LIVE UPDATES
Politike

"Vihet për herë të parë në diskutim duopoli historik PS-PD mbi pushtetin", BIRN: Sa janë shanset e partive të vogla për mandate në zgjedhjet e 11 majit

Konsumimi i maxhorancës gjatë 12 viteve pushtet nga skandalet korruptive dhe mosreformimi i opozitës kanë krijuar kushtet që më 11 maj, një numër partish të vogla të kenë së paku shpresë për mandate parlamentare, duke vënë për herë të parë në diskutim duopolin historik PS-PD mbi pushtetin.

22 Mars 2025, 10:13 Nga r.ll
"Vihet për herë të parë në diskutim duopoli
foto ilustruese

TIRANË- Është një sekret që e dinë të gjithë që dy partitë e mëdha, Partia Socialiste në të majtë dhe Partia Demokratike në të djathtë, kanë bashkuar votat për të vendosur një numër pengesash për partitë e vogla apo alternativat e reja politike, gjë që nga ana e vet ka sjellë edhe forcimin e rolit të kryetarit të partisë si dhe zhvleftësimin e parlamentit si institucion kontrollues mbi ekzekutivin.

Historia nisi në vitin 2008 me marrëveshjen Rama-Berisha, e cila krijoi sistemin me lista të mbyllura rajonale, sistem që është përdorur në zgjedhjet e viteve 2009, 2013 dhe 2017, me pak variacion në zgjedhjet e vitit 2021. Me një variacion të ri, i njëjti sistem do të përdoret në zgjedhjet e 11 majit, ku dy palët e marrëveshjes së vitit 2008 vijojnë të jenë po të njëjtët.

Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, kërkon në këto zgjedhje një mandat të katërt si kryeministër, ndërsa para se të shërbente si kryeministër, ka mbajtur postin e kryetarit të Bashkisë Tiranë për njëmbëdhjetë vjet të tjera. Përballë tij është Sali Berisha, i cili ka qenë për pesë vjet president i vendit me fuqi të mëdha në vitet ’90, si dhe tetë vjet kryeministër.

Objektivi i deklaruar i Ramës është që jo vetëm të fitojë zgjedhjet, por të fitojë tre të pestat e parlamentit. As ai dhe as politikanë të tjerë socialistë që kanë artikuluar objektivin e tre të pestave, një shumicë parlamentare që mundëson ndryshime të pakonsultuara me opozitën të Kodit Zgjedhor, të Kodit Penal apo Kodit Civil apo të shumë prej ligjeve që hodhën themelet e Reformës në Drejtësi, nuk kanë shpjeguar se për çfarë arsye mendojnë se ata kanë nevojë për një shumicë të tillë dhe as nuk kanë shpjeguar se për çfarë qëllimesh do të përdorin një shumicë të tillë, nëse e fitojnë.

Në anën tjetër, Sali Berisha dhe Ilir Meta, që të dy me histori të gjatë të pushtetit dhe me hetime të hapura penale për skandale korruptive, kërkojnë gjithashtu pushtet. Në një mesazh nga burgu, Meta deklaroi se synimi i aleancës së tij me Berishën është që të fitojë tre të pestat e parlamentit.

Ndërsa Rama nuk është shprehur ende se për çfarë i duhen tre të pestat, për Berishën dhe Metën, ky objektiv, pavarësisht se sa i realizueshëm është, ka për qëllim edhe shkatërrimin e Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit me pretendimin se ajo po i persekuton të dy, Berishën dhe Metën, për qëllime politike.

Rezultat i ngushtë

Nëse historia ka ndonjë gjë për të thënë për garën mes këtyre palëve, është kjo: rezultati me gjasa do të jetë i ngushtë. Rezultati i prodhuar nga sistemi proporcional rajonal, të cilin Rama dhe Berisha e konceptuan si një të tillë që eliminon partitë e vogla duke krijuar barriera të pandershme, ka qenë gjithmonë i ngushtë. Në vitin 2009, PD mori 70 mandate, PS 66 ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim, shënjestra kryesore e marrëveshjes Rama-Berisha, arriti të mbijetojë duke fituar katër mandate. Maxhoranca 2009-2013 u krijua kur LSI e Metës kaloi ylberin politik dhe hyri në aleancë me Berishën. Në fund të atij mandati, kur Meta dhe Rama u pajtuan, Berisha bleu disa deputetë nga socialistët dhe vijoi maxhorancën deri në fund.

Në zgjedhjet e vitit 2013, PS mori sërish 65 mandate, LSI, kësaj here në aleancë me të, mori 16 mandate dhe 2 mandate të tjera u fituan nga dy parti të vogla. PD dhe aleatët e saj morën 57 mandate.

Në vitin 2017, Rama arriti të fitojë 74 mandate, PD ra në 43 dhe LSI u ngrit në 19.

Më 2021, PS fitoi sërish 74 mandate, por tre nga këto mandate ishin mandate të humbura nga LSI për shkak se garoi më vete.

Me pak fjalë, rezultati kalon në favor të njërës anë vetëm në rast se makineri të fuqishme elektorale, disa prej të cilave janë sanksionuar më herët nga Administrata Biden, siç është rasti i strukturave të ish-PDIU-së në Elbasan e Tiranë që tashmë i shërbejnë Ramës, mbështesin njërin krah.

Rezultati më i pritshëm është i ngushtë edhe për shkak se, disa qarqe ku numri i mandateve bie çift, si në Elbasan apo Durrës, Fier, Korçë e Vlorë, formula e ndarjes së mandateve e njohur si formula D-Hondt, favorizon barazimin pavarësisht se njëra palë merr më shumë vota.

Shansi për partitë e reja

Nëse merr parasysh se sa shumë është konsumuar politikisht pala në pushtet nga skandalet e panumërta korruptive dhe pala në opozitë, për shkak të mosreformimit të brendshëm, në mënyrë të kuptueshme ka krijuar më shumë shanse për partitë e reja apo alternativat politike jashtë dy blloqeve të mëdha.

Sa për fillim, shumica e partive të reja janë shprehur me forcë dhe madje kanë organizuar manifestime mbështetëse për gjënë më popullore që ka ndodhur në Shqipëri përgjatë dekadës të fundit, një strukturë prokurorësh dhe gjyqtarësh që po përballen me pushtetin në të majtë dhe në të djathtë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së korrupsionit të gjithëpërhapur dhe sistemik.

E njëjta trupë prokurorësh ka njoftuar gjithashtu se do të ketë vëmendje veçanërisht të lartë për të identifikuar rastet e krimeve zgjedhore, të cilat, në të shkuarën janë perceptuar si përcaktuese në masë të madhe të fituesve, krime që kanë mbetur deri më sot të pandëshkuara. Nëse prokurorët do të jenë të suksesshëm apo jo në luftën kundër krimit zgjedhor, kjo mbetet për t’u parë. Por ajo që vlen të theksohet është që, në një situatë të tillë, partitë e reja do të kenë më shumë shanse për rezultat se sa në të shkuarën.

Disa nga këto parti në fakt nuk janë më aq të reja dhe pjesëmarrja në zgjedhjet e shkuara si dhe eksperienca e fituar sugjeron se fitimi i mandateve të deputetëve nuk është i pamundur. Dhe nëse shohim rezultatin e ngushtë që prodhon zbatimi i formulës D-Hondt, në gjeografinë politike të Shqipërisë, disa mandate të fituara nga këto parti të vogla mundet të kthejnë secilën prej tyre në një kingmaker, një forcë përcaktuese për qeverisjen e vendit, siç ishte LSI në periudhën 2009-2017.

Aktualisht janë 11 parti në garën zgjedhore nga të cilat, përveç dy të mëdhave, gjashtë mund të konsiderohen si pretendente për të hyrë në parlamentin e ardhshëm. Njëra, Partia Socialdemokrate e politikanit të sanksionuar nga administrata Biden, Tom Doshi, është sakaq në parlament dhe konsiderohet si në aleancë të pashpallur me Edi Ramën. Nga pesë të tjerat, tre janë grupe të ndara nga Partia Demokratike dhe dy janë forca politike të cilat, nëse ia dalin, do të hyjnë për herë të parë në parlament.

Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare 2021 apo të zgjedhjeve për pushtetin vendor 2023 bartin informacione të vlefshme për të matur shanset e tyre për në parlament.

Fillimisht, shumica dërrmuese e shanseve të këtyre partive për të hyrë në parlament duket se qëndron në territorin e Qarkut Tiranë. Në fakt, nëse votat e pavlefshme dhe votat e partive të vogla merren si tregues i tërthortë i të ashtuquajturës “votë proteste”, vota të tilla ka në të gjitha qarqet dhe mjaftueshëm sa për të prodhuar mandate deputetësh. Në total, në zgjedhjet e vitit 2021, 127 mijë vota të tilla ose 7% të totalit u hodhën në kutitë e votimit. Në raport me numrin total të votave, vota të tilla u hodhën më shumë në Lezhë, Elbasan e Shkodër, por në secilin prej këtyre qarqeve, partitë e vogla konkurrojnë të ndara për këto vota, të cilat, vetëm nëse fitohen të gjitha nga njëra prej tyre mundet të prodhojnë një deputet.

Në Tiranë, situata është më ndryshe për shkak se popullsia është më e madhe. Në zgjedhjet e vitit 2021, 34 mijë vota u hodhën këtu si vota proteste, të pavlefshme ose vota për partitë e vogla. Nëse do të ishin fituar nga një parti e vetme, këto vota mund të prodhonin dy deri në tre mandate.

Rrjedhimisht, partitë e vogla kanë më shumë shanse të fitojnë mandate në Tiranë. Kjo gjithsesi nuk është e garantuar sepse, nëse të pesta partitë fitojnë, fjala vjen, dhjetë mijë vota secila, të 50 mijë votat e tyre të fituara bashkërisht prodhojnë zero mandate deputetësh. Ky është skenari më pesimist për to. Në një skenar optimist, nëse ato secila merr nga 12 mijë deri në 17 mijë vota, atëherë marrin të gjitha nga një  mandat dhe bashkërisht bëhen me gjasa përcaktuese për maxhorancën e ardhshme qeverisëse. Partitë e vogla pretendente janë renditur sipas shortit që i ra në KQZ për pozicionin në fletën e votimit.

Lëvizja Bashkë. Themeluar afro dy vjet më parë si parti dhe që ka marrë pjesë më herët në zgjedhjet për pushtetin vendor në Tiranë, kjo parti e spektrit të majtë garon në Tiranë me Redi Muçin në vend të parë dhe Arlind Qorin, kryetarin, në vend të dytë. Ajo mban numrin 2 në fletën e votimit dhe gjendet menjëherë pas Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore që gjendet në kolonën e parë majtas të fletës së votimit.

Arlind Qori garoi për postin e kryetarit të Bashkisë Tiranë në zgjedhjet e vitit 2023 dhe mori 13 mijë vota. Lista e tij e kandidatëve për këshilltarë fitoi 7500 vota dhe mori një mandat. Në avantazh të kësaj partie është fakti që zgjedhjet për pushtetin vendor janë në nivel bashkie dhe Bashkia Tiranë është një nga shumë bashkitë e qarkut. Përveç 300 mijë votave të Bashkisë Tiranë, ka edhe 200 mijë të tjera në bashkitë Kamëz, Vorë, Kavajë e Rrogozhinë nga ku Bashkë mund të marrë vota. Rrjedhimisht fitorja e një mandati nga kjo parti është teorikisht i realizueshëm përveç faktit që votat në zgjedhjet e pushtetit vendor konsiderohen si më të lehta për t’u fituar se sa votat në zgjedhje parlamentare. Lëvizja Bashkë ka deklaruar se nuk do të hyjë në koalicion me ndonjë nga partitë e mëdha dhe se do të jetë në opozitë në parlamentin e ardhshëm, pavarësisht se si del rezultati i zgjedhjeve.

Partia Koalicioni Euroatlantik – Me numrin 4 në fletën e votimit gjendet një prej grupimeve të politikanëve që më parë kanë qenë te Partia Demokratike dhe që sot kanë themeluar këtë parti të re, të deklaruar si parti e djathtë dhe me politika ekonomike liberale. Lulzim Basha është figura referencë e kësaj partie. Emri i tij gjendet në listat e hapura të Tiranës. Kryetari është Endri Hasa, një deputet aktual ndërsa kandidati i parë i saj në Tiranë është Bujar Arapi. Nuk është e qartë nëse ky grupim do të jetë në gjendje apo jo të nxjerrë deputetë.

Nisma Thurrje dhe Shqipëria Bëhet – Nisma Thurrje është një parti politike e themeluar në vitin 2021 dhe në zgjedhjet e atij viti siguroi 10 mijë vota në rang kombëtar. Në zgjedhjet e vitit 2023, partia e drejtuar nga Endrit Shabani mori afro 11 mijë vota në rang kombëtar në garat për këshille bashkiake duke fituar 5 mandate. Ajo deklarohet si parti centriste. Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt është një parti e re, e cila garon për herë të parë në zgjedhje. Kjo parti është në aleancë me Nismën Thurrje. Shqipëria Bëhet deklarohet si parti demokratike që lufton, krahas Nismës Thurrje, për sistem zgjedhor të drejtë, me lista kandidatësh të hapura si dhe për demokracinë direkte të ushtruar nga qytetarët përmes referendumeve, një instrument demokratik ky të cilin dy partitë e mëdha, PD dhe PS, ia kanë mohuar qytetarëve në vijimësi. Kandidatët e koalicionit kanë deklaruar se do të djegin mandatet e mundshme të fituara nga listat e mbyllura për të lejuar vajtjen në parlament të kandidatëve nga listat e hapura që do të fitojnë më shumë vota. Votat e Nismës Thurrje në zgjedhjet e kaluara në Qarkun Tiranë kanë qenë rreth 5 mijë, rezultat i cili do të duhet të rritet me afro 3 herë për të pasur një mandat të sigurt.

Djathtas Zhvillohet. Politikani Dashamir Shehi dhe një grup tjetër i ndarë nga Partia Demokratike me në krye Enkelejd Alibeaj, kanë themeluar këtë koalicion në të cilin, Alibeaj konkurron në vend të parë në listën e hapur të Qarkut Tiranë, ndërsa Shehi konkurron në vend të fundit. Edhe kjo parti ka deklaruar se kandidatët e listave të mbyllura i ka vullnetarë të cilët do të tërhiqen në rast se fitohen mandate për t’i lënë vendin kandidatit më të suksesshëm nga listat e hapura. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Shehit është krijuar fillimisht në vitin 2005 dhe vetë Shehi ka hyrë dhe ka dalë disa herë në aleancë me Partinë Demokratike. Në zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor, kjo parti mori 23 mijë vota në rang kombëtar dhe 18 mandate këshilltarësh. Këto gjithsesi janë vota më të lehta për t’u fituar nga sa janë votat që kërkohen në zgjedhje parlamentare. Pyetur nga një gazetar, Shehi deklaroi se ai është i hapur për marrëveshje paszgjedhore me Partinë Demokratike me kushtin që kjo parti të mos jetë e përfaqësuar nga Berisha.

Mundësia – Grupi i tretë i shkëputur nga Partia Demokratike është me emrin Mundësia dhe drejtohet nga biznesmeni Agron Shehaj. Edhe kjo deklarohet parti e qendrës së djathtë. Kryetari i saj ka qenë deputet i Partisë Demokratike dhe në zgjedhjet e vitti 2021 arriti të fitojë rreth 14 mijë vota pëlqyese nga votat e PD-së, rezultat që, nëse përsëritet, me shumë gjasa i garanton atij një mandat.

Në fletën e votimit qytetarët do të kenë edhe tre parti të tjera: Lëvizja Atdheu, Aleanca Kombëtare Shqiptare dhe Aleanca Demokracia e Re. /Reporter.al

zgjedhjet e 11 majit

Sondazh

Poll

Rama: Është status dinjiteti dhe qytetarie europiane që ky popull nuk e ka patur kurrë

Rama: Është status dinjiteti dhe qytetarie europiane që ky popull nuk e ka patur kurrë

Rama në Shkodër: Më vinte t’ju ulesha në gjunjë për t’ju kërkuar besimin

Rama: Sot kur erdha nuk u ndjeva sikur po hyja në Kandahar...

Rama në Shkodër: Gjysma e burrave, të rinjtë dhe shumica e grave mbështesin PS-në

Rama takim me gratë dhe vajzat në Shkodër: Përpiqen tani të më fusin në sherr me të gjithë burrat!

Pamjet e sherrit mes Xhelal MziuT, nipit të tij dhe punonjësit të bashkisë Bulqizë

Berisha: Aty zbulova se e-Albania ishte kthyer në një kurth të tmerrshëm

Rama-bizneset 3

Incidenti në Dibër, Berisha: Ishte provokacion i ulët i Klosit dhe militantëve socialist ndaj Mziut

Rama në Shkodër: Para pak ditësh, arkivi i Marubit u vulos si pasuri botërore

"Deri në 2029 biznesi i vogël ka zero taksë", Rama: Tavani nuk do të ndryshohet

Rama-bizneset 2

Rama për bizneset

Oratoria e kandidates socialiste në Belsh

"Pensionet janë qesharake"/ Berisha nga Saranda: Shqiptarët janë vjedhur si askush tjetër në Europë

Zhupa në Sarandë: Kemi një program nga më të mirët, Rama do ta marrë përgjigjen e merituar në 11 maj

Rama nga Gramshi: Dikur ai ishte i çarmatosur, sot po vendos drejtësi me “shpatën” që i dhamë ne!

Rama nga Gramshi: Duhet të bëjmë përpjekje që sa më shumë njerëz të na bashkohen

Integrimi në BE/ Rama në Belsh: Po zbatojmë profecinë e Skëndërbeut dhe amanetin e rilindasve

Rama e mbyll me batuta me të riun në Belsh: Do Zoti të është futur ndonjë gjë në kokë se pashë...

Rama nga Belshi: 11 maji historike për BE! Nëse nuk kapet 2027 për negociatat

"Unë e shijoj një vajzë se ma ka sjellë gruaja!" Këngëtarja-Ramës: Më vjen keq që nuk keni vajzë

Rama batuta me të rinjtë në Belsh: S’e kishte mendjen se po dëgjonte çfarë po i thoshte zoçka!

Rama takim me të rinjtë në Belsh: Vetëm një tifoz i një partie s’mund t’i shikojë…

Berisha: Edi Rama ngjason me atë hajdutin që vjen dhe të bën për të qeshur

Berisha: 4-vjeçari që vjen në mënyrë absolute do e çojë pronën tek i zoti

Rama takim me bizneset: Me rrëzimin e taksës së sheshtë, kemi kursyer 140 milionë euro çdo vit!

Rama në Elbasan: Fiskalizimit do t’i mbivendoset Inteligjenca Artificiale

Ministrja Ibrahimaj tregon tre pikat ku bazohet paketa "Paqja Fiskale"

Rama i drejtohet Llatjas: Mos i bëj presion me sy, duhet ta kishe bërë atë

"Altin Dumani nuk thërriste dot njeri se nuk e kishte shpatën", Rama: Drejtësinë e armatosëm ne

Rama: Nuk kam ofenduar asnjë burrë dibran, përkundrazi do i shikoni në zgjedhje

"Beteja politike është dyluftim me mjete paqësore",Rama:Politika bëhet me fjalë dhe me gjuhën shpatë

Rama: Fushata jonë e ka një çështje thelbësore, anëtarësimin në BE

"Nuk pyetën këta për fëmijët kur më nxorën mua lakuriq",Rama:Ilir Vrenozi,lideri i vërtetë i kënetës

Rama: Këta që thonë se fushata e PS është tallava janë përbuzës të kulturës shqiptare

"Flitet për gjuhën time", Rama: Ka vetëm një gjë që thashë gabim dhe kam kërkuar ndjesë!

Ezani i ndërpret fjalën/ Rama ndalon: Ta respektojmë!

"Vetëm me gratë po e mund Rama kënetën"/ Kryeministri nga Berati: Kaq sa jeni ju këtu

Rama nga Poliçani:Thonë "e ka gjysmën e qeverisë në qeli"! Ju kujtohet kur ju thoja ma jepni timonin

Rama: Do të krijohet një unazë që do të sjell më tepër investime dhe turizëm

Rama ironizon partitë e reja: Këta më kujtojnë Suden, Xhaferrin dhe Vehbiun!

"Ilir Vrenozi lideri i vërtet i PD-së"/ Rama: E ekzaltoi gjithë sallën kur përmendi erotizmin tim

Rama nga Skrapari: Dera e BE-së nuk hapet kollaj

"Altin Dumani nuk erdhi dje nga materniteti!" Rama në Skrapar: Ju këtu jeni specialistë për politikë

Rama nga Skrapari: Reformën në drejtësi e donim dhe e sollëm ne...

"Të thajmë kënetën që është bërë një pengesë!" Rama në Skrapar:Më 11 maj të shtyjmë Shqipërinë në BE

Rama në Skrapar: Shiu, oguri i bereqetit për mandatin e katërt

Berisha: Siguria në shkolla prioritet, orari në shkolla do të jetë 8 orë, që fëmijët të ushqehen

Berisha: Ne do e ndryshojmë atë dhe reformën territoriale