LIVE UPDATES
Aktualitet

Shqiptarët e privilegjuar në Kosovë marrin pasaportë shqiptare, kryeson familja Pacolli

14 Maj 2019, 09:34 Nga DOSJA

Dekadën e kaluar, radhët e gjata jashtë ambasadave europiane ishin pamje mëngjesi në kryeqytetet anembanë Ballkanit, pasi shtetasit e vendeve që lindën nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe ata të Shqipërisë postkomuniste vargoheshin për të marrë një vizë për të udhëtuar në Perëndim.

Këto radhë tani kanë mbetur vetëm në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës; një simbol i shtetit të ri që po përjeton izolimin prej gati një dekade, pasi fqinjëve në Shqipëri, Mal të Zi, Serbi e Maqedoni të Veriut iu është dhënë e drejta për të udhëtuar pa viza në Bashkimin Europian.

Megjithatë, jo të gjithë kosovarët duhet të presin në radhë.

Kryeministri, Ramush Haradinaj, nuk ka nevojë për vizë dhe kjo gjë nuk është çudi;

as gruaja e tij; dy fëmijët e ish-kryeministrit, Isa Mustafa; djali i presidentit, Hashim Thaçi; shumë deputetë dhe ish-deputetë, si dhe një numër familjarësh të ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Të gjithë ata i bashkon një fakt: janë shtetas nderi të Shqipërisë fqinje, së cilës i është hequr regjimi i vizave në vitin 2010.

Praktika e dhënies së pasaportave për personat që konsiderohen si “interes i veçantë” është e zakonshme nëpër botë, shpesh si mënyrë për t’i nderuar të huajt e famshëm, për të shpërblyer ndonjë investim madhor ose për të forcuar ndonjë ekip sportiv, kombëtar.

Një hulumtim i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN, megjithatë thotë se sistemi në Shqipëri është shfrytëzuar për një numër në rritje të kosovarëve të frustruar – shumica prej tyre e përkatësisë etnike shqiptare – për të udhëtuar pa viza drejt Europës ose si mjet për të vizituar shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të cilat janë rreth 80 prej 193 shteteve anëtare në OKB.

Shumë nga këto pasaporta e përmbushin kriterin e “interesit të veçantë”- artistë, sportistë, aktivistë të OJQ-ve dhe të tjerë që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në Shqipëri.

Por ka edhe të tjerë, kontributi i të cilëve është i vështirë për t’u dalluar, përfitues të një procesi të mjegullt, në të cilin në disa raste ai që njihni çon më shumë peshë se ajo që dini. Për disa të privilegjuar, të cilët tashmë kanë letrat e BE-së, pasaporta shqiptare është thjesht një kujtim, një simbol i përkatësisë së tyre ndaj një kombi shqiptar.

Kalimi i radhës


Ilustrim: Trembelat

11 vjet që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia me mbështetjen e Perëndimit, kosovarët janë ende në pritje të së drejtës për të udhëtuar lirshëm në zonën pa kufi, Schengen, përderisa udhëtimet në shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, si dhe pasaportat, gjithashtu paraqesin problem.

Në qershor të vitit 2018, Komisioni Europian bëri të ditur se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura për liberalizimin e vizave, më i rëndësishmi nga të cilët ka qenë ratifikimi në Kuvend i Marrëveshjes për Demarkacion të kufirit me Malin e Zi dhe një forcim i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Vendimi tani mbetet në dorë të 28 shteteve anëtare të BE-së.

Dukej si një vendim që do merrej shpejt, por u shty, për shkak të hezitimit të disa vendeve anëtare të BE-së për t’i hapur dyert një fluksi të mundshëm të kosovarëve dhe për shkak të viteve të dështimit për t’i dhënë fund ryshfetit endemik dhe krimit të organizuar.

Por, ndërkohë që kosovarët e zakonshëm po paguajnë një çmim të lartë, disa, përfshirë anëtarë të familjeve të politikanëve që janë padyshim përgjegjës për procesin e ngadaltë të përparimit, e kanë gjetur një rrugë për ta mënjanuar problemin.

Duke punuar me një ekip të koduesve, BIRN ka përdorur një metodë për të nxjerrë nga fletorja zyrtare e Shqipërisë një nga një të gjithë emrat, të cilëve iu është dhënë shtetësia shqiptare që nga viti 2000 nën Nenin 9, paragrafi 7 të Ligjit shqiptar të Shtetësisë të vitit 1998 – rastet kur Tirana shquan “një interes shkencor, ekonomik, kulturor apo kombëtar”.

Lista e emrave që ka përpiluar BIRN nuk përfshin shtetësinë origjinale, por emrat e shqiptarëve etnikë përbëjnë shumicën dërmuese të 733 rasteve deri në fund të vitit 2018.

Brenda Ballkanit shqiptarë etnikë llogariten 90% e popullatës 1.8 milionëshe të Kosovës, si dhe ata në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Mal të Zi.

Që nga viti 2009, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi janë duke gëzuar të drejtën e lëvizjes pa viza në BE.

Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina e morën këtë të drejtë në fund të vitit 2010 dhe në vitin 2013 Shqipëria deklaroi se të gjithë shqiptarët etnikë kanë të drejtë të kërkojnë shtetësi shqiptare në bazë të etnisë, por përjashtoi Kosovën, në mënyrë që të mos e çrregullojë procesin e liberalizimit të vizave për shtetin e ri.

Proporcioni i saktë i shqiptarëve të Kosovës në listë nuk dihet, por nga emrat që BIRN-i ishte në gjendje të kontrollonte, duke marrë parasysh profilin publik dhe rrjetet sociale, del se shumica dërmuese vijnë nga shteti më i ri.

Thënë qartë, që nga koha kur BE e zgjeroi të ashtuquajturin Schengen i bardhënë Shqipëri, ka pasur rritje të ndjeshme të numrit të “shqiptarëve të privilegjuar”.

Nga 733 raste që nga viti 2000, 564 erdhën, pasi Shqipërisë iu dha liberalizimi i vizave.

Në vitin 2008 ishin vetëm tri raste, ndërsa në vitin 2012 ishin 72, kurse rekordi u arrit në vitin 2018 me 119 raste.

Lista përbëhet nga emra të njohur të biznesmenëve, gazetarëve, aktivistëve të shoqërisë civile, artistëve, sportistëve e sportisteve – shumë nga të cilët ia kanë borxh dhe i janë mirënjohës Shqipërisë që iu ka dhënë mundësinë e të pajisurit me një pasaportë për t’u ngritur në karrierë.

“Pas liberalizimit të vizave, ne u përballëm me kërkesa për shtetësi, sidomos nga njerëzit nga Kosova”, thotë për BIRN-in Ferdinand Xhaferraj, i cili ishte ministër i Kulturës, në kohën kur Shqipërisë iu dha liberalizimi i vizave.

Xhaferraj tha se çdo kandidat duhej ta meritonte këtë trajtim të veçantë dhe se çdo rekomandim nga një ministri apo organizatë e shoqërisë civile duhej të vinte me një dosje përplot me argumente.

“Të jem i sinqertë, rritja e kërkesave ishte logjike dhe, nëse kërkesa nuk binte ndesh me ligjin, ne e kishim detyrim t’i mbështetnim bashkatdhetarët tanë”.

Pa mbikëqyrje të pavarur


Ilustrim: Trembelat

Lista megjithatë përfshin një numër individësh të lidhur me politikën.

Aty qëndrojnë disa emra – Anita Haradinaj, gruaja e kryeministrit të Kosovës, e cila e mori shtetësinë me meritë të veçantë në vitin 2017, në të njëjtën kohë me burrin e saj;

Endrit Thaçi, i biri 20-vjeçar i presidentit Hashim Thaçi, i cili mori shtetësinë e nderit në maj të vitit 2018; Afërdita e Besnik Mustafa, vajza dhe djali i ish-kryeministrit, Isa Mustafa, të cilët e morën shtetësinë shqiptare në janar të vitit 2018; si dhe 15 anëtarë të familjes Pacolli.

Në një kohë kur mund të jetë e argumentuar se disa politikanë e biznesmenë i plotësojnë kriteret për shtetësi në bazë të ‘meritave të veçanta’, nuk ka asgjë në ligj që thotë se këtë trajtim duhet ta kenë automatikisht edhe anëtarët e familjeve të tyre.

Arsyeja specifike pse dikush mund ta meritojë shtetësinë e nderit – pse Shqipëria i sheh ata si ‘interes i veçantë’- është konfidenciale. Duke qenë se arsyeja specifike pse dikush mund ta meritojë shtetësinë e nderit është konfidenciale, është e pamundur të përcaktohet, nëse anëtarët e familjeve të politikanëve kryesorë kosovarë i kanë marrë pasaportat si rezultat i punës apo lidhjeve të tyre.

Megjithatë, Anita Haradinaj tha për BIRN-in se e ka marrë shtetësinë në bazë të “meritës speciale” për shkak të punës së burrit të saj.

Intervistat me disa nga ata që kanë marrë shtetësinë shqiptare, njerëz që kanë aplikuar dhe burime nga qeveria flasin për një proces me shumë pak udhëzime të qarta se si të aplikohet për shtetësi dhe si jepet ajo, por edhe për një mungesë të dukshme transparence.

Pas disa kërkesave për informacion mbi dokumentet zyrtare të dorëzuara në zyrën e Presidentit të Shqipërisë, si dhe kërkesave për informacion drejtuar disa ministrive të qeverisë, BIRN-it i është thënë se një informacion i tillë konsiderohet “e dhënë personale” dhe si e tillë nuk mund të jepet.

Një kërkesë për ndërmjetësim, e bërë te Komisionari për Informacion dhe Mbrojtje të të Dhënave Personale, mbeti pa përgjigje.

“Si është e mundur që merita e veçantë e dikujt të mbetet çështje private?” tha Spartak Ngjela, ish-ministër i Drejtësisë nga radhët e Partisë Demokratike, tani në opozitë, dhe ish-drejtues i Komisionit parlamentar të Ligjeve.

“Këtu nuk është në pyetje vetëm ligji për Informacionin, por edhe moraliteti i shtetit.”

Sipas ligjit shqiptar, vetëm presidenti ka autoritetin për të dhënë shtetësinë e nderit, zakonisht pas një propozimi nga një ministri specifike e qeverisë – shpesh ajo e Kulturës dhe Sporteve ose ajo e Ekonomisë.

Presidenti është i obliguar të sigurojë vetëm që kandidati nuk paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.

Duket se nuk ka mbikëqyrje të pavarur të procedurës.

Ngjela thotë se mungesa e udhëzimeve, transparencës ose mbikëqyrjes nënkupton se ligji lë mundësi për abuzime.

“Si mund të mos dyshojë dikush se ky proces iu është nënshtruar pazareve?” tha ai.

“Ne kemi vetëm një nen në ligj për këtë çështje dhe tërë procesit i mungojnë detajet”.

Është e qartë se dhënia e shtetësisë në këtë mënyrë është e drejtë e presidentit, por institucionet e tjera mund ta mbikëqyrin procesin, siç është Akademia e Shkencave për shembull”.

Shqipëria tani është duke konsultuar një ligj të ri që rregullon shtetësinë, i cili mund të çojë në udhëzime se si të vlerësohet “interesi shkencor, kulturor dhe kombëtar” në rastet e meritës së veçantë.

Manjati i ndërtimit


Ilustrim: Trembelat

Një mbiemër familjeje në mënyrë specifike doli në pah gjatë hulumtimit të BIRN-it: Pacolli.

I raportuar gjerësisht si një nga shqiptarët më të pasur në botë, Behgjet Pacolli, i lindur në Prishtinë, kontrollon firmën e ndërtimit Mabetex të regjistruar në Zvicër dhe që nga shtatori i vitit 2017 mban postin e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Nga më shumë se 700 personat që kanë marrë shtetësi nderi shqiptare që nga viti 2000, së paku 15 janë të lidhur me Pacollin. Duke filluar nga viti 2015, kur Bujar Nishani ishte President i Shqipërisë, vëllai i Pacollit, Selimi, gruaja dhe tre fëmijët e tij, katër kushërinj, si dhe disa anëtarë të tjerë të familjes së gjerë kanë përfituar shtetësi shqiptare.

I pyetur pse ka pranuar një numër kaq të madh shtetësish për familjen Pacolli, Nishani, një demokrat, tha për BIRN-in se ata janë propozuar nga ministra të qeverisë socialiste të Edi Ramës mbi bazën se kjo familje konsiderohet “investitor strategjik” në Shqipëri.

Ndërkohë që familja Pacolli ka disa interesa biznesi në Shqipëri, projekti më i madh ende po pret dritë të gjelbër. Mabetex, e cila kontrollohet dhe menaxhohet nga familja Pacolli, ka plan për të ndërtuar një resort turistik prej18 mijë shtretërish në Parkun Kombëtar të Karavastasë në Divjakë, por projekti pret miratimin e autoriteteve dhe përballet me kundërshtime të mëdha nga ambientalistët.

I pyetur për shtetësinë e tij, Selim Pacolli, i cili është bërë zëvendëskryetar i bashkisë së Prishtinës në dhjetor të vitit 2017, tha për BIRN-in: “Do duhej kohë e gjatë për t’i listuar të gjitha kontributet që familja e tij ka dhënë për shtetin amë. Ai, gruaja dhe fëmijët e tij nuk e kanë problem lirinë e lëvizjes në Europë, meqë kanë edhe shtetësi të zvicerane”, tha Selim Pacolli.

“Arsyeja pse kam aplikuar për këtë pasaportë, është që të kemi një dokument kombëtar me shqiponjë në të”, tha ai për BIRN, duke iu referuar shkabës dykrerëshe, simbol kombëtar i Shqipërisë.

“Është e tmerrshme që shtetasit e Kosovës nuk kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza në Europë, por përgjigjja për të duhet të kërkohet në institucionet më të larta shtetërore”, tha Selim Pacolli.

I pyetur për shumë nga të afërmit e tij që kanë marrë shtetësi shqiptare, Behgjet Pacolli tha se “të afërmit e mi kanë marrë pasaporta shqiptare se e kanë për krenari” dhe se “shumica absolute e tyre për arsye logjistike kanë pasaporta europiane”.

BIRN nuk ishte në gjendje të vërtetonte sa familjarë të Pacollit mbajnë pasaporta europiane dhe sa kanë kërkuar që nga “krenaria” të mbajnë pasaporta shqiptare.

Vetë Pacolli e ka marrë shtetësinë shqiptare në prill të vitit 2018. Ai gjithashtu ka edhe pasaportë zvicerane.

Në një deklaratë Mabetex tha për BIRN-in se kishte “luajtur rol të madh në zhvillimin e sektorit privat në Shqipëri në projekte dhe në punësim brenda dhe jashtë vendit”, por nuk iu përgjigj pyetjeve specifike rreth zhvillimit të Divjakës.

Nishani tha se në rreth 80 për qind të rasteve që përfshijnë kosovarët, shtetësia iu është dhënë futbollistëve dhe shpjegoi se ata ishin të shumtë në dy ose tri vitet e fundit të presidencës së tij, meqë Shqipëria e forcoi ekipin kombëtar me kosovarë.

“Disa nga ata ishin sportistë të mëdhenj, të cilët nuk mund të merrnin pjesë në ngjarje ndërkombëtare, për shkak se pasaporta kosovare nuk njihej, të tjerë ishin artistë të ndryshëm, të cilëve shtetësia iu dha me kërkesë të Ministrisë së Kulturës”, tha Nishani për BIRN-in.

“Disa ishin politikanë të rëndësishëm, përfaqësues të institucioneve shtetërore, të cilët nuk mund të merrnin pjesë në emër të Kosovës në aktivitete të rëndësishme politike, për shkak se pasaportat e tyre shpesh nuk njiheshin”.

“Jam krenar për të gjitha rastet, në të cilat unë kam dhënë shtetësi shqiptare për shqiptarët e Kosovës dhe më vjen keq që nuk kam mundur t’iu jap shtetësi të gjithë atyre që e kanë kërkuar, sepse ligji fatkeqësisht kishte disa kufizime”, tha ai për BIRN-in.

Nishani mohoi që procesit t`i mungonte transparenca, duke thënë se procedurat ishin qartësisht të garantuara në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.

I pyetur nëse sistemi po përdorej vetëm në interes të njerëzve të fuqishëm, Nishani u përgjigj: “Nëse me njerëz të fuqishëm nënkuptoni ata që janë anëtarë apo përfaqësues të institucioneve shtetërore në Kosovë, atëherë mendoj se kjo e ndihmon lëvizjen e tyre të lirë për të përfaqësuar shtetin dhe popullin e Kosovës dhe kjo është gjë e mirë”.

BIRN provoi të kontaktojë me Endrit Thaçin, të birin e presidentit Hashim Thaçi, përmes llogarisë së tij në Instagram, në të cilën ka gati 20 mijë ndjekës, por nuk mori përgjigje.

BIRN nuk mori përgjigje as nga presidenti Thaçi, as nga ish-kryeministri, Isa Mustafa.

Besnik Mustafa, i pyetur për familjen e tij, tha se ata “kanë ndjekur procedurat ligjore” dhe përmendi faktin që ai më herët kishte pasur leje qëndrimi në Shqipëri me qëllim që të merrte shtetësinë.

Fletorja zyrtare megjithatë përmend qartë se dy fëmijët e Isa Mustafës kishin marrë shtetësinë mbi bazën e “meritës së veçantë”.

BIRN gjithashtu provoi të kontaktojë me Afërdita Mustafën përmes Facebook-ut, por nuk mori përgjigje.

Donjeta Gashi, këshilltare Politike e Ramush Haradinajt, tha se kryeministri kishte marrë një pasaportë shqiptare në bazë të një vendimi të qeverisë së Shqipërisë “për ta nderuar atë”, por nuk komentoi rreth vendimit për t’i dhënë shtetësinë gruas së tij me ‘meritë të veçantë’.

Shtyrja e procesit

Në intervista me disa kosovarë që kanë marrë shtetësinë shqiptare ose janë në proces të aplikimit disa thanë se fuqia e raporteve personale ka luajtur rol të rëndësishëm.

Disa thanë se iu është dashur të kenë rekomandim mbështetës nga një institucion publik, të tjerë e morën atë pa pasur mbështetje. Për disa procedura ishte e ngatërruar.

“Kam dëgjuar dhjetëra raste, në të cilat shtetasit e Kosovës kanë marrë shtetësi në mënyrë të përshpejtuar. Unë shoh se procesi është i papërshtatshëm dhe pa meritokraci”, shkroi Alba Alishani, një gazetare e lindur në Kosovë dhe drejtuese e një emisioni televiziv në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, në përgjigje të pyetjes së BIRN-it.

Ajo ishte në proces aplikimi mbi bazë të punës si gazetare.

Në vitin 2010, Flamur Vezaj, një gazetar shqiptar nga Kosova, kërkoi nga Ministria e Kulturës ta rekomandojë te presidenti që t’i jepet shtetësia e ‘meritës së veçantë’ për kontributin e tij në gazetarinë shqiptare. Ministria, tha ai, bashkëpunoj.

Por, pas pesë muajsh pritjeje pa një përgjigje nga zyra e Presidentit, Vezaj vendosi ta shtyjë përpara procesin dhe kërkoi përmes miqve të përbashkët të takojë sekretarin e Përgjithshëm të Presidencës, tashmë të ndjerin Aleksandër Flloko.

“E takova dhe i kërkova që propozimi të miratohet, tha ai për BIRN-in. “Besoj se sikur të mos e kisha takuar, rasti im do të mbetej në arkiv”.

Zyra e Presidentit tha se nuk mund të komentojë rreth këtyre dyshimeve, për shkak se Flloko tashmë ka vdekur.

Marrë nga BIRN

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

aktualitet aktualitet birn familja pacolli familjet e politikanëve të kosovës marrin pasaportë shqiptare birn familja pacolli familjet e politikanëve të kosovës marrin pasaportë shqiptare

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet