LIVE UPDATES
Bota

"Zakonet dixhitale që dikur përkufizonin rininë..."! Analiza: Njihuni me ata që janë vërtet të varur nga ekranet

Por kohët e fundit, klinika shtetërore ka pranuar një rritje të qëndrueshme pacientësh krejt të ndryshëm. Specialistët për varësinë nga video-lojërat kanë trajtuar deri më tani 67 persona mbi moshën 40 vjeç. Më e moshuara, e pasionuar pas lojërave në telefonin e saj inteligjent, ishte 72 vjeç.

15 Nëntor 2025, 07:41 Nga E. D
"Zakonet dixhitale që dikur përkufizonin rininë..."!
foto ilustruese

Qindra adoleshentë, ndonjëherë të detyruar nga prindërit e tyre, që nga viti 2019 kanë trokitur në dyert e Qendrës Kombëtare e Mbretërisë së Bashkuar për Çrregullimet nga Lojërat Dixhitale.

Por kohët e fundit, klinika shtetërore ka pranuar një rritje të qëndrueshme pacientësh krejt të ndryshëm. Specialistët për varësinë nga video-lojërat kanë trajtuar deri më tani 67 persona mbi moshën 40 vjeç. Më e moshuara, e pasionuar pas lojërave në telefonin e saj inteligjent, ishte 72 vjeç.

Në shumë vende, një lloj paniku moral ka përfshirë shoqërinë për ndikimin e teknologjisë dixhitale te të rinjtë. Jonathan Haidt, psikolog social dhe autor, flet për një “brez të ri me ankth”, fëmijëria e të cilëve po vidhet nga telefonat inteligjentë dhe rrjetet sociale.

Shkollat po kërkojnë gjithnjë e më shumë që telefonat të mbahen në dollap ose të lihen në shtëpi. Grupe prindërish si “Smartphone Free Childhood” (Fëmijëri pa Smartphone) kërkojnë heqjen dorë nga pajisjet. Në dhjetor, Australia do t’u ndalojë nën 16-vjeçarëve përdorimin e mediave sociale.

Megjithatë, një shpërthim tjetër në kohën e kaluar para ekraneve po ndodh brenda një brezi tjetër.

Ndërsa brezi i sotëm i 60-vjeçarëve, tashmë i njohur me teknologjinë dixhitale, hyn në moshën e pensionit, koha e kaluar me pajisje inteligjente po rritet me shpejtësi mes të moshuarve.

Disa të rritur më të moshuar “po jetojnë gjithnjë e më shumë përmes telefonave të tyre, ashtu siç bëjnë adoleshentët apo të rinjtë”, thotë Ipsit Vahia, drejtor i Laboratorit të Teknologjisë dhe Plakjes në Spitalin McLean, pjesë e Shkollës Mjekësore të Harvardit.

Zakonet dixhitale që kanë ndryshuar adoleshencën po arrijnë edhe në pleqëri.

Të moshuarit kanë qenë prej kohësh shikues të pasionuar të televizionit.

Koha e lirë, lëvizshmëria e kufizuar dhe vetmia janë një recetë për të kaluar orë të tëra përpara ekranit: vitin e kaluar, personat mbi 75 vjeç në Britani kaluan mesatarisht më shumë se pesë orë e gjysmë në ditë duke parë televizor, pesë orë më shumë se grupmosha 16–24 vjeç, sipas autoritetit mediatik Ofcom.

Të moshuarit tradicionalisht kanë mbetur prapa në përqafimin e teknologjisë dixhitale. Dhjetë vjet më parë, vetëm një në pesë amerikanë mbi 65 vjeç zotëronte një telefon inteligjent.

Kjo po ndryshon. Brezat e sapodalë në pension, shumica e të cilëve kanë qenë online që në moshë të mesme, janë ndër përdoruesit më entuziastë të pajisjeve dixhitale.

Të moshuarit mbi 65 vjeç kanë më shumë gjasa se të rinjtë nën 25 vjeç të kenë tableta, televizorë inteligjentë, lexues elektronikë dhe kompjuterë desktop apo laptop, sipas një ankete në shtatë vende të realizuar nga kompania kërkimore GËI.

Korporatat e teknologjisë e kanë identifikuar moshën e tretë si një treg në zgjerim.

Apple prodhon kufje që shërbejnë edhe si aparate dëgjimi dhe orë inteligjente, që mund të kryejnë elektrokardiograma ose të thërrasin ambulancën nëse përdoruesi ka një problem shëndetësor. (Si rezultat, 17% e personave mbi 65 vjeç zotërojnë tani një orë inteligjente.)

Brezi i ardhshëm i pensionistëve duket se do të jetë edhe më i lidhur pas pajisjeve dixhitale: pothuajse një e pesta e personave 55–64 vjeç kanë një pajisje për video-lojëra. Pensioni po duket gjithnjë e më pak si një lojë golfi dhe gjithnjë e më shumë si “Grand Theft Auto”.

Ndërsa pronësia e pajisjeve dixhitale po bëhet më e zakonshme, koha e kaluar para ekraneve nga të moshuarit po rritet. Në vend që të zëvendësojnë kohën e kaluar me media të tjera, telefonat dhe tabletët duket se po shtohen në totalin ditor.

Gjatë dekadës së fundit, konsumimi i televizionit dhe radios mes njerëzve në të 50-at dhe 60-at ka mbetur i qëndrueshëm, ndërsa koha e kaluar në rrjetet sociale, lojërat online dhe platformat e transmetimit audio është rritur.

Ofcom zbuloi se vitin e kaluar, britanikët mbi 65 vjeç kaluan mbi tre orë në ditë online përmes telefonave, kompjuterëve dhe tabletëve, gjysma e kohës së moshës 18–24 vjeç.

Por, duke kombinuar TV-në dhe pajisjet dixhitale, personat në moshë pensioni kalojnë më shumë kohë para ekraneve se të rinjtë.

Në vendet ku kjo prirje është më e përhapur, njerëzit po fillojnë të shqetësohen për përdoruesit e moshuar të telefonave inteligjentë njësoj si për adoleshentët.

Një studim i vitit 2022 në Korenë e Jugut, një nga vendet me përdorimin më të lartë të telefonave inteligjentë në botë, vlerësoi se 15% e personave 60–69 vjeç ishin në rrezik varësie nga telefoni (bazuar në pohime si: “Sa herë që përpiqem të reduktoj kohën e përdorimit të telefonit, nuk ia dal”).

Kërkime nga Japonia gjetën lidhje midis kohës para ekranit dhe aktivitetit fizik më të ulët te të moshuarit. Një sondazh mbi 60-vjeçarët në Kinë e lidhi atë me përkeqësimin e gjumit.

Të përcaktosh lidhje shkakësore është e vështirë. Ekranet mund t’i tundonin të moshuarit drejt një jete më sedentare, ose mund të jetë se ata kalojnë më shumë kohë me telefonat sepse tashmë janë më të lidhur me kolltukun.

Pete Etchells, profesor i psikologjisë në Universitetin Bath Spa, vëren se vetë ai e pa kohën e përdorimit të ekranit të rritej ndjeshëm pasi qëndroi në spital për disa javë.

“Nëse do të më kishin hequr iPad-in, mund t’ju them se do të isha po aq i palëvizshëm, dhe shumëfish më i dëshpëruar” thotë ai.

Të moshuarit përballen me disa rreziqe online që grupet e tjera të ndjeshme nuk i kanë. Ndryshe nga adoleshentët, telefonat dhe tabletët e tyre shpesh janë të lidhur me llogaritë bankare.

“Mikrotransaksionet” brenda lojërave mund të boshatisin xhepat. Po kështu mashtruesit, që mund të kontaktojnë dhe të grabisin viktimat përmes të njëjtit aplikacion.

Veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të moshuarit kanë përqafuar WhatsApp-in për gjithçka, nga komunikimi te blerjet, thotë Dr. Vahia, “dhe për këtë arsye WhatsApp është bërë edhe platforma e preferuar e mashtruesve”.

Të moshuarve gjithashtu u mungojnë “gardhet sociale” që rregullojnë kohën e përdorimit të telefonit te të rinjtë.

Gjatë ditës, mësuesit e kontrollojnë përdorimin e telefonave të nxënësve, ndërsa prindërit i qortojnë në mbrëmje. Në të kundërt, të moshuarit janë “shefat” e vetes; mund të mos kenë njeri që t’i udhëzojë drejt ndihmës kur kanë nevojë.

“Të moshuarit, shpesh nuk kanë askënd afër, ose nëse kanë, askush nuk e vëren vërtet se çfarë po bëjnë në kompjuter”, thotë Henrietta Bowden-Jones, drejtoreshë e klinikës britanike për varësinë nga lojërat.

Të moshuarit shumë më rrallë se të rinjtë i drejtohen mjekut për varësi nga telefoni, thotë Dr. Vahia. Por në disa raste, koha para ekranit është ajo që qëndron pas problemeve të tjera më të dukshme tek pacientët e moshuar.

Klinika e tij ka trajtuar persona të moshuar që vuanin nga pagjumësia, e cila rezultoi të kishte lidhje me frikën nga mashtrimet online; në raste të tjera, ankthi lidhej me zakonin e të shfletuarit pa ndalim lajme negative, shqetësuese ose stresuese në internet (doom-scrolling).

Lajmet alarmuese dhe keqinformuese mund të përbëjnë një kërcënim të veçantë për të moshuarit, të cilët kanë dyfish më shumë gjasa se të rinjtë nën 25 vjeç të përdorin aplikacione apo faqe lajmesh.

Një studim i fundit nga Hunt Allcott i Universitetit Stanford dhe kolegët e tij gjeti se mospërdorimi i Facebook çoi në përmirësime të moderuara në shëndetin mendor për përdoruesit e çdo moshe. Efekti pozitiv ishte më shumë se dyfish më i madh te gjysma më e moshuar e grupit të vullnetarëve sesa te më e reja.

Megjithatë, rritja e kohës para ekranit te të moshuarit nuk është aspak diçka e keqe. Që nga shërbesat fetare përmes Zoom, deri te klasat e jogës apo klubet e librave online, fuqia lidhëse e internetit është veçanërisht e vlefshme për ata që e kanë të vështirë të dalin nga shtëpia.

Profesorja Bowden-Jones beson se për njerëzit që detyrohen të qëndrojnë brenda, për shkak se nuk ndihen mirë ose nuk mund të drejtojnë më makinën, mundësia për të ndjekur aktivitetet e tyre online “është thjesht e mrekullueshme”.

Aplikacionet e mesazheve na afrojnë më shumë familjarët. Lojërat ndihmojnë në kalimin e kohës. Spotify dhe YouTube janë burime nostalgjie që risjellin muzikën dhe videot e fëmijërisë.

Të moshuarit e pasionuar pas ekraneve kanë gjithashtu disa përparësi ndaj adoleshentëve. Nëse telefonat inteligjentë mund të ndërhyjnë në marrëdhëniet reale të të rinjve, të moshuarit kanë tashmë lidhjet kryesore sociale të jetës së tyre.

“Ata kanë sjellje të konsoliduara, marrëdhënie të ndërtuara mirë, mënyra të qëndrueshme komunikimi. Telefonat inteligjentë shpesh mund t’i përforcojnë këto”, thotë Dr. Vahia.

“Netflix and chill”

Për ata që e teprojnë, pasojat ndoshta janë më të lehta se për një adoleshent. Ndryshe nga varësitë nga alkooli apo bixhozi, ku personi rrezikon shëndetin ose pasurinë, rreziku kryesor i varësisë nga ekranet është thjesht humbja e kohës.

Për një të ri, kjo mund të nënkuptojë nota të këqija në shkollë apo të humbin vendin e punës. Për dikë në pension, koha e lirë është me tepricë.

Ka madje disa të dhëna të reja që pajisjet dixhitale mund të ndihmojnë të moshuarit të qëndrojnë mendërisht aktivë. Studime të mëparshme kanë sugjeruar se koha e tepërt para ekranit dëmton përqendrimin dhe kujtesën, duke çuar në atë që disa e kanë quajtur “demencë dixhitale”.

Por në prill, një meta-analizë mbi më shumë se 400,000 të moshuar gjeti se personat mbi 50 vjeç që përdornin rregullisht pajisje dixhitale kishin nivele më të ulëta të rënies së aftësive njohëse sesa ata që nuk i përdornin.

(Megjithatë, lidhja shkakësore mbetet e paqartë: arsyeja mund të jetë edhe që ata që janë më të aftë mendërisht, përdorin më shpesh pajisjet.)

Entuziazmi i të moshuarve për teknologjinë dixhitale nuk tregon shenja ngadalësimi. Kufiri i ardhshëm mund të jetë realiteti virtual (VR), që u lejon atyre që janë të mbyllur në shtëpi të bëjnë udhëtime në çdo vend apo kohë që dëshirojnë.

Dr. Vahia së fundmi organizoi për një paciente 85-vjeçare me depresion një shëtitje virtuale, që niste nga shtëpia e saj e fëmijërisë dhe përfundonte në shkollën fillore.

Përvoja i riktheu kujtime të fjetura dhe e ndihmoi të zgjidhte konflikte të vjetra. Për mirë apo për keq, koha para ekranit për të moshuarit pritet të rritet edhe më shumë./MONITOR

zakonet dixhitale ekranet

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet