LIVE UPDATES
Bota

Ish-zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s: Evropa vështirë se mund ta zëvendësojë mbrojtjen amerikane

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, Gottemoeller thotë se Evropa vështirë se do të mund ta zëvendësonte mbrojtjen që ofron SHBA-ja, nëse kjo e fundit - në një situatë hipotetike - tërhiqet nga NATO-ja.

16 Shkurt 2024, 07:56 Nga N.F
Ish-zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s: Evropa
Rose Gottemoeller

SHBA- Ish-zëvendësja e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Rose Gottemoeller, thotë se “ftesa” që ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ia bën Rusisë për të rritur agresion, “është e tmerrshme dhe skandaloze”.

“Nuk do ta kuptoja prej askujt, e aq më tepër prej një kandidati për president të Shteteve të Bashkuara”, thotë ajo.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, Gottemoeller thotë se Evropa vështirë se do të mund ta zëvendësonte mbrojtjen që ofron SHBA-ja, nëse kjo e fundit - në një situatë hipotetike - tërhiqet nga NATO-ja.

Trump, i cili pritet të garojë sërish për president në zgjedhjet e nëntorit, ka kritikuar vazhdimisht aleatët e NATO-s se nuk shpenzojnë sa duhet në mbrojtje, ndërsa ka përmendur edhe mundësinë e tërheqjes së SHBA-së nga aleanca perëndimore. Gottemoeller thotë se Evropa duhet të fokusohet tani në modernizimin e armatimit të saj. Duke folur për Kosovën, thotë se për një kalim të suksesshëm të FSK-së në ushtri, ajo duhet të përqendrohet në “stërvitje, stërvitje, stërvitje”.

Radio Evropa e Lirë: Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, duket sikur ftoi Rusinë t’i pushtojë ata anëtarë të NATO-s që nuk i përmbushin detyrimet financiare ndaj aleancës. Cili ishte reagimi juaj kur e dëgjuat këtë?

Rose Gottemoeller: Gjysmën e këtyre deklaratave të tij i kam dëgjuar në kohën kur kam qenë zëvendëse e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s. Atëkohë, më 2017/18/19, presidenti Trump vazhdimisht i bezdiste aleatët e NATO-s, duke u kërkuar që të shpenzonin më shumë për mbrojtjen e tyre.

Ai, po ashtu, ka kërcënuar se nuk do të zbatonte Nenin 5 të Traktatit të NATO-s për mbrojtjen e aleatëve në Evropë, nëse ata do të sulmoheshin nga një agresor si Rusia. Kjo qasje ka qenë e vazhdueshme gjatë asaj periudhe dhe ka bërë që aleatët e NATO-s të fillojnë të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen e tyre.

Ajo që është e re në situatën aktuale, është deklarata e tij se do t’i thoshte [presidentit rus, Vladimir] Putin të bëjë çfarë dreqi do, nëse aleatët e NATO-s nuk i paguajnë detyrimet. Ftesa që i bën Rusisë për ta rritur agresionin, mendoj se është e tmerrshme dhe skandaloze. Të jem e sinqertë, nuk do ta kuptoja prej askujt, e aq më tepër prej një kandidati për president të Shteteve të Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë: E di se është e vështirë të supozohet, por a e mendon Trump atë që thotë?

Rose Gottemoeller: Po... Si ta them? Ai shpesh bën deklarata të pamenduara. Nuk jam e sigurt nëse ato ia kanë dhënë paraprakisht, por janë në përputhje me refrenin e tij, se aleatët e NATO-s duhet të paguajnë. Ai është biznesmen dhe krenohet me veten. Dhe nëse ju dëshironi diçka prej SHBA-së, ju duhet ta paguani, sipas tij. Kjo është mënyra se si ai mendon.

Radio Evropa e Lirë: Nëse zgjidhet president, a mendoni se do të përpiqet ta nxjerrë SHBA-në prej NATO-s, siç ka paralajmëruar disa herë?

Rose Gottemoeller: Kjo është diçka që ai e ka përmendur në periudha të ndryshme. Këtë kërcënim e ka bërë edhe në maj të vitit 2017, kur ka vizituar selinë e NATO-s për herë të parë. Unë mendoj se NATO-ja ka arritur t’u përgjigjet këtyre shqetësimeve.

Kur unë kam qenë në NATO, sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, dhe unë si zëvendëse e tij kemi parë se si aleatët po përgjigjen, duke shpenzuar më shumë në mbrojtje. Ky ka qenë një zotim i bërë në Samitin e Uellsit më 2014. Dhe, kur aleatët kanë nisur të shpenzojnë më shumë, ai [Trump] është zmbrapsur nga ai lloj i kërcënimeve.

Tani, aleatët po i përgjigjen edhe më shumë nevojës për t’i rritur shpenzimet, jo për atë që thotë Trump, por për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Kur kanë dërguar shumë ndihma në Ukrainë - e cila ka pasur pajisje të vjetra, të epokës së Paktit të Varshavës - e kanë parë nevojën e krijimit të stoqeve të tyre me armë moderne, shumë prej tyre të blera nga kompanitë amerikane. Pra, po i rrisin buxhetet e mbrojtjes për të modernizuar mbrojtjen e tyre, forcat e tyre të armatosura.

Radio Evropa e Lirë: Në një situatë hipotetike, a do të mund ta zëvendësonte Evropa plotësisht mbrojtjen amerikane?

Rose Gottemoeller: Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe janë dy aleatet e NATO-s që kanë shprehur vullnetin për një ombrellë të zgjeruar parandaluese bërthamore. Andaj, është vështirë për t’u zëvendësuar, sepse Franca ka armë bërthamore, por nuk e ka bërë të njëjtin zotim ndaj NATO-s. Pra, qartazi, është një situatë e vështirë nëse SHBA-ja tërhiqet.

Megjithatë, mendoj se Federata Ruse nuk mund të jetë kurrë e sigurt se si do të përgjigjej SHBA-ja, nëse ajo ndërmerr veprime agresive. Sipas ligjit amerikan që është miratuar vitin e kaluar, do të ishte shumë e vështirë për Trumpin që ta tërhiqte SHBA-në nga aleanca e NATO-s. Një gjë e tillë do të duhej të dërgohej në Senat, ku nuk mendoj se do t’i kishte votat. Pra, këtu duhet të merren parasysh shumë faktorë.

Por, interesimi juaj nëse mbrojtja do të ishte e njëjtë, është shumë relevant, për shkak të pyetjeve që do të shtroheshin pastaj në lidhje me parandalimin e zgjeruar bërthamor të SHBA-së.

Radio Evropa e Lirë: Ashtu siç janë gjërat tani, a janë forcat ushtarake në Evropë të mirëpajisura për t’u përballur me konflikte të mundshme?

Rose Gottemoeller: Situata tani ka të bëjë me modernizimin dhe me rimbushjen e stoqeve, sepse Ukraina është furnizuar me shumë pajisje. Rimbushja po bëhet me sisteme të armëve që janë të përputhshme me NATO-n, kështu që NATO-ja po bëhet më e ndërveprueshme seç ka qenë, kur ka pasur përzierje të pajisjeve të epokës së Paktit të Varshavës dhe pajisjeve të përputhshme me NATO-n.

Kështu që, mendoj se po bëhet një rinovim i forcave të armatosura në të gjithë Evropën në përgjithësi, që do të jetë shumë i dobishëm për të ardhmen e aleancës dhe aftësinë e saj për të mbrojtur veten.

Radio Evropa e Lirë: Po çfarë mesazhesh i dërgojnë Rusisë deklaratat e Trumpit, sepse disa zyrtarë ushtarakë në Suedi, Gjermani, Mbretëri të Bashkuar e kanë paralajmëruar tashmë publikun e tyre që të përgatitet për luftë potenciale me Rusinë...

Rose Gottemoeller: Rusia, tani, është futur plotësisht në aventurën e saj në Ukrainë. Është një luftë e tmerrshme që ka nisur dy vjet më parë, në shkurt të vitit 2022.

Unë nuk besoj se Kremlini ka tani fuqi shtesë ushtarake, për të hyrë në një aventurë me Evropën. Duhet kujtuar se mbi 300.000 ushtarë [rusë] janë vrarë ose plagosur. Ata kanë qenë një ushtri e plotë dhe e gatshme në kohën kur ka nisur pushtimi i Ukrainës, dy vjet më parë.

Për më tepër, Rusia ka humbur pothuajse të gjitha tanket kryesore të fushëbetejës dhe i është dashur të përdorë rezerva më të vjetra. Aktualisht, nuk e ka armatimin më modern. Jam e sigurt se ai do të ndërtohet e rinovohet, por nuk do të prisja ndonjë veprim të menjëhershëm kundër NATO-s në Evropë. Do të ishte katastrofë për Vladimir Putinin dhe ushtrinë e tij.

Radio Evropa e Lirë: A duhet t’i shqetësojnë paralajmërimet e Trumpit edhe vendet e vogla si Kosovën, që ka një numër të konsiderueshëm të forcave amerikane si pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s?

Rose Gottemoeller: Mendoj se të gjithë aleatët e NATO-s dhe partnerët e NATO-s si Kosova, duhet ta kenë parasysh mundësinë që Trump të bëhet president dhe përgatitjet që duhet t’i bëjnë në këtë drejtim.

Forcat amerikane janë të rëndësishme për misionin paqeruajtës në Kosovë, por nuk janë të vetmet të përfshira në të. Italianët e kryesojnë atë mision me vite tashmë. Por, është mirë të mendohet përpara se çfarë do të nënkuptonte presidenca e Trumpit dhe çfarë hapash do të duhej të ndërmerreshin.

Unë jam gëzuar këtë mëngjes [14 shkurt] kur kam dëgjuar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg, që ka folur për trendin në rritje të shpenzimeve në mbrojtje. Mendoj se mesazhi për fushatën e Trumpit është shumë i mirë.

Gjermania ka qenë në stres të madh në vitet 2017/18/19, duke thënë se nuk do ta arrijë pragun prej 2% të GDP-së për shpenzimet në mbrojte deri në vitet 2030. Kjo e ka zemëruar Trumpin dhe njerëzit e tij. Tani, Berlini njofton se pret që këtë vit ta arrijë 2-përqindëshin.

Këto janë mesazhe të rëndësishme dhe do të ndihmojnë për të siguruar një ambient më të mirë seç e kemi pasur në vitin 2017, nëse Trump rikthehet.

Radio Evropa e Lirë: Më lejoni t’ju bëj disa pyetje edhe për Kosovën. Ju e keni vizituar atë derisa keni qenë zëvendëse e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s. Çfarë mendoni për situatën e sigurisë në këtë vend që, për pak ditë, shënon 16-vjetorin e pavarësisë?

Rose Gottemoeller: Është jashtëzakonisht komplekse. Më duhet të them se është përkeqësuar nga koha kur unë kam qenë zëvendëse e sekretarit të përgjithshëm dhe e kam vizituar, rreth 5 vjet më parë.

Shoh se ka tensione të vazhdueshme, tensione të larta në pjesën veriore të vendit. Qeveria e Serbisë vazhdon të luajë një lloj roli balancues, duke u përpjekur të tregojë një lloj marrëdhënieje partneriteti dhe bashkëpunimi me NATO-n, por, në të njëjtën kohë, duket se ndërmerr veprime që destabilizojnë situatën në Kosovë dhe nuk angazhohet në negociata për të zgjidhur probleme. Natyrisht, edhe Qeveria në Prishtinë duhet ta ketë rolin e saj në këtë drejtim.

Unë shpresoj se mund të ketë përparim në procesin e stabilizimit, sepse kjo është më e mira për Kosovën dhe pavarësinë e saj.

Radio Evropa e Lirë: Forca e Sigurisë e Kosovës është në proces të shndërrimit në ushtri. Çfarë është e rëndësishme për një tranzicion të suksesshëm?

Rose Gottemoeller: Para së gjithash, profesionalizmi është gjithmonë shumë, shumë i rëndësishëm. Kjo nënkupton: stërvitje, stërvitje, stërvitje, dhe punë të përbashkët me këshilltarët. Unë e di se aleatët e NATO-s, partnerë të Kosovës, e sigurojnë atë ndihmë. Nëse unë do ta këshilloja Kosovën, do t’i thosha se të bërit forcë ushtarake profesionale, shumë e trajnuar, në përputhje me NATO-n, me standardet e NATO-s, duhet të jetë një objektiv që duhet arritur.

Radio Evropa e Lirë: Sa kohë mund të marrë kjo?

Rose Gottemoeller: Është shumë e vështirë për mua ta them pasi nuk jam në terren dhe nuk kam qenë për kohë të gjatë. Qartazi, ka çështje politike, ushtarake dhe ekonomike që duhet t’i zgjidhë Qeveria në Kosovë, për shkak të këtyre ndryshimeve. Të gjitha këto transformime kërkojnë burime, janë të shtrenjta.

Marrë nga REL

rose gottemoeller nato trump

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet