LIVE UPDATES
Bota

Serbia blen me fonde të BE-së teknologji nga kompania e sanksionuar ruse

17 Janar 2026, 14:40 Nga I.A

Serbia blen me fonde të BE-së teknologji nga kompania e sanksionuar

SERBI- Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Serbisë gjatë vitit të kaluar ka vazhduar të përditësojë softuerët dhe pajisjet e kompanisë ruse Papilon, e cila është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që nga viti 2023, thuhet në gjetjet e një hulumtimi të Radios Evropa e Lirë (REL).

Hulumtimi po ashtu ka treguar se një pjesë e kësaj pajisjeje gjatë vitit 2023 Serbia e ka financuar me paratë që merr nga Bashkimi Evropian.

Prandaj, Brukseli mund t’i kërkojë Beogradit kthimin e parave, thotë për REL-in zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.

“Nëse vërtetohet se ndonjë shpenzim nuk është bërë në përputhje me rregullat e BE-së, përfshirë ato që lidhen me sanksionet, BE-ja do të marrë masat përkatëse për të mbrojtur buxhetin e BE-së, duke përfshirë kthimin e mjeteve kur është e përshtatshme”, thekson Mercier.

MPB e Serbisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me blerjet dhe përdorimin e kësaj teknologjie, pavarësisht sanksioneve.

MPB-ja e Serbisë për vite me radhë ka përditësuar pajisjet e kompanisë ruse, Papilon, të cilat përdoren për verifikimin e identitetit bazuar në gishtërinj dhe pëllëmbë të dorës, fotografi të fytyrës ose iris të syrit, tregojnë dokumentet që janë të qasshme në portalin e prokurimeve publike në Serbi.

Sipas të dhënave nga regjistri i biznesit rus, kompania ruse Papilon merret me zhvillimin e sistemeve biometrike dhe forenzike.

Që nga viti 2023, Papilon dhe katër kompani të lidhura me të ndodhen në listën e zezë amerikane të kompanive për të cilat është vendosur se “janë të përfshira në aktivitete që rrezikojnë sigurinë kombëtare ose interesat e jashtme të SHBA-së”.

Këto kompani ndodhen gjithashtu nën sanksionet e Bashkimit Evropian, pra në listën e kompanive që janë subjekt i kufizimeve më të rrepta tregtare të BE-së.

Arsyeja e sanksioneve që përmend BE-ja është se bëhet fjalë për kompani që janë “përdoruesit përfundimtarë ushtarakë, pjesë e kompleksit ushtarak dhe industrial rus ose kanë lidhje tregtare apo të tjera me sektorin rus të mbrojtjes dhe sigurisë, ose e mbështesin atë në ndonjë mënyrë tjetër”.

Hulumtimi i REL-it gjeti se një pjesë e pajisjeve të kësaj kompanie ruse është blerë përmes fondeve IPA të BE-së, pra fondeve që shërbejnë për zbatimin e reformave në vendet kandidate për anëtarësim në BE, duke i përgatitur ato për hyrjen në bllok.

Në raportin e MPB-së së Serbisë për vitin 2024 mbi aktivitetet lidhur me zbatimin e projekteve që kanë mbështetje nga BE-ja, thuhet se 1 milion euro është ndarë për blerjen e pajisjeve kur “në tetor 2023, Qendra Kombëtare për Forenzikën Kriminalistike kaloi në versionin e ri të AFIS-it [AFIS Papillon 9]”.

Qendra Kombëtare për Forenzikën Kriminalistike është pjesë e Drejtorisë së Policisë në MPB-në e Serbisë, e cila kryen ekspertiza forenzike dhe siguron prova materiale për nevojat e sistemit penal në Serbi.

Në këtë mënyrë, ajo ka marrë një sistem shumëfunksional automatik për identifikimin e gishtërinjve, pëllëmbëve, fytyrës dhe irisit të syrit, të dizajnuar për menaxhimin e bazave të mëdha të të dhënave biometrike.

Në momentin kur janë përdorur fondet nga IPA, kompania ruse Papilon ishte tashmë tetë muaj, që nga 27 shkurti i vitit 2023, në listën e sanksioneve të Byrosë për Industri dhe Siguri, që është pjesë e Departamentit amerikan të Tregtisë.

Kjo listë përbën një regjistër të kompanive të huaja, organizatave dhe individëve për të cilët Qeveria amerikane ka vendosur se janë të përfshirë në aktivitete që rrezikojnë sigurinë kombëtare ose interesat e jashtme të SHBA-së.

Në arsyetimin e vendimit të administratës amerikane thuhet se pesë kompani të lidhura me Papilonin u futën në listë për shkak të mbështetjes së operacioneve ruse në territoret e pushtuara të Ukrainës, “që përfshijnë përdorimin e teknologjisë biometrike për shtypjen e rezistencës ukrainase dhe imponimin e besnikërisë te popullsia ukrainase në territoret e pushtuara”.

Për pyetjen se si është e mundur që pajisjet e sanksionuara janë blerë me fondet IPA, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, i tha REL-it se mbështetja për Serbinë vazhdon që nga viti 2011, kur kompania ruse Papilon nuk ishte në listën e sanksioneve.

Kompania ruse dhe kompanitë e lidhura me të ndodhen në listën e sanksioneve të BE-së që nga 18 dhjetori i vitit 2023, dy muaj pas pagesës për përditësimin në versionin më të avancuar të AFIS Papilon në kuadër të projektit IPA.

Qëllimi i mbështetjes, shpjegon Mersije, ishte që përmes legjislacionit dhe politikave, procedurave standarde operacionale dhe pajisjeve teknologjike të hetimeve kriminalistike “të përputhen me rregullat dhe vendimet përkatëse të Prüm-it”.

Rregullat Prüm lidhen me bashkëpunimin në BE që u mundëson shteteve anëtare shkëmbimin automatik të profileve të ADN-së, gjurmëve të gishtërinjve dhe regjistrave të automjeteve për luftimin e terrorizmit dhe krimeve të rënda. Qëllimi i tyre është identifikimi i shpejtë i të dyshuarve dhe bashkëpunimi më efikas ndërkufitar policor.

“Që nga viti 2011, para se kompanitë e përmendura [Papilon] të hynin në listën e sanksioneve, softueri AFIS Papillon i është ofruar përmes mbështetjes së BE-së autoriteteve serbe. Sistemi është përdorur dhe përditësuar që atëherë. Produktet Papillon AFIS në atë kohë janë vlerësuar si në përputhje me standardet”, thotë Guillaume Mercier.

Ai shton se BE-ja “merr shumë seriozisht çështjen e harmonizimit me sanksionet brenda bashkëpunimit të përgjithshëm me Serbinë”.

“Sidomos në këtë sektor, dhe përmes bisedimeve me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Serbisë në kuadër të Kapitullit 24”, thekson Mercier, duke shtuar se mund të ketë edhe një kërkesë për kthimin e fondeve të BE-së.

Kapitulli 24 dhe kapitulli 23 janë dy kapituj kyç në negociatat e Serbisë për anëtarësim me BE-në që lidhen me sundimin e ligjit.

Kapitulli 24 përfshin drejtësinë, lirinë dhe sigurinë. Pa përparim në këta dy kapituj, asnjë shtet nuk mund të avancojë në procesin e integrimeve evropiane.

Bashkimi Evropian, përmes fondeve të pranimit, financon më shumë se 400 projekte për MPB-në e Serbisë, disa janë përfunduar, ndërsa disa të tjera janë ende në zhvillim, ndaj shuma e saktë e fondeve të ndara nuk mund të dihet.

Përveç që sistemi AFIS përditësohet me ndihmën e fondeve të BE-së, Policia serbe prej vitesh investon në softuerë dhe pajisje të këtij prodhuesi rus edhe me mjete nga buxheti i shtetit.

Pajisjet dhe softuerët e prodhuesit rus Papilon, me vlerë mbi 1.4 milion euro, janë blerë gjatë katër vjetëve të fundit, tregojnë të dhënat nga portali i prokurimeve publike.

Papillon AFIS mund të përdoret për përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave biometrike të qytetarëve për nevoja të ndryshme të shtetit, si regjistrat penalë, sistemet kufitare dhe imigracionit, por edhe për regjistrimin e përgjithshëm i popullsisë si dhe për karta e identitetit dhe pasaportat”, thotë për REL-in Filip Millosheviq, hulumtues në fondacionin SHARE në Beograd, një organizatë jofitimprurëse që merret me lirinë e shprehjes në internet, privatësinë e të dhënave dhe sigurinë digjitale.

Në Serbi, sistemi AFIS përdoret edhe në hetimet policore dhe forenzike për identifikimin e të dyshuarve, të dënuarve dhe gjurmëve të marra nga vendet e krimit.

Përveç vetë sistemit, softuerëve për përpunimin dhe bazave të të dhënave për ruajtjen e gjurmëve të gishtërinjve dhe të dhënave të tjera biometrike, Policia serbe përdor edhe pajisje të ndryshme të prodhuara nga kompania Papilon.

Në përdorim janë skanerët për gjurmët e gishtërinjve dhe pëllëmbëve, si dhe kompjuterë me pajisje përcjellëse ku është instaluar sistemi i përmendur, sipas dokumentacionit të prokurimeve të MPB-së të Serbisë.

Gjatë dhjetorit të vitit 2022, MPB kreu edhe një “migrim të të dhënave biometrike”, që përfshinte transferimin dhe analizimin e fotografive (fytyra e plotë dhe profili) të të gjitha personave të regjistruar në bazat e të dhënave AFIS Papilon.

“Ky sistem duhet të përditësohet në mënyrë që të përfshijë kodimin automatik të gjurmëve dhe kodimin automatik të fotografive të fytyrës”, thuhet në një nga udhëzimet për ofruesit se si duhet të përditësojnë sistemin AFIS Papilon në një version më të avancuar.

Filip Millosheviq nga fondacioni SHARE shpjegon se “MPB-ja ndoshta synon të përmirësojë sistemin aktual të të dhënave biometrike të qytetarëve me një modul që mundëson transferimin e këtyre të dhënave në sisteme të tjera”, siç janë mbikëqyrja inteligjente me video dhe softuerë të tjerë për mbledhjen e seteve të mëdha të të dhënave.

“Kjo hap mundësinë për ndërthurjen e avancuar të të dhënave”, shprehet Millosheviq.

“Pasi të bëhet një migrim i tillë i të dhënave në sistemin tjetër, kjo praktikisht do të thotë se këta softuerë dhe sisteme, për çdo regjistrim nga kamerat e mbikëqyrjes ose pajisjet mobile gjatë protestave, për shembull, mund të identifikojnë automatikisht qytetarët me emër dhe mbiemër, në kohë reale”, paralajmëron ai.

Puna e migrimit të të dhënave biometrike nga viti 2022, me vlerë mbi 30 mijë eurosh, iu dha kompanisë MRG Export-Import në fund të vitit 2022, sipas të dhënave portali i prokurimeve publike në Serbi.

Siç ka raportuar më herët REL-i, MPB e Serbisë përmes kompanisë MRG ka zgjatur licencën për blerjen e mjetit kontrovers të kompanisë Cellebrite deri në mes të vitit 2026, pasi organizatat ndërkombëtare raportuan për abuzime të supozuara të këtij mjeti në Serbi.

Mjetet e kompanisë Cellebrite janë përdorur për të zhbllokuar telefonat e gazetarëve dhe aktivistëve në Serbi gjatë viteve 2024 dhe 2025, pas së cilës janë marrë të dhëna nga telefonat e tyre.

Në disa raste janë instaluar “softuerë spiunazhi” që merrnin fotografi, mesazhe dhe gjurmë të ndryshme digjitale në kohë reale. Kjo është analizuar në detaje nga organizata ndërkombëtare Amnesty International.

Kompania MRG nuk i është përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me blerjen e pajisjeve nga kompania ruse Papilon.

Gjatë vitit 2025, marrëveshjet kornizë për servisimin e pajisjeve iu dhanë kompanisë nga qyteti i Çaçakut, GMM ENGINEERING 032, sipas të dhënave të Administratës për Prokurime Publike.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrin e Bizneseve në Serbi, kompania u regjistrua në shtator 2024, vetëm gjashtë muaj para se MPB-ja serbe t’i jepte tender me vlerë mbi 255 mijë euro.

Këto janë edhe tre tenderët e vetëm ku ka marrë pjesë kjo kompani.

Kompania GMM ENGINEERING 032 nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e REL-it lidhur me mënyrën se si hyri në këtë biznes.

Shoqëria aksionare Papilon dhe një numër kompanish të lidhura me të janë të regjistruara në Rusi, në qytetin Mias, në anën lindore të maleve Ural, në rajonin Çeljabinsk, pra në kufirin mes Evropës dhe Azisë.

Të dhënat e regjistrit rus të bizneseve tregojnë se kompanitë janë regjistruar në vitin 2002, dhe si drejtor është shënuar Pavel Zaitcev.

Ato janë regjistruar për “aktivitetet konsulente dhe punë në fushën e teknologjive kompjuterike”.

“Ne krijojmë sisteme biometrike multi-modale që mundësojnë identifikimin e një personi bazuar në çdo gjë nga vijon: gjurmët e gishtërinjve, fytyra, sytë. Sigurojmë integrimin e përsosur të sistemeve tona forenzike në sistemet kombëtare biometrike të vendeve të tjera”, thuhet në ueb-faqen e Papilon.

Sipas ueb-faqes, teknologjia e tyre përdoret në 43 vende, dhe kompania ka bashkëpunim të ngushtë me policitë në Rusi, Turqi, Indi, Uzbekistan, Kazakistan dhe Taxhikistan.

Këto të dhëna REL-i nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur.

Një nga projektet që theksohet veçanërisht në faqen e tyre është bashkëpunimi i gjatë me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Rusisë.

Sipas tyre, “Papilon menaxhon sistemin Papillon-9 AFIS për Ministrinë e Brendshme të Rusisë duke mbajtur një bazë të dhënash biometrike kombëtare që janë gjithëpërfshirëse”.

Aty thuhet se ky projekt përfshin 155 milionë regjistrime digjitale ku secili ka dhjetë gishtat e një qytetari, dhe se kanë kompjuterë me pajisje përcjellëse në mbi një mijë qendra rajonale në Rusi.

Papilon nuk i është përgjigjur pyetjeve të dërguara nga REL-i sa i përket bashkëpunimit që kompania ka me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë./REL

mpb serbi

Sondazh

Poll

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet

Dhunuan dhe kërcënuan me një pistoletë 70-vjeçarin në banesën e tij, arrestohen tre të rinjtë

Laura Pausini dhe Tom Cruise pjesë e ceremonisë së mbylljes së Botërorit 2026

Ish i burgosuri në Fier: Nuk jeton dot në Shqipëri pa shkelur ligjin, bën vaki të kthehem prapë

I burgosuri falënderon Zotin pas daljes nga qelia: Jam krenar për burgun që kam bërë!

Amnistia Penale/ Vodhi 500 mijë euro në banesën e Alda Klosit, lirohet nga qelia Rozeta Dobi

Nis zbatimi i amnistisë penale/ I burgosuri në Drenovë lë qelinë: U dënova padrejtësisht

Nis zbatimi i amnistisë penale/ Lënë qelinë 541 të dënuar në të gjithë vendin

Riaktivizohet vatra e zjarrit në Novoselë, rrezikohen disa banesa

Marta Kos: Shqipëria po motivon edhe vendet e tjera kandidate

A do hapen kapituj të tjerë?/ Rama: Jam shumë optimist, deri tani jemi në drejtimin e duhur

Marta Kos: Shqipëria ecën përpara drejt objektivit ambicioz deri në fund të 2027