"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar!
...
Sport
VIDEO/ Tirana, kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj për herë të 21-të...
Një trofe që kthehet në klubin bardheblu pas pesë vitesh, por që bëhet më i bukur, sepse erdhi me përmbysje.
4 Maj 2023, 21:35Nga DOSJA
TIRANE - Nga 0-2 për Besëlidhjen në 3-2, ndërsa salla kryesore e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, të enjten në mbrëmje është veshur me ngjyra bardheblu. Mbi 3.000 vetë në pallatin e sportit në kryeqytet kanë shijuar spektaklin e Tiranës, e cila ka fituar me 25 pikë diferencë ndaj Besëlidhjes në finalen e pestë për titull kampion.
89-64 shifrat përfundimtare në një loje, e cila ka nisur si e barabartë, të paktën në periodën e parë, e cila ka fiksuar shifrat 21-21. Luhet pikë më pikë në periodën e dytë, por përsëri me fitoren e Tiranës, 17-20 dhe në pushim, ekipi i Erkand Karajt ka kryesuar 38-41.
Shkëputja e madhe ka nisur në periodën e tretë, që Tirana e ka fituar 25-13 duke thelluar në 66-51. E fundit 13-23 po për Tiranën, për të vulosur shifrat 89-64 dhe bardheblutë shpallen kampionë të Shqipërisë.
Një trofe që e ka dorëzuar presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, së bashku me sekretarin e përgjithshëm, Korab Llazani. Por nuk kanë munguar në shpërndarjen e trofeve dhe sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ish-basketbollisti bardheblu, Gerti Shima dhe zëvendësministri i Arsimit dhe Sporti, Endrit Hoxha.
Julian Hamati është shpallur lojtari më i mirë i finaleve, kurse Redi Vogli ka ngritur kupën e 21-të të Tiranës në basketboll për meshkuj.
Sigurisht që ka patur dhe incidente dhe përplasje mes tifozerive, aq sa është dashur dhe ndërhyrja e forcave të rendit për qetësimin e situatë. Por në fund fitoi basketbollin me Tiranën kampione të sezonit 2022-2023.