Nuredin Dumani dëshmon mes tensioneve në GJKKO, rrëfen grabitjet në bashkëpunim me Talo Çelën: Goditi kam...
Ekonomi
SHIFRAT/ Bilanci i COVID-19 në Shqipëri, ulet vdekshmëria por e pëson ekonomia
20 Qershor 2020, 05:13Nga DOSJA
E gjithë bota u përball me një të panjohur të madhe në fillimin e 2020-s. Virusi me emrin COVID-19, u përhap me shpejtësi nga Wuhan, qyteti kinez ku shpërtheu në fillim në të gjithë botën. Mbërritja e tij në Itali dhe vdekshmëria e lartë e raportuar krijoi alarm në të gjithë Europën, duke detyruar marrjen e masave izoluese të paprecedenta dhe të papara ndonjëherë në historinë e globalizimit, me synimin kryesor shpëtimin e jetëve.
Sidomos i fortë ishte izolimi për vendet e Europës Lindore, që i trembeshin faktit nëse sistemi i tyre shëndetësor më pak i zhvilluar do të arrinte të përballonte një fluks të lartë të sëmurësh. Nga frika se pandemia mund të mbingarkonte shpejt sistemet e kujdesit shëndetësor, ata imponuan karantinat me rreptësi dhe shpejtësi, duke e përmbajtur virusin shpejt.
Bilancet e raportuara tregonin për një rritje të shpejtë të vdekjeve totale në disa vende, në raport me mesataren historike. Gazeta britanike “Financial Times” raportoi në fund të prillit se bilanci i vdekjeve nga koronavirusi mund të jetë 60% më i lartë sesa raportohet.
FT arriti në këtë konkluzion pasi krahasoi vdekjet nga të gjitha shkaqet në javët e shpërthimit të koronavirusit në mars dhe prill 2020, në raport me të njëjtën periudhë nga vitet e mëparshme. Për vendet e studiuara u konstatua një rritje me 50% e vdekshmërisë totale.
Sipas analizës së FT, vdekjet e përgjithshme u rritën 60% në Belgjikë, 51% në Spanjë, 42% në Holandë dhe 34% në Francë gjatë pandemisë krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të kaluara. “Disa nga këto vdekje mund të jenë rezultat i shkaqeve të tjera se COVID-19, pasi njerëzit shmangin spitalet për sëmundje të tjera.
Por vdekshmëria është rritur dukshëm në vendet që vuajnë nga shpërthimet më të këqija të COVID-19, duke bërë të mendosh se shumica e këtyre vdekjeve janë të lidhura drejtpërdrejt me virusin sesa thjesht efektet anësore të bllokimeve”, shkruante “Financial Times”.
Po Shqipëria?!
Zyrtarisht, deri në 19 qershor, në Shqipëri ka 42 jetë të humbura nga COVID-19, duke u renditur në vendin e 92 në botë me 15 vdekje për 1 milion banorë, sipas Wordometers, më mirë se pjesa më e madhe e rajonit, ku vdekshmëria më e lartë është në Maqedoni (104 vdekje për 1 milion banorë), Bosnja (48), Serbia (30), Mali i Zi (14), Kosova (17), ndonëse pas hapjes po konstatohet një rritje më e shpejtë e jetëve të humbura.
Informacioni indirekt mbi vdekjet totale tregon se vdekshmëria në vend nuk është rritur në katër muajt e parë të vitit, kur janë të disponueshme statistikat, ndryshe nga një pjesë e madhe e vendeve të botës, përkundrazi tendenca është në ulje.
“Monitor” ka përpunuar ekskluzivisht të dhënat e marra nga Drejtoria e Gjendjes Civile, pas një kërkese për të drejtë informimi, për periudhën janar-prill 2019 dhe 2020. Në janar-prill 2020, në total janë raportuar 7,878 vdekje, ose 65 në ditë. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ka një rënie me rreth 2.7%, ose 215 vdekje më pak.
Nëse u referohemi muajve të ndarë në periudhën para (janar-shkurt) dhe pas COVID-19 (mars-prill), tendenca është e ndryshme. Shifrat tregojnë se në janar dhe shkurt, në vend u shënua një rënie e ndjeshme e vdekshmërisë. Në këtë periudhë janë regjistruar 323 vdekje më pak, me një rënie prej 7.2%.
Në periudhën mars-prill, pasi vendi ishte nën “pushtetin” e COVID-19 është konstatuar një rritje e vdekshmërisë. Në këta dy muaj, 108 persona humbën më shumë jetën në krahasim me mars-prill të 2019-s (në mars u shënua rënie e vdekjeve dhe në prill një rritje e lartë e tyre, por kjo mund të ketë ndodhur për faktin se izolimi mund të ketë penguar raportimin në mars, ndaj janë marrë në konsideratë të dy muajt bashkë).
Ndonëse ka një rritje të jetëve të humbura në mars-prill, të dhënat tregojnë se ato nuk vijnë nga zonat e nxehta, ku ka pasur më shumë raste të shfaqura të COVID-19. Nga 12 qarqe është shënuar rënie e vdekjeve në 5 prej tyre, përfshirë Shkodrën (-15 vdekje) dhe Durrësin (-24), të dyja zona aktive me raste të shumta të COVID-19. Rënia është konstatuar dhe në Kukës (-31), Dibër (-12), Korçë (-16).
Rritja më e lartë e vdekjeve për të njëjtën periudhë është konstatuar në Fier (+74 vdekje më shumë). Fieri ka pasur vetëm 57 raste të zbuluara me COVID-19, ose 3.1% të rasteve në total.
Rritje e lartë e vdekshmërisë është konstatuar dhe në Elbasan (+53) dhe Lezhë (+48). Në Tiranë, vatra e koronavirusit, në mars-prill u regjistruan gjithsej 14 vdekje më shumë, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për 4-mujorin e parë, me përjashtim të 4 qarqeve (Elbasan, Fier, Gjirokastër, Lezhë) në gjithë të tjerët është shënuar rënie e numrit të vdekjeve.
Doktoreshë Silvana Bala, mjeke pneumologe tek spitali “Shefqet Ndroqi”, në një intervistë për “Monitor Ekonomi” e konfirmon këtë tendencë. “Duke menaxhuar konsultat e rretheve, duke parë shtrimet dhe fluksin e pacientëve në spitalin tonë, që është një nga spitalet më të mëdha kombëtare, mund të themi dhe i vetmi kombëtar për sëmundjet respiratore, duke parë edhe numrin e vdekjeve, që është shumë herë më i vogël sesa viti i kaluar dhe dy vjet përpara.
Atëhere kur ne kemi pasur qarkullim dhe AH1N1 dhe vdekjet kanë qenë në një numër më të madh, sesa nga Covid-19”. Ajo shton se përqindjen e vdekshmërisë ky virus e ka shumë herë më të ulët sesa Mersi apo AH1N1, pavarësisht se ky ka prekur në masë të gjerë të gjithë popullsinë e botës, teksa pohon se pozitivisht ka ndikuar dhe izolimi i shpejtë, pas identifikimit të rasteve të para.
Mjekët pohojnë se një arsye e rënies së vdekjeve për 4-mujorin, mund të lidhet me faktin që izolimi ka bllokuar edhe gripin sezonal. “Individët, duke qëndruar në izolim dhe të shkëputur nga puna, kanë qenë të prirë për më pak infarkte dhe goditje të tjera në tru”, thotë Petrit Malaj, pneumolog. Edhe tkurrja e popullsisë është një tjetër faktor.
Mjekët kanë konstatuar se kërkesa për shërbime spitalore ka shënuar rënie të lartë, përfshirë dhe urgjencat e zakonshme në spitale, teksa izolimi duket se i ka bërë mirë dhe sëmundjeve të tjera.
Edhe depot farmaceutike konfirmojnë një rënie të kërkesës për barna. “Në prill dhe në maj, kërkesa për barna ka qenë relativisht e ulët. Kjo tendencë është konstatuar edhe për spitalet”, thotë Merita Sheqi, administratora e Rejsi Farma, një nga distributorët më të mëdhenj farmaceutikë në vend.
Sipas të dhënave të INSTAT, importet e produkteve farmaceutike shënuan rritje dyshifrore gjatë mars-prill, përkatësisht me 10 dhe 18 për qind, të nxituara nga pritshmëria në rritje e kërkesës, por tashmë janë krijuar stoqe të mëdha.
Megjithatë, në afatin e gjatë, mjekët pohojnë se izolimi pritet të ketë ndikuar negativisht, pasi të sëmurët kronikë kanë shtyrë marrjen e trajtimeve, ndërsa të sëmurët potencialë kanë shtyrë vizitat te mjeku dhe kjo vonon diagnostikimin dhe e bën më të vështirë shërimin.
Alban Ylli, epidemiolog në Institutin e Shëndetit Publik, thotë se është e vështirë që të bëhet një analizë me kaq të dhëna që janë të disponueshme, pasi duhen studiuar shkaqet e vdekjeve dhe grupmoshat. Me përjashtim të pakësimit të numrit të përgjithshëm të rezidentëve në Shqipëri, ai nuk sheh shkak tjetër të një uljeje të mundshme të vdekshmërisë bruto.
Një studim shkencor i epidemiologëve Alban Ylli, Yan Yan Wu, Genc Burazeri, Catherine M. Pirkle, Tetine Sentell, i botuar në portalin shkencor për shëndetësinë “Medrxiv”, gjeti se vendet që u prekën në fazën e hershme nga Virusi COVID-19 patën rezultate të këqija sa i përket vdekshmërisë. Në të kundërt, vendet e Europës Lindore, ku përfshihet edhe Shqipëria, morën masa drastike në kohë, duke frenuar përhapjen e virusit në pikun e tij. Sipas epidemiologëve, kjo mund të shpjegojë vdekshmërinë e ulët në Europën Lindore në raport me Perëndimin.
Studiuesit pohojnë se përhapja më e ngadaltë e epidemisë në Europën Lindore është ndihmuar nga një urbanizim i ulët dhe nga vaksina kundër tuberkulozit, e cila ende aplikohet në masë në këto vende. Organizata Botërore e Shëndetësie pohon se ende nuk ka të dhëna shkencore që e lidhin vaksinën kundër tuberkulozit me mbrojtjen nga COVID, por studime të tilla janë duke u kryer në Gjermani dhe Holandë.
JETËT E HUMBURA NGA COVID-19, NDARJA SIPAS GRUPMOSHËS DHE SËMUNDJEVE SHOQËRUESE
“Monitor” ka mbledhur dhe përpunuar të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë për të gjitha rastet e jetëve të humbura deri në 19 qershor (42 në total), përfshirë moshën, gjininë dhe sëmundjet shoqëruese të gjithsecilit. Ky është përpunimi i dytë i të dhënave (i pari është bërë më 12 prill, kur kishte 23 jetë të humbura)
Mosha mesatare e personave që kanë humbur jetën është 70.4 vjeç, me një ulje të lehtë në raport me përpunimin e 12 prillit, kur mosha mesatare e 23 jetëve të humbura ishte 71.2 vjeç. Ndonëse janë shumë më pak raste, mosha mesatare është më e ulët në krahasim me Italinë, që është rreth 80 vjeç, apo Greqinë, rreth 74 vjeç.
Të ndarë sipas grupmoshave, 4.8% ishin të moshës 40-49 vjeç dhe po aq 50-59 vjeç; 38% ishin të moshës 60-70 vjeç dhe 33% të moshës 70-80 vjeç dhe 19% ishin mbi 80 vjeç. Në total, grupmosha më e prekur ishte ajo e 60-80 vjeç, me mbi 70% të totalit të jetëve të humbura.
Në krahasim me Italinë (shteti i vetëm për të cilin janë raportuar të dhënat sipas grupmoshave) grupmosha që ka nivelin më të lartë të vdekjeve është më e re tek ne. Në Itali, sipas të dhënave zyrtare, 58% e të vdekurve, janë të moshës mbi 80 vjeç, përkundrejt 20.67% në Shqipëri. Gati 18% e personave që kanë humbur jetën nga COVID-19 në Itali janë mbi 90 vjeç, sipas të dhënave të raportuara nga “Il Sole 24ore”. Vdekjet në grupmoshën 60-80 vjeç përbënin 44% të rasteve totale në Itali, përkundrejt mbi 70% të Shqipërisë.
Luan Dyrmishi, mjek pneumolog, pohon se trendi i vdekjeve nga koronavirusi në vendin tonë është i ngjashëm me vende të tjera. Nëse mosha mesatare e vdekshmërisë në Shqipëri nga COVID-19 është mbi 71 vjeç dhe në Itali rreth 80 vjeç, kjo lidhet me faktin se popullsia e Lombardisë ka një nivel të ulët të barrës së sëmundjeve në raport me bashkëmoshatarët në Shqipëri dhe një popullsi më të plakur me një numër të lartë personash mbi 90 vjeç.
Me fjalë të tjera, një 70-vjeçar nga Lombardia ka më pak patologji shoqëruese se një 70-vjeçar në Shqipëri. “Stili i jetesës dhe kujdesi shëndetësor ndaj moshës së tretë është shumë sensitiv në Itali, çka reflektohet edhe në jetëgjatësinë e popullatës që është një nga më të lartat në botë, prandaj nuk gjej shumë krahasim me Italinë për viktimat e COVID-19 për shumë arsye”, tha Dyrmishi.
Raporti meshkuj-femra
Deri më datën 19 qershor, 33% e atyre që kanë humbur jetën në Shqipëri nga COVID-19 janë femra. Mosha mesatare e femrave ishte 75.2 vjeç, në ulje nga 77 vjeç në përpunimin e parë të të dhënave.
Mosha mesatare e meshkujve ishte më e ulët, në 68 vjeç. Mjeku Petrit Malaj shpjegon se në këtë rast, tendenca është e njëjtë me ato të vendeve të tjera që janë prekur nga virusi. Statistikat në Kinë dhe Itali tregojnë se mortaliteti femrat ka qenë më i ulët për arsye gjenetike (të lidhura me hormonin femëror, estrogjen). Në Shqipëri, kjo shpjegohet edhe me faktin se femrat nuk janë konsumatorë të duhanit si burrat. Tashmë është provuar stastistikisht së pirja e duhanit dëmton rëndë sistemin respirator.
Sipas një kërkimi të fundit të Global Health 50/50, pothuajse çdo vend po raporton vdekje shumë më të larta të meshkujve në raport me femrat, nga Covid-19. Kërkimet sugjerojnë se qelizat mastike, të cilat kontribuojnë në sistemin imunitar janë në gjendje të iniciojnë një reagim shumë më aktiv imun, i cili mund të ndihmojë që të luftojnë sëmundjet infektive më mirë sesa te meshkujt.
Sëmundjet shoqëruese
2.93% nuk kishte asnjë sëmundje shoqëruese (një rast, ai i Kavajës). Rreth 29% kishin një sëmundje shoqëruese, ndërsa pjesa më e madhe, kishin të paktën dy sëmundje shoqëruese. Sëmundja që dominon është hipertensioni dhe zemra, që ishte i pranishëm në rreth 50% të rasteve (në linjë me shkaqet natyrore të vdekjeve në Shqipëri, shiko ndarjen më poshtë). I dyti është diabeti, në 26% të rasteve. Sëmundje të tjera janë insuficenca kardiake, edemë pulmonare, insuficencë renale, tumore etj.
Mjekët pohojnë se gjithsesi, viktimat nga COVID-19 në Shqipëri janë të pakta në numër për të nxjerrë rezultate dhe krahasime për mortalitetin dhe shkaqet e tij dhe sidomos për të bërë krahasime me vende, ku pandemia ka krijuar mijëra viktima.
Qarkullimi i parasë “cash” në ekonomi ka njohur rritjen më të fortë të viteve të fundit në Prill të këtij viti, pikërisht gjatë kulmit të periudhës së pandemisë...
Shqipëri– Rruga Kardhiq -Delvinë, Bypass i Fierit, ai Tepelenës, bashkë me koncesionet e rrugës së Arbrit dhe rrugës së Kombit ishin projektet më të financuara ...
Nëna e dy fëmijëve rrëfeu ditën e sotme në programin “Historia ime”, në Tv Klan konfliktin e vazhdueshëm me familjen e bashkëshortit të ndjerë.Elsa Tasha për 14...
TIRANË– Në raport me një vit më parë, kjo përqindje ka mbetur e pandryshuar, çka tregon se Shqipëria ka ngecur në të ashtuquajturin proces të konver...
TIRANË- Sot maturantët do të ulen për herë të fundit në bankat e shkollës dhe do të zhvillojnë provimin e fundit. Më shumë se 32 mijë maturantë do të zhvil...
Kjo nismë synon të bëjë transparencë mbi kompanitë e regjistruara në parajsat fiskale, me pronësi të panjohur, të cilat kanë shkaktuar debate të shumta vitet e ...
Të eksportosh domate dhe luleshtrydhe me avion drejt Dubait për shkak të cilësisë.Kjo është kontrata që një fermer nga Berati ka bërë së fundmi me sheikun, duke...
Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e vështirë të nënës së 4 fëmijëve. Klodiana Firanji nga qyteti i Korçës rrëfeu në studi...
TIRANË- Drejtori i BERZH për Shqipërinë, Matteo Colangelo, ka folur për pasojat në ekonominë shqiptare nga COVID-19, por dhe për skenarin e ringritjes. Në ...
SHQIPËRI– Deficiti buxhetor që reflekton shpenzimet që nuk mbulohen nga të ardhurat u rrit me 6,675 për qind në 5-mujorin e parë, duke sinjalizuar për zgje...