në rreth 3.7 milionë, e thënë ndryshe çdo banor në Shqipëri zotëron rreth 1.35 karta SIM, shifёr kjo mё e lartё se mesatarja europiane prej 1.21 karta SIM pёr banorё.
Ndërkohë, numri i kartave SIM aktive (numri i kartave tё përdorura për të kryer komunikime elektronike gjatë tre muajve të fundit) arriti në rreth 2.8 milionë, në rritje vjetore me 5.6%.
Gjatë vitit 2022 ka vijuar tendenca e ndryshimit të strukturës së pajtimtarëve, ku vihet re një ulje e numrit të pajtimtarëve me parapagim (68% nga 72% që ishte në vitin 2021), dhe rritje simetrike e blerjes së shërbimeve mobile përmes kontratave me paspagim, praktikë e cila aplikohet gjerësisht në vendet e rajonit dhe të BE-së.
Shërbimet celulare, në vitet e fundit, janë gjithnjë e më të orientuara tek interneti, siç dëshmohet nga rritja shumë e lartë e volumit të transmetimit të të dhënave nga këto rrjete.
Vëllimi i të dhënave të transmetuara nëpërmjet internetit në rrjetet mobile gjatë vitit 2022 arriti nivelin rekord 184 milionë GB, ose 7.3 GB në muaj për përdorues.
Volumi total dhe përdorimi mesatar i internetit është trefishuar krahasuar me vitin 2018. Rritja e numrit të pajtimtarëve të shërbimeve internet, si dhe zhvillimet paralele teknologjike, sjellin rritjen e kërkesës për cilësi në ofrimin e këtyre shërbimeve.
Numri i pajtimtarëve aktivë, që kanë përdorur shërbimin e internetit nga celulari në fund të vitit 2022, arriti në rreth 2.1 milionë pajtimtarë, gjë që përbën një rritje me rreth 4% krahasuar me vitin pararendës. Rreth 77% e pajtimtarëve aktivë të shërbimeve celulare përdorin internetin nëpërmjet telefonave smart.
Përdoruesit e internetit kanë diktuar rritjen e kërkesës për të pasur lidhje me shpejtësi dhe qëndrueshmëri më të lartë, si dhe nevojën për mbulimin edhe të zonave rurale të pambuluara, kryesisht atyre me potencial për ofrimin e shërbimeve të turizmit.
Përdorimi masiv dhe në rritje i aplikacioneve Over-the-top (OTT) (si WhatsApp, Viber, etj.), nëpërmjet të cilëve dërgohen mesazhe tekst dhe kryhen thirrje zanore dhe video, ka sjellë si rezultat ulje të ndjeshme të SMS-ve dhe thirrjeve tradicionale.
Komunikimi nëpërmjet këtyre aplikacioneve ka ardhur gjithnjë e në rritje edhe si rezultat i përmirësimit të shërbimeve të ofruara nga operatorët e rrjeteve 4G dhe 4G+, të cilët mundësojnë transmetim me cilësi më të mirë si të mesazheve, ashtu edhe të thirrjeve (video dhe audio) nëpërmjet këtyre aplikacioneve.
Sipas AKEP, mbulimi i territorit dhe popullsisë me rrjete të teknologjive 3G dhe 4G ka pasur përmirësime të dukshme vitet e fundit, rritje e cila është më e theksuar në mbulimin e territorit dhe popullsisë me rrjetet 3G/4G.
Të tre operatorët që ofrojnë shërbime celulare, për vitin 2022, kanë raportuar mbulim të popullsisë me rrjet 3G në nivele rreth 91 – 99%.
Vodafone kryeson sipas xhiros, ONE Albania për numër abonentësh
Në ndarjen e tregut sipas xhiros së gjeneruar nga segmenti celular, edhe gjatë vitit 2022, operatori me pjesën e tregut më të madhe për sa u përket të ardhurave rezulton të jetë Vodafone Albania, me rreth 52%, i ndjekur nga One Communications, me 36%, dhe Albtelecom, me rreth 12%.
Pjesa e tregut e Vodafone ka qëndruar në nivele të përafërta krahasuar me vitin 2021, ndërsa ONE e ka rritur sërish me një pikë përqindje pjesën e tregut.
Para bashkimit me ONE, Albtelecom ka humbur sërish një pikë përqindje në treg.
Që prej fillimit të këtij viti, Shqipëria ka dy operatorë celularë, pas bashkimit të kompanive ONE dhe Albtelecom nën ombrellën e grupit hungarez 4iG. Mbështetur në të dhënat e vitit 2022, Vodafone mban rreth 52% të tregut, ndërsa operatori i ri, One Albania, rreth 48%.
Në ndarjen e tregut, sipas numrit të përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare, Vodafone Albania kryeson sërish, me 47% të totalit. Pjesa e tregut të Vodafone në këtë tregues është rritur nga niveli prej rreth 45% i vitit 2021.
Vijon ONE, me 40% të tregut, në rritje nga niveli 39% i një viti më parë. Albtelecom vitin e kaluar humbi ndjeshëm terren dhe ra në rreth 13% të numrit të përdoruesve aktivë, nga 16% që mbante një vit më parë. Megjithatë, pas bashkimit, operatori i ri One Albania është më i madh për nga numri i përgjithshëm i abonentëve, me 53% të totalit.
Konsolidimi është një tendencë që po ndeshet gjithnjë e më shpesh në tregjet e telekomunikacioneve në dekadën e fundit. Kjo ndodh sepse operatorët më të vegjël e kanë të vështirë të jenë eficientë në afatin e gjatë, sidomos në tregje me përmasa të vogla, si Shqipëria.
Tregu celular është shumë konkurrues dhe nevoja për investime është e madhe dhe e vazhdueshme. Po të shohim treguesit financiarë të operatorëve celularë në Shqipëri në dekadën e fundit, ka një tendencë të dukshme të rënies së fitimeve edhe për operatorët më të mëdhenj, ndërkohë që operatorët më të vegjël kanë rezultuar në mënyrë konstante me humbje.
Nevoja për investime dhe ekzistenca e një madhësie kritike është e lidhur shumë edhe me sjelljen konsumatore, sepse përdorimi i shërbimeve celulare nga shqiptarët po orientohet gjithnjë e më shumë drejt internetit, në përputhje me tendencat globale.
Kjo tendencë e bën cilësinë e ofrimit e shërbimit një element gjithnjë e më të rëndësishëm mes operatorëve. Krahasuar me shërbimet bazë të thirrjeve zanore dhe mesazheve të shkruara, ofrimi i shërbimit cilësor të internetit është më i kushtueshëm, sepse kërkon më shumë frekuenca dhe investime në infrastrukturë rrjetesh dhe në teknologji.
Në një të ardhme të afërt, edhe Shqipëria do të tenderojë edhe frekuencat e para për zhvillimin e teknologjisë 5G, që pritet të rrisë shpejtësinë e ofrimit të shërbimit të internetit nga rrjetet celulare.
Por, ngritja e këtyre rrjeteve do të kërkojë investime të mëdha nga operatorët celularë, për marrjen në përdorim të frekuencave, si dhe për ngritjen dhe zhvillimin e rrjeteve të mbështetur në teknologjinë e re.
Mes operatorëve celularë ekziston shqetësimi se abonimi i përdoruesit fundor mund të mos krijojë të ardhura të nevojshme për ta bërë rrjetin 5G ekonomikisht të qëndrueshëm.
Madje, disa operatorë mendojnë se, duke qenë se një infrastrukturë e rrjetit 5G në Shqipëri do të kishte një kontribut të rëndësishëm në qeverisjen më efektive, shteti duhet të jetë i gatshëm të kontribuojë me para për investimin në infrastrukturën e nevojshme.
Investimet në rrjetet celulare pësuan rënie
Vlera e investimeve në rrjetet celulare vitin e kaluar ishte rreth 4 miliardë lekë, në rënie për të dytin vit radhazi. Sipas AKEP, kjo ka ndodhur për dy arsye kryesore.
Së pari, vitet 2020 dhe 2021, për shkak të pandemisë, regjistruan rritje të rëndësishme në konsumin e të dhënave, çka shtyu operatorët të investojnë në shtimin e kapaciteteve dhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.
Së dyti, në vitin 2022, operatorët mobile kanë qenë palë ose subjekte të transaksioneve financiare mjaft domethënëse, por që nuk kategorizohen si investime në sektorin mobile sipas përkufizimit të përdorur.
Nga njëra anë, One Telecommunications dhe Albtelecom Albania kanë ndryshuar pronësinë, duke u bashkuar në një shoqëri të vetme, nën emrin ONE Albania më 1 janar 2023.
Nga ana tjetër, Vodafone Albania, pas një marrëveshje tregtare të arritur me dy operatorët e tjerë celularë, ka blerë një sasi të konsiderueshme spektri, me qëllim shpërndarjen e ekuilibruar të tij mes operatorëve.
Këto transaksione financiare, në vlera të konsiderueshme, megjithëse përbëjnë investime për subjektet e përfshira, nuk cilësohen si investime në tregun mobile. Megjithatë, sipas AKEP, këto zhvillime krijojnë premisa për rritje të investimeve gjatë viteve në vazhdim.
Operatori i bashkuar ONE Albania do të investojë me synimin për të unifikuar dhe për të konsoliduar trashëgiminë e dyfishtë teknologjike, administrative dhe tregtare, ndërsa Vodafone Albania me objektivin e vënies në eficiencë të frekuencave rishtazi të blera.
Në vitin 2022, operatori me pjesën më të madhe të investimeve në rrjetin mobile ishte One Telecommunications, me rreth 54% të totalit të investimeve për këtë zë, i ndjekur nga Vodafone Albania, me rreth 39% dhe Albtelecom, me 7%.
Tregu fiks u rrit për të pestin vit radhazi
Vitin e kaluar, volumi i tregut të shërbimeve nga rrjetet fikse arriti në 12.77 miliardë lekë, me rritje 8.9% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e tregut të shërbimeve fikse reflekton sidomos zgjerimin e vazhdueshëm të tregut të shërbimit të internetit me brez të gjerë.
Të dhënat e AKEP tregojnë se numri i abonentëve në fund të vitit 2022 arriti në 582 mijë, në rritje me 8.5% krahasuar me një vit më parë. Ritmi i rritjes u përshpejtua nga niveli prej 5.4% i shënuar në vitin 2021.
Tregu i shërbimit të internetit broadband me linja fikse në dekadën e fundit ka qenë mjaft konkurrues, sidomos në qendrat e mëdha urbane, ku përqendrimi i popullsisë është më i lartë dhe ku janë përqendruar edhe investimet e operatorëve në infrastrukturë rrjeti.
Megjithatë, statistikat e numrit të abonentëve të internetit fiks janë subjekt rishikimi të shpeshtë nga AKEP dhe shifrat shpeshherë përditësohen në publikimet e mëpasshme.
Shumë prej operatorëve më të vegjël nuk raportojnë rregullisht të dhënat e tyre dhe shpesh shifrat për këta operatorë bazohen në vlerësime të kryera nga vetë AKEP.
Por, nga ana tjetër, edhe raportimet e operatorëve më të mëdhenj ndonjëherë nuk janë shumë të sakta. Burime nga tregu bëjnë të ditur se shpesh operatorët kanë tendencën të mos zbresin abonentët e larguar nga shifrat që raportojnë çdo tremujor në AKEP.
Kjo bëhet për të treguar një peshë tregu më të madhe nga sa kanë në të vërtetë. Këto praktika bëjnë që statistikat për numrin e abonentëve të internetit të kenë një marzh pasaktësie dhe rishikime të shpeshta nga AKEP.
Megjithatë, duke i marrë për të mirëqena statistikat, rritja e numrit të abonentëve gjatë viteve të fundit ka sjellë edhe përmirësim të ndjeshëm të aksesit të familjeve shqiptare në internet.
Në vitin 2022, katër nga pesë familje shqiptare kishin akses në internetin me linja fikse, çka, sipas AKEP, e vendos vendin tonë mbi mesataren e këtij treguesi për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
AKEP vlerëson se në vitin 2021, norma e penetrimit të aksesit broadband nga rrjete fikse ishte mbi 81% për familje, në rritje me 4 pikë përqindje krahasuar me 2021.
Sipas të dhënave statistikore të raportuara në AKEP nga sipërmarrësit e rrjeteve të komunikimeve elektronike, numri i pajtimtarëve me akses broadband nga rrjete fikse, në fund të vitit 2022, arriti në rreth 21% në nivel popullsie (nga 20% në vitin 2021) dhe 80% për familje (nga 77% që raportohej në vitin 2021).
Investimet në rrjetet fikse u rritën
Gjatë vitit 2022, sipërmarrësit e rrjeteve fikse kanë kryer rreth 2.6 miliardë lekë investime në rrjetet e tyre, duke shënuar rritje të lehtë me rreth 2% krahasuar me vitin 2021.
Sipas raportimeve, këto investime janë kanalizuar kryesisht në funksion të përmirësimit të aksesit të shërbimeve broadband, ku ndër investimet kryesore është fokusimi drejt zhvendosjes së rrjeteve të transmetimit nga teknologjia DSL (linja bakri) drejt teknologjisë me fibër optike.
Në vitin 2022, trafiku i internetit broadband nga rrjete fikse arriti në rreth 1 miliard GB, ose rreth 6% më shumë se viti 2021. Sipas AKEP, struktura e pajtimtarëve me akses në shërbime interneti fiks po evoluon në mënyrë të pandërprerë drejt shërbimeve broadband me shpejtësi shkarkimi mbi 30 Mbps.
Më shumë se gjysma e pajtimtarëve kanë pasur në vitin 2022 akses në lidhje fikse të kësaj shpejtësie.
Numri i familjeve të pajtuara në shërbime broadband mbi 100 Mbs është 72,241 (rreth 12% e pajtimtarëve) që, megjithëse përbën pothuajse dyfishim nga viti pararendës, mbetet në nivele modeste krahasuar me disa vende të rajonit si Mali i Zi dhe Kosova, ku rreth 40% e familjeve kanë akses në këtë shpejtësi shërbimi.
Sipas AKEP, Shqipëria performon mbi mesataren e rajonit sa i përket mbulimit me broadband të shpejtë, i aftë për të ofruar shpejtësi shkarkimi prej të paktën 30 Mbps) dhe 74% e popullsisë ishte e mbuluar nga broadband i shpejtë.
Mbulimin përherë e më të lartë me broadband të shpejtë dhe shumë të shpejtë e udhëheq shtrirja gjithnjë e më domethënëse e teknologjisë FTTP (fibër deri në pikën fundore), që ka shënuar rritje me rreth 12% krahasuar me vitin 2021.
Edhe në vitin e kaluar është regjistruar e njëjta prirje rritëse drejt paketave të integruara broadband dhe IPTV (Internet Protocol Television).
AKEP gjykon se, pas bashkimit me përthithje të Abcom nga Vodafone Albania dhe të Albtelecom nga ONE Albania, edhe në tregun shqiptar mund të shtrihen paketat broadband fiks plus celular, në formën e “quad-play” (broadband, telefoni fikse, telefoni celulare dhe televizion: të katërta nën një kontratë të vetme).
AKEP vlerëson se kjo ofertë tregtare premton çmime më avantazhuese për konsumatorin, ndonëse në kurriz të pjesshëm të fleksibilitetit.
Albtelecom kryeson ende në të ardhura, por me pjesë në rënie
Sipas të dhënave të AKEP, rreth 65% e të ardhurave të tregut të shërbimeve nga linjat fikse gjenerohen nga 7 operatorët kryesorë të tregut.
Edhe në vitin 2022, tregu kryesohej nga Albtelecom, me 26%, i ndjekur nga Vodafone me 21%, ASC me 6%, Digicom me 5%, Abissnet me 4% dhe Nisatel, me 3%. Operatorët e tjerë, të marrë së bashku, vlerësohet se zotërojnë rreth 35% të të ardhurave të këtij tregu.
Megjithatë, mbështetur në shifrat që raporton AKEP, vitin e kaluar u vërejt rënie e ndjeshme e peshës së operatorëve më të mëdhenj, që një vit më parë raportohej se zinin rreth 80% të tregut.
Rënie të fortë pësoi pjesa e tregut të Albtelecom, që në vitin 2021 ishte sa 34% e të ardhurave totale të tregut, por edhe ajo e Vodafone, që një vit më parë mbante 24% të tregut.
Megjithatë, nëse i referohemi ndarjes së tregut sipas numrit të abonentëve, viti i kaluar shënoi edhe përfundimin e kryesimit të operatorit historik, Albtelecom, në tregun e shërbimit të internetit.
Dy vjet pasi hyri në tregun e shërbimeve me linja fikse, duke blerë operatorin ekzistues Abcom, Vodafone Albania ka marrë kryesimin edhe në këtë treg.
Sipas të dhënave nga AKEP, në fund të vitit 2022, Vodafone raportonte mbi 126 mijë abonentë në shërbimin e internetit me brez të gjerë, shifër që përbën afërsisht 21.7% të numrit të përgjithshëm të abonentëve të tregut.
Në vitin 2022, Vodafone e rriti numrin e abonentëve me 13.5%, rritja më e lartë mes aktorëve të rëndësishëm të tregut. Kompanitë e tjera janë ende larg dy aktorëve mbizotërues në treg, por me një tendencë të vazhdueshme në rritje.
E treta pozicionohet ASC (Tring), me 10.4% të tregut, e ndjekur nga Abissnet, me 7.4% dhe Digicom, me 4.6%.
Në këtë treg veprojnë edhe një numër i konsiderueshëm operatorësh më të vegjël rajonalë dhe lokalë, që, të marrë së bashku, sipas vlerësimeve të AKEP, zotërojnë rreth 30% të numrit të përgjithshëm të abonentëve.
Marrë nga Monitor.al
foto ilustruese TIRANË- Ekonomistët argumentojnë se kthimi i mjekëve me përvojë (dhe të tjerë të kualifikuar ...
Foto Ilustruese TIRANË- Emigracioni është një fenomen i përhapur masivisht në popullsinë shqiptare, në të gjit...
Çmimi i miellit për bukë nga importi në tregun vendas është ulur me 27% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, ku pë...
Komi Furxhi, fermer nga Lushnja, llogarit që nga 1 hektar sipërfaqe e mbjellë me grurë, të humbasin këtë vit 46% të sh...
Tregtia me pakicë ka shënuar tendencë rritëse në tre muajt e parë të vitit, e ndikuar nga shitjet e karburanteve dhe ushqim...
Rritja mesatare e çmimeve të apartamenteve në Tiranë në 6-mujorin e parë të 2022 është e njëjtë me sh...
Projekti për një termocentral me gaz në zonën e Fierit, ku ndodhet një nga pikat e daljes së gazsjellësit TAP, ka kaluar n&eu...
Yield-et e obligacioneve 7 vjeçare pësuan përsëri rënie në ankandin e këtij muaji. Sipas të dhënave nga Banka ...
Në Shqipëri, vetëm 60% e atyre që raportohen si të punësuar marrin pagë mujore, pjesa tjetër është e vet&eum...
Prej disa muajsh Enti Rregullator i Energjisë i është kthyer debatit të kahershëm për ndarjen e tarifës së energjis&eu...