LIVE UPDATES
Bota

Steinbaum për VOA: Krijimi i Asociacionit nga qeveria e Kosovës bie ndesh me Kushtetutën

Jason Steinbaum, i cili në të kaluarën ishte këshilltar i kryetarit të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës Eliot Engel, tha se procesi i Asociacionit, i cili është çështja kryesore që ka shkaktuar përplasjet më të mëdha ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, është politizuar dhe se rruga kushtetuese, përmes të cilit komunat mund ta krijojnë vetë asociacionin, është rrugëdalje nga ngërçi.

14 Tetor 2024, 19:01 Nga r.ll
Steinbaum për VOA: Krijimi i Asociacionit nga qeveria e Kosovës bie
jason steinbaum

GJERMANI- Grupi për Politikat dhe të Drejtën Ndërkombëtare Publike në Uashington publikoi këto ditë një raport në të cilin thotë se kërkesat ndaj autoriteteve shtetërore të Kosovës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe se do të shkeleshin kompetencat që kjo kushtetutë ua jep autoriteteve komunale. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, njëri prej autorëve të raportit, Jason Steinbaum, i cili në të kaluarën ishte këshilltar i kryetarit të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës Eliot Engel, i tha koleges Garentina Kraja se procesi i Asociacionit, i cili është çështja kryesore që ka shkaktuar përplasjet më të mëdha ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, është politizuar dhe se rruga kushtetuese, përmes të cilit komunat mund ta krijojnë vetë asociacionin, është rrugëdalje nga ngërçi.

Zëri i Amerikës: Zoti Steinbaum, në raportin tuaj të ri të hartuar së bashku me profesorin Paul Williams, dolët në përfundimin se kërkesa për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë është në kundërshtim me kushtetutën dhe se ajo duhet të mos bëhet. Megjithatë krijimi i Asociacionit është çështje qendrore në përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Përse mendoni se e kanë gabim?

Jason Steinbaum: Raporti ynë përshkruan procesin të cilin e parashtron Kushtetuta e Kosovës dhe Kushtetuta e Kosovës paraqet një proces në bazë të së cilit vetëm komunat kanë autoritetin për të krijuar asociacione. Pra, nëse ato e duan një të tillë, sipas analizës që i kemi bërë Kushtetutës së Kosovës, atëherë le ta krijojnë. Ato mund ta krijojnë asociacionin në çdo moment që dëshirojnë, pavarësisht asaj që thotë komuniteti ndërkombëtar, autoritetet shtetërore të Kosovës apo qeveria e Serbisë, apo pavarësisht dialogut. E kanë autoritetin ta bëjnë një gjë të tillë që tani, sipas kushtetutës së Kosovës.

Një pikë e rëndësishme e raportit tonë është që komunat kanë kompetencat për krijimin e asociacionit. Por në mënyrë që komunat ta bëjnë këtë veprim, duhet të kenë zyrtarë të zgjedhur dhe kjo do të thotë që komuniteti serb vendas duhet të marrë pjesë me kandidatë në zgjedhje. Ata kanë bojkotuar zgjedhjet, kryesisht të nxitur nga Beogradi gjatë viteve të fundit. Por shpresoj se në të ardhmen do të vendosin të kandidojnë në zgjedhje për këto poste të qeverisjes vendore. Dhe nëse duan ta themelojnë asociacionin atëherë nëpërmjet këtyre të zgjedhurve nga zgjedhjet demokratike, atëherë do të kenë kompetencat dhe zyrtarët për ta bërë një gjë të tillë. Do të ishte një fitore e dyfishtë për komunitetin, Kosovën, për bashkësinë ndërkombëtare, sepse ata do ta fitonin asociacionin e tyre, por edhe zyrtarët e tyre të zgjedhur, të cilët të gjithë dëshirojmë t’i shohim të kandidojnë në zgjedhje dhe të marrin detyrën në postet e tyre.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, ajo që ju i referoheni si “rruga kushtetuese” është anashkaluar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Përse mendoni se ndodhi kjo?

Jason Steinbaum: Mendoj se janë të gjithë njerëz të vullnetit të mirë. Mendoj se duan që ta ndihmojnë një komunitet të themelojë një asociacion, të cilin ata thanë se e duan dhe kjo nuk është gjë e keqe. Këta njerëz ia duan të mirë Kosovës dhe njerëzve që jetojnë në këto qytete në pjesën veriore. Por mendoj se është mbase më me vend për Shtetet e Bashkuara që t’i përmbahen sundimit të ligjit, të ndjekin Kushtetutën, për të cilën, të jemi të sinqertë, ndihmuan që të hartohet. Ne morëm pjesë në hartimin e asaj kushtetute. Pra, mbase ka ardhur koha t’i rikthehemi dhe ta rishikojmë dhe të pyesim veten se, ‘çfarë ka ecur mbarë në këtë proces, çfarë nuk ka shkuar si duhet dhe si mund ta ndihmojmë këtë komunitet që të gjejë zgjidhje siç e përcakton Kushtetuta?’.

Zëri i Amerikës: Ju vlerësoni se ndoshta procesi është politizuar?

Jason Steinbaum: Kushtetuta parasheh një proces në bazë të të cilit komunat marrin vendimin për të themeluar asociacione, apo për t’iu bashkuar atyre, siç edhe ka ndodhur tashmë me krijimin e asociacionit të rregullt të komunave, të cilin e kanë themeluar vetë komunat. Por, duke i bërë kërkesa autoriteteve shtetërore në Kosovë, në një formë kjo e bën atë pjesë të procesit politik. Në fakt, kanë kaluar mbi dhjetë vite dhe qeveritë e Kosovës, të udhëhequra nga katër parti politike, nuk e kanë bërë këtë. Thënë sinqerisht, ndoshta është koha që të bëjmë një hap prapa dhe të shohim se çfarë thotë ligji dhe ndoshta ka një mënyrë për të vepruar duke hequr trysninë, duke e de-politizuar dhe duke e zbutur theksin që i është vënë.

Zëri i Amerikës: Disa qeveri në Kosovë, përfshirë qeverinë aktuale, janë pajtuar për krijimin e asociacionit. A fajësoni qeverinë se po tërhiqet nga një çështje për të cilën është pajtuar paraprakisht?

Jason Steinbaum: Nuk është kompetencë e tyre në radhë të parë, bazuar në Kushtetutë. Kosova e konfirmoi se do të bëhej me marrëveshjen e vitit 2013. Në atë marrëveshje, që u ratifikua nga kuvendi, qeveria tha se do të ketë një asociacion të komunave me shumicë serbe. Ata nuk e themeluan. (Po ta bënin këtë) do të shkelnin Kushtetutën, por ata po shprehnin dëshirën dhe kjo është në rregull. Ajo marrëveshje gjithashtu tha se do të themelohej dhe se statuti i saj do të shkruhej në të njëjtën mënyrë si asociacioni i zakonshëm i komunave, që e krijojnë vetë komunat. Nuk mendoj se qeveria në fakt ka kompetenca ta bëjë një gjë të tillë. E kuptoj argumentin dhe kritikat, por mendoj se ka një mënyrë më të mirë për ta bërë këtë gjë, që t’i kthehemi dhe të shohim Kushtetutën.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, kjo çështja e asociacionit është bërë njëra prej mosmarrëveshjeve kryesore ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, ndonëse jo e vetmja. Kjo marrëdhënie, sipas shumë vëzhguesve, është në pikën e saj më të ulët. A e ndani këtë vlerësim? Cila është pikëpamja juaj?

Jason Steinbaum: Mendoj se interesat e Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës përputhen në periudhën afatgjatë. Popujt tanë janë të afërt dhe vlerat e dy shteteve tona janë pothuajse të njëjta. Ka mosmarrëveshje ndërmjet qeverive dhe kjo nuk është çështje që e trajtojmë në raportin tonë. E di që ka disa mosmarrëveshje, të cilat janë ashpërsuar, por nuk janë temë e raportit tonë. Ne shohim një dalje, një rrugë, një proces kushtetues për të zgjidhur njërën prej çështjeve më të vështira për të cilën palët kanë mospajtime.

Zëri i Amerikës: Dhe cila mendoni ju se është rrugëdalja, jo vetëm sa i përket Asociacionit, por edhe procesit të dialogut në përgjithësi. Cila është këshilla juaj për ndërmjetësit e angazhuar në këtë proces? Qeveria amerikane sapo ka emëruar një ndërmjetës të ri. Ju keni qenë të angazhuar me rajonin për një kohë të gjatë...

Jason Steinbaum: Mendoj se aktualisht jemi në një moment kur bashkësia ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mund të presin pak. Janë zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara, do të ketë zgjedhje në Kosovë. Po bëhet zëvendësimi i disa zyrtarëve kyçë, përfshirë të dërguarin tonë, si dhe ambasadorin e BE-së në Kosovë, dhe më duket edhe vetë zotin Lajçak. Do të ketë ndryshime të individëve. Nganjëherë njerëzit e rinj mund të sjellin ide dhe qasje të reja dhe mbase kjo është edhe një mënyrë për të bërë një pauzë. Dhe pastaj me ardhjen e qeverive të reja dhe njerëzve të rinj, mund ta shohim nga perspektiva e re këtë çështje dhe të përpiqemi ta shikojmë se çfarë po ndodh nga aspekti kushtetues.

Zëri i Amerikës: Prej mbi një dekade është bërë një proces i vazhdueshëm dialogu për të arritur një lloj marrëveshjeje të negociuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. A mendoni se ekziston me të vërtetë dëshira për të arritur një marrëveshje të negociuar?

Jason Steinbaum: Nuk jam shumë i sigurt. Mendoj se të dyja palët janë në një ngërç mjaft të madh. Nuk shoh interesin e qeverisë së Serbisë, nuk jam i sigurt se e shohin si në interesin e tyre arritjen e një marrëveshjeje. Ata thonë se kundërshtojnë një Kosovë sovrane dhe arritja e një marrëveshjeje nuk duket se është në interesin e tyre. Nga pikëpamja e Kosovës, ata dëshirojnë një marrëveshje tani dhe njohjen dhe kjo nuk më duket që ka gjasa të ndodhë në të ardhmen e afërt. Dialogu është gjithmonë gjë e mirë. T’u gjesh zgjidhje problemeve funksionale mes vendeve është diçka e mirë, prandaj shpresoj që do të vazhdojë. Shpresoj që nuk do të përqendrohet shumë në fushat që janë tërësisht brenda territorit sovran të Kosovës dhe që janë pjesë e autoritetit të saj sovran të vendim-marrjes.

Zëri i Amerikës: Sa realiste është që të pritet pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje duke patur parasysh gjendjen e tanishme, qoftë tensionet aktuale, apo incidentet e vitit të kaluar, përfshirë sulmin e armatosur në Banjskë? Që Beogradi t’i nxisë ata të marrin pjesë?

Jason Steinbaum: Nuk e di përgjigjen për këtë pyetje. Mendoj se mund të ndodhë me një nxitje më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, nëse thonë që e ardhmja juaj është në duart tuaja në vend që ta vendosin atë në duart e dialogut, apo në veçanti të qeverisë në Beograd, sepse ata nuk qeverisin atje, apo të qeverisë në Prishtinë.

Procesi i Ahtisaarit parashikoi një kontroll lokal dhe kompetenca për komunat dhe mendoj se ashtu siç u zhvillua ky proces dhe se si u shndërrua në një qasje kushtetuese, ndoshta gjejmë një mënyrë të re për ta zgjidhur këtë, apo të gjejmë një shteg të ri për të ecur përpara që do të zbusë theksin që i është vënë (Asociacionit), ta depolitizojmë atë dhe të heqim tensionet që e rrethojnë./VOA

jason steinbaum

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet