LIVE UPDATES
Editorial

Frikë, Poshtërim, Shpresë

Me të dyja po punon me realitetin, një material po aq i fortë sa druri. Të dyja janë plot me truke dhe teknika. Në thelb, përfshihet shumë pak magji dhe shumë punë e palodhur.”

12 Nëntor 2025, 16:41 Nga Ditmir Bushati

Frikë, Poshtërim, Shpresë

Teksa po lexoja raportet vjetore të Komisionit Europian për vendet që synojnë anëtarësimin në BE, së bashku me komunikatën për procesin e zgjerimit, m’u kujtua rrëfimtari i shquar dhe mjeshtri letrar i palodhur Gabriel Garcia Marquez, i cili, në një intervistë, pati thënë dikur se: “Në fund të fundit, letërsia nuk është gjë tjetër veçse zdrukthëtari. Të shkruash diçka është pothuajse aq e vështirë sa të bësh një tavolinë.

Me të dyja po punon me realitetin, një material po aq i fortë sa druri. Të dyja janë plot me truke dhe teknika. Në thelb, përfshihet shumë pak magji dhe shumë punë e palodhur.”

Megjithëse raportet e Komisionit Europian janë larg së qeni letërsi apo zdrukthëtari, e njëjta logjikë vlen edhe për to. Përmbajtja e tyre synon gjetjen e një balance të drejtë mes pasqyrimit të realitetit në vendet që synojnë anëtarësimin dhe inkurajimit për të vijuar me procesin e reformave.

Në të njëjtën kohë, për Komisionin Europian është e rëndësishme që të ruajë besueshmërinë në raport me taksapaguesit europianë, por edhe me qytetarët e vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE, aq më tepër kur dihet se për më shumë se dy dekada politika e zgjerimit, edhe pse pranohet gjerësisht si një prej politikave më të suksesshme të BE-së, nuk ka prodhuar rezultate të prekshme për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për vetë mjedisin e sigurisë me të cilin përballet Europa, si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, dy vitet e fundit Komisioni Europian po përpiqet ta paraqesë zgjerimin si një mjet kyç gjeopolitik për BE-në për të bindur në radhë të parë vendet anëtare të BE-së, se përmes tij është e mundshme që t’u përgjigjet disa prej sfidave me të cilat përballet Europa. Nga ana tjetër, vendet anëtare i kanë krijuar mundësinë Komisionit Europian për të mbajtur gjallë shpresën e anëtarësimit, përmes akteve simbolike që pasqyrohen në njohjen e perspektivës së anëtarësimit për Ukrainën dhe Moldavinë, ritmin më të shpejtë të hapjes të kapitujve të bisedimeve me Shqipërinë, dhe mbylljen e disa kapitujve me Malin e Zi.

Në fjalimin për Gjendjen e Unionit të shtatorit të këtij viti, Presidentja e Komisionit Europian foli për "ribashkimin e ardhshëm të Europës" dhe përshkroi një BE të zgjeruar me Ballkanin Perëndimor, Ukrainën dhe Moldavinë si "një garanci sigurie për të gjithë ne".

Për shkak të mjedisit gjeopolitik asgjësues BE-ja është në proces transformimi nga një komunitet që fillimisht kishte në fokus tregtinë dhe ekonominë, në një projekt gjeostrategjik. Nga një influencues i butë në ndërtimin e institucioneve demokratike në një ushtrues të pushtetit të fortë, duke vendosur theksin tek siguria, energjia, sanksionet e madje tek politikat industriale dhe autonomia strategjike.

Është e vërtetë se ky mjedis gjeopolitik ka hapur një dritare mundësie për zgjerimin e BE-së. Megjithatë, perspektiva e kësaj politike mbetet e paqartë. Nëse u referohemi vlerësimeve të Komisionit Europian në paketën e zgjerimit, anëtarësimi i vendeve të reja brenda mandatit të këtij Komisioni duket një mision tejet i vështirë. Pavarësisht optimizmit të zyrtarëve të lartë të Komisionit Europian për të ringjallur një proces të fjetur prej kohësh, dy vija të kuqe do të jenë të pakalueshme për vetë Komisionin në lidhje me progresin e vendeve kandidate drejt anëtarësimit në BE: linjëzimi gjeopolitik dhe reformat e qëndrueshme në lidhje me sundimin e së drejtës në ekonomi.

Thelbi, jo forma, për një shteg të ri

Në paketën e zgjerimit të këtij vihet re një përpjekje nga ana e Komisionit Europian për t’u shkëputur nga trashëgimia e hidhur e politikës së ‘mbylljes së syve’ përballë regresit demokratik në Serbi. Megjithëse e vonuar, kjo është një qasje që duhet përshëndetur. Megjithatë, po sipas vlerësimit të Komisionit Europian, fakti që Kosova, edhe pse nën masa të padrejta shtrënguese nga BE-ja dhe me aplikim për anëtarësim që ka vite që pret të shqyrtohet, sërish shënoi progres në shumë fusha, vendos në pikëpyetje efektivitetin e politikës së ndjekur deri tani nga BE-ja.

Prej kohësh kam argumentuar se BE-ja duhet të eksplorojë një shteg të ri në rajonin tonë, atë të rrethimit demokratik të Serbisë me histori suksesi. Mali i Zi dhe Shqipëria mund dhe duhet të hapin këtë shteg të ri, pasi nuk përballen me sfida të patejkalueshme. Dhe mbi të gjitha, natyra e çështjeve të pazgjidhura me fqinjët në BE është më pak e ndërlikuar, krahasuar me shtetet e tjera të rajonit. Mirëpo, që ky shteg të kthehet në një rrugë të pakthyeshme për anëtarësimin në BE, historitë e suksesit duhet të jenë të vërteta, reformat të qëndrueshme. Komisioni duhet të kthehet nga predikues në kërkues e nxitës i jetësimit të standardeve demokratike dhe vlerave europiane në rajonin tonë.

Për shembull, raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri vizaton hartën e ndikimit të krimit, përdorimit të aseteve shtetërore, administratës publike dhe medias në zgjedhje. Ndërkohë që një raport i ngjashëm kritik i OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të vitit 2023 në Serbi, pengoi ecurinë e procesit të kësaj të fundit drejt BE-së, në rastin e Shqipërisë, Komisioni Europian duhet ta trajtojë me përparësi e vendosmëri reformën politike që ka lidhje funksionimin e të gjitha institucioneve, për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Për të mos lejuar kësisoj që mungesa e një reforme të vërtetë të kthehet në pengesë për përmbushjen e standardeve që kanë lidhje me sundimin e së drejtës dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Po kështu, vlerësimet pozitive për punën e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nga ana e Komisionit Europian duhen shoqëruar me vlerësime konkrete përsa i përket impaktit në qeverisjen e mirë të vendit dhe raportit me integritetin e jetës publike dhe standardin që imponon procesi i anëtarësimit në BE. Efekti ndëshkues i strukturave të specializuara në luftën kundër pandëshkueshmërisë mbetet i kufizuar, përsa kohë elementët parandalues dhe korrektues varen kryesisht prej qeverisjes dhe adaptimit të praktikave që garantojnë integritetin e jetës publike dhe mirëadministrimin e buxhetit të shtetit.

Ndërkohë që drejtësia është përgjegjëse për identifikimin e përgjegjësisë penale të zyrtarëve të lartë apo të grupeve kriminale, qeverisja dhe organet e saj duhet të jenë diga që na mbron nga “përmbytjet” e korrupsionit e krimit.
Në rast se në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të mjaftohemi vetëm me punën e SPAK-ut, kam frikë se si ne ashtu dhe Komisioni Europian do të përsërisim gabimin që u bë me reformën në drejtësi, që më shumë u përqendrua në numrin e prokurorëve dhe gjyqtarëve që humbën vendin e punës si pasojë e procesit të verifikimit, sesa në elementët e tjerë që janë gjithaq të rëndësishëm për një sistem drejtësie efikas.

Krahas listimit të zyrtarëve të lartë apo grupeve kriminale që përballen me drejtësinë, jemi ende larg përqafimit të praktikave të mira e transparente qeverisëse që sigurojnë garë të ndershme në jetën publike dhe ekonomike. Sikundër, lufta ndaj krimit të organizuar dhe ndikimi i tij në jetën publike dhe ekonomike duhet të jetë përparësi e të gjitha strukturave të shtetit. Dhe madje përparësi shoqërore.

Linjëzimi gjeopolitik

Sikurse dihet, përtej një korpusi normash që duhen përmbushur, të njohura ndryshe si kriteret e Kopenhagenit, zgjerimi funksionon edhe si një mjet politik. Nëse analizojmë historikun e zgjerimit të BE-së, do të arrijmë në përfundimin se vendimet shpesh janë nxitur nga konsiderata gjeopolitike dhe normative, më shumë sesa nga përmbushja e pastër e kritereve të BE-së. Për shembull, anëtarësimi i Greqisë, Spanjës dhe Portugalisë në vitet ’80, apo zgjerimi i madh i viteve 2004 dhe 2007 u motivuan kryesisht nga ndryshimet gjeopolitike dhe aspiratat për të mbështetur tranzicionin demokratik.
Edhe pse arsyet e situatës së tanishme gjeopolitike janë të ndryshme nga ato të mësipërmet, sërish jemi në një udhëkryq ku përplasen nevoja e BE-së për t’u pozicionuar si një aktore me peshë globale përkundrejt aktorëve të tjerë, me vetë thelbin e procesit të zgjerimit, i cili bazohet në meritën individuale të secilit shtet duke siguruar transformim demokratik dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Këtë vit Komisioni Europian e theksoi edhe më fort se linjëzimi gjeopolitik me BE-në është i një rëndësie strategjike, për shkak të mjedisit gjeopolitik. Madje Komisionerja e Zgjerimit paralajmëroi se në BE nuk janë të mirëpritur “kuajt e Trojës”, një aludim ky për pozicionin që ka Serbia në raport me Rusinë.

Në pamje të parë duket sikur linjëzimi gjeopolitik me BE-në është një proces i jashtëm që nuk ka të bëjë me zhvillimet e politikës së brendshme. Në fakt nuk është kështu. Një nga gjërat që kam përjetuar nga eksperienca ime si në politikë ashtu edhe në politikën e jashtme është se gjithmonë ka pasur një kufi artificial midis të dyjave. Ndërsa sot ky kufi nuk ekziston. Sepse mënyra se si qeverisen vendet projektohet edhe përmes politikës të jashtme që ato ndjekin. Politika e jashtme është një pasqyrim mjaft i saktë i psikikës së kombit dhe asaj që ndodh në trupin politik në një moment të caktuar.

Arsyetimet e Serbisë që përpiqet të gjejë raste të ngjashme brenda BE-së për të justifikuar mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë nuk qëndrojnë. Sikundër pozicioni i çuditshëm i Shqipërisë, që i kërkonte publikisht BE-së “të mos ushtronte presion ndaj Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë”, rezultoi i gabuar. Pasi BE-ja nuk ka asnjë arsye të tolerojë braktisjen e parimeve që e mbajnë në këmbë atë, sidomos në kushtet që imponon mjedisi i sigurisë në Europë.

Dilemat që kërkojnë përgjigje

Paqartësia e të ardhmes së procesit të zgjerimit nuk vjen vetëm për shkak të stadit të reformave dhe linjëzimit gjeopolitik në vendet që synojnë anëtarësimin, por para së gjithash nga vetë vendet anëtare të BE-së. Për shkak të dilemave të tyre, që edhe pse besojnë se zgjerimi dhe konsolidimi i projektit europian është i nevojshëm dhe i pashmangshëm, nuk janë ende gati për të mbështetur një plan të qartë anëtarësimi, të shoqëruar me veprime të dyanshme, është lehtësisht e kuptueshme se përse Komisioni Europian nuk paraqiti javën e shkuar raportin e shumëpritur të para-anëtarësimit. Ky raport do të përcaktojë drejtimet dhe reformat kryesore që BE-ja duhet të ndërmarrë për t'u përgatitur për zgjerimin.

Është e qartë se një BE e zgjeruar do të nxiste një ripërcaktim të linjave më të mëdha buxhetore, ndryshime në politikën bujqësore dhe atë të kohezionit social, procesit të vendimmarrjes dhe mbi të gjitha do të ndryshonte kufijtë e saj. Nëse në Ballkanin Perëndimor, më shumë se sa për zgjerim të BE-së bëhet fjalë për konsolidim të saj, pasi vendet e rajonit tonë rrethohen nga ato të BE-së, në rastin e Ukrainës dhe Moldavisë, për shkak të fqinjësisë me Rusinë, luftës që vazhdon dhe faktit që një pjesë të territoreve të tyre janë nën pushtimin rus, situata bëhet më e ndërlikuar.

Ndërkohë që sfidat mbeten BE-ja duhet t'u ofrojë kandidatëve të saj një perspektivë të besueshme anëtarësimi, përtej optimizmit të zyrtarëve të lartë europianë. BE-së i duhet të mposhtë frikën që karakterizon një pjesë të vendeve anëtare ndaj një BE-je me 30 apo 33 anëtarë, përsa i përket vendimmarrjes dhe funksionimit. Asaj i duhet të korrigjojë përmes veprimesh konkrete ndjenjën e poshtërimit që vihet re tek disa vende që edhe pse kanë përparuar me reformat nuk janë shpërblyer në këtë proces. Dhe sigurisht BE-ja duhet të ngjallë shpresë dhe optimizëm popullor që buron nga ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë dhe përqendrimi tek transformimi demokratik dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik.

editorial ditmir bushati

Sondazh

Poll
Editorial 6 Nëntor 2025, 10:18 Katrin Bennhold

Rrënjët globale të Zohran Mamdanit

Zohran Mamdan Mirëmëngjes, botë! Gjatë 24 orëve të fundit, WhatsApp-i im ka qenë plot me mesazhe rreth Zohran Mamdanit d...

Editorial 28 Tetor 2025, 10:27 Meri Lika

Letër e hapur për Altin Dumanin

Meri Lika I nderuar z. Dumani! Nëse dje do të kisha qenë në atë sallën ku ju raportuat, e ku përballë kishit intel...

Editorial 23 Tetor 2025, 10:34 Lutfi Dervishi

Plumbi që del nga goja!

Lutfi Dervishi Plumbi që del nga goja! (Reflektim mbi një tragjedi që Konica e parashikoi një shekull më parë)"Trimëria ...

Editorial 19 Tetor 2025, 15:19 Ermal Mulosmani

Në shtetin personal të Kapos

Ermal Mulosmani Tani nuk kam më asnjë dyshim, Shqipëria është dorëzuar.  Opozita nuk do zgjedhje të reja dhe popull...

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet