Kërcet arma në Pogradec/ Plagoset Brian Syzo, në pranga autori i ngjarjes, dyshohet për hakmarrje
Plumbi i dëmtoi venën kryesore të këmbës, niset me urgjencë drejt spitalit të traumës i plagosuri në...
Plumbi i dëmtoi venën kryesore të këmbës, niset me urgjencë drejt spitalit të traumës i plagosuri në...
Protesuesit marshojnë rrugëve të Tiranës: Zegjine na numëro, shih sa veta jena sot 28 Qershor, 22:33 ...
"Prej 6 vitesh nuk ka përgjie për pallatin e prishur nga tërmeti"/ Rama publikon mesazhin e qytetarit: Kjo protestë m&e...
Sulmet mes SHBA-së dhe Iranit/ Trump kërcënon sërish: Irani shkeli armëpushimin, një ditë nuk do t&...
Në disa zona gjenden gurë të thyer të hedhur mbi rërë, gjurmë gomash, barishte të shtypura dhe pemë e degë të rrëzuara përtokë.

TIRANË- Parakalimi i buldozerëve deri një muaj më parë në zonën e mbrojtur Pishë Poro – Nartë duket ende si një plagë e freskët mbi peizazh. Në disa zona gjenden gurë të thyer të hedhur mbi rërë, gjurmë gomash, barishte të shtypura dhe pemë e degë të rrëzuara përtokë.
Në pjesë të tjera, natyra po përpiqet të shërojë ndërhyrjen. Në rrugën e hapur përmes dunave lëvizëse, era ka nisur ta mbulojë sërish trasenë me shtresa të holla rëre.
Thuajse një muaj nga përplasja fatale mes protestuesve dhe rojeve të sigurisë private në Zvërnec, Administrata e Zonave të Mbrojtura është rikthyer së bashku me një tabelë që u kujton turistëve ndalimin e makinave dhe të kampingjeve.
Por punimet e kryera në mungesë të një lejeje të zbardhur nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit kanë lënë gjurmë të pariparueshme, sipas banorëve dhe ekspertëve të mjedisit.
“Aty ku është Limopua, ne i themi ‘Foleja e zogjve të egër’,” thotë një 60-vjeçare nga Zvërneci, e cila e krahason rrethimin me një “pushtim shkatërrues”. “Për qindra vite askush nuk e ka prekur. Ne e kemi mbrojtur,” theksoi ajo.
Punimet e prezantuara si “përgatitore” në Pishë Poro tregojnë një ndryshim fizik të peizazhit. Sipas një vlerësimi paraprak të organizatës mjedisore, PPNEA, ndërhyrjet kanë përfshirë hapjen e të paktën 7.45 kilometrave rrugë të reja, zhvendosjen e sasive të mëdha të rërës dhe vegjetacionit, depozitim zhavorri si dhe sheshimin e disa hapësirave pyjore e ranore.
Rrugët dhe zonat e prekura shtrihen sipas të njëjtit vlerësim në 7.2 hektarë dhe prekin të paktën pesë tipe habitatesh të rrjetit Natura 2000, përfshirë habitate prioritare të Bashkimit Europian.
Zydjon Vorpsi, menaxher i politikave dhe advokimit pranë PPNEA, thotë se ndërhyrjet janë bërë në shkelje të ligjit dhe do të kallëzohen.
“Ajo që kanë bërë është e paligjshme,” thotë Vorpsi. “Ndërhyrjet kanë dëmtuar zonën e mbrojtur, kanë dëmtuar habitatet në mënyrë të pakthyeshme.”
Punimet në zonën e mbrojtur Pishë Poro – Nartë lidhen me njërin nga projektet më të debatueshme turistike në Shqipëri, resortin e lidhur publikisht me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump dhe partnerët e tij në Lindjen e Mesme dhe Shqipëri.
Projekti i Zvërnecit u prezantua së bashku me një plan të ngjashëm për ishullin e Sazanit si pjesë e ambicieve për ndërtimin e turizmit elitar në Shqipëri. Por në terren, premtimi për investime nisi me gardhe telash me gjemba, makineri të rënda dhe ndërhyrje në një peizazh të mbrojtur, pa transparencë dhe qartësi.
Prej gati një muaji, ajo që ndodhi në Zvërnec ndezi një protestë maratonë në Tiranë, përfshirë edhe qytete të tjera jashtë vendit ku jetojnë emigrantët shqiptarë. Protestuesit kërkojnë jo vetëm anulimin e projektit, por edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Simboli i protestave u bë flamingoja, shpendi që e lidh publikisht Vjosë-Nartën me një nga ekosistemet më të rëndësishme bregdetare në vend. Për protestuesit, flamingoja nuk ishte vetëm figurë mjedisore, por shenjë e një pyetjeje më të madhe: kush vendos për territorin publik, për zonat e mbrojtura dhe për hapësirat që shqiptarët i kanë përdorur prej brezash?
Për ambientalistët, ndërhyrja pa leje është prova e parë fizike se si një projekt i madh turistik mund të ndryshojë një peizazh të mbrojtur, përpara se publiku të ketë parë dokumentet, lejet dhe vlerësimet që duhet ta paraprinin ndërhyrjen.
“Dunat marrin qindra vite për t’u bërë ashtu siç ishin,” thotë Zydjon Vorpsi. “Hapësira dhe rruga në një zonë që ishte shumë e ruajtur, ndryshe nga pjesa tjetër që ishte më e aksesueshme, tani nuk është më e ruajtur. Është ndërtuar edhe një urë me beton,” shton ai.
Dunat nuk qenë të vetmet që u prekën. Pjesë të kodrave molasike, monumente natyre dhe prona të patjetërsueshme shtetërore sipas legjislacionit në fuqi, janë gërryer nga ekskavatorët për të krijuar një rrugë që nuk ka qenë aty.
Përpos këtyre gjurmëve, dëmi më i menjëhershëm ishte shqetësimi i jetës së egër në një nga periudhat më të ndjeshme të vitit. Ndërhyrja nisi në kulmin e folëzimit të shpendëve dhe në fillim të periudhës kur breshkat detare dalin në breg për të lëshuar vezët. Prania e ekskavatorëve në plazh, qarkullimi i mjeteve dhe zhurma e kantierit krijuan një presion të menjëhershëm.
Një tjetër dëm lidhet me monumentin tjetër të natyrës, lagunën me ujë të ëmbël të Limopuos.
“Ki parasysh që në momentin që filluan punimet, kishte dhjetëra makina, kishte buldozerë, kishte ekskavatorë, kishte kamionë dhe kishte qindra njerëz brenda. Dhe kjo bënte që jeta e egër aty të largohej komplet,” thotë Vorpsi.
Problem për aktivistët është edhe ndërhyrja në kanalet që mundësojnë komunikimin mes lagunave dhe detit. Mbi njërin prej kanaleve kryesore, qarkullimi i ujit u bllokua për ditë me radhë dhe tani ka një urë me beton dhe gurë që mbahen bashkë në kosha hekuri.
“Tashmë [zona] nuk është më aq e ruajtur, sepse është krijuar një rrugë e cila kalon mes përmes atij habitati. Është ndërtuar edhe një urë me beton në kanalin lidhës, e cila do të ketë dhe problemet e veta në të ardhmen,” thekson Vorpsi.
Urbanistja Doriana Musai thotë se problemi me ndërhyrje të tilla është se ato krijojnë një fakt të kryer. Edhe kur cilësohen si “punime përgatitore”, ato ndryshojnë gjendjen ekzistuese të territorit, hapin akses, krijojnë infrastrukturën fillestare të kantierit dhe e bëjnë shumë më të vështirë kthimin e zonës në gjendjen e mëparshme, nëse më vonë konstatohen probleme ligjore ose mjedisore.
“Në një zonë të mbrojtur si Zvërneci, ndërhyrje të tilla kanë pasoja afatgjata që shkojnë përtej sipërfaqes së prekur,” argumenton Musai. “Ato fragmentojnë habitatet, ndryshojnë ekuilibrat ekologjikë dhe krijojnë precedentë zhvillimi që mund të shërbejnë si bazë për ndërhyrje të tjera në të ardhmen.”
Sipas saj, rreziku është që Zvërneci të kthehet në model për mënyrën se si ndërhyrjet e para në zona të mbrojtura përdoren më pas si justifikim për zhvillime të tjera.
Kjo është arsyeja pse ambientalistët dhe urbanistët e shohin çështjen e lejes jo si formalitet, por si thelbin e problemit.
“Duket se Zvërneci është modeli i cili, njëherë i lejuar të zhvillohet, do të krijojë efekt domino për të ndërtuar përgjatë gjithë bregut Adriatik të mbrojtur dhe zonave të tjera në territor,” paralajmëron Musai.
Për banorët e zonës, rrethimi me gardh dhe punimet janë paralajmërimi se një ditë ata do të humbasin jo vetëm plazhin, por edhe lidhjen me tokën dhe shtëpitë e tyre.
“Djemtë tanë kanë punuar në emigracion me mish e me shpirt. Do donin të ktheheshin e të ndërtonin diçka vetë, qoftë edhe një kasolle aty,” thotë një grua rreth të 60-ave nga Zvërneci, me dorën e vendosur mbi kraharor.
“Ajo që po bëjnë na ka trembur, na ka frikësuar. Ato toka për ne janë të shenjta,” përfundoi ajo./Dosja.al
TIRANË- Një rast i të shtënave me armë zjarri është raportuar mbrëmjen e djeshme në fshatin Jezerc të F...
Kosove KOSOVË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Pikën Kufitare të Vërmicës, ku s...
Foto ilustruese FUSHË ARRËZ- Një banesë është përfhisrë nga flakët ditën e djeshmë në fshatin M...
pamje nga vendngjarja TIRANË- Një operacion i vështirë kërkim-shpëtimi ka përfunduar me sukses në orët e vona...
shba SHBA- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë rënë dakord të ndalin sulmet hakmarrëse ndaj njëri-tjetri...
Pamje HIMARË- Katër turistë mbetën të bllokuar në Kanionet e Gjipesë, pjesë e territorit të Bashkisë s&eu...
Ervin Goci dhe Edi Rama TIRANË- Pedagogu Ervin Goci ka përgënjeshtruar Kryeministrin Edi Rama, i cili një ditë më parë k...
Foto ilustruese TIRANË- Paga mesatare mujore bruto në vend ishte 84 mijë lekë në vitin 2025, nga 77.4 mijë lekë nj&...
foto ilustruese TIRANË- Sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Sipas Shërbimit Meteorologjik Us...
pamje nga protesta TIRANË- Protestuesit po vijojnë marshimin drejt rrugëve të Tiranës. Me blicat e celularëve të tyre, q...