LIVE UPDATES
Aktualitet

Siria njeh Kosovën pas rrëzimit të regjimit të Assadit, sfidat e luftëtarëve kosovarë dhe komunitetit shqiptar në tranzicionin e ri politik

Konflikti, i cili nisi si kryengritje kundër regjimit të Bashar al-Assadit dhe më pas u shndërrua në arenë përplasjesh rajonale e globale, tërhoqi edhe qindra qytetarë të Kosovës.

17 Dhjetor 2025, 19:13 Nga M.L

Siria njeh Kosovën pas rrëzimit të regjimit të Assadit,

Lufta që shpërtheu në Siri në vitin 2011 nuk mbeti një krizë e largët për Kosovën. Ajo u shndërrua shpejt në një sfidë konkrete sigurie dhe politike, me pasoja që u ndjenë drejtpërdrejt edhe në Prishtinë.

Konflikti, i cili nisi si kryengritje kundër regjimit të Bashar al-Assadit dhe më pas u shndërrua në arenë përplasjesh rajonale e globale, tërhoqi edhe qindra qytetarë të Kosovës.

Rreth 400 syresh - burra, gra dhe fëmijë - udhëtuan drejt Sirisë për t’iu bashkuar grupit militant Shteti Islamik, i cili, përkrah aktorëve të tjerë të armatosur, luftonte për rrëzimin e regjimit të Assadit.

Fenomeni i luftëtarëve të huaj e vuri Kosovën përballë rreziqeve serioze të radikalizimit dhe sigurisë, duke e detyruar shtetin të ndërhynte institucionalisht.

Në vitin 2015, autoritetet miratuan ligjin që ndaloi dhe sanksionoi pjesëmarrjen e qytetarëve kosovarë në luftëra të huaja, përfshirë atë në Siri.

Shteti Islamik u mposht ushtarakisht në vitin 2019. Që nga ajo kohë, një pjesë e shtetasve të Kosovës u riatdhesuan dhe u trajtuan në përputhje me legjislacionin në fuqi; të tjerë humbën jetën në luftime, ndërsa një numër mbetet ende në Siri.

Sot, realiteti politik i këtij vendi është rrënjësisht ndryshe.

Regjimi më shumë se dydekadësh i Assadit u rrëzua në fund të vitit të kaluar dhe pushtetin e mori Ahmed al-Sharaa - ish-figurë e lidhur me lëvizjet xhihadiste, i cili tani pozicionohet si lider tranzicioni, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Turqisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian.

Në këtë realitet të ri, Siria në fund të tetorit e njohu shtetësinë e Kosovës, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Por kjo njohje, përveç mundësive diplomatike, riktheu në vëmendje edhe një sërë pyetjesh të ndjeshme: çfarë do të ndodhë me shtetasit e Kosovës që iu bashkuan Shtetit Islamik dhe që ende ndodhen në Siri, dhe a do të bëhet kjo çështje pjesë e agjendës së ardhshme dypalëshe mes Prishtinës dhe Damaskut?

Radio Evropa e Lirë ia drejtoi këto pyetje si Qeverisë së re të Sirisë, ashtu edhe Zyrës së Presidentes së Kosovës, e cila e pranoi zyrtarisht njohjen nga Damasku, por, edhe pas gati një javë pritjeje, nuk mori përgjigje nga asnjëra palë.

REL-i, përmes burimeve të veta, u përpoq të kontaktonte edhe disa shtetas kosovarë në Siri, por pa sukses.

Arianit Shehu, drejtor ekzekutiv i Qendrës Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit, vlerëson se çështja e luftëtarëve të huaj nga Kosova që kanë shkuar në Siri, duhet të trajtohet me qartësi të plotë ligjore dhe përgjegjësi shtetërore.

Sipas tij, çdo qytetar i Kosovës që ka marrë pjesë në konflikte të huaja duhet, në rast kthimi, t’i nënshtrohet pa përjashtim legjislacionit të Republikës së Kosovës për luftëtarët e huaj.

“Respektimi i ligjit është parakusht për sigurinë kombëtare, sundimin e ligjit dhe besueshmërinë e institucioneve të shtetit, si dhe për mbrojtjen e shoqërisë nga rreziqet e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, thekson Shehu për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se trajtimi i këtyre rasteve duhet të jetë i drejtë dhe profesional, në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke kombinuar drejtësinë penale me programe të deradikalizimit dhe riintegrimit, aty ku kjo është e mundur.

Një këndvështrim më diplomatik ofron Albert Prenkaj, ish-ambasador i Kosovës në Itali. Ai thekson se autoritetet e Kosovës asnjëherë nuk ua kanë ndaluar kthimin në vend luftëtarëve të huaj, por se në të gjitha rastet ata janë trajtuar në bazë të ligjeve në fuqi.

Sipas Prenkajt, në Siri, luftëtarët e huaj me origjinë nga Kosova shpesh perceptohen si individë që kanë kontribuar në rrëzimin e regjimit të Assadit.

Megjithatë, ai vlerëson se çdo rol eventual i tyre në ndërtimin e një shoqërie demokratike në Siri, duhet të shoqërohet me transformim të ideve dhe shkëputje nga bindjet radikale.

Ai thekson se bëhet fjalë për një numër relativisht të vogël individësh dhe shfaq shpresën se udhëheqja e re siriane, me konsolidimin e institucioneve demokratike, do të mund të luajë rol në rehabilitimin e pozitës së tyre.

“Unë besoj se, nëse Ahmed al-Sharaa arrin të konsolidohet si president në një Siri me institucione demokratike, ai do ta ketë edhe përgjegjësinë të ndihmojë në rehabilitimin e këtyre qytetarëve - shqiptarëve nga Kosova”, thotë Prenkaj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, rehabilitimi nënkupton edhe integrimin e tyre në shoqërinë siriane, duke pasur parasysh se shumica tashmë kanë krijuar familje dhe jetë të qëndrueshme në Siri.

Historiani nga Damasku, Muhamed Mufaku, me origjinë nga Kosova dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së saj të Shkencave dhe Arteve, thotë se, aktualisht, në Siri ndodhen vetëm disa dhjetëra luftëtarë të huaj me origjinë nga Kosova.

Sipas informacioneve që ai ka, askush prej tyre nuk synon kthimin në vendin e origjinës.

“Derisa këto ligje ekzistojnë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, ata praktikisht nuk mund të kthehen. Këtu janë pritur mirë, disa janë martuar me gra siriane, janë vendosur, kanë pozita dhe kushte të mira jetese... Edhe kjo, në njëfarë mënyre, është një zgjidhje”, thotë Mufaku për Radion Evropa e Lirë.

Ai pret që qasja ndaj trajtimit të luftëtarëve të huaj nga vendet e origjinës të ndryshojë, duke pasur parasysh raportet e reja që Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane kanë ndërtuar me udhëheqjen e re siriane.

Sipas Mufakut, fakti që presidenti aktual i Sirisë, Ahmed al-Sharaa - i cili dikur ndiqej nga SHBA-ja si udhëheqës i një organizate terroriste - tashmë ka vizituar edhe Shtëpinë e Bardhë, dëshmon për ndryshime të thella në qëndrimet amerikane.

“I gjithë realiteti po ndryshon për 180 shkallë. Në këtë ambient të ri politik, edhe luftëtarët e huaj e kanë të qartë se Siria nuk është më terren për ndërtimin e një shteti islamik”, thotë Mufaku.

Ai shton se Siria po shndërrohet nga një vend tradicionalisht antiamerikan në një shtet gjithnjë e më proamerikan - zhvillim ky që, sipas tij, pritet të ndikojë edhe në raportet me aleatët e SHBA-së, përfshirë Kosovën.

Luftëtarët e huaj nga Kosova nuk janë të vetmit shqiptarë që jetojnë në Siri. Në këtë vend ekziston prej dekadash një komunitet shqiptar, i njohur me emërtimin “arnaout” - një etnonim i përdorur për shqiptarët që nga periudha e Perandorisë Osmane.

Pas shpërbërjes së kësaj perandorie në vitin 1922, gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore, por edhe pas Luftës së Dytë Botërore, disa mijëra shqiptarë nga Ballkani u zhvendosën drejt Sirisë, duke krijuar një komunitet të qëndrueshëm dhe të integruar në shoqërinë vendase.

Sipas historianit Mufaku, komuniteti shqiptar në Siri sot përbëhet nga rreth 8.000 persona. Shumica janë shqiptarë me origjinë nga Kosova, por edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Rreth gjysma e tyre jeton në Damask, ndërsa pjesa tjetër është e shpërndarë në disa qytete të vendit.

Gjatë luftës civile, e cila shpërtheu në vitin 2011 dhe zgjati rreth 15 vjet, edhe ky komunitet u godit rëndë. Në mesin e mijëra viktimave siriane ishin edhe dhjetëra shqiptarë, ndërsa disa qindra të tjerë u detyruan të largohen, kryesisht drejt Turqisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian.

Mufaku thotë se komuniteti shqiptar e priti me shpresë dhe gëzim rrëzimin e regjimit të Assadit, duke e parë atë si mundësi për përmirësim të pozitës së tij në një Siri të re.

“Kryetari i ri sirian, Ahmed al-Sharaa, erdhi në pushtet falë formacioneve ushtarake që i qëndruan besnike dhe luftuan me të dhe për të. Në mesin e tyre ka pasur edhe një formacion shqiptar. Në anën tjetër, që nga dita e parë, zëdhënëse e udhëheqjes së re ishte një ‘arnaoute’, Obaida Arnaout”, thotë Mufaku.

Sipas tij, komuniteti shqiptar pret që këto lidhje dhe ky rol të reflektohen në trajtimin institucional nga pushteti i ri sirian.

“Shpresat janë të mëdha, por ende jemi në pritje. Siria është në tranzicion dhe duhet kohë për të parë se si shqiptarët do të përfitojnë realisht nga kjo liri e re”, shton ai.

Shehu, drejtor ekzekutiv i Qendrës Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit, i cili ka vizituar më herët Damaskun, vlerëson se komuniteti shqiptar në Siri ka qenë për vite me radhë i harruar dhe i margjinalizuar - shpesh jashtë çdo vëmendjeje institucionale.

Megjithatë, sipas tij, shqiptarët në Siri kanë arritur të ruajnë gjuhën, traditat, zakonet dhe ndjenjën e përkatësisë kombëtare, pavarësisht rrethanave të vështira.

“Për këtë arsye, është detyrim moral dhe kombëtar që institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë të ndërmarrin hapa seriozë dhe të koordinuar për mbështetje institucionale, kulturore, arsimore dhe konsullore, në mënyrë që shqiptarët e Sirisë të mos mbeten një kapitull i harruar, por një pjesë e gjallë dhe e mbrojtur e kombit shqiptar”, thekson Shehu.

“Durim” dhe “kujdes” në ndërtimin e marrëdhënieve diplomatike
Trajtimi i çështjes së komunitetit shqiptar në Siri, ashtu si edhe i luftëtarëve të huaj me origjinë nga Kosova, lidhet ngushtë me vendosjen e marrëdhënieve bilaterale dhe diplomatike ndërmjet Prishtinës dhe Damaskut.

Vëzhguesit e zhvillimeve në Kosovë dhe Lindjen e Mesme vlerësojnë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike është një hap i natyrshëm, por që kërkon kohë, maturi dhe koordinim të kujdesshëm.

“Të dyja vendet duhet të jenë të durueshme në këtë proces”, thotë Mufaku.

Sipas tij, si Kosova, ashtu edhe Siria po përballen me sfida të brendshme serioze. Kosova është e përfshirë në procese të brendshme politike, përfshirë ato zgjedhore, ndërsa Siria ndodhet në një tranzicion të thellë shtetëror.

“Presidenti i ri, Ahmed al-Sharaa, po përpiqet të mbajë një ekuilibër të kujdesshëm mes Lindjes dhe Perëndimit”, thotë Mufaku, duke shtuar se nuk pret që çështjet më delikate diplomatike mes Kosovës dhe Sirisë të trajtohen së paku edhe dy deri në tre vjet.

Ish-ambasadori Prenkaj vlerëson se vetë fakti që dy vendet e kanë njohur njëra-tjetrën, përbën një sinjal të qartë për gatishmërinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Por, sipas tij, Kosova duhet të tregojë kujdes të veçantë në planifikimin e këtyre raporteve, duke marrë parasysh koordinimin e vazhdueshëm me aleatët e saj kryesorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian.

“Sa herë që Kosova ka vendosur marrëdhënie bilaterale, kjo është bërë në koordinim me SHBA-në dhe në përputhje me politikat e saj të jashtme dhe të sigurisë, si dhe me politikat e Bashkimit Evropian”, thotë Prenkaj, duke shtuar se Kosova nuk ka nevojë të ngutet në këtë proces.

Në të njëjtën linjë shprehet edhe Shehu, i cili vlerëson se ecja drejt vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Sirinë duhet të bëhet me maturi dhe vizion strategjik, në koordinim të plotë me SHBA-në dhe partnerët evropianë.

“Një qasje e tillë do t’i mundësonte Kosovës që çështjet e ndjeshme - nga pozita e komunitetit shqiptar në Siri, te siguria, aspektet ligjore dhe interesat ekonomike - të adresohen në mënyrë institucionale dhe të strukturuar brenda një kornize bilaterale”, thekson Shehu.

Në përvjetorin e parë të rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assadit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dërgoi një mesazh urimi përmes një video-incizimi me rastin e Ditës së Çlirimit të Sirisë.

“Të dashur miq në Siri, ju lutem dijeni se Kosova është me ju. Ne do të jemi partneri juaj, miku juaj dhe aleati juaj në çdo hap të rrugës…”, tha ndër të tjera Osmani.

Vëzhguesit e konsiderojnë këtë mesazh si një sinjal pozitiv në drejtim të ndërtimit të raporteve me Sirinë, megjithatë, nuk është e qartë nëse tashmë ka nisur ndonjë formë e komunikimit të drejtpërdrejtë ndërmjet dy palëve./ REL

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet