LIVE UPDATES
Bota

Analiza e REL: Me cilat shtete Serbia shkëmben të dhëna sekrete?

Autoritetet thonë se marrëveshja e re krijon kushte për bashkëpunim mes dy shteteve në fushën e industrisë së mbrojtjes, por nuk japin hollësi.

6 Maj 2026, 16:14 Nga E.d

Analiza e REL: Me cilat shtete Serbia shkëmben të dhëna sekrete?

Nënshkrimi i një marrëveshjeje për shkëmbimin e të dhënave sekrete në fushën e mbrojtjes e ka rikthyer në fokus bashkëpunimin ushtarak mes Serbisë dhe Izraelit. Autoritetet thonë se marrëveshja e re krijon kushte për bashkëpunim mes dy shteteve në fushën e industrisë së mbrojtjes, por nuk japin hollësi.

Opozita ka kritikuar thellimin e bashkëpunimit me Izraelin, duke vlerësuar se ai po ndodh në një moment të papërshtatshëm, marrë parasysh operacionet ushtarake të këtij shteti në Gazë, dhe përfshirjen e tij në konfliktin me Iranin.

Duke komentuar këto vlerësime, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha më 5 maj se nuk dëshiron t’i japë llogari askujt, dhe se shteti bashkëpunon si me Iranin, ashtu edhe me Izraelin.

Konsulenti për siguri dhe gjeopolitikë, Nikolla Lluniq, thotë se marrëveshje të tilla janë hapi i parë që shtetet ndërmarrin kur eksportojnë teknologji të sofistikuar ushtarake, dhe supozon se kështu është edhe në këtë rast.

“Asnjë kompani e industrisë së mbrojtjes me produkte moderne nuk do të vijë në një vend të tretë, nëse teknologjia e saj nuk mbrohet në mënyrën e duhur”, shprehet Lluniq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL). 

Qeveria e Serbisë dhe Ministria serbe e Mbrojtjes nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it se çfarë sjell kjo marrëveshje në bashkëpunimin mes dy shteteve. Deri në publikimin e këtij teksti nuk u përgjigj as Ministria e Mbrojtjes e Izraelit.

Izraeli nuk është i vetmi vend me të cilin Serbia shkëmben dhe mbron të dhëna sekrete.

Beogradi ka marrëveshje të tilla me më shumë se 20 vende dhe organizata ndërkombëtare.

Çfarë u nënshkrua me Izraelin?

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë dhe ajo e Izraelit nënshkruan Marrëveshjen e përgjithshme të sigurisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të të dhënave sekrete në fushën e mbrojtjes.

“Qëllimet e kësaj marrëveshjeje janë të sigurojë mbrojtjen e të dhënave sekrete, që transmetohen ose shkëmbehen mes palëve, të sigurojë mbrojtjen e objekteve, sigurinë e personelit dhe çështje të tjera për të cilat palët merren vesh bashkërisht”, tha përfaqësuesi i Ministrisë serbe të Mbrojtjes, Marko Jovanoviq, në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Mbrojtje.

Ai nuk saktësoi se për cilat projekte bëhet fjalë, por shtoi se nisma për marrëveshjen kishte ardhur nga pala izraelite.

Zbatimi para ratifikimit
Marrëveshja me Izraelin hyri në fuqi para se për ratifikimin e saj të votonin deputetët e Kuvendit të Serbisë.

Me kërkesë të Qeverisë së Serbisë, Komisioni parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme dha më 29 prill pëlqimin për zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes, deri në hyrjen zyrtare të saj në fuqi.

Sipas ligjit, kjo është e mundur nëse Qeveria e arsyeton zbatimin e menjëhershëm me nevojën për urgjencë.

I pyetur nga përfaqësuesit e opozitës se pse po insistohet në procedura urgjente, përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes, Marko Jovanoviq, tha se zbatimi i marrëveshjes do të mundësojë hyrjen sa më të shpejtë në fuqi të kontratave për “pajisjen me armatim dhe përmirësimin e aftësive operative të Ushtrisë së Serbisë”.

Ai nuk iu përgjigj pyetjes nëse kjo lidhet me fabrikën e paralajmëruar të dronëve.

Çfarë dihet për fabrikën e dronëve?

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, paralajmëroi më 14 prill se shteti serb do të ndërtojë në territorin e vet, së bashku me Izraelin, një fabrikë të “dronëve më të mirë në këtë pjesë të botës”.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe gazeta izraelite Haaretz kanë raportuar se Beogradi është marrë vesh për ndërtimin e fabrikës me gjigantin izraelit të prodhimit të pajisjeve ushtarake, Elbit Systems.

Sipas të dhënave që REL-i i ka marrë nga Ministria serbe për Tregti të Brendshme dhe të Jashtme, Serbia edhe më herët ka blerë armatim dhe pajisje ushtarake nga e njëjta kompani.

Në gusht të vitit 2025, mediat izraelite raportuan se Serbia kishte lidhur me këtë kompani një kontratë për blerjen e armatimit dhe pajisjeve të sofistikuara ushtarake në vlerë prej 1.64 miliard dollarësh.

Autoritetet në Serbi as nuk e kanë konfirmuar, as nuk e kanë mohuar këtë. 

Me kë ka Serbia marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave sekrete?

Shkëmbimi i të dhënave sekrete me shtete të tjera në Serbi parashihet me ligj, por vetëm nëse ekzistojnë marrëveshje dypalëshe të nënshkruara.

Dokumente të tilla Beogradi ka që nga viti 2011 me NATO-n, me Bashkimin Evropian dhe disa shtete anëtare të tij, me Rusinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Algjerinë, si dhe me shtetet fqinje: Maqedoninë e Veriut, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe Hungarinë.

Konsulenti për siguri dhe gjeopolitikë, Lluniq, thotë se marrëveshje të tilla janë veçanërisht të rëndësishme në industrinë e mbrojtjes, në mënyrë që të dhënat të mos përfundojnë te vendet e treta.

“Nëse dy kompani pajtohen për zhvillimin e një projekti, atëherë të dhënat, teknologjia, zhvillimi dhe hulumtimi mbrohen në hollësi përmes procedurave operative dhe rregulloreve, të cilat si bazë ligjore i referohen marrëveshjes mes dy vendeve”, thotë Lluniq për REL-in.

Marrëveshjet për mbrojtjen e të dhënave që në titull nuk e përmbajnë “fushën e mbrojtjes” janë të përgjithshme dhe nuk lidhen ekskluzivisht me bashkëpunimin ushtarak, por përfshijnë të gjitha sektorët ku ka informacione konfidenciale.

Kryesisht bëhet fjalë për sektorin e sigurisë dhe policisë, në rastet e shkëmbimit të të dhënave për krimin e organizuar, terrorizmin, trafikimin e qenieve njerëzore dhe narkotikëve.

Po ashtu, me marrëveshje të tilla mbrohen raportet konfidenciale që shkëmbejnë ministritë e jashtme të shteteve, sekretet afariste në projekte strategjike si energjetika dhe infrastruktura, si dhe të dhënat në kuadër të ndihmës juridike ndërkombëtare.

E tillë është, për shembull, marrëveshja me BE-në, e nënshkruar më 2011, gjatë qeverisjes së mëparshme të demokratëve.

Ajo mundëson bashkëpunimin në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, si dhe qasjen në të dhëna të rëndësishme për reformën e sektorit të sigurisë dhe drejtësisë. Marrëveshje të ngjashme ka edhe me Slloveninë, Çekinë, Spanjën, Rumaninë dhe Luksemburgun.

Me marrëveshjen me NATO-n të vitit 2008 u vendosën rregullat për trajtimin e informacioneve konfidenciale në kuadër të programit të bashkëpunimit Partneriteti për Paqe, pjesë e të cilit është Serbia, ndonëse nuk i përket kësaj aleance ushtarake.

Ky dokument ishte kusht për stërvitjet e përbashkëta ushtarake që Serbia zhvillon me anëtaret e aleancës dhe për pjesëmarrjen në misione ndërkombëtare paqeruajtëse.

Pas ardhjes në pushtet të Partisë Përparimtare Serbe, në tetor të vitit 2014 u nënshkrua me Rusinë marrëveshja për mbrojtjen e ndërsjellë të të dhënave sekrete në bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik.

Një muaj më vonë, në Serbi u mbajt stërvitja e parë e përbashkët ushtarake.

Që nga atëherë, Beogradi ka blerë nga Moska avionë të përdorur MiG-29, tanke, automjete të blinduara, helikopterë, sisteme kundërajrore dhe raketa.

Në dhjetë vjetët e fundit, Serbia ka blerë armatim edhe nga Kina, përfshirë sisteme të mbrojtjes kundërajrore, dronë luftarakë dhe raketa balistike supersonike. Çmimi nuk dihet.

Beogradi nuk ka me Pekinin marrëveshje ombrellë për mbrojtjen e ndërsjellë të të dhënave sekrete; konfidencialiteti i informacioneve rregullohet me klauzola të veçanta për sekretin brenda kontratave konkrete. 

Edhe pse BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë paralajmëruar disa herë autoritetet në Serbi për rreziqet e thellimit të bashkëpunimit ushtarak me Kinën dhe Rusinë, deri më tani kanë munguar masa më konkrete.

As SHBA-ja nuk ka me Serbinë marrëveshje dypalëshe për mbrojtjen e të dhënave sekrete.

Bashkëpunimi zhvillohet në mënyrë të tërthortë përmes marrëveshjeve të veçanta, si Marrëveshja për statusin e forcave e vitit 2006, që rregullon qëndrimin e personelit ushtarak; Marrëveshja për kontrollin e narkotikëve dhe zbatimin e ligjit e vitit 2014; si dhe Traktati për ekstradim i vitit 2016. Beogradi nuk ka blerë armatim modern nga SHBA-ja, ndërsa pala amerikane e ka ndihmuar ushtrinë në Serbi me donacione të automjeteve për terren.

Në marrëveshjen mes Francës dhe Serbisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të të dhënave sekrete, të vitit 2018, thuhet se qëllimi është përcaktimi i rregullave të sigurisë që mund të zbatohen në të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit.

Që nga atëherë, të dy vendet kanë forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, ndërsa Serbia ka blerë nga Franca sisteme kundërajrore dhe radarë, si dhe helikopterë.

Me një kontratë të vitit 2024, në vlerë prej 2.7 miliardë eurosh, Beogradi porositi nga Parisi 12 avionë luftarakë Rafale. 

Eksporti i armëve drejt Izraelit

Marrëveshja e nënshkruar me Izraelin është specifike sepse fokusohet në fushën e mbrojtjes.

Dërgesat e municionit nga Serbia drejt Izraelit, sipas presidentit serb Vuçiq, janë përshpejtuar që nga tetori i vitit 2023.

Atëherë Izraeli u sulmua nga Hamasi, organizatë palestineze që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë terroriste.

Izraeli më pas nisi ofensivën tokësore në Rripin e Gazës, e cila çoi në viktima të shumta civile palestineze, shkatërrim të qyteteve dhe krizë humanitare.

Pavarësisht thirrjeve të Kombeve të Bashkuara që shitja e pajisjeve ushtarake për këtë vend të pezullohej, ekipe ndërkombëtare gazetarësh hulumtues kanë raportuar se eksporti i armëve nga Serbia drejt Izraelit është rritur 30 herë. 

Pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit në qershor të vitit 2025, Vuçiq vlerësoi se të dyja shtetet janë “miqësore” me Serbinë, ndërsa Ministria serbe e Mbrojtjes njoftoi se eksporti i armatimit dhe pajisjeve ushtarake, sipas udhëzimeve të tij, ishte pezulluar.

REL-i ka konstatuar se vetëm gjatë shkurtit dhe marsit të këtij viti, dy avionë mallrash të një kompanie private ajrore izraelite kanë qenë në Beograd të paktën nëntë herë.

Bëhet fjalë për avionë të specializuar për transportin e ngarkesave, përfshirë armatimin.

Sipas informacioneve që REL-i i ka konfirmuar nga dy fabrika shtetërore të armëve, eksporti i armatimit jashtë vendit është rifilluar që nga shkurti.

REL-i ka kërkuar disa herë, në bazë të ligjit për qasje të lirë në informacionet me rëndësi publike, të dhëna për lejet e importit dhe eksportit të armëve drejt Izraelit. Të dhënat nuk janë dorëzuar.

Sipas të dhënave të Entit Republikan të Statistikave në serbi, në vitin 2025 në Izrael janë eksportuar armatim dhe municion në vlerë prej rreth 1.3 milion dollarësh.

Kjo nuk do të thotë se këto janë shumat përfundimtare, sepse ato tregojnë vetëm një pjesë të eksportit të armëve.

Të dhënat e sakta nuk janë të qasshme publikisht, pasi shteti prej disa vjetësh nuk publikon se çfarë armatimi dhe pajisjesh ushtarake ka eksportuar, kujt, në çfarë sasie dhe me çfarë çmimi./REL

serbia aleksandar vuçiç izraeli

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet