LIVE UPDATES
Bota

Përpjekja e Francës për ta eliminuar rrezikun nga IS gjatë Lojrave Olimpike

Pak ditë para se të nisin Lojërat Olimpike Verore në Paris, më 26 korrik, shërbimet franceze të sigurisë janë duke bërë përpjekje të shumta për të siguruar informacione dhe për të thelluar lidhjet me taxhikët në Francë, sipas dhjetëra njerëzve të afërt me këto zhvillime, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

23 Korrik 2024, 10:28 Nga N.F
Përpjekja e Francës për ta eliminuar rrezikun nga IS gjatë
Foto ilustruese

FRANCË- Gazetari taxhik, Temur Varki, është habitur kur e ka pranuar një thirrje prej policisë së Parisit, në fund të marsit, disa ditë pasi militantë prej vendlindjes së tij, të grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), janë dyshuar se kanë kryer një masakër në Moskë.

Dy zyrtarë e kanë marrë në pyetje për komunitetin e vogël të imigrantëve taxhikë në Francë.

“Kë e njihni? Sa prej tyre? Ku?”, ka rikujtuar Varki ta kenë pyetur zyrtarët, dhe njëri prej tyre ka folur rusisht, gjuhë e përdorur shpesh në Azinë Qendrore, ku gjendet Taxhikistani.

Varki, refugjat në Francë, i cili ka punuar për media të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë BBC-në, u ka thënë zyrtarëve policorë se njeh pak taxhikë në Francë dhe ata janë kryesisht disidentë.

“Por, nuk e njoh asnjë xhihadist”, u ka thënë ai.

Pak ditë para se të nisin Lojërat Olimpike Verore në Paris, më 26 korrik, shërbimet franceze të sigurisë janë duke bërë përpjekje të shumta për të siguruar informacione dhe për të thelluar lidhjet me taxhikët në Francë, sipas dhjetëra njerëzve të afërt me këto zhvillime, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Aty përfshihen zyrtarë dhe ish-zyrtarë të inteligjencës, policë, diplomatë dhe migrantë të Azisë Qendrore, të cilët janë kontaktuar prej autoriteteve.

Këto operacione vijnë pas dy sulmeve të mëdha të këtij viti, për të cilat autoritetet deklarojnë se janë kryer prej anëtarëve taxhikë të grupit Shteti Islamik i Korasanit (IS-K), degë e IS-it, që është emëruar sipas rajonit historik të Korasanit, e që përfshin pjesë të Iranit, Afganistanit dhe Azisë Qendrore.

Sulmet me bomba në Iran, më 3 janar, kanë vrarë rreth 100 njerëz në një ceremoni përkujtimore për komandantin e vrarë iranian, Qassem Soleimani, derisa më 22 mars, në Moskë, sulmuesit kanë shtënë me armë në sallën e koncerteve Crocus, duke vrarë më shumë se 120 njerëz.

Autoritetet franceze kanë thënë se tashmë kanë penguar kryerjen e një sulmi islamik në Olimpiadë, duke arrestuar në maj një çeçen, 18-vjeçar, të dyshuar për planifikim të një sulmi terrorist në emër të IS-it, në stadiumin e futbollit Saint-Etienne, në të cilin do të luajnë Franca, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina.

Duke marrë parasysh të kaluarën koloniale dhe rritjen e disponimit kundër myslimanëve, por edhe përfshirjen historike në luftërat në Lindje të Mesme dhe ato afrikane, Franca ka qenë shpesh shënjestër e sulmeve islamiste.

Muajin e kaluar, shefi policor i Parisit, Laurent Nunez, ka thënë se “terrorizmi islamist është shqetësimi ynë kryesor” në Olimpiadë, ndonëse autoritetet kanë thënë se nuk kanë vërejtur kërcënime direkte kundër Lojërave.

Taxhikistani, i prekur prej luftërave civile në vitet ’90, është vendi më i varfër në ish-republikat sovjetike. Ai varet prej remitencave të migrantëve, që jetojnë kryesisht në Rusi, dhe përbëjnë gati gjysmën e hyrave në ekonomi.

Burrat e varfër dhe të izoluar të diasporës taxhike kanë dalë të jenë shënjestra atraktive për rekrutim prej anëtarëve të grupit IS-K, sipas shumë ekspertëve të sigurisë. Megjithatë, inteligjenca franceze ka pak asete të Azisë Qendrore, ka thënë një burim për Reutersin, prandaj vështirë depërton ne komunitetin e tyre.

Sipas Asociacionit të Taxhikëve të Francës, në këtë vend janë rreth 30 familje taxhike. Ky burim i inteligjencës ka thënë se IS-K përbën kërcënim relativisht të ri, pasi të rekrutuarit që jetojnë jashtë vendit mund të radikalizojnë shtetasit e Azisë Qendrore në Francë, për të kryer sulme në tokën franceze.

Si dëshmi, ky burim e ka përmendur rastin e një burri taxhik, që është arrestuar më 2022, për organizim të një sulmi në Strasburg. Ky burim ka thënë se ai person ka qenë duke vepruar sipas udhëzimeve të anëtarëve të grupit IS-K, jashtë shtetit.

Një burim tjetër ka thënë se Franca ka identifikuar dhjetëra anëtarë të grupit IS-K në shumë shtete rreth Afganistanit, të cilët kanë prezencë të madhe online dhe tentojnë të bindin të rinjtë në shtetet evropiane, që janë të interesuar për t’iu bashkuar grupit, për të kryer sulme.

Ata persona, më pas, lidhin të rekrutuarit me njëri-tjetrin, për t’u pajisur me dokumente të rreme dhe armë, dhe që ky proces mund të zgjasë disa javë.

Ministria e Jashtme e Taxhikistanit, nuk ka pranuar të komentojë lidhur me këtë temë. Përveç Varkit, Reuters ka folur me dy taxhikë tjerë dhe një uzbek, që jeton në Francë, të cilat janë kontaktuar prej policisë dhe janë marrë në pyetje për komunitetet e tyre.

Nadejda Atayeva, aktiviste uzbeke për të drejta të njeriut në qytetin veriperëndimor, Le Mans, ka thënë se ua ka dhënë zyrtarëve numrin kontaktues të Varkit, pasi është takuar me zyrtarët policorë në Paris.

“Jam pyetur për kontakte të taxhikëve që u besoj. Më është thënë se kanë dashur të flasin me taxhikët për të marrë mendimin e tyre për zhvillimet në Moskë”, ka thënë ajo.

Sebastien Peyrouse, akademik francez që i ka informuar agjencitë franceze dhe amerikane për natyrën e militantëve të Azisë Qendrore, ka thënë se Parisi mund të ketë qenë i ngadalshëm për të shmangur kërcënimin e mundshëm taxhik.

“Franca është fokusuar më shumë te njerëzit e radikalizuar të Lindjes së Mesme, prej Algjerisë, veriut të Afrikës, sesa në ata të Azisë Qendrore”, ka thënë ai.

“Mendoj që Franca është befasuar me atë që ka ndodhur në Moskë, dhe mund të jetë pak vonë”.

Inteligjenca ruse, ndonëse ka informacione të detajuara për rrjetet e militantëve të Azisë Qendrore, ka dështuar që të parandalojë sulmin në sallën Crocus, ka thënë Edward Lemon, ekspert i Taxhikistanit, që ka kontakte të shpeshta me agjencitë perëndimore të spiunimit.

Inteligjenca e këmbyer në mes të Rusisë dhe Francës për Shtetin Islamik, dhe grupet tjera ekstremiste, është zvogëluar dukshëm pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, ka thënë ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu, në prill të këtij viti.

Dy zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, që koordinojnë sigurinë e ekipit amerikan në Olimpiadë, i kanë thënë Reutersit se, kanë besim në përgatitjet e Francës. Pa hyrë në hollësi, ata kanë thënë se tentimet franceze për të krijuar lidhje të ngushta me popullatën taxhike, kanë reflektuar për një praktikë e zakonshme kundër terrorizmit, për të mësuar më shumë për figurat kërcënuese brenda komunitetit.

“Secili do të kishte më shumë” informacione për kërcënimet prej Azisë Qendrore, ka thënë njëri prej tyre.

Kërcënimi më i madh prej militantëve taxhikë në Evropë vjen prej dhjetëra burrave të radikalizuar që kanë luftuar në Siri dhe kanë depërtuar në kontinentin evropian prej Ukrainës, sipas Lemonit dhe dy ekspertëve tjerë për Azinë Qendrore.

Vitin e kaluar, autoritetet gjermane kanë arrestuar gjashtë persona të Azisë Qendrore, për të cilët ka pasur dyshimet se kanë tentuar të krijojnë një organizatë terroriste. Këta persona, me shtetësi turkmene, taxhike dhe kirgize, kanë hyrë në Gjermani prej Ukrainës, pak pasi ka nisur pushtimi rus, më 2022, kanë thënë prokurorët.

Ata tani janë në burg, në pritje të gjyqit. Lemon beson se në Evropë jetojnë mijëra taxhikë, kryesisht në Poloni dhe Gjermani. Shumica prej tyre janë refugjatë politikë, që janë shpërngulur një dekadë më parë, pasi presidenti taxhik, Emomali Rakhmon, ka shpallur dy lëvizjet opozitare – Grupi 24 dhe Partia Islamike e Rezistencës – si parti terroriste dhe ekstremiste.

Rakhmon, aleat i Rusisë, e ka udhëhequr Taxhikistanin për 30 vjet. Varki, kritik i hapur i Rakhmonit, ka thënë se ka kërkuar azil në Francë më 2016, sepse ai e pëlqen shumë kulturën dhe letërsinë franceze. Ai ka thënë se nuk ka biseduar kurrë me autoritetet franceze të sigurisë në Francë, derisa ata e kanë kontaktuar në mars.

Muhammadiqboli Sadriddin, një tjetër disident taxhik, që jeton në Francë, ka thënë se edhe ai është ftuar prej policisë.

“Më kanë pyetur se çfarë di”, ka thënë Sadriddin.

Ai ka thënë se ka dashur të ndihmojë, por nuk e ka njohur asnjë taxhik me ide radikale. Tre ekspertë i kanë thënë Reutersit që tentimet e Francës për të depërtuar te komuniteti taxhik mund të kenë efekt të kundërt.

Një ish-spiun amerikan, ka thënë në kushte anonimiteti se, inteligjenca franceze është duke bërë punë të mirë, në përgjithësi. Mirëpo, ai beson që rritja e presionit ndaj taxhikëve për informacion, mund t’i stigmatizojë ata dhe t’i frikësojë që të identifikojnë ndonjë individ të rrezikshëm.

Jean-Francois Ratelle, specialist për militantët islamikë në Universitetin e Otavës, është pajtuar.

“Ky ndërtim i marrëdhënies me komunitetin do të duhej të kishte ndodhur vite më parë. Nëse mendësia është te luftimi i terrorizmit, receta është e dështuar”, ka thënë ai./ REL

lojra olimpike franca is

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet