LIVE UPDATES
Bota

Frika e bizneseve nga Trump

Duke treguar një bashkim të pazakontë, ata ngritën zërin kundër Trump. Kompanitë e manifakturës i cilësuan trazirat një “ngjarje e neveritshme”.

17 Shkurt 2024, 22:06 Nga N.F
Frika e bizneseve nga Trump
Trump

SHBA- Kur Donald Trump u largua nga posti tre vite më parë, pasi hodhi akuza për vjedhje votash dhe komplotoi për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, shumica e drejtuesve të korporatave më të mëdha të Amerikës, ishin shumë të lumtur për ikjen e tij.

Edhe pse deri atëherë kishin zgjedhur të heshtnin në lidhje me përshtatshmërinë e zotit Trump për Shtëpinë e Bardhë, pasi përfituan shkurtime bujare taksash të korporatave dhe taksash personale në vitin 2017 dhe mbyllën njërin sy kur ai hoqi qafe rregullat mjedisore dhe zbuti ligjet rregullatore, më në fund, përpjekjet për të përmbysur demokracinë amerikane dhe sulmi në Kapitol nga mbështetësit e Trump më 6 janar 2021, ishin një hap shumë larg edhe për shefat e kompanive.

Duke treguar një bashkim të pazakontë, ata ngritën zërin kundër Trump. Kompanitë e manifakturës i cilësuan trazirat një “ngjarje e neveritshme”. Business Roundtable, një grup lobimi për kompanitë e mëdha, i bëri thirrje zotit Trump që t’u jepte fund trazirave. Disa kompani të njohura u zotuan se nuk do të jepnin mbështetje financiare për 147 ligjvënësit republikanë që nuk kishin pranuar të vërtetonin humbjen e Trump.

Por tashmë, fitorja e Trump në raundin e parë të garës paraprake republikane në shtetin Iowa më 15 janar, forcoi bindjen se do të jetë ai kandidati i ardhshëm për president i Partisë Republikane. Sondazhet tregojnë se në një betejë kokë më kokë me presidentin Joe Biden, Trump do të dilte fitimtar. Kësaj radhe, shqetësimet për të ardhmen e korporatave amerikane gjatë një mandati të dytë të presidencës kaotike të Trump, shprehen vetëm pas dyerve të mbyllura dhe asnjëherë publikisht.

Kohët e fundit, Larry Summers, ish-sekretari i Departamentit të Thesarit, i cili përkrah Joe Biden, u kërkoi shefave të kompanive që të flisnin publikisht kundër Trump, duke i paralajmëruar ata se tregjet e Italisë patën një ecuri të mirë në vitet e para të qeverisjes së Benito Musolinit, derisa morën të tatëpjetën më vonë.

Megjithatë, tani për tani, shumica e këshilltarëve të biznesit, i këshillojnë drejtuesit e kompanive që të mbajnë kokën ulur dhe të mos flasin kundër Trump. Harrojeni Duçen. Tashmë, taktika e re është “le të fshihemi dhe t’i bëjmë bisht”.

Kjo qasje sigurisht që ka logjikë. Së pari, duhet të kemi parasysh se zgjedhjet do të mbahen pas dhjetë muajsh dhe gjatë kësaj kohe, nuk dihet se çfarë mund të ndodhë.

Për shembull, njëri ose të dy kandidatët, mund të dalin nga gara për arsye shëndetësore (të marra së bashku, moshat e Biden dhe Trump arrijnë në 158 vjet, gati sa dy të tretat e moshës së vetë shtetit të Amerikës). Trump nuk duhet të luftojë vetëm rivalët republikanë dhe zotin Biden, por duhet të përballet edhe me 91 akuza për krime në dy gjykata shtetërore dhe dy federale, të cilat mund t’i shkaktojnë probleme të mëdha.

Për më tepër, nuk është e sigurt nëse do të ishte një ide e mirë që shefat të thyenin heshtjen, duke dalë kundër Trump. Ky veprim mund të jetë në dëm të atyre që e sulmojnë Trump publikisht, duke krijuar në sy të publikut imazhin se Trump është një hero të cilin duan ta rrëzojnë elitat. Pasi erdhi në detyrë në mandatin e parë,

Trump nuk ngurroi të hakmerrej ndaj sulmeve (duke postuar me shkronja kapitale në Twitter, armën e tij të parapëlqyer). Teksa besimi në kompanitë e mëdha është venitur në dekadat e fundit, populistët e kanë pasur më të lehtë që të kthejnë opinionin publik kundër bizneseve të tilla. Kreu i një organizate të njohur biznesi, pranon me keqardhje se nëse do të fliste publikisht kundër propozimeve të fushatës së Trump, “ish-presidenti do ta priste këtë me shumë kënaqësi”.

Marrëdhënie të ndera

Në vitet e fundit, ndërsa është përkeqësuar marrëdhënia midis bizneseve të mëdha dhe republikanëve që mbështesin Trump, drejtuesit e kompanive kanë mësuar sa e rrezikshme është të bësh deklarata politike.

Një këshilltar për marrëdhëniet me publikun, një vit më parë kishte menduar se bizneset do ta kishin të lehtë të flisnin kundër Trump, për shkak të problemeve të tij me ligjin. Por më pas ndodhi diçka që i ndryshoi krejtësisht mendjen. Përkrahësit e krahut të djathtë, bojkotuan birrën Bud Light, sepse u ofenduan nga fushata e saj e reklamimit, që përfshinte një person transgjinor.

Nga kjo ngjarje, këshilltari në fjalë kuptoi fuqinë që zotëron turma. “Ne tashmë jemi të detyruar të ecim mbi gjemba”, thotë ai, i ndodhur në një pozicion ku duhet të kënaqë njëkohësisht punonjësit dhe klientët liberalë, të cilët kërkojnë që firmat të mbajnë qëndrim kundër zotit Trump, dhe turmës së zhurmshme të mbështetësve të Trump që bëjnë bojkote.

Për sa i përket zotit Biden, shumë biznesmenë thonë se e shohin atë si një figurë më të qëndrueshme në politikëbërje dhe gjeopolitikë. Por u ka ardhur në majë të hundës qëndrimi armiqësor i administratës Biden (sekretarja e Tregtisë, Gina Raimondo, është një përjashtim i rrallë). Kjo i shtyn ata që të jenë më tolerantë ndaj Trump. Nga të dy, zoti Biden është “një kërcënim më i madh për pasurimin e kompanive”, thotë një financier miliarder.

Edhe mbështetësit e zotit Biden e kundërshtojnë qëndrimin e rreptë të administratës së tij ndaj kompanive të mëdha. Shumë përpjekje të administratës për të penguar zgjerimin e bizneseve të mëdha me blerjen e firmave më të vogla, janë hedhur poshtë nga gjykatat, por gjithsesi këto tentativa e kanë ftohur qëndrimin e bizneseve ndaj Biden, ankohet një bankier investimi.

Për sa i përket rrezikut se Trump mund të “përdorë si armë” agjencitë administrative kundër armiqve të tij të korporatave, Neil Bradley, nga Dhoma e Tregtisë Amerikane, e kundërshton këtë ide dhe thotë se edhe Biden i ka kërkuar administratës së vet të godasë “tarifat e tepërta” dhe rritjen e çmimeve në industri, duke filluar nga linjat ajrore, deri te bankat dhe kujdesi shëndetësor. Zoti Bradley bën pak dallime midis populizmit ekonomik të secilës palë.

Disa njerëz në biznes i hedhin poshtë me zemërim paralelet midis rreziqeve që paraqet Trump dhe Biden. Prapa dyerve të mbyllura, ata thonë se janë të tmerruar nga mundësia e një administrate të dytë Trump. Në mandatin e parë, ish-presidenti deshi të ndërmarrë politika radikale, por konservatorët racionalë në administratën e tij, arritën ta frenonin. Ndërsa tani, ai është i rrethuar vetëm nga përkrahës të zjarrtë, siç janë ata në Heritage Foundation, një institut pro-Trump, detyra e të cilit është të “parandalojë zbutjen e axhendës së Trump”, siç shprehet një sipërmarrës biznesi.

Me fjalë të tjera, Trump ka shumë njerëz në krah që do ta ndihmojnë për të çuar përpara një plan që mund të shkundë me themel kornizën ekonomike mbi të cilën janë mbështetur bizneset amerikane për breza me radhë. Shtyllat e planit Trump që shqetësojnë më tepër botën e korporatave amerikane, janë tregtia, emigracioni, deficiti fiskal, borxhi publik dhe energjia e pastër.

Shqetësimi më i dukshëm është një luftë tregtare. Trump, i vetëshpallur si “njeriu i tarifave”, ka hedhur idenë për të vendosur një taksë bazë prej 10% për të gjitha importet. Kjo taksë do të ngrihej “sy për sy”, si hakmarrje ndaj çdo vendi me një tarifë më të lartë. Shënjestra kryesore është Kina. Biznesmenët kanë frikë se qëllimi i Trump është t’i japë fund, në mënyrë të njëanshme, tregtisë me Kinën, gjë që do të ishte një makth për çdo firmë që ka lidhje me Kinën.

Një politikë e tillë tregtare do të ishte shumë më e ashpër se ajo e administratës Biden, e cila ka ruajtur tarifat e zotit Trump, por njëkohësisht ka punuar me aleatë si Japonia dhe Holanda, për të kufizuar eksportin e mallrave strategjike si gjysmëpërçuesit e përparuar, pa i ndërprerë krejtësisht lidhjet me Kinën. Disa shpresojnë se zoti Trump thjesht po bën numra dhe nuk e ka seriozisht. Ata ngushëllohen nga fakti se është Kongresi dhe jo Shtëpia e Bardhë, që rregullon tregtinë dhe se gjykatat do të ndjekin ligjin e tregtisë.

Megjithatë, Kent Lassman, i cili shkroi një ese të guximshme në mbështetje të tregtisë së lirë, mendon se ish-presidenti e ka seriozisht, edhe nëse kjo nënkupton prishjen e traktateve të tanishme tregtare të Amerikës. Trump “nuk po i ndryshon vijat”; ndjenja e tij se gjithçka është një marrëveshje dhe se Amerika është viktimizuar, është më e fortë se kurrë. Këshilltarët e tij kryesorë për tregtinë, proteksionistët si Robert Lighthizer dhe Peter Navarro, “dinë si t’i manipulojnë këto bindje”, thotë zoti Lassman.

Bizneset janë alarmuar edhe nga kërcënimi i Trump për të deportuar miliona emigrantë pa dokumente. Shqetësim nuk janë vetëm arsyet njerëzore, por edhe mungesa kronike e punëtorëve që rrezikon shumë firma amerikane. Në nëntor, Amerika kishte 8.8 milionë vende të lira pune. Numri i të papunëve është 6.3 milionë.

Propozimet më të ashpra të zotit Trump do të ishin të vështira për t’u zbatuar. Ai bëri një premtim të ngjashëm për dëbimin masiv të emigrantëve gjatë fushatës së vitit 2016, por u frenua nga sfidat gjyqësore dhe kundërshtimet e tjera. Sidoqoftë, rritja e dëbimeve mund të dëmtojë industri si bujqësia, hoteleria dhe shitja me pakicë, që mbështeten në fuqinë punëtore me kosto të ulët.

Sado e rëndësishme të jetë ruajtja e kufijve të fortë, armiqësia ndaj emigrantëve për qëllime politike, rrezikon emigracionin e ligjshëm. Kjo dëmton aftësinë e bizneseve për të rekrutuar punëtorë të kualifikuar. Borxhi qeveritar është një tjetër shqetësim për drejtuesit e kompanive të mëdha. Ata e lavdëruan Aktin e Uljes së Taksave dhe Vendeve të Punës, të paraqitur gjatë mandatit të Trump, sepse ky uli normat e taksave të korporatave nga 35% në 21%.

Por kanë frikë se as Trump dhe Biden nuk kanë plane të besueshme për të ndaluar rritjen e deficitit. Nëse Trump ndjek idetë e skajshme ekonomike, humbja e besimit në ekonomi mund të trondisë tregun e Thesarit, duke rritur kostot e huamarrjes dhe duke dëmtuar Dollarin. Disa mendojnë se ky është një skenar i pagjasë. “Bota ka kërkesë të pangopur për bonot amerikane”, thotë një zyrtar në Wall Street.

Por disa këshilltarë të korporatave ngrenë mundësinë që politika e papërmbajtur e Trump, mund të shkaktojë një version amerikan të shitjes së bonove britanike në vitin 2022, kur investitorët humbën besimin në administrimin ekonomik të kryeministres Liz Truss, e cila më pas dha dorëheqjen brenda një kohe shumë të shkurtër, që disa e krahasuan me kohën që mund të durojë një lakër pa u prishur.

“E kam zili Parlamentin”, nënqesh kreu i një grupi lobimi. Ai vëren me hidhërim se, ndryshe nga udhëheqësit amerikanë, kryeministrat britanikë që tregohen të papërgjegjshëm në politikat fiskale, si zonja Truss, mund të largohen shpejt nga detyra.

Një tjetër shqetësim është trajektorja mjedisore e Amerikës nën drejtimin e Trump. Ish-presidenti pritet të përqendrohet në politikën industriale. Por ndryshe nga Biden, i cili ka nënshkruar Aktin për Uljen e Inflacionit (IRA), një ligj mjaft miqësor ndaj mjedisit, Trump mbetet një skeptik i madh ndaj ngrohjes së klimës dhe me shumë gjasa, do të përpiqet të pengojë programet e energjisë së pastër. Në këtë rast, ai mund të përballet me kundërshtime edhe nga partia e vet.

Shumë nga projektet e energjisë së pastër të mbështetura nga financimi i aktit IRA janë në shtete me prirje republikane. Edhe bota e biznesit ka të ngjarë ta kundërshtojë ndryshimin e axhendës së gjelbër të zotit Biden. Bradley thotë se megjithëse politika industriale mbetet “tepër problematike”, programet e qeverisë që nxisin ndryshime në sjellje, janë të justifikuara kur teknologjia është në një fazë të hershme, si me energjinë e pastër. Nëse propozimet e politikave të zotit Trump që lidhen drejtpërdrejt me biznesin, nuk frymëzojnë besim, përpjekjet e tij për të zhvlerësuar sistemin gjyqësor, sundimin e ligjit, NATO-n dhe aleancat e tjera, duke përfshirë Ukrainën, ngrenë pyetje të mëdha për rolin e Amerikës në botë.

Disa drejtues ngrenë supet në lidhje me këtë temë. Disa javë më parë, një menaxher i huaj asetesh, takoi një grup bankierësh amerikanë dhe pati përshtypjen se ata ishin “krejt të paqartë” në lidhje me zgjedhjet. I thanë se cilido qoftë rezultati, sistemi do të vazhdonte të ishte po i njëjti, se bursat kishin ecur mirë nën drejtimin e të dy presidentëve dhe se ekonomia amerikane ishte aq e shëndetshme, sa do t’u mbijetonte edhe të papriturave elektorale.

“Ndoshta duan të thonë se biznesi e ka tejkaluar politikën në Amerikë”, shprehet ai, i zhytur në mendime. “Ndoshta kanë të drejtë”.

Ose ndoshta jo. Michael Strain, nga Instituti Amerikan i Ndërmarrjeve, një institut pro biznesit, thotë se populizmi i Trump e ka bërë më të mundshme dhunën politike në Amerikë këtë vit. Kjo gjë do të dëmtonte biznesin. Kreu i një firme globale që këshillon për rrezikun, thotë se pasiguria mbi axhendën gjeopolitike të Trump, do të bëjë që firmat shumëkombëshe të ngurrojnë, duke vrarë mendjen nëse duhet të shpërndajnë burime në Kinë, apo ndoshta në Rusi.

Çdo përshtypje se Trump po dobëson shtetin e së drejtës dhe shenjtërinë e kontratave dhe traktateve, do të përhapej në mbarë botën. “Ide si shteti i së drejtës, janë koncepte të çuditshme që mund të zhduken sa hap e mbyll sytë”, thotë një financier nga Nju Jorku. Kolegu i tij, ekspert i gjeopolitikës, thotë se biznesmenët amerikanë rrallëherë marrin parasysh sa i madh është ndikimi global i vendit, duke përfshirë hegjemoninë e Dollarit dhe mbrojtjen e rrugëve të transportit detar, dhe se pikërisht ky rol i Amerikës ndihmon suksesin e kompanive të tyre.

Ron Temple, një kryestrateg në Bankën e investimeve Lazard, thotë se në Amerikë është zgjeruar hendeku midis së djathtës dhe së majtës dhe se biznesi nuk mund ta anashkalojë më këtë dukuri. “Në botën e biznesit amerikan, ekziston pothuajse një ndjenjë vetëkënaqësie, e ndërthurur me një siguri të madhe në vetvete”, përfundon ai. Nëse ka një njeri që mund ta shkundë botën e korporatave nga një mpirje e tillë, ai është zoti Trump.

Marrë nga Monitor

trump shba zgjedhje presidenciale

Sondazh

Poll

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje

"Studentët të ndërrojnë qeverinë"/ I riu thirrje të forta nga protesta: Mos u largoni nga Shqipëria

Protestuesit nuk i tremb as shiu, thirrje të forta nga Kryeministria: Revolucion!

“I preve në besë banorët e Rrjollit dhe Thethit”/ Protestuesi thirrje Ramës: Malet i nxore në shitje

PAMJE PREKËSE/ Vogëlushja mes lotësh mesazh Ramës: Pelikanin kaçurrel do ta sjellim në Surrel

Qytetarët njëzëri para Kryeministrisë: Rama në burg, Berisha në Burg

Banorja e Rrjollit: Mos bini pre e provokimeve! Këtu do rrimë deri sa Rama të japë dorëheqjen

Protesta kundër projektit të Zvërnecit/ Protestesit mesazh Ivanka Trump: Mbaj duart larg Nartës

Tensionohet situata në protestë, policia nuk kursen qytetarët hedh ujë me piper me presion

Protesta për Zvërnecin, përplasje mes qytetarëve dhe policisë

Përplasjt mes qytetarëve dhe policisë në protestë, çahet kordoni

PAMJE nga tubimi i i katërt kundër projektit në Zvërnec #dosja #protesta #zvernec

Protestë në Durrës kundër projektit në Zvërnec, qytetarët mblidhen para Bashkisë

Berisha: Shteti duhej të ishte garanti në Zvërnec.Ndërtimet të bëhen në përputhje me standardet e BE

Berisha: Aeroporti i Vlorës kurrë nuk mund të ndërtohej aty

Zvërneci,Berisha:Ne mbështesim plotësisht investimin e huaj.Sazani nuk është një investim i thjeshtë

Berisha në grupin parlamentar: Pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re

Berisha: Meta është një i burgosur politik, Rama po vazhdon me besnikëri rrugën e babait të vet

Burgun apo dorëheqje? Rama kapet me gazetarin: Nuk meriton përgjigje

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen, Rama: Film i vjetër, përfaqësoj të paktën 800 mijë shqiptarë

Protesta për Zvërnecin, Rama: SPAK po mban të ngrira fondet pa i lënë të kalojë te shitësi

Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thotë të mbështesësh Shqipërinë drejt BE

Rama: Jemi këtu për të ndërtuar Shqipërinë e së ardhmes

Rama: Bëmë ligjin për hapjen e dosjeve të komunizmit, partia jonë u përball me të keqen në opozitë

"Kryeministri gënjeu"/ Gazetarja thirrje qytetarëve: Ai që të vjedh sot, do e bëjë dhe nesër

35-vjetori i PS në Tiranë/ Rama: Arsyeja e fitores së PS është aftësia për t’u hapur!

Mbyllet protesta për Zvërnecin #dosja #protesta #zverneci

Protesta për Zvërnecin/ Qytetarja: Ne nuk e lëshojmë sheshin pa u heq gardhi në Zvërnec dhe Rrjoll

Qytetarja: Kërkojmë anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura, nuk ka negociata

"Anulo projektin"/ Me pankarta në duar, të rinjtë 'pushtojnë' kryeministrinë: Jep dorëheqjen

"Janë provokime"/ Çfarë po ndodh para ambienteve të Kryeministrisë?

Protestuesit i përgjigjen kryeministrit Rama: Jep dorëheqje nuk ka dialog!

Qytetarët zbresin sërish në shesh, protestojnë kundër projektit në Zvërnec

Ermonela Jaho mbështet protestën për Zvërnecin, shpërndan pamjet në rrjetet sociale

Skandali me ADS/ Berisha: U ngrit pa vendim qeverie, Rama krijoi një monstër për të vjedhur

"Populli flet në ditën e zgjedhjeve"/ Kryeministri: Thirrjet 'O Rama të QR' nuk funksionojnë me mua

Projekti për Zvërnecin/ Rama për hetimet e SPAK: Investimi nuk ndalon sa kohë unë jam këtu!

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën

Mesazhi i Antonio Costës: Përshpejtoni luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend

Grabitet me armë një bankë e nivelit të dytë në Tiranë