LIVE UPDATES
Aktualitet

Dëbimi i serbëve nga banesat në veri/ REL: Cila është e vërteta?

Ato janë kryesisht banesa që ndërmarrja shoqërore Trepça ua ka ndarë punëtorëve të saj nga radhët e komunitetit shqiptar, në vitet ‘80 dhe ‘90.

19 Gusht 2025, 17:11 Nga E. D
Dëbimi i serbëve nga banesat në veri/ REL: Cila është e
foto ilustruese

KOSOVË- Një banesë, dy pronarë, para dhe pas luftës në Kosovë. Raste të tilla ka me dhjetëra në Mitrovicë të Veriut - pjesa veriore e Kosovës dhe gati në të gjitha njëri prej pronarëve është shqiptar dhe tjetri serb.

Ato janë kryesisht banesa që ndërmarrja shoqërore Trepça ua ka ndarë punëtorëve të saj nga radhët e komunitetit shqiptar, në vitet ‘80 dhe ‘90.

Por, pas përfundimit të luftës më 1999, një numër i madh i familjeve shqiptare që kanë jetuar në veri të Kosovës, ku serbët kanë qenë shumicë, i kanë lënë shtëpitë e tyre për arsye të sigurisë.

Kështu, disa persona thuhet se kanë humbur të drejtën e banimit në pronat e ndërmarrjeve shoqërore dhe, për të njëjtat prona, institucionet e kontrolluara nga Serbia u kanë dhënë vendime për përdorim qytetarëve të komunitetit serb.

Pronarët e rinj nga komuniteti serb pretendojnë se, ndërkohë, i kanë blerë ato, por ish-pronarët shqiptarë tani i kërkojnë të njëjtat.

Disa janë të zemëruar sepse, siç thonë, i kanë humbur shtëpitë, ndërsa të tjerë janë të lumtur që kanë arritur t’i rikthejnë pas 26 vjetësh.

Të dyja palët pretendojnë se kanë vendime pronësie.

Megjithatë, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës - e cila merret me pronat e uzurpuara pas luftës në Kosovë - nuk i njeh vendimet që posedojnë pronarët nga komuniteti serb.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë - UNMIK, i cili pas luftës ka krijuar një administratë të përkohshme, ka miratuar një rregullore, sipas së cilës çdo person që ka humbur të drejtën mbi pronën në periudhën nga 23 marsi 1989 deri më 24 mars 1999, për shkak të diskriminimit, ka të drejtë të kërkojë kompensim.

“Kompensimi mund të bëhet në formën e rikthimit të së drejtës pronësore ose si kompensim financiar”, thuhet në atë rregullore.

Sipas ligjeve në Serbi, e drejta e banimit në pronat e ndërmarrjeve shoqërore humbet, nëse përdoruesi nuk banon në banesë për më shumë se gjashtë muaj pa një arsye të justifikuar.

Zoran Janaçkoviq ka jetuar në banesën e tij në Mitrovicë të Veriut - të cilën prindërit e tij e kanë fituar në vitin 1999 dhe më pas e kanë blerë nga Trepça - deri më 6 gusht të këtij viti.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se, në fund të viteve ‘80, Trepça ka bërë shkëmbime banesash me një kompani tjetër dhe se banesa në Mitrovicë të Veriut atëkohë i është dhënë një shqiptari, i cili ka banuar aty deri në fund të viteve ‘90.

Ai shton se pronari i banesës ka vdekur ndërkohë dhe se, sipas ligjit të asaj kohe, Trepça e ka rikthyer pronën nën zotërimin e vet dhe më pas ia ka ndarë babait të tij.

Megjithatë, familja Janaçkoviq nuk ka mundur të zhvendoset në atë banesë që nga viti 2007, sepse, sipas Zoranit, ajo është uzurpuar nga një serb.

Në të njëjtën kohë, procedura për lirimin e saj ka ndërmarrë edhe familja e një shqiptari që ka jetuar aty deri në fund të viteve ‘90.

“Atëherë, Habitat-i [program i Kombeve të Bashkuara] ka vendosur që kjo banesë është e tyre, pa e ditur që edhe ne ekzistojmë dhe kemi vendimin tonë. Ndërkohë, ne kemi dashur që ta largonim ligjërisht këtë serb që ka uzurpuar banesën, ndaj kemi shkuar tek administrata e UNMIK-ut për të legalizuar në sistemin e Kosovës vendimin dhe kontratën e blerjes që kemi pasur me Trepçën”, rrëfen Janaçkoviq, duke shtuar se me konfirmimet e marra nga sistemi i Kosovës, kanë arritur ta nxjerrin jashtë personin që ka uzurpuar banesën e tyre.

Zoran Janaçkoviq thotë se deri vitin e kaluar, askush nuk e ka informuar se dikush po e kërkonte banesën e tij.

Kur familja e tij ka paraqitur dokumentet që tregonin se banesa i takonte asaj, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës i ka thënë se ato dokumente nuk njihen, sepse janë lëshuar nga “institucionet paralele” serbe.

Kosova i konsideron të gjitha institucionet që funksionojnë brenda sistemit serb në Kosovë si paralele dhe ilegale.

“Unë u kam thënë se si mund të mos vlejnë institucionet e UNMIK-ut, pasi ato, atëkohë, kanë qenë të vetmet të vlefshme si për ju, ashtu edhe për ne. Ata më kanë thënë: ‘Jo, ne nuk njohim asgjë para 2008-ës’ - kohë kur e kanë shpallur pavarësinë e tyre. Ata konsiderojnë se banesa tani është në pronësi të shqiptarit dhe se ai ka më shumë të drejta se unë, edhe pse unë kam vendim si në sistemin serb, ashtu edhe në atë të Kosovës”, thotë Janaçkoviq.

Janaçkoviq tregon se Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit - i ka gjetur familjes së tij strehim të përkohshëm, por shton se nuk do të heqë dorë nga banesa që është dashur ta lirojë.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të kontaktojë me personin që ka kërkuar dhe konfirmuar pronësinë mbi banesën ku ka banuar familja Janaçkoviq.

Megjithatë, REL-i ka biseduar me familjen Shipoli, e cila pas 26 vjetësh ka arritur ta rikthejë banesën e saj në Mitrovicën e Veriut, në të cilën ka jetuar një tjetër familje serbe – Janiqijeviq.

Edhe në këtë rast, dy veta pretendojnë se janë pronarë të ligjshëm të banesës.

Familja Janiqijeviq është dëbuar prej saj me ndihmën e policisë, më 23 korrik.

“Ne e kemi blerë banesën dhe kemi banuar aty. Pronari i ardhshëm nuk ka jetuar në banesë, ua ka dhënë me qira personave të tjerë dhe e ka humbur të drejtën e banimit. Tani, papritmas, ne po dalim nga banesa dhe ai po kthehet aty”, ka thënë Millojka Janiqijeviq për mediat lokale në gjuhën serbe, gjatë zhvendosjes.

Pronari shqiptar i banesës, Ferki Shipoli, thotë se banesa i është zënë prej vitesh.

Ai thotë se babai i tij e ka fituar atë nga ushtria jugosllave në vitet ‘70, ku ka punuar si bojaxhi.

“Është një ndjesi e mirë kur kthehesh në shtëpinë tënde pas 26 vjetësh. Por, për t’u kthyer, nevojitet një investim i madh, sepse gjithçka është e dëmtuar - që nga dritaret dhe dyert, për të mos përmendur banjën. Në atë banesë nuk ka asgjë nga ajo që ka qenë aty para luftës. Të gjithë fqinjët e tjerë kanë investuar në banesa, përveç kësaj familjeje që nuk ka investuar. Ajo e ka ditur që banesa nuk është e saj”, thotë Shipoli.

Ai, gjithashtu, pretendon se çdo dokumentacion mbi pronësinë e familjes Janiqijeviq, është i falsifikuar.

“Faturat e ujit dhe energjisë elektrike janë në emër të babait tim, Isa Shipoli”, thotë ai.

Përpara se familja Janiqijeviq të largohej nga banesa, ai thotë se ajo i ka kërkuar t’ia jepte me qira, por se ai nuk ka qenë i interesuar.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës thotë se është e detyruar t’i zbatojë vendimet e Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore, dhe se këto vendime nuk i nënshtrohen asnjë rishikimi, në përputhje me Rregulloren e UNMIK-ut 1999/23.

Ajo thotë se është e detyruar t’ua kthejë pronën paraqitësve të suksesshëm, duke e liruar atë nga shfrytëzuesit e paligjshëm.

Deri më tash, thuhet në përgjigje, “janë liruar 65 prona në pjesën veriore të Mitrovicës, të cilat, më pas, u janë kthyer pronarëve të ligjshëm”.

“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e situatës së sigurisë në rajonin e veriut të Mitrovicës, për një kohë të gjatë Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës ka qenë e kufizuar në zbatimin e vendimeve sipas mandatit të saj në këtë pjesë të Republikës së Kosovës. Megjithatë, ju informojmë se, për të garantuar respektimin e të drejtave pronësore dhe përmbushjen e mandatit të saj ligjor, që nga viti i kaluar Agjencia ka shqyrtuar kërkesat për kthim në posedim për 67 prona në pjesën veriore të Mitrovicës”, thuhet në përgjigje.

Aty, po ashtu, theksohet se janë bërë tentime për të shmangur “masat e detyrueshme ligjore për lirimin e pronave nga shfrytëzuesit e paligjshëm” dhe se janë bërë përpjekje për lirimin vullnetar.

“Për më tepër, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës ka zhvilluar takime me kryetarët e komunave përkatëse për të shqyrtuar mundësinë e gjetjes së akomodimit për qytetarët e prekur nga zbatimi i vendimeve të Agjencisë, të cilët potencialisht përbëjnë raste humanitare”, thuhet në përgjigjen e kësaj agjencie.

Problemi rreth dëbimit të familjeve serbe që kanë marrë banesa nga Trepça në vitet 1990, është aktualizuar në qershor të vitit të kaluar, kur Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës ka filluar t’i informojë ata se të njëjtat banesa po kërkohen nga pronarët e mëparshëm nga radhët e komunitetit shqiptar.

Atëkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës po përpiqet të dëbojë rreth njëqind familje serbe nga banesat e tyre dhe se këto janë banesa që janë blerë rreth 20-30 vjet më parë nga Trepça dhe ndërmarrje të tjera shoqërore.

Ai ka vlerësuar se bëhet fjalë për një “vendim politik”, duke e cilësuar atë si “vazhdim të politikës së dëbimit të popullit serb nga Kosova”.

Më 23 korrik të këtij viti, kur familja Janiqijeviq është dëbuar, Petkoviq ka reaguar sërish, duke thënë se shqiptari “ia ka marrë padrejtësisht banesën”.

Ai ka thënë se ky është “terrori” që po ushtron kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Ata gabojnë nëse mendojnë se serbët do të mbeten pa kulm mbi kokë”, shkroi Petkoviq në rrjetin social X.

Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës tha se deklaratat e Petkoviqit janë të pavërteta dhe të papranueshme, sepse nxisin tensione dhe minojnë sundimin e ligjit dhe bashkëjetesën.

Agjencia theksoi se banesa ku ka qëndruar familja Janiqijeviq është, në fakt, në pronësi të familjes së Ferki Shipolit.

Sipas saj, ky rast është zhvilluar në vitin 2005, “kur është vërtetuar se pala është pronare ligjore e pronës”.

Agjencia sqaroi se zbaton vendimet e institucioneve ligjore dhe shtoi se kthimi i pronave kryhet përmes procedurave të rregullta ligjore dhe zbatohet për çdo uzurpim të paligjshëm, pavarësisht nga etnia apo statusi i palës.

Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës ka mandat në të gjithë territorin e Kosovës.

Në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë, ajo tha se, aktualisht, ka nën administrim 11.224 prona të paluajtshme në të gjithë Kosovën, për të cilat, kur të paraqiten kërkesat, do t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për t’ua kthyer pronarëve të ligjshëm.

Në fillim të janarit të vitit 2022, Marija Novakoviq ka rikthyer banesën e saj në Prishtinë me ndihmën e kësaj agjencie dhe të Habitat-it.

Për këtë kthim, ajo ka pritur mbi 20 vjet.

Më herët, në vitin 2021, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës ka liruar edhe banesën e Dragica Gashiqit në Gjakovë - gjë që ka nxitur kundërshtime të ashpra nga komuniteti lokal shqiptar në atë qytet.

Gashiq, përndryshe, është gruaja e parë serbe që është kthyer në Gjakovë pas luftës në vitin 1999.

Megjithatë, ka edhe raste kur pronarët e kanë provuar pronësinë e tyre në gjykata, por nuk kanë mundur të rikthejnë pronën e tyre.

Në prill të vitit 2024, Radio Evropa e Lirë ka shkruar për Lubisha Ceroviqin nga fshati Bellopojë i Pejës, të cilit i është shitur në mënyrë të paligjshme toka pas luftës, ndërsa ai dhe familja e tij kanë qenë refugjatë në Serbi.

Ai nuk ka arritur ta kthejë këtë tokë as pas vendimeve gjyqësore në favor të tij.

Problemi i pronave të uzurpuara përmendet edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë për vitin 2023.

Në këtë raport theksohet, mes tjerash, se disa përfaqësues të serbëve të Kosovës kanë pohuar se institucionet qeveritare “nuk i kanë zbatuar vendimet e gjykatave në favor të serbëve të Kosovës, sidomos kur bëhej fjalë për mosmarrëveshje pronësore”./REL

kosove

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet