Politike

Vizita në shtëpinë e të miturës së përdhunuar në Kavajë, opozita ultimatum Ramës: Shkarko Spiropalin, një orë kohë për të fshirë videon

  • Përdhunimi në Kavajë, Rama zbulon identitetin e prindërve: Mediat të ruajnë privatësinë e vajzës (VD)
  • Me anë të një statusi në rrjetet sociale, deputetja e PD-së, Albana Vokshi i jep ultimatum Ramës të shkarkojë Spiropalin dhe të fshijë videon e vizitës brenda një ore. Kurse deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha citon ligjin për të drejtën e privatësisë së fëmijës së abuzuar. 
    Featured image of article: Vizita në shtëpinë e të miturës së përdhunuar në Kavajë, opozita ultimatum Ramës: Shkarko Spiropalin, një orë kohë për të fshirë videon Deputetja Albana Vokshi, kryeministri Edi Rama, deputetja Klajda Gjosha

    Partia Demokratike dhe LSI-ja kanë reaguar pas vizitës së ministres Spiropali në shtëpinë e të miturës së përdhunuar në Kavajë. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, deputetja e PD-së, Albana Vokshi i jep ultimatum Ramës të shkarkojë Spiropalin dhe të fshijë videon e vizitës Brenda një ore. 

    Postim i plotë i Albana Vokshit

    EDI RAMA TË SHKARKOJË MENJËHERË ELISA SPIROPALIN E TË HEQË VIDEON NGA FACEBOOK

    Pasi qeveria e tyre i ka braktisur, pasi policia e tyre dështoi, pasi e fshehën ngjarjen nga tetori në janar, pai thanë që ndodh edhe nëpër filma, në përpjekje për të mbuluar skandalin me shtirje, treguan sesa vlejnë fëmijët e shqiptarëve dhe sërisht nuk ndalen duke dëmtuar interesat e fëmijes së dhunuar dhe familjes.

    Zbulojnë identitetin e vajzës së vogel, gjë që s’e ka bërë asnjë media, vetëm për të bërë propagandë me viktimën e një sistemi që përdhunuesit i ka promovuar dhe u ka dhënë pushtet.

    Elisa Spiropali sot ka shkelur jo vetëm kodin moral të shqiptarit, por edhe kodin penal, që nuk lejon zbulimin dhe publikimin e identitetit të fëmijës së mitur në asnjë rrethanë. Premtimet për bursa, duke menduar që cdo gje mund ta blejne, është një sjellje me mendësi kriminale, si kriminelët që kërkojnë të blejnë heshtjen e viktimave të tyre.

    Premtimi premtimi për bursë studimi është si blerja e heshtjes së viktimave

    Si nënë, si grua, por edhe si kryetare e komisionit të arsimit, kërkoj shkarkimin e menjëhershëm të Elisa Spiropalit.

    Edi Ramës i kërkoj ta heqë menjeherë videon nga faqja e tij në facebook.

    Nëse ai nuk e bën këtë brenda 1 ore, AKEP duhet të bllokojë facebookun e Edi Ramës.

    Shpresoj shumë që një nga këto kërkesa të plotesohen në respekt të një vajze të traumatizuar dhe të një shoqërie që e ka përjetuar me dramë këtë fatkeqësi.

    Nëse nuk reagojnë, nënat nuk do t’ia falin këtë Edi Ramës!

    Pak më pas ka ardhur edhe reagimi i deputetes së LSI-së, Klajda Gjosha. Me anë të një statusi në facebook, Gjosha citon ligjin për të drejtën e privatësisë së fëmijës së abuzuar.

    Postimi i deputetes Klajda Gjosha

    Publikimi i imazhit të familjarëve të vajzës së mitur në Kavajë, me zë dhe figurë është shkelja më flagrante e ligjit “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”. Neni 17, Liria e jetës private, pika 3, e shpreh qartë se ‘privatësia e fëmijës respektohet në të gjitha fazat e procedurave gjyqësore apo administrative, duke përfshirë edhe publikimin e tyre në media’.

    Unë mund të kuptoj çdo gjë në këtë shtet, por që kryeministri të shkelë të drejtën e një fëmije të dhunuar për privatësi, është e papranueshmë dhe e dënueshme!

    Do ta ftoja të gjithë shoqërinë, institucionet dhe mediat të reagojnë për këtë veprim të paprecedentë!

    Para dy orësh kryeministri Edi Rama zbuloi identitetin e familjarëve të vajzës së përdhunuar në Kavajë. Ishte ministrja Spiropali, ajo e cila ka bërë një vizitë në familjen e të miturës së abuzuar të raportuar me video. Videoja u publikua në profilin e facebook të kryeministrit Edi Rama dhe kjo gjë ka sjellë reagimet e mësipërme nga opozita.

    (f.m/dosja.al)

    Shto Koment