LIVE UPDATES
Aktualitet

‘Pishina e peshkaqenëve’, BIRN: Si u transformuan në prona luksoze paratë e korrupsionit të AKSHI

Apartamenti ndërroi sërish duar, përpara se të kalonte në pronësinë e nënës pensioniste të Mirlinda Karçanajt për një çmim të reduktuar prej 5 milionë lekësh.

22 Prill 2026, 20:48 Nga E.d
‘Pishina e peshkaqenëve’, BIRN: Si u transformuan në prona
Drejtoresha e AKSHI, Mirlinda Karçanaj gjatë seancës së verifikimit të masës së sigurisë në SPAK.

Në mars 2017,  një punonjës i një kompanie IT firmosi kontratën e blerjes së një apartamenti prej 70 metrash katrorë në rrugën e Kavajës dhe e financoi atë përmes dy huave me vlerë 80 mijë euro. Por ndërsa çmimet e pronave ishin në rritje, ai e shiti apartamentin një vit më vonë për 48 mijë euro – me një humbje drastike prej 30 mijë eurosh.

Apartamenti ndërroi sërish duar, përpara se të kalonte në pronësinë e nënës pensioniste të Mirlinda Karçanajt për një çmim të reduktuar prej 5 milionë lekësh.

Sipas një hetimi të kryer nga Prokuroria e Posaçme, vlera reale e apartamentit ishte rreth 160 mijë euro – ose tre herë më shumë sesa transaksioni fillestar dhe dyshohet se është paguar me para korrupsioni nga Karçanaj – ish-drejtoresha jetëgjatë e AKSHI.

Në dëshminë e tij për Prokurorinë, blerësi i parë deklaroi se nuk mbante mend ‘absolutisht asgjë’ për blerjen e apartamentit dhe marrjen e huave.

Ky nuk ishte rasti i vetëm.

Thellimi i hetimeve të SPAK mbi abuzimet dhe manipulimet me tenderat publikë nga AKSHI ngre dyshime se Karçanaj ka përfituar qindra mijëra euro në këtë formë, përmes ‘një lavatriçeje’ të orkestruar nga biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, bashkëpunëtorë të saj.

Hetimet mbi transaksionet financiare dhe pasuritë e shtyu SPAK-un që të ngrinte akuzën shtesë të korrupsionit ndaj Karçanajt, Agasit dhe Beqirit si dhe të sekuestronte pasuri me vlerë rreth 30 milionë euro si pjesë e një portofoli të përbërë nga pasuritë të patundshme, vila, jahte dhe llogari bankare.

Për këtë çështje u regjistruan si të akuzuar edhe 5 persona të tjerë; mes të cilëve ish-nëndrejtori i AKSHI, Daniel Shima si dhe Emirton Suli, Gentian Likaj, Arjola Koromani dhe Elision Jorgji.

“Në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që drejtohet nga shtetasi Ergys Agasi, janë përfshirë në një skemë të mirëorganizuar me qëllim kontrollimin e procedurave të prokurimit të cilat tenderohen nga Autoriteti Kombëtar i Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, me qëllim krijimin e përfitimeve të padrejta materiale”, pretendon SPAK sipas një vendimi për masat e sekuestros që BIRN e disponon.

Skema e korrupsionit të Karçanajt

Hetimet ndaj zyrtarëve të AKSHI-t dhe rrjetit të biznesmenëve filluan pas rrëmbimit mafioz më 12 gusht 2025 të biznesmenit Gerond Meçe, të cilit iu kërkua që të tërhiqej nga një seri ankimesh ndaj tenderave të AKSHI.

Hetimet mbi pengmarrjen zbuluan një simbiozë të frikshme mes krimit të organizuar dhe institucionit që menaxhon shërbimet digjitale të shtetit shqiptar. Për më shumë se një dekadë, AKSHI menaxhoi një buxhet të stërmadh, ku vetëm në 19 procedura të hetuara nga SPAK u llogarit një fond limit prej 5.9 miliardë lekësh (rreth 59 milionë euro).

Hetimi zbuloi se drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi i kishin lënë këto fonde në duart e grupit të lidhur me krimin e organizuar, duke paracaktuar fituesit dhe duke siguruar devijimin e dhjetëra milionë eurove drejt llogarive të biznesmenit të IT-së dhe ish-funksionarit Ergys Agasi.

E përshkruar nga kryeministri Edi Rama si një zyrtare model me “një karrierë nga më të shkëlqyerat në shërbimin publik”, Karçanaj akuzohet nga SPAK se përfitoi përmes kontratave fiktive të rregulluara prej kompanish që merrnin tenderat në AKSHI, 4 pasuri të patundshme dhe me gjasë një shumë prej 200 mijë eurosh cash të transferuar përmes arkave bosh të verës nga ish-zëvendësi i saj, Daniel Shima.

Sipas prokurorisë, Karçanaj ka marrë “kuti vere” të mbushura me kartëmonedha euro të prerjeve 100, 200 dhe 500 si dhe ka përfituar nga persona të tjerë të lidhur me shtetasit Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi.

SPAK ka zbuluar një rrjet pasurish të lidhura drejtpërdrejt me Mirlinda Karçanajn, të fshehura pas kontratave fiktive dhe emrave të huazuar. Hetuesit vënë në dukje se për të mbuluar gjurmët, u ngrit një skemë me emra fiktivë blerësish e shitësish, kryesisht punonjës të kompanive të teknologjisë së informacionit.

Një skemë e ngjashme me apartamentin në Rrugën e Kavajës përsëritet për një tjetër pasuri, një apartament dupleks në kompleksin “Laguna Blu” në Qerret. Prona kaloi përmes personave të tretë të punësuar në kompaninë “Soft & Solution” të Beqirit, e përfshirë në tenderat e AKSHI-t. Punonjësja e përfshirë, Enxhiana Alimeta i tha SPAK se firmosi dokumente në mirëbesim, por se kurrë nuk kishte marrë hua nga kompania dhe as nuk e dinte për pasurinë dhe përfituesin fundor.

Në një transaksion të dytë, vila përfundoi në emër të një shtetasi tjetër, por përballë hetuesve, i ashtuquajtur blerës tha se nuk ishte përfshirë në asnjë veprim. “As në Durrës nuk kam qenë ndonjëherë në jetën time e jo më në Qerret,” u tha ai prokurorëve.

Të dhënat konfirmuan se vilën e përdorte Karçanaj dhe se tarifat e administrimit ishin paguar nga shoferi i saj personal, Florian Bylyku.

Një nga asetet e tjera kryesore që u sekuestrua si pasuri e Karçanajt është një apartament luksoz me sipërfaqe 203.3 metra katrorë, bashkë me garazh në rrugën “Dervish Hima” pranë stadiumit Air Albania.

Kjo pronë u ble për 370 mijë euro nga shoqëria “Fortis Beton CO”, e lidhur me biznesmenin Orest Sota, që në dëshmi thotë se ishte mik i të hetuarit Ergys Agasi, një çmim dukshëm më të ulët se rivlerësimi zyrtar prej 48.5 milionë lekësh në vitin 2021.

Më pas, ky apartament iu dha me qira Karçanajt për një vlerë anomalisht të ulët, vetëm 600 euro në muaj. Fiktiviteti i këtij transaksioni del zbuluar sipas SPAK nga tabulatet telefonike, të cilat provuan se Karçanaj banonte aty përpara se të firmosej kontrata e qirasë si dhe nga dëshmia e pronarit të kompanisë “Fortis Beton CO”, Orest Sota.

Sota deklaroi në Prokurori se apartamentin ia kishte dhënë Agasit me çmim të lirë për shkak të miqësisë.

Lista e aseteve që dyshohet se rrjedhin nga paratë e korrupsionit shtohet me një ullishte prej 1,500 metrash katrorë në Sauk, e blerë nga nëna e Karçanajt dhe më pas e trashëguar, si dhe një automjet luksoz “Volksëagen Tiguan” që përdorej nga Karçanaj dhe që qarkulloi mes kompanive partnere të IT-së “Forensic Lab” dhe të punësuarve të “Soft & Solution”.

Njësoj si në pronat e paluajtshme, edhe çmimi i makinës ra brenda një kohe të shkurtër në transaksione fiktive nga rreth 39 mijë eruro në blerjen fillestare në vetëm 9 mijë euro kur iu shit bashkëshortit të Karçanajt.

Zhvatje dhe pastrim parash

Krahas fshehjes së pasurive të Karçanajt, hetimi i SPAK zbulon një mekanizëm akoma më agresiv zhvatjeje, të drejtuar nga i hetuari Ergys Agasi.

Sipas prokurorisë, duke shfrytëzuar lidhjen e tij të ngushtë me ish-drejtoreshën e AKSHI, Agasi krijoi kompaninë “EA Solution” sh.p.k., e cila shërbeu si një instrument gjigant fiktiv për mbledhjen e ryshfeteve nga kompanitë fituese të tenderave.

Në llogaritë e kësaj kompanie u derdhën në total mbi 1 miliard lekë të reja dhe 470,441 Euro përmes faturave fiktive nga “Soft & Solution”, “Fastech” dhe “First”.

“Veprimet e shoqërisë ‘EA Solution’ sh.p.k përbëjnë një skemë tipike të korrupsionit pasiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, ku subjekti juridik është përdorur si një mjet për transferimin e ryshfetit në formë të kamufluar tregtare,” thuhet në vendimin e gjykatës.

Prokuroria thotë se prova më e fortë e këtij kualifikimi qëndron në “fiktivitetin absolut të shërbimit të faturuar”.

Prokuroria thotë se ‘EA Solution’ ka prerë fatura në vlera jashtëzakonisht të larta drejt operatorëve ekonomikë, por nuk zotëron asnjë kapacitet teknologjik apo burim njerëzor për të përmbushur objekte të tilla kontrate.

Sipas SPAK, ky “modus operandi” ishte thjesht ekuivalenti i një zarfi me para.

“Këto pagesa nuk përbëjnë kosto për punë të kryer, por përfaqësojnë çmimin e përfitimit të parregullt korruptiv që i hetuari Ergys Agasi dyshohet se ka përfituar në bashkëpunim me titullaren e ‘AKSHI’-t, Mirlinda Karçanaj”, thuhet në dosje.

Prokuroria thotë se fatura tatimore është përdorur si instrument për të ‘legalizuar’ vlerat korruptive të paguara. Sipas dëshmive të mbledhura nga SPAK, Agasi, Karçanaj dhe Beqiri u angazhuan përmes kësaj skeme edhe në zhvatje.

Në dëshminë e saj, Migena Schroeder, administratore e kompanisë “AESS” thotë se pasi u përfshi në punë publike për AKSHI-n u gjet e detyruar të ndante fitimin. Pasi u përball me kërkesat për rryshfet të rrjetit, ajo thotë se u ankua drejtpërdrejt te Mirlinda Karçanaj.

Kjo e fundit nuk i dha zgjidhje, por e orientoi të takonte Ermal Beqirin dhe ky i fundit e kërcënoi.

“Më tha që unë kisha hyrë në një ‘pishinë peshkaqenësh’ dhe se ai ishte aty ‘për të zgjidhur historinë’… Më tha se këto lekë nuk ishin të miat”, dëshmoi Schroeder. E ndjerë e rrezikuar dhe e “presionuar”, ajo pranoi të nënshkruante kontratën fiktive, duke i faturuar “EA Solution” mbi 100 milionë lekë për shërbime të pakryera.

Ryshfeti nuk paguhej vetëm përmes transaksioneve bankare fiktive. Gjatë kontrollit në vilën e Ergys Agasit në zonën e vilave qeveritare në plazhin e Durrësit, hetuesit gjetën arka druri me verëra dhe shampanjë jashtëzakonisht të shtrenjta. Faturat e transportit të DHL-së zbuluan se ato porositeshin nga kompania “Fast & Fresh” e Andis Papës. Vetë Papa pranoi skemën përballë prokurorëve, duke dëshmuar se porositë i bënte përfaqësuesja e “Soft & Solution”, Arjola Koromani.

“Pagesat i bënte Arjola, kur nuk kishte mundësi, ajo sillte dhe lekët kesh, në formën e paradhënies”. Përmes kësaj skeme, plot 94 milionë lekë (gati 1 milion euro) u faturuan vetëm për blerje pijesh alkoolike të shtrenjta si formë ryshfeti e tërthortë për rrjetin.

Ky fluks masiv i parave të korrupsionit i mundësoi Ergys Agasit të ngrinte një perandori të vërtetë pronash. Dosja e SPAK liston plot 30 asete të luajtshme, të paluajtshme dhe llogari bankare, të dyshuara si produkte të pastrimit të parave. Mes tyre është një vilë prej 500 mijë eurosh në kompleksin rezidencial “White Houses” në Lundër; një vilë 250 mijë euro në “Green Coast” në Palasë; dhjetëra hektarë pyje dhe ndërtime të legalizuara në zonën e Petrelës; apartamente në zona të shtrenjta të Tiranës dhe Durrësit; një mjet luksoz “Land Rover Defender”, si dhe llogari bankare të fryra ku vetëm “EA Solution” raporton një fitim neto të pashpërndarë e të pashpjegueshëm prej mbi 400 milionë lekësh.

Jahti “Skyfall” me pasaportë bullgare

Nëse Ergys Agasi ishte grumbulluesi i parave dhe Karçanaj ishte mburoja institucionale, shtetasi Ermal Beqiri shfaqet në fashikujt e SPAK si “arkitekti” operativ dhe zbatuesi në terren i kartelit.

Si pronar i “Soft & Solution”, ai jo vetëm gëlltiti pjesën e luanit të tenderave publikë, por dyshohet se orkestroi rrjetin e kompanive fiktive dhe presionet ndaj nënkontraktorëve. Vetëm për vitin 2024, kompania e tij kryesore, “Soft & Solution”, raportoi një fitim të pashpërndarë prej mbi 1 miliard lekësh, rreth 10 milionë euro, dhe asete totale që kapin vlerën e rreth 2 miliardë lekëve. Kjo fuqi financiare e lejoi Beqirin të blinte, përmes kompanisë së tij, një njësi biznesi prej 930 metrash katrorë në rrugën “Çerçiz Topulli” në Tiranë, me një vlerë stratosferike prej 2.5 milionë eurosh.

Megjithatë, edhe Beqiri u kujdes ta fshihte jetën e luksit ekstrem pas emrave të vartësve të tij. Rasti më flagrant i zbuluar nga hetuesit është blerja e një jahti luksoz, “Skyfall”. Ky mjet lundrues u importua në qershor të vitit 2025 për vlerën e 930 mijë eurove para taksave. Çuditërisht, po atë ditë që u zhdoganua, Beqiri ia kaloi me kontratë “dhurimi” punonjëses së tij, Xhenila Tamizi, administratore e kompanisë “Horizon”.

Përballë prokurorëve, Xhenila Tamizi zbuloi arsyen banale dhe absurde të këtij dhurimi.

“Mesa kuptova, Ermalin e kishin këshilluar që do të ishte më e kollajshme për lëvizjen e mjetit lundrues, nëse do të kishte pronar një shtetas të Bashkimit Europian. Duke qenë që unë jam me pasaportë bullgare, ai vendosi të ma dhurojë mua jahtin,” tha ajo.

Përtej detit, perandoria e Beqirit shtrihet edhe në asete të paluajtshme të panumërta, ku përsëri vërehen transaksione të dyshimta. Dosja thekson pronësinë e Vilës nr. 33 në “Green Coast”, blerë fillimisht përmes kalimit të të drejtave për 460 mijë euro; një pronë tjetër luksoze në rrugën “Hoxha Tasim” përfituar në mënyrë të paqartë përmes një sërë kontratash “dhurimi” nga bashkëpronarë të ndryshëm; si dhe blerje apartamentesh në Golem dhe troje qindra metra katrorë.

Së bashku me “First” sh.p.k, që raporton asete mbi 400 milionë lekë, “Fastech”, me asete mbi 800 milionë lekë dhe “Albascan”, kompanitë e orkestruara nga Beqiri dhe rrethi i tij formuan një arkë të përbashkët dhjetëra miliona euroshe, të ushqyer ekskluzivisht nga fondet e taksapaguesve shqiptarë që duhej të shkonin për dixhitalizimin e shërbimeve shtetërore./BIRN

akshi prona luksoze korrupsion

Sondazh

Poll

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet

Dhunuan dhe kërcënuan me një pistoletë 70-vjeçarin në banesën e tij, arrestohen tre të rinjtë

Laura Pausini dhe Tom Cruise pjesë e ceremonisë së mbylljes së Botërorit 2026

Ish i burgosuri në Fier: Nuk jeton dot në Shqipëri pa shkelur ligjin, bën vaki të kthehem prapë

I burgosuri falënderon Zotin pas daljes nga qelia: Jam krenar për burgun që kam bërë!

Amnistia Penale/ Vodhi 500 mijë euro në banesën e Alda Klosit, lirohet nga qelia Rozeta Dobi

Nis zbatimi i amnistisë penale/ I burgosuri në Drenovë lë qelinë: U dënova padrejtësisht