LIVE UPDATES
Aktualitet

Joseph: Kosova si model për paqen në Ukrainë

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Joseph shpjegon se zbatimi i parimeve të Rezolutës 1244 në Donbas - administrimi ndërkombëtar, vendosja e trupave paqeruajtëse dhe shtyrja e çështjes së sovranitetit për më vonë - mund t’i ofrojë Ukrainës garanci sigurie pa pasur nevojë të pranojë aneksimin rus të rajonit.

1 Dhjetor 2025, 14:46 Nga E. D
Joseph: Kosova si model për paqen në Ukrainë
foto ilustruese

KOSOVË- Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve, propozon një qasje strategjike për të arritur paqe në Ukrainë, duke u bazuar në modelin e Kosovës. Ai e ka trajtuar këtë ide edhe në një analizë të publikuar në revistën akademike SAIS Review of International Affairs.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Joseph shpjegon se zbatimi i parimeve të Rezolutës 1244 në Donbas - administrimi ndërkombëtar, vendosja e trupave paqeruajtëse dhe shtyrja e çështjes së sovranitetit për më vonë - mund t’i ofrojë Ukrainës garanci sigurie pa pasur nevojë të pranojë aneksimin rus të rajonit.

Joseph vlerëson gjithashtu përpjekjet e administratës Trump, duke theksuar se ajo ka vënë në qendër arritjen e paqes në Ukrainë dhe ka sjellë dinamikë të re në procesin e negociatave.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Joseph, ju propozoni zbatimin e modelit të Kosovës në Donbas. Cili është mësimi më i rëndësishëm nga Kosova që besoni se mund të zbatohet në Ukrainë sot?

Edward P. Joseph: Gjëja më e rëndësishme dhe më interesante e përdorimit të modelit të Kosovës në Donbas - pra në Ukrainë - për të arritur një armëpushim, është se presidenti rus [Vladimir] Putin e mbështet atë.

Kjo është pika fillestare, por jo e vetmja. Putin, për më shumë se dy dekada, ka insistuar se duhet të respektohet Rezoluta 1244. [v.j. Me këtë rezolutë të vitit 1999 është urdhëruar tërheqja e trupave të Republikës Federale të Jugosllavisë nga Kosova dhe vendosja e Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara].

Putin, gjithashtu, ka përsëritur vazhdimisht se Kosova dhe Ukraina janë e njëjta gjë.

Ideja e përdorimit të një modeli është krejtësisht e përshtatshme. Administrata amerikane po merr elemente nga plani për Gazën. Por, unë mendoj se modeli i Kosovës është shumë më relevant se ai i Gazës. Modelin e Kosovës edhe vetë Putin e di shumë mirë.

Radio Evropa e Lirë: Por, kritikët argumentojnë se Kosova ka qenë një rast unik, me një konsensus të fortë ndërkombëtar, ndryshe nga Ukraina. Pse besoni se një model i tillë mund të funksionojë gjithsesi?

Edward P. Joseph: Rezoluta 1244 e nxori çështjen e sovranitetit jashtë diskutimit, pa e mohuar apo shpallur pavarësinë e Kosovës, por duke i dhënë fund konfliktit dhe duke i hapur rrugë administrimit ndërkombëtar dhe pranisë së trupave paqeruajtëse në Kosovë.

I njëjti parim do të zbatohej edhe në Donbas dhe debati se ‘kujt i përket’ ai do të shtyhej për më vonë - me një referendum të ardhshëm për ta zgjidhur. Putin i mbështet referendumet - ai i ka organizuar ato edhe në Krime, edhe në pjesët e Donbasit që Rusia i kontrollon. Pra, atij do t’i servireshin dy gjëra që s’i kundërshton: modeli i 1244-shit dhe referendumi.

Me këtë model, do të mund ‘të fitonte’ edhe më shumë territor, sipas mendimit tim - madje edhe më shumë sesa ofron plani i [presidentit amerikan, Donald] Trump. Do të mund të fitonte edhe zonat e Donbasit perëndimor, që për Ukrainën janë më të ndjeshmet, sepse me kontrollin e tyre, Rusia do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë vendin dhe, madje, do të mund të hapte një tjetër rrugë drejt Kievit.

Por, atij do t’i duhej të pranonte edhe një kusht - ngjashëm siç ka bërë Kosova. Do të duhej të pranonte administrimin [e Donbasit] nga një palë e tretë - qoftë nga OKB-ja, qoftë nga OSBE-ja.

Rusia është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe ndoshta i pëlqen administrimi i OKB-së, pasi vazhdimisht insiston që UNMIK-u duhet të mbetet në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Mendoni se Ukraina do të pranonte një plan të tillë?

Edward P. Joseph: Për Ukrainën do të ishte një qasje e favorshme. Arsyeja e parë: Kievi nuk do të duhej ta njihte aneksimin rus të Donbasit. Pastaj, statusi i Krimesë mund të lihej për negociata të mëvonshme, meqë shanset për ta rikthyer ushtarakisht janë minimale.

Arsyeja e dytë, dhe më e rëndësishmja për presidentin ukrainas [Volodymyr] Zelensky, janë garancitë e sigurisë. Modeli i Kosovës do të sillte administrim ndërkombëtar nga OKB-ja ose OSBE-ja, që do ta ndalte menjëherë rusifikimin - detyrimin për pasaporta ruse, indoktrinimin ushtarak të fëmijëve dhe pengesat për të zhvendosurit që duan të kthehen në shtëpitë e tyre.

Nën këtë administrim do të krijoheshin edhe komisione ndërkombëtare për pronat.

Ashtu si në Kosovë, në Donbas do të vendoseshin trupat paqeruajtëse dhe për t’i bërë më të pranueshme për Rusinë, këto trupa do të mund të vinin nga Afrika ose Azia, jo domosdoshmërisht nga Evropa.

Pra, thelbi i gjithë kësaj është se, kur çështja e sovranitetit lihet përkohësisht anash, çdo element tjetër bëhet shumë më i lehtë për t’u negociuar.

Radio Evropa e Lirë: A keni pasur rastin ta diskutoni këtë ide me ndonjë zyrtar amerikan, apo me ndonjë burim zyrtar?

Edward P. Joseph: Kjo është një pyetje shumë e mirë, por nuk mund ta konfirmoj se kam pasur bisedime të tilla, sepse mund të pasojë pyetja juaj: me kë? Mund të them vetëm se do të ishte krejtësisht logjike dhe natyrale për mua që ta diskutoja këtë çështje me zyrtarë amerikanë.

Radio Evropa e Lirë: Si i shihni përpjekjet aktuale të administratës amerikane për paqe në Ukrainë?

Edward P. Joseph: Propozimi i administratës Trump nis nga premisa se Rusia është pala më e fortë dhe Ukraina pala më e dobët, prandaj i gjithë procesi duhet të ndërtohet rreth kërkesave dhe pozicionit të Rusisë.

Tani, gjëja pozitive - dhe presidentit Trump duhet t’i jepen merita për këtë - është se ai, ndryshe nga [paraardhësi i tij, Joe] Biden, i jep përparësi arritjes së paqes. Kjo është një gjë e mirë dhe ka sjellë një dinamikë të re. Ka krijuar ndjesinë se e gjithë kjo ka të bëjë me përfundimin e luftës. Nuk ka të bëjë me mposhtjen e Rusisë apo me dhënien e ndonjë mesazhi për rendin global...

Por, problemi është se ndërtimi i një marrëveshjeje duke u bazuar vetëm te pala më e fortë nuk prodhon rezultatin më të mirë, nëse qëllimi është një zgjidhje e qëndrueshme. Një marrëveshje e tillë rrezikon ta shtyjë Ukrainën drejt ‘dorëzimit të heshtur’.

Një qasje më e zgjuar do të ishte kombinimi i gatishmërisë për të negociuar me Putinin me fuqizimin paralel të Ukrainës dhe rritjen e presionit ndaj Rusisë.

Trump, në fakt, i ka bërë disa hapa në këtë drejtim - me sanksionet ndaj kompanive energjetike ruse, të cilat kanë pasur një efekt shumë pozitiv. Por, ka hequr dorë vullnetarisht nga disa leva të presionit.

Për shembull, vendimi për të përjashtuar publikisht mundësinë e furnizimit të Ukrainës me raketa Tomahawk. Në rregull, nëse nuk duan t’i japin Ukrainës raketa Tomahawk, por pse të thuhet publikisht?! Ato mund të shërbejnë si leva, mund ta nxisin Putinin të mendojë se nëse kërkon shumë, SHBA-ja mund të shkojë më larg me mbështetjen e Ukrainës.

Radio Evropa e Lirë: Ju, po ashtu, argumentoni se anëtarësimi i Serbisë në NATO do të mund të ishte një përparim strategjik për Ukrainën. Sa realist është ky skenar, duke pasur parasysh politikën e brendshme të Serbisë dhe ndjenjat e forta proruse?

Edward P. Joseph: Kjo do të ishte një presion shtesë mbi Putinin. Sipas mendimit tim, do të ishte e barazvlefshme me fundosjen e “Moskva”-s - anijes luftarake ruse që Ukraina e fundosi me dronë.

Anëtarësimi i Serbisë në NATO do të ishte ekuivalenti ballkanik i fundosjes së “Moskva”-s. Pse? Sepse Serbia është “Moskva” e Rusisë në Ballkan. Serbia është anija luftarake përmes së cilës Rusia projekton ndikimin e saj në të gjithë Ballkanin.

Nëse ajo anije mbytet, ose nëse lundron drejt ujërave të NATO-s, kjo do të ishte një goditje e madhe për Rusinë - edhe për Kinën - sepse si Rusia, ashtu edhe Kina, formalisht dhe metaforikisht, e shohin Serbinë si partneren e tyre strategjike dhe platformën kryesore të ndikimit në Ballkan.

Tani vjen pyetja juaj shumë e vlefshme: pse do ta bënte Serbia këtë, duke pasur gjithë atë simpati për Rusinë? Ka disa arsye - dhe madje një arsye që do ta bënte pothuajse të pamundur për [presidentin serb, Aleksandar] Vuçiq që ta refuzonte një ofertë të tillë nga Trump.

Së pari, Trump është jashtëzakonisht popullor në Serbi dhe është një figurë shumë imponuese. Për Vuçiqin do të ishte shumë e vështirë t’i thoshte: ‘Jo, nuk pranoj’.

Për më tepër, Trump, gjatë mandatit të tij të parë, u përpoq të sillte paqe mes Kosovës dhe Serbisë - pra, kjo nuk do të ishte diçka e re. Ai e njeh rajonin dhe shpesh thotë se ‘ndaloi një luftë mes Serbisë dhe Kosovës’.

Së dyti, Vuçiq është i dobësuar politikisht. Protestat antiqeveritare në Serbi vazhdojnë prej një viti, dhe ai është aq i pasigurt sa nuk guxon të shpallë zgjedhje të reja - gjë të cilën e ka bërë shpesh më parë.

Pranimi i një plani të tillë do ta ndryshonte tërësisht situatën e brendshme politike. Protestat nuk do të ishin më në qendër; vëmendja do të kalonte te ky zhvillim historik.

Sigurisht, shumë prorusë do ta quanin tradhtar. Por, pjesë të mëdha të opozitës do ta mbështesnin, sepse anëtarësimi në NATO nënkupton më shumë reforma, përparim drejt BE-së dhe fund të politikës së ‘dy karrigeve’.

Radio Evropa e Lirë: Por, përtej popullaritetit të Trumpit në Serbi, cilët faktorë strukturorë ose politikë e bëjnë këtë skenar të realizueshëm?

Edward P. Joseph: Është plotësisht e realizueshme, sepse zgjerimi i NATO-s në Ballkan nuk u kushton asgjë Shteteve të Bashkuara. Nuk ka kërcënime në Ballkan që NATO-ja nuk mund t’i trajtojë, ose që nuk mund t’i parandalojë vetëm me praninë e saj. Pra, nuk ka asnjë rrezik për SHBA-në.

Ballkani tashmë është i rrethuar nga vende anëtare të NATO-s. Tri nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë në NATO. Serbia është i vetmi shtet në rajon që thotë se nuk dëshiron të anëtarësohet. Edhe Bosnje e Hercegovina ka dëshirë formale të hyjë në NATO, ndërsa Kosova, sigurisht, e dëshiron shumë anëtarësimin.

Pra, Serbia është e vetmuar në këtë kuptim. Ajo është e rrethuar nga Bullgaria, Rumania, Kroacia, Mali i Zi - të gjitha këto vende në NATO.

Për më tepër, Serbia ka marrëdhënie të mira me NATO-n. Ka pasur takime me [shefin e NATO-s] Mark Rutte dhe [me ish-shefin Jens] Stoltenberg. Serbët, po ashtu, e mbështesin misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR. Ata nuk thonë se ‘KFOR-i është forcë okupimi, duhet të largohet’; përkundrazi, në Beograd shpesh kërkojnë që KFOR-i t’i shtojë trupat.

Serbia ka marrëdhënie të mira edhe me ushtrinë amerikane dhe me komandën e NATO-s. Nëse do t’i pyesje privatisht gjeneralët serbë, shumica do të dëshironin anëtarësimin në NATO, sepse kjo do të fuqizonte industrinë e armëve dhe municioneve në Serbi.

Presidenti Trump, përveç ofrimit të rrugës për anëtarësimin e Serbisë në NATO, do të ofronte një rrugë drejt NATO-s edhe për Kosovën.

Kjo do të nënkuptonte që kryeministri i Kosovës do të duhej të nënshkruante statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe - jo thjesht ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese. Vuçiq e kërkon këtë asociacion prej vitesh dhe do ta fitonte atë.

Radio Evropa e Lirë: Por, janë katër vende të NATO-s që nuk e njohin ende Kosovën - Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja...

Edward P. Joseph: Së pari, në këtë pikë, flasim vetëm për një rrugë drejt anëtarësimit në NATO, kështu që ato nuk kanë nevojë ta njohin Kosovën - asnjë nga katër vendet mosnjohëse nuk ka nevojë ta ndryshojë qëndrimin.

Spanja mund të vazhdojë të mos e njohë Kosovën, nuk ka problem. Gjithçka që kërkohet është që të mos pengohet qasja eventuale e propozuar.

Së dyti, Greqia, sapo kryeministri i Kosovës ta nënshkruajë statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, jam i sigurt se do ta njihte Kosovën, pavarësisht nëse Serbia e pranon ose jo. Pasi Greqia ta njohë Kosovën, do të bëhet më e lehtë për Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën të ecin në po të njëjtën rrugë.

Por, prej tyre nuk kërkohet ta njohin menjëherë Kosovën, vetëm të mos e pengojnë antarësimin në NATO.

Brenda tre vjetësh ndoshta, situata do të jetë krejtësisht ndryshe. Tensionet do të ulen, do të ketë më shumë tregti dhe më shumë marrëdhënie./REL

Sondazh

Poll

Berisha- Peleshit: Vasal i Ramës dhe armik i integrimit! Peleshi i heq fjalën: Mu drejto me etikë

Berisha- Peleshit: Vasal i Ramës dhe armik i integrimit! Peleshi i heq fjalën: Mu drejto me etikë

Policia largon me forcë ish-luftëtarët e UÇK-së, Dritan Goxhaj dhe Meçan Zotaj

Gjyqi për ‘Partizanin’/ Berisha: Procesi është ngritur mbi një piramidë të shembur mashtrimi!

Protesta para Kuvendit/ Qytetarët zhvendosen në hyrjen kryesore, presin të mbërrijnë deputetët

Berisha denoncon: Presidenti do të dekorojë Irena Gjokën me titullin ‘heroinë e Partisë Socialiste’

Berisha jashtë SPAK: Kushtetuesja është zotuar për të mos shqyrtuar çështjen time

Berisha tregon mesazhin: Dumani është avokati i narkoshtetit, drejtësia vonon, por nuk harron

Në zbatim të masës “detyrim paraqitje”, Berisha paraqitet në SPAK

Tensione në Komisionin e Jashtëm! Debatet e forta mbi deklaratën e ministres serbe për Kosovën

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin