LIVE UPDATES
Ekonomi

Amerika Latine, gjeografia e re e naftës

Në vitin 2015, kompania gjigante e naftës ExxonMobil siguroi rreth 11 miliardë fuçi rezervë naftë bruto, ose sa rreth 0.6% e totalit botëror. Prodhimi nisi tre vite më parë dhe tani po rritet.

27 Gusht 2023, 07:40 Nga I.A
Amerika Latine, gjeografia e re e naftës
Foto Ilustruese

SHBA- Në ujërat e thella blu përtej brigjeve të Guajanës, anijet gjigante po nxjerrin naftë nga rezervuarë që ndodhen tre kilometra nën sipërfaqen e rërës. Këto makineri po transformojnë ekonomitë e një prej vendeve më të vogla dhe më të varfra të Amerikës së Jugut.

Në vitin 2015, kompania gjigante e naftës ExxonMobil siguroi rreth 11 miliardë fuçi rezervë naftë bruto, ose sa rreth 0.6% e totalit botëror. Prodhimi nisi tre vite më parë dhe tani po rritet.

Deri në vitin 2028, mund të arrijë në 1.2 milionë fuçi në ditë, një normë që sot do ta bënte Guajanën një nga 20 prodhuesit kryesorë të naftës. Kjo është një pasuri mahnitëse për një vend me vetëm 800,000 banorë.

Politikanët e huaj e njohin tashmë mirë vendndodhjen e tij në hartë. Më 6 korrik, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bëri një vizitë në vend.

Fitimet e Guajanës po rrisin prodhimin e naftës në Amerikën Latine. Sipas një raporti të fundit nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, prodhimi global do të rritet me 5.8 milionë fuçi në ditë deri në vitin 2028.

Rreth një e katërta e furnizimit shtesë do të vijë nga Amerika Latine, duke shënuar rritjen e prodhimit në rajon, pas një dekade rënieje (shih grafikun 1). Kjo rritje do të përqendrohet në Argjentinë, Brazil dhe Guajanë.

Në nivel global, kërkesa për naftë do të arrijë kulmin në dekadat e ardhshme, ndërkohë që do të nisin alternativat më të pastra të energjisë.

Megjithëse nafta do të jetë e nevojshme gjatë gjithë tranzicionit energjetik, ajo duhet të prodhohet me çmim të ulët dhe me emetime të ulëta të karbonit, për të mbetur konkurruese.

Brazili dhe Guajana pritet të përfitojnë më shumë se shumica e eksportuesve. Në Guajana, ExxonMobil dhe partnerët e saj nuk po humbasin kohë për ta sjellë atë në treg.

“Është objektivi i qeverisë dhe i yni gjithashtu, për të përshpejtuar zhvillimin e burimeve sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë Meghan Macdonald, zëdhënëse e kompanisë. Pjesërisht kjo bëhet edhe për të maksimizuar fitimet ndërkohë që çmimet e naftës janë të larta.

Në të kundërt, tranzicioni i energjisë do të jetë negativ për pjesë të tjera të Amerikës Latine. Shumë kompani shtetërore të naftës janë joefikase dhe nuk prodhojnë fuçi të pastra.

Vende si Ekuadori dhe Venezuela janë shumë të papërgatitura. Presidenti i Meksikës shpenzon miliarda për të ndihmuar firmat shtetërore të naftës. Dështimi i këtyre vendeve për t’u përshtatur mund të ketë pasoja të rënda ekonomike.

Në Brazil, ky bum ka nisur dekada më parë. Në vitin 2006, inxhinierët në Petrobras, kompania shtetërore e naftës në Brazil, bënë një zbulim të madh. Në brigjet e São Paulo-s, tre kilometra nën ujë, shtrihej një nga fushat më të mëdha të naftës në det të hapur në botë.

Sipas presidentit të atëhershëm Luiz Inácio Lula da Silva, kjo ishte provë se “Zoti është brazilian”. Fushat me naftë duket se janë pa fund. Janë shpuar mbi njëqind puse, dhe është nxjerrë naftë nga secili prej tyre.

Prodhimi i naftës u rrit nga 41,000 fuçi në ditë në vitin 2010, në 2.2 milionë fuçi në ditë vitin e kaluar.

Zoti është brazilian apo guajanas?

Fushat me naftë e shndërruan Brazilin nga një prodhues margjinal të naftës, në ekonominë e tetë më të madhe në botë. Gjeologjia e vendit, së bashku me investimet e kompanisë Petrobras në teknologjinë më të fundit, e bëjnë nxjerrjen e naftës veçanërisht efikase.

Sipas Schreiner Parker nga firma e konsulencës Rystad Energy, Brazili dhe Guajana mund të shesin naftë me 35 dollarë për fuçi, më pak se gjysma e çmimit të sotëm.

Sasia e ekuivalentit të gazit CO2 të emetuar për fuçi është 10 kg, krahasuar me një mesatare globale prej 26 kg. “Brazili dhe Guajana zotërojnë fuçitë e privilegjuara që kërkohen nga tregu”, mendon zoti Parker.

Presidenti Lula, i cili është rikthyer në detyrë, ka shpresë për më shumë lajme të mira në të ardhmen. Kompania Petrobras planifikon të shpenzojë gati gjysmën e buxhetit prej 6 miliardë dollarësh gjatë pesë viteve të ardhshme në një zonë në Brazilin Verilindor pranë Guajanës (shih hartën).

Qeveria pret që nga zona të nxjerrë mbi 10 miliardë fuçi nafte. Ligjet rregullatore mjedisore të Brazilit, kohët e fundit i mohuan kompanisë licencën për të shpuar në zonë, por kompania Petrobras thotë se do të apelojë vendimin.

Ajo ka mbështetjen e disa figurave të rëndësishme politike. Ministri i Minierave Alexandre Silveira, e ka quajtur këtë mundësi një “pasaportë për të ardhmen”.

Nuk ishin vetëm pasuritë natyrore të Brazilit që e ndihmuan kompaninë Petrobras. Politika e shëndoshë ishte gjithashtu me rëndësi vendimtare.

Bazat e saj u hodhën në vitet 1990, kur qeveria e atëhershme krijoi një agjenci të pavarur rregullatore dhe filloi të investonte shumë në eksplorim për gjetjen e naftës.

Fati i firmës u përmbys gjatë drejtimit të Dilma Rousseff-it, e cila qeverisi nga viti 2011 deri në 2016. Nën qeverisjen e saj, Petrobras shpenzoi me miliarda dollarë për subvencionimin e karburantit vendas, edhe pse çmimet globale të naftës ranë.

Deri në vitin 2015, kompania kishte grumbulluar borxhe prej më shumë se 100 miliardë dollarësh. Një hetim më pas zbuloi se ajo ishte në zemër të një skeme gjigante ryshfeti, për të blerë mbështetje politike.

Pasi zonja Rousseff u shkarkua nga detyra, nën akuzat se kishte shfrytëzuar llogaritë publike për të fshehur madhësinë e krizës ekonomike të Brazilit, qeveria mësoi ta “trajtonte kompaninë Petrobras si një biznes dhe jo si ministri”, thotë zoti Parker.

Shefi ekzekutiv Pedro Parente, i shiti asetet në mënyrë që të përqendrohej në fushat e naftës dhe shkurtoi fuqinë punëtore.

Një ligj i ri i lejoi firmat ndërkombëtare të marrin pjesë në kërkim dhe prodhim, duke rritur konkurrencën. Vitin e kaluar, fitimet e Petrobras arritën një rekord prej 36 miliardë dollarësh (kjo ishte pjesërisht për shkak të çmimeve më të larta të naftës).

Të pakta kanë qenë firmat e rajonit që kanë pasur fatin e jashtëzakonshëm të kompanisë Petrobras. Amerika Latine ka rezervat e dyta më të mëdha në botë të naftës pas Lindjes së Mesme, megjithatë firmat e saj shtetërore i kanë shpërdoruar vazhdimisht mundësitë.

Ndryshe nga shumica e vendeve të Gjirit Persik, qeveritë e rajonit në përgjithësi nuk kanë arritur të krijojnë fonde të sofistikuara të pasurisë sovrane për të kanalizuar të ardhurat nga nafta në investime afatgjata.

Në vend të kësaj, ato janë bërë të varura nga nafta si burim i të ardhurave valutore dhe fiskale.

Ndoshta asnjë kompani në botë nuk ka pasur një rol më të madh në kolapsin e shtetit të saj, se sa firma shtetërore e naftës në Venezuelë, PDVSA. Në kulmin e saj në vitin 1998, ajo siguronte 5% të furnizimit global. Por atë vit, u zgjodh president Hugo Chavez, një autokrat i krahut të majtë.

Në vitin 2003, pasi punëtorët e PDVSA-së hynë në grevë, Chavez pushoi nga puna 18,000 prej tyre (gjysmën e fuqisë punëtore) dhe i zëvendësoi me njerëz besnikë ndaj tij.

Më vonë ai kërkoi që firmat e huaja të naftës, të rinegocionin kontratat për t’i dhënë PDVSA-së kontrollin e shumicës. Kështu, kompania u kthye në një vegël financiare për të blerë mbështetje politike.

Prodhimi i naftës në Venezuelë ka rënë nga 3.4 milionë fuçi në ditë në vitin 1998, në 700,000 sot. Korrupsioni është shumë i përhapur në kompaninë PDVSA, e cila gjithashtu është sanksionuar nga SHBA-ja.

Midis janarit 2020 dhe marsit 2023, ajo mori pagesa me vlerë vetëm 4 miliardë dollarë, megjithëse eksportet e naftës ishin me vlerë 25 miliardë dollarë.

Megjithatë, Nicolás Maduro, pasardhësi i Chavez-it, beson në parashikimet rozë. Pasi Rusia pushtoi Ukrainën, ai tha se PDVSA-ja mund të “nxjerrë një, dy, tre milionë fuçi në ditë nëse do të ishte e nevojshme”.

Rasti i Venezuelës është i skajshëm, por e vërteta është se keqmenaxhimi dhe paqëndrueshmëria e politikave janë një normë në rajon.

Sipas Francisco Monaldi-t nga Universiteti Rice në Huston, nëse e gjithë nafta e rajonit do të shfrytëzohej me të njëjtën ekspertizë dhe në një mjedis të ngjashëm rregullator si në Teksas, atëherë Amerika Latine do të prodhonte më shumë naftë se Shtetet e Bashkuara, jo sa gjysma e tyre.

Kolumbia, Ekuadori dhe Meksika ishin përgjegjëse për vetëm 3.8% të prodhimit global në vitin 2021. Prodhimi pritet të tkurret për shkak të gjeologjisë së keqe, politikës së keqe, ose të dyjave.

Marrim rastin e Meksikës. Prodhimi i naftës arriti kulmin në vitin 2004 dhe që atëherë, pothuajse është përgjysmuar.

Ky nuk duhet të jetë problem, pasi Meksika ka një ekonomi të madhe dhe të larmishme, me një industri prodhuese të fortë, falë një marrëveshjeje të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë.

Megjithatë, presidenti Andrés Manuel López Obrador është i vendosur që ta bëjë Meksikën të vetëmjaftueshme në energji dhe e sheh firmën shtetërore të naftës Pemex, si thelbësore në arritjen e këtij qëllimi.

Që nga ardhja e tij në pushtet në vitin 2018, administrata shtetërore i ka ofruar kompanisë 45 miliardë dollarë në lehtësime tatimore dhe mbështetje të tjera financiare.

Vjet, u përurua një rafineri e re shumë e reklamuar, ndërtimi i së cilës mund të ketë kushtuar deri në 18 miliardë dollarë, më shumë se dyfishi i çmimit fillestar.

Gjithsesi, Pemex, tani më tepër po merr nga arkat e shtetit se sa po kontribuon. Me më shumë se 100 miliardë dollarë borxh, ajo është kompania e naftës me më shumë borxhe.

Në maj, rafineritë e saj operonin me më pak se gjysmën e kapacitetit. Rezervat e reja ndodhen në ujëra të thella, dhe Pemex-it i mungojnë financimet dhe njohuritë për t’i shfrytëzuar ato.

Më 11 korrik, Reuters raportoi se një zjarr i madh në një platformë në det të hapur, kishte shkaktuar vdekjen e dy personave dhe kishte ulur prodhimin e Pemex-it me të paktën 2 milionë fuçi këtë muaj.

Ekonomia e Meksikës mund të zbusë goditjen nga rënia e prodhimit të naftës. Vendet e tjera nuk janë aq fatlume. Qeveria e Ekuadorit varet nga të ardhurat e naftës më shumë se çdo vend tjetër në Amerikën Latine (të dhënat e Venezuelës nuk mund të merren parasysh pasi nuk janë të disponueshme).

Të ardhurat fiskale nga kërkimi dhe prodhimi i naftës përbënin 24% të të ardhurave totale të qeverisë midis viteve 2015 dhe 2019, sipas një analize nga Universiteti i Bostonit.

Megjithatë, pavarësisht çmimeve të larta të naftës, prodhimi pritet të bjerë nga 460,000 fuçi në ditë sot, në 370,000 deri në vitin 2028.

Një kushtetutë e re në vitin 2008 rriti kontrollin e qeverisë mbi naftën, duke penguar përpjekjet për të modernizuar firmën shtetërore Petroecuador.

Korrupsioni në vend është i shfrenuar. Ministri i Energjisë, Fernando Santos, llogarit se disa ish-punonjës të lartë po hetohen ose janë akuzuar për vepra korrupsioni. Firma nuk është audituar kurrë nga jashtë.

Qeveria po përpiqet të diversifikojë burimet e saj të të ardhurave.

Së fundmi ajo nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë me Kinën, duke shpresuar se do të rrisë eksportet e produkteve të tjera përveç naftës, me 3-4 miliardë dollarë në vit gjatë dekadës së ardhshme, si dhe ka shitur një pjesë të borxhit në këmbim të nxitjes së përpjekjeve ekologjike. Megjithatë, ajo ende ka shpresa te nafta.

“Tani që është shfaqur prirja globale e braktisjes së karburanteve fosile, ka ardhur koha të përfitojmë sa të mundemi nga nafta”, tha presidenti Guillermo Lasso, vitin e kaluar.

Kompania Petroecuador planifikon të zgjerojë prodhimin në një park kombëtar brenda pyjeve tropikale të Amazonës. Shefi i kompanisë Ramón Correa vlerëson se prodhimi në zonë mund të sigurojë në total pothuajse 14 miliardë dollarë të ardhura për shtetin deri në vitin 2043, ose sa 13% e PBB-së së sotme.

Ky fitim i madh duket gjithnjë e më i pagjasë. Më 20 gusht, shtetasit e Ekuadorit do të zgjedhin presidentin dhe legjislaturën e re dhe do të votojnë në një referendum nëse duhet të ndërpritet i gjithë prodhimi në disa pjesë të parkut kombëtar. Tani për tani, më shumë votues janë në favor të bllokimit dhe jo zgjerimit të tij.

Disa vende, si Argjentina, kanë ecur më mirë. Inflacioni treshifror dhe kontrollet e kapitalit nuk e kanë penguar atë të rrisë prodhimin e naftës dhe gazit. Sanksionet ndaj naftës ruse kanë çuar në një rritje të prodhimit në Vaca Muerta, një fushë e madhe në perëndim të Argjentinës.

Ajo mban depozitat e dyta më të mëdha në botë të gazit argjilor dhe rezervat e katërta më të mëdha të naftës argjilore, por nuk ka arritur të tërheqë investime për dekada me radhë.

Kompania Rystad Energy pret që prodhimi i naftës argjilore në Argjentinë, të dyfishohet deri në fund të dekadës, në mbi një milion fuçi në ditë.

Një kontinent me pasuri të bllokuara

Në disa pjesë të rajonit, rënia e të ardhurave nga nafta, mund të ketë pasoja të rënda. Banka Amerikane e Zhvillimit (IBD) llogarit se nëse bota e kufizon ngrohjen globale në 1.5°C (gjë që mbetet shumë e pagjasë), atëherë të ardhurat fiskale në Amerikën Latine mund të ulen në mënyrë kumulative midis 1.3 trilionë dhe 2.6 trilionë dollarë deri në vitin 2035.

Nga ana tjetër, nëse rezervat do të shfrytëzoheshin fuqishëm, të ardhurat do të ishin rreth 8 trilionë dollarë.

Eksportuesit e gazit do të goditen në një mënyrë të ngjashme. Bolivia dhe Trinidad Tobago varen nga të ardhurat nga prodhimi i gazit natyror për 17% të të ardhurave fiskale. Megjithatë, eksportet boliviane të gazit do të përfundojnë deri në vitin 2030. Në Trinidad Tobago, prodhimi ka rënë me 40% që nga viti 2010.

Goditjet e së kaluarës tregojnë se do të ketë një të ardhme të vështirë. Midis viteve 2014 dhe 2016, kur çmimet e mallrave ranë, llogaritë fiskale u përkeqësuan. Në Brazil, i cili vuajti nga një krizë më e gjerë ekonomike, borxhi publik u rrit nga 57% e PBB-së në vitin 2013, në 84% deri në vitin 2017.

Për disa vende, hidrokarburet janë burimi kryesor i këmbimit valutor. Në Kolumbi, industritë nxjerrëse përbëjnë rreth 50% të eksporteve. Ndërmjet viteve 2014 dhe 2020, sektori përthithi 28% të të gjitha Investimeve të Huaja Direkte. Disa shtete do të kenë vështirësi në gjetjen e burimeve alternative të të ardhurave.

Të ardhurat nga taksat përbëjnë vetëm një të pestën e PBB-së në Ekuador, krahasuar me një mesatare prej 34% në të gjithë OECD-në, një klub i vendeve kryesisht të pasura.

Disa vende po përpiqen t’i bëjnë gjërat ndryshe. Gustavo Petro, presidenti i krahut të majtë të Kolumbisë, u zgjodh vitin e kaluar me një premtim për të ndaluar licencat e reja për kërkimin e naftës. Në vend të kësaj, ai dëshiron të nxisë sektorë si turizmi, bujqësia dhe prodhimi.

Në javët e fundit, rregullatori mjedisor i Kolumbisë dha pesë licenca për projekte të energjisë së rinovueshme për të filluar funksionimin në La Guajira, një provincë e varfër veriore, e pasur me erë dhe diell.

Zoti Petro pretendon se energjia e prodhuar atje, mund të furnizojë të gjithë energjinë elektrike të Kolumbisë në vitet e ardhshme. Ecopetrol, firma shtetërore e naftës, po diversifikohet me shpejtësi.

Pothuajse një e katërta e investimeve të saj, këtë vit do të shkojë në prodhimin e hidrogjenit, energjisë së rinovueshme dhe transmetimit të energjisë elektrike.

Së bashku me Petrobras, Ecopetrol ka qenë një nga kompanitë shtetërore më të mira të naftës kur bëhet fjalë për planifikimin për tranzicionin e energjisë, thotë zoti Monaldi.

Por do të jetë e vështirë për Kolumbinë që të kompensojë rënien e eksporteve të naftës. “Të gjithë pajtohen me nevojën për të zhvilluar sektorë të rinj të eksportit”, thotë Mauricio Cárdenas, ish-ministër i Minierave dhe Financave. Megjithatë, paralajmëron ai, “ka më shumë retorikë sesa realitet”.

Sipas një vlerësimi, Kolumbisë do t’i duhet të tërheqë po aq turistë sa Argjentina dhe Brazili së bashku që sektori të gjenerojë të njëjtat të ardhura si hidrokarburet. Zoti Cárdenas thotë se planit i mungon një diskutim i hollësishëm i sektorëve që mund të zëvendësojnë hidrokarburet si burime të këmbimit valutor, eksporteve dhe investimeve.

Ministri i Financave Ricardo Bonilla, pranoi të njëjtën gjë në qershor kur u tha gazetarëve se Kolumbia do të nxirrte lëndë djegëse fosile për “një kohë të gjatë”.

Hyrja me vonesë në tregun e naftës mund ta ndihmojë Guajanën të shmangë shumë gabime. “Nëse do të kishim gjetur naftë në vitet 1970, kur vendi ishte gati të binte në diktaturë, paratë do të ishin shpërdoruar plotësisht”, thotë Robin Muneshwer.

Bharrat Jagdeo, zëvendëspresidenti i Guajanës, thotë se qeveria është “shumë e ndërgjegjshme” për gabimet e bëra nga vendet e tjera prodhuese të naftës. “Ne nuk do të shkojmë në rrugën populiste”, thotë ai.

Që nga rifitimi i pushtetit në vitin 2020, partia e tij ka shtrënguar ligjin që rregullon fondin e pasurisë sovrane për ta bërë më të lehtë gjurmimin e saj nga qytetarët dhe për të kufizuar shumën që Ministria e Financave mund të tërheqë çdo vit.

Jagdeo nuk e pranon se industria e naftës bie ndesh me mbështetjen e vendit të tij për dekarbonizimin e shpejtë global.

Ai argumenton se të ardhurat nga nafta dhe gazi nevojiten për të ndihmuar vendin të mbrohet kundër ndikimeve të ndryshimeve klimatike, si rritja e nivelit të detit. Nafta pa dyshim që do ta transformojë vendin e vogël.

Zoti Muneshwer thotë se pyetja është: “A do të jemi një Singapor, një Dubai, një Trinidad, një Nigeri apo një Venezuelë? Apo diku në mes?”

Marrë nga Monitor.al

shba

Sondazh

Poll

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale