LIVE UPDATES
Bota

Kush i kontrollon dhe si drejtohen, dilema e fjalës së lirë në universitetet amerikane

Universiteti Columbia është akuzuar për armiqësi “endemike” ndaj hebrenjve. Universitetet më prestigjioze të vendit janë nën trysni gjithnjë e më të madhe për t’iu rikthyer sërish politikave të pranimeve të mbështetura vetëm në meritokraci.

21 Prill 2024, 07:38 Nga M.B
Kush i kontrollon dhe si drejtohen, dilema e fjalës së lirë
Foto ilustruese

SHBA- Lufta për universitetet elitare të Amerikës (kush i kontrollon dhe si drejtohen), vazhdon të egërsohet, me pasoja të mëdha, si për universitetet, edhe për vendin. Harvardi po hetohet nga Kongresi në lidhje me akuza për antisemitizëm. Universiteti Columbia është akuzuar për armiqësi “endemike” ndaj hebrenjve. Universitetet më prestigjioze të vendit janë nën trysni gjithnjë e më të madhe për t’iu rikthyer sërish politikave të pranimeve të mbështetura vetëm në meritokraci.

Dhe ka të ngjarë që uljet e volitshme tatimore, që përfitojnë këto institucione prestigjioze, së shpejti do të rishqyrtohen me kujdes nga politikanët. Pas gjithë kësaj fshihet një pyetje e madhe. A mund të ruajnë universitetet amerikane përparësinë e tyre konkurruese, me një financim të ulët dhe të rënduara nga grindjet kulturore dhe sociale?

Trazirat nisën pas reagimeve të skajshme të kampuseve universitare ndaj sulmit të Hamasit kundër Izraelit, më 7 tetor. Në dhjetor, Kongresi mbajti një seancë dëgjimore, ku politikanët akuzuan tre drejtorë universitetesh se nuk kishin arritur të ndëshkonin siç duhet antisemitizmin në kampuset e tyre universitare. Disa ditë më vonë, drejtoresha e Universitetit të Pensilvanisë, Elizabeth Magill, dha dorëheqjen. Në janar, drejtoresha e Harvardit, Claudine Gay, dha dorëheqjen pas akuzave për antisemitizëm në kampusin universitar dhe akuzave për plagjiaturë në disertacionin e saj (gjë që ajo e mohon).

Shumë profesorë dhe anëtarë fakultetesh, si në Harvard ashtu edhe në universitete të tjera prestigjioze, këmbëngulin se republikanët e djathtë po krijojnë polemika të kota, sepse armiqësia ndaj elitave mund t’u sjellë atyre përparësi politike. Por të tjerë e pranojnë se prej vitesh, universitetet prestigjioze amerikane, veçanërisht ato të grupit Ivy League, janë shkëputur nga amerikanët e zakonshëm, po ashtu edhe nga vlerat e tyre akademike dhe meritokratike.

Në teori, këto vështirësi mund të nxisin përpjekjet për të korrigjuar të metat që po pengojnë arsimin elitar në Amerikë. Por gjithashtu mund t’i përkeqësojnë ato. “Universitetet e mëdha të Amerikës po humbasin besimin e publikut”, paralajmëron Robert George, studiues ligjor dhe filozof në Universitetin Princeton. “Dhe për këtë nuk është faji i publikut”. Për të kuptuar meselenë ku janë përfshirë universitetet prestigjioze amerikane, së pari duhet të kemi parasysh se si ato u shkëputën nga universitetet e tjera gjatë dekadës së fundit. Pavarësisht se këto universitete elitare kanë një histori shekullore prestigjioze, pasurimi i tyre i shpejtë ka ndodhur në kohët e fundit.

Në vitet 1960, universitetet prestigjioze dhe universitetet e tjera më pak përzgjedhëse të Amerikës, kishin sasi të ngjashme burimesh financiare, me një hendek shumë të vogël, sipas hulumtimit nga Caroline Hoxby, ekonomiste në Universitetin Stanford. Nga fundi i viteve 2000, ky hendek u zgjerua në një “humnerë”. Kjo ndodhi pjesërisht për shkak të ndryshimeve që u mundësuan këtyre universiteteve elitare të regjistronin studentë gjithnjë e më të zgjuar. Ulja e tarifave të avionëve dhe telefonatave, i nxiti studentët që të aplikonin nëpër universitete larg shtëpive. Përveç amerikanëve, erdhën edhe të rinj të zgjuar nga e gjithë bota. Në të njëjtën kohë, provimet standarde e bënë më të lehtë që universitetet të zbulonin kandidatët më mendjendritur nga vendi dhe bota.

Këta studentë të rinj më të zgjuar dhe më ambiciozë kishin më shumë gjasa të zgjidhnin universitete prestigjioze dhe të paguanin shuma të mëdha parash për të hyrë, sipas analizës së profesorit Hoxby. Kështu, edhe paratë e dhuruara për universitetet elitare u shtuan gjithnjë e më tepër. Edhe mënyrat e reja të menaxhimit të fondeve ndikuan në pasurimin e universiteteve prestigjioze të Amerikës. Për vite të tëra, universitetet më të mira i menaxhuan me kujdes burimet e tyre, thotë Brendan Cantwell nga Universiteti Shtetëror i Miçiganit.

Por në vitet 1980, universitetet më të pasura filluan të depërtonin në asete më të rrezikshme, duke përfshirë mallrat dhe pronat, dhe patën sukses domethënës. Universitetet më të pasura qenë më të gatshme dhe më të afta për të ndërmarrë rreziqe; ato gjithashtu mundën të riinvestojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave. E gjithë kjo ka krijuar një hendek të madh pasurie midis universiteteve më prestigjioze të Amerikës, dhe pjesës tjetër. Vetëm 20 universitete zotërojnë gjysmën e fondeve me vlerë 800 miliardë dollarë që kanë grumbulluar institucionet amerikane.

Universitetet më përzgjedhëse kanë mundësinë që të shpenzojnë shumë më tepër para për studentët sesa u kërkohet studentëve të shpenzojnë për shkollimin e tyre, gjë që e bën pranimin në këto universitete edhe më të lakmuar nga të rinjtë. Normat e pranimit në universitetet më të njohura janë sa një e treta e nivelit të dy dekadave më parë (në shumicën e institucioneve të tjera, normat e pranimit nuk kanë ndryshuar). Kohët e fundit, pagat në fillim të karrierës për njerëzit me diploma të kërkuara, të tilla si shkenca kompjuterike, janë rritur më shpejt për të diplomuarit nga universitetet më prestigjioze, sesa për të tjerët.

Arsimi i lartë në Amerikë “po bëhet gjithnjë e më i pabarabartë”, mendon Craig Calhoun nga Universiteti Shtetëror i Arizonës. Pavarësisht gjithë suksesit që kanë gëzuar historikisht, tani institucionet më të mira amerikane po kalojnë një kohë të vështirë. Së pari, është gara me universitetet e huaja që po bëhet gjithnjë e më sfiduese për universitetet amerikane. Është e vërtetë se ato ende mbizotërojnë në shumicën e renditjeve botërore të universiteteve më të mira, ama kjo epërsi po ngushtohet gjithnjë e më shumë. Çdo vit, revista britanike Times Higher Education, u kërkon rreth 30,000 akademikëve që të citojnë universitetet që ata besojnë se bëjnë punën më të mirë në fushat e tyre.

Po ulen gjithnjë e më shumë gjasat që këta akademikë të përmendin universitete amerikane dhe po rriten gjasat që të përmendin universitete kineze (shih grafikun 1). Kërkimet në disiplina si matematika, informatika, inxhinieria dhe fizika, po bëhen veçanërisht konkurruese. Në renditjen e Universitetit Leiden në Holandë, që i rendit universitetet vetëm për nga ndikimi i punimeve të tyre, tani në vend të parë janë universitetet kineze, për të gjitha disiplinat që përmendëm më lart (shih grafikun 2). “Është e habitshme si ka ndryshuar gjendja në krahasim me vetëm pesë apo dhjetë vite më parë”, thotë Simon Marginson në Universitetin e Oksfordit. Arsyeja nuk është se po dobësohen punimet e universiteteve amerikane, por po rritet cilësia e punimeve të nxjerra nga rivalët, mendon ai.

Gara për të tërhequr studentët dhe pedagogët më të zgjuar në botë po ashpërsohet gjithnjë e më shumë. Njëzet vite më parë, Amerika tërhiqte 60% të të huajve që studionin në vendet anglishtfolëse; tani ajo tërheq rreth 40%. Që nga koha e zgjedhjes së presidentit Donald Trump, kinezët me arritje të larta akademike (që dikur i kishin sytë vetëm tek universitetet më të mira të Amerikës), filluan të dërgonin aplikime “rezervë” nëpër universitete në shtete si Singapori dhe Britania, thotë Tomer Rothschild, drejtori i një agjencie që operon në këtë fushë. Ndërsa sfidat nga jashtë po rriten, universitetet elitare të Amerikës po humbasin mbështetje edhe në vendin e tyre. Në veçanti vihen re dy prirje që po rrisin përçarjet.

E para është rritja e numrit të menaxherëve dhe stafit joakademik që punësojnë universitetet. 50 universitetet më të mira të Amerikës, tani kanë tri herë më shumë staf administrativ dhe profesional sesa anëtarë fakulteti, sipas një raporti nga Paul Weinstein në Institutin e Politikave Progresive. Sigurisht, nga njëra anë, numri i stafit joakademik është shtuar sepse ka pasur vërtet nevojë. Për shembull, është krijuar punë shtesë si pasojë e ligjeve me të rrepta rregullatore të qeverisë. Por, nga ana tjetër, shumë prej këtyre punësimeve të reja duken si shtesa të panevojshme që rrisin burokracinë dhe tarifat. Kostoja e përgjithshme e studimit në Harvard (tani gati 80,000 dollarë në vit për një student), është rritur me 27% në terma realë gjatë dy dekadave.

Një prirje e dytë është rënia e përshkallëzuar e numrit të konservatorëve në fakultete. Sipas sondazheve të kryera nga disa studiues në UCLA, përqindja e anëtarëve të fakulteteve që kanë orientime politike të majta u rrit nga 40% në vitin 1990, në rreth 60% në vitin 2017. Gjatë kësaj periudhe, përkatësia partiake e publikut amerikan, pothuajse nuk ndryshoi fare (shih grafikun 3). Pabarazia e madhe midis anëtarëve të fakultetit me prirje të majta dhe të djathta, vihet re në shumë universitete elitare të Amerikës.

Një sondazh i kryer majin e kaluar nga gazeta studentore e Harvardit, Crimson, zbuloi se më pak se 3% e anëtarëve të fakulteteve të universitetit, e përshkruanin veten si konservatorë; 75% e quanin veten liberalë. Pse ka ndodhur kjo? Një shpjegim është se nuk kanë ndryshuar pikëpamjet e akademikëve, por republikanët thjesht i kanë braktisur këto universitete. Megjithatë, konservatorët këmbëngulin se njerëzit me pikëpamje të djathta kanë zgjedhur të largohen, ose të qëndrojnë jashtë profesionit, pjesërisht për shkak se kolegët e majtë nuk kanë pranuar t’i punësojnë ata apo t’i ngrenë në detyrë. Kështu, universitetet amerikane duket sikur janë shkëputur nga realiteti i publikut amerikan, duke u akuzuar për pengimin e qasjes dhe fjalës së lirë.

Fillojmë me qasjen në universitete: universitetet elitare vazhduan të ndiqnin me ngulm “politikat afirmative” që synojnë të rrisin pjesëmarrjen e grupeve minoritare të popullsisë, shumë kohë pasi shumica e amerikanëve kishin vendosur se ishte e padrejtë që studentët me ngjyrë, të cilët kishin nota më të ulëta, të trajtoheshin me përparësi për pranim në universitete. Akademikët që folën kundër kësaj praktike, duke argumentuar për shembull, se disa të rinj po regjistroheshin nëpër kurse për të cilat nuk ishin të përgatitur, shpesh janë kritikuar si fanatikë nga kolegët e tyre dhe nga studentët.

Duke trokitur në derë

Teorikisht, vendimi i kohëve të fundit i Gjykatës së Lartë për të shfuqizuar ligjin e preferencës racore, ndoshta do t’i nxisë universitetet që të heqin qafe disa zakone pranimi që janë edhe më të padrejta, si shanset më të larta të pranimit për fëmijët e të diplomuarve. Në fakt, shumë universitete i kanë bërë kriteret e pranimit edhe më të errëta, duke dëmtuar më shumë sistemin e meritokracisë që pretendojnë se kanë. Në fillim të pandemisë, shumica e universiteteve nuk po u kërkonin më aplikantëve as rezultatet e provimeve standarde që vlerësojnë zotësinë e tyre akademike.

Tani kanë më shumë peshë, tregues që janë të vështirë për t’u vlerësuar, si deklaratat personale të kandidatit. Për disa institucione, kjo praktikë ka dhënë rezultate të pakënaqshme: në javët e fundit, universitetet Dartmouth dhe Yale, njoftuan se do të kërkojnë edhe një herë rezultatet e provimeve standarde nga aplikantët. Ato janë universitetet e para në grupin Ivy League që e bëjnë këtë. Për sa i përket lirisë së fjalës, universitetet elitare nuk janë përballur siç duhet me një brez të rinjsh, të cilët janë shumë jotolerantë ndaj pikëpamjeve që nuk i pëlqejnë. Fondacioni për të Drejtat dhe Shprehjen Individuale (FIRE) mat lirinë e shprehjes nëpër kampuset e universiteteve më të njohura të Amerikës.

Vitin e kaluar, dy universitete të grupit Ivy League, Harvard dhe Pennsylvania, ishin mes 5 universiteteve të renditura në fund të listës, pra ku respektohej më pak fjala e lirë. Harvardi u rendit i fundit në listë. Më shumë se gjysma e studentëve në këto pesë universitete besojnë se ndonjëherë është e pranueshme t’i ndalosh bashkëmoshatarët që të marrin pjesë në një fjalim nga një figurë polemike. Vetëm rreth 70% pajtohen se nuk është “kurrë e pranueshme” të përdoret dhuna për të ndaluar dikë të flasë. Universitetet akuzohen jo vetëm se kanë toleruar mendjengushtësinë mes studentëve, por edhe se po e nxisin atë. Disa të tjerë hedhin teorinë se, nëse universitetet elitare do t’i ngarkonin më tepër me punë studentët e tyre, ata do të kishin më pak kohë dhe energji për t’u marrë me zënka të tilla që nuk kanë lidhje me akademinë.

Midis viteve 1960 dhe fillimit të viteve 2000, numri i orëve në javë që shpenzonte duke studiuar një student mesatar amerikan, ra me rreth një të tretën, vëren Rick Hess nga Instituti Amerikan i Ndërmarrjeve. Megjithatë, notat nuk duket se kanë rënë. Në Universitetin Yale, notat “A” janë rritur nga 67% në vitin 2010, në rreth 80% në vitin 2022; në Harvard u rritën nga 60% në 79%. Shpesh fajësohen ekipet administrative që janë përgjegjëse për nxitjen e “Diversitetit, Barazisë dhe Përfshirjes” (e quajtur shkurt politika “DEI”). Numri i këtyre ekipeve është rritur, ashtu si dhe numri i administratorëve të të gjitha llojeve.

Ata thonë se synojnë të sigurojnë që të gjithë në kampus, të jenë të sjellshëm dhe miqësorë me njëri-tjetrin, por nuk u intereson shumë të mbrojnë lirinë e debatit. Në teori, ekipe të tilla duhet të raportojnë te dekanët akademikë, thotë Steven Pinker, psikolog në Harvard dhe anëtar i një grupi fakulteti të përkushtuar për mbrojtjen e lirisë akademike. Por në praktikë, ata veprojnë të vetëm dhe krijojnë një kulturë jotolerante. Kritikët e departamentit DEI, këmbëngulin se këto zyra kanë nxitur ideologjinë “woke” nëpër kampuse universitare, duke i portretizuar çështje të ndërlikuara shoqërore, si beteja të thjeshta bardh e zi.

Të gjitha këto probleme do të trajtoheshin më mirë nëse universitetet do të qeveriseshin në një mënyrë më efektive. Drejtorët e universiteteve dhe dekanët, shpesh frikësohen nga studentët dhe administratorët dhe ngurrojnë të mbrojnë kolegët e tyre akademikë që ngacmohen sepse kanë pikëpamje jopopullore. Fondacioni FIRE vlerëson se midis vitit 2014 dhe mesit të vitit 2023, ka pasur të paktën 1,000 përpjekje për të shkarkuar ose për të dënuar akademikë për fjalët që kanë thënë (një e pesta e tyre humbën punën).

Duke qenë se është ende e paqartë se çfarë deklaratash tolerohen apo nuk tolerohen nëpër kampuset universitare, drejtorët e universiteteve e kanë të vështirë të gjykojnë përplasjet që kanë shpërthyer midis studentëve që mbështesin palestinezët dhe atyre që përkrahin izraelitët. Drejtorët që nuk janë treguar të vendosur në lirinë e shprehjes, tani janë rrethuar nga censurues të të gjitha drejtimeve politike. Drejtuesit e universiteteve të cilët kanë mbështetur papritur lirinë e debatit kur nisi lufta në Gaza (pasi e kanë shpërfillur atë me vite), janë akuzuar si persona me interesa partiake.

Bordet e universiteteve janë shumë të dobëta. Ata nuk janë bërë më profesionalë apo efektivë, edhe pse pasuria dhe fama e institucioneve të tyre është rritur. Shumë kanë punonjës të tepërt. Universitetet private prestigjioze zakonisht kanë të paktën 30 administratorë; disa kanë 50 ose më shumë. Nuk është e lehtë të manovrosh një bord të kësaj madhësie për të bërë bisedime strategjike. Gjithashtu, ky numër i panevojshëm punonjësish bën që çdo administrues i besuar, të ndiejë gjithnjë e më pak përgjegjësi vetjake për suksesin e institucionit.

Për më tepër, administruesit shpesh nuk janë njerëz të përkushtuar. Shumë shpresojnë se punësimi i tyre do të ndihmojë në pranimin e kandidaturës së fëmijëve në universitet. Shumë njerëz e përshkruajnë punën e tyre në administrim, thjesht si “tifozeri, shkrim çeqesh dhe pjesëmarrje në lojëra futbolli”, thotë Michael Poliakoff, nga një organizatë që lobon për reformën e qeverisjes së universiteteve. Çfarë përgjigje ka shkaktuar e gjithë kjo? Akuzat për antisemitizëm në kampus kanë zgjuar ligjvënësit në të dyja drejtimet politike. Në dhjetor, një grup dypartiak në Kongres shtoi rregulla të reja në një projektligj që synon të rrisë fondet për kurset e shkurtra pa diplomë.

Ata propozuan që ta financonin këtë nismë, me paratë që do të kursenin duke mos i lejuar studentët në universitetet shumë të pasura që të merrnin kredi studentore federale. Kjo ide u hodh poshtë në shkurt, nga shqetësimi se do të krijonte pengesa të reja për studentët e varfër, por që atëherë, ajo është zëvendësuar me një propozim të ri: që universiteteve të pasura t’u kërkohet të “ndajnë rrezikun” me qeverinë, duke mbuluar humbjet e qeverisë, në rast se kreditë federale nuk shlyhen. Universitetet u kanë bërë bisht bisedave për skema të tilla.

Përparësitë tatimore që gëzojnë universitetet elitare janë një tjetër shënjestër e mundshme. Për vite me radhë, politikanët i kanë akuzuar këto universitete se po “grumbullojnë” fonde të mëdha, ndërsa rrisin çmimet për studentët dhe marrin fondet e qeverisë për kërkime. Dhjetë universitetet kryesore morën rreth 33 miliardë dollarë në grante dhe kontrata federale kërkimore, midis viteve 2018 dhe 2022, llogarit OJQ-ja Open the Book. Gjatë së njëjtës periudhë, dhurimet u rritën me rreth 65 miliardë dollarë. Deri në vitin 2017, universitetet nuk paguanin asnjë taksë për të ardhurat nga këto dhurime. Më pas, Trump goditi universitetet më të pasura, me një taksë vjetore të përsëritur prej 1.4%. Ai ka lënë të nënkuptohet se nëse rizgjedhet, do të vendosë një taksë tjetër.

Një administratë republikane, cilado qoftë ajo, do të tregohej më e rreptë ndaj punësimeve me karakter “social”, siç janë monitoruesit e të drejtave civile të punësuar në departamentin federal të arsimit. Ata mund të nisin më shumë hetime, për shembull mbi rregullat e pranimit ose punën e ekipeve DEI në universitete. Republikanët tashmë janë përqendruar në hetimin e mënyrës si drejtohen universitetet publike, një fushë ku ata kanë kontroll shumë më të madh se sa në universitetet private. Më 1 mars, Universiteti i Floridës njoftoi se kishte hequr qafe të gjitha ekipet DEI, në mënyrë që të pajtohej me një rregull të ri shtetëror. Ky ligj, i nënshkruar një vit më parë nga guvernatori republikan Ron DeSantis, ndalon që paratë e shtetit të shpenzohen për gjëra të tilla.

Është më mirë që universitetet të shërojnë veten. Bordet më të vogla dhe të zgjedhura në mënyrë më demokratike, do të mundësonin mbikëqyrje më të mirë. Pranimet e mbështetura në meritokraci do të përmirësonin renditjen e universiteteve. Greg Lukianoff nga organizata FIRE, dëshiron që kampuset të çlirohen nga burokratët, “puna kryesore e të cilëve është të policojnë fjalën e lirë”. Në vend të kësaj, universitetet duhet të investojnë në programe që mësojnë rëndësinë e debatit të lirë dhe të hapur, argumenton Tom Ginsburg nga Universiteti i Çikagos, i cili drejton një forum të krijuar për të bërë pikërisht këtë: “Nëse idetë tuaja nuk diskutohen me thellësi, atëherë, ato nuk janë aq të mira”, shpjegon ai. Reformatorët do të donin gjithashtu që më shumë njerëz me pikëpamje të djathta politike të bënin karrierë në akademi. Askush nuk mendon se kjo do të ndodhë së shpejti.

Por drejtorët e universiteteve mund të fillojnë duke e bërë të qartë se ata do të mbrojnë mendimtarët që shkojnë kundër rrymës, të cilët janë tashmë të punësuar në këto universitete, thotë Jim Applegate, i cili drejton një grup në Universitetin e Kolumbisë që synon të përkrahë lirinë akademike. Drejtorët mund t’i nxisin departamentet që të përqendrohen në meritokraci dhe të mbrojnë fjalën e lirë. Zhurma e vazhdueshme mbi antisemitizmin mund t’i nxisë universitetet që të reformohen. Por është i mundur edhe një skenar më pak optimist. Duke kërkuar t’u shpëtojnë akuzave se po tolerojnë gjuhën e urrejtjes, drejtorët e universiteteve mund të fillojnë të kontrollojnë shumë ngushtë atë që thonë studentët dhe pedagogët e tyre. Rregulla më të rrepta në lidhje me gjuhën në kampus mund të shmangin grindjet në një periudhë afatshkurtër; por me kalimin e kohës, ato vetëm sa do të ulnin cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në universitetet amerikane.

“Ne jemi në një pikë kthese”, thotë profesori George nga Universiteti Princeton. “Mund të shkojmë në të dyja drejtimet”./Monitor

 

universitete amerikane

Sondazh

Poll

Zjarr masiv në Shkodër/ Flakët SHKRUMBOJNË tregun e rrobave të përdorura dhe disa banesa

Zjarr masiv në Shkodër/ Flakët SHKRUMBOJNË tregun e rrobave të përdorura dhe disa banesa

Zjarrfikëset në luftë me flakët në Shkodër, rrezikohen banesat

Zjarr në një treg rrobash në Shkodër/ Shtëllunga gjigande e tymit pushton zonën

“Jam çliruar nga ankthi i vulës dhe i logos”,Basha: Kushti që kam është distancimi nga Rama dhe Meta

Rrëzimi i interperlancës me Ramën, Spaho: Së shpejti do të zbytheni me këto qëndrime

Tritan Shehu: Berisha është anëtar i grupit të PD, po shkelni rregulloren

"Kuvendin po e trajtoni si dyqanin tuaj personal"/ Bardhi: Keni ndryshuar ditën e seancës plenare

"As emrin nuk guxoni t'ia përmendni"/ Vokshi dhe Felaj zihen për Sali Berishën: Nuk vendos Kuvendi

Klevis Balliu dëmtohet nga gazi lotsjellës i hedhur nga policia në protestë, të lënduar edhe Noka

Protesta e opozitës, qytetarët hedhin sende në drejtim të policisë, lëndohet efektivi

Protestuesit i vënë flakën gomave para bashkisë, zjarri shuhet nga policia

Përplasjet në Kuvend/ Seanca ndërpritet sërish 5 minuta, Nikolla-Nokës:Po më kërcënon? Të të vij zor

Opozita bllokon foltoren, Noka-Nikollës: Je përfaqësuese dinjitoze e narkoshtetit!

Bardhi ndryshime në Grupin Parlamentar të PD-së kërkon rikthimin e Berishës,Nikolla refuzon kërkesën

Freskohet me ujë dhe niset me vrull drejt policisë, çfarë synonte të bënte protestuesi para Kuvendit

Protestuesit qëllojnë me vezë dhe fruta policinë para Kuvendit: Hapeni rrugën!

Zjarr dhe tym i zi, protestuesit ndezin gomat jashtë Kuvendit

Protesta e opozitës, protestuesit vendosin goma të vjetra jashtë Kuvendit

Investigimi i Rai3, Meloni në krah të Ramës: Nuk ishte ai shenjestra, mirënjohës qeverisë shqiptare

Reportazhi i Rai3/ Rama: Shpëtuam afganët nga vdekja kur asnjë vend i NATO-s nuk i pranoi

Konferenca me Melonin në Shëngjin, Rama për investigimin e Rai 3: U hodh baltë mbi shqiptarët

Deputeti i opozitës italiane përplaset me Melonin në kampin e Gjadrit:Badigardët tuaj po më dhunojnë

“Mos i falni më"/ Rama për Opozitën: Braktiseni në vetminë e ujërave të zeza

Akuzat e Ahmetajt/ Rama: U përdor si hero një i arratisur i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK

Reportazhi i RAI3/ Rama: Nuk iu shmanga ballafaqimit, gazetarët këtë e quajtën kurojo të madhe

Reportazhi i RAI3/ Rama: E kishin me Italinë, por RAI 3 dha një shfaqe të shëmtuar

Reportazhi i RAI3/ Rama: Baltë e pamerituar për Shqipërinë dhe shqiptarët

Tensionohet situata, zjarr para bashkisë së Tiranës, protestuesit i vënë flakën gomave

Themelohet Partia Mundësia, Shehaj: Jemi bashkuar për të bërë realitet një parti të re politike

"Regjimet nuk kanë kurrë fund të lavdishëm"/Noka: Sa më shumë Edveri juaj të rrisë represionin e tij

Açka vendos fotot e Stalinit dhe Leninit në sallën e Kuvendit

E paprecedentë në Kuvend, gardisti urdhëron gazetarët të dalin nga salla, ata i kthehen: Gangster

Projekt-rezoluta për krimet e komunizmit/ Gjekmarkaj: Nuk u kërkua kurrë falje!

"Shpik histori nga Ilirët e Pellazgët", Spiropali-Basha, replika: Keni një paqartësi historike

Vettingu në politikë, Spiropali: SPAK-un e kemi lënë të lirë nga kontrolli politik

Basha: Të vetmet akte të dërguara për luftën ndaj korrupsionit janë varrosur në sirtarë

Komisioni hetimor antikorrupsion/ Sula: Hiqeni nga rendi i ditës, të raportojnë institucionet

Shehu nga kuvendi: OKB votoi rezolutën për të njohur genocidin serb, mazhoranca jonë e rrëzoi

Pr. vendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion,Gazment Bardhi largohet nga Kuvendit

Kuvendi voton sot Komisionin antikorrupsion,Nikolla nxjerr gazetarët nga salla,reagon ashpër opozita

Rrëzohet kërkesa e opozitës për mocionin me debat / Zhupa-Nikollës: Dëshiron t’i tregosh besnikëri

Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion/' Basha: Manovër elektorale e Ramës. Nuk mund të jemi pjesë

Dhunimi i Sokol Mëngjesit/ Policia: Arrestohet organizatori, 20 mijë euro për atë që jep informacion

"E ardhmja nuk mund të mbrohet nga arma", Rama: Ka ardhur koha të ndërtojmë një NATO të arsimit

"Pyes veten kush je"/ Bardhi replikon me Spiropalin: Mos je gjë motra e Olsi Ramës

Rezoluta anti-korrupsion, Çuçi: Ka rënë korrupsioni, 95 % e shërbimeve kryhen nga telefoni

"Vënia në kontroll e SPAK, fantazi"/ Rama i kthehet Opozitës: Po treteni tek 'Rrugica e Shpresës'

Rama mban fjalën në seancë plenare, deputetët godasin tavolinat

"Keni ende shumë për të parë"/ Rama: Korrupsioni në Shqipëri vazhdon

Rezoluta e PS-së në Kuvend/ Rama: Jemi në luftë me korrupsionin prej 10 vjetësh