LIVE UPDATES
Politike

Reforma Zgjedhore, ambasadori Borchardt ‘ultimatum’ palëve: Deri në fund të vitit të miratohet

14 Tetor 2019, 18:25 Nga DOSJA
Reforma Zgjedhore, ambasadori Borchardt ‘ultimatum’ palëve:

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt i bëri thirrje komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore të gjejë një zgjidhje, maksimumi deri në fund të këtij viti. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ambasadori Borschardt nxiti prokurorinë të punojë shumë intensivisht për të gjitha shkeljet, qofshin presion i paligjshëm ndaj zgjedhësve, qofshin shitblerje të votës apo shkelje të tjera.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, në Shqipëri flitet shumë shpesh për zgjedhjet, për reformën dhe është arritur që në Kodin Zgjedhor të ndërhyhet afro 12 herë, në 29 vjet. Çfarë mendoni se u mungon zgjedhjeve në Shqipëri dhe cila reformë do të ishte, le të themi, definitive, për të mos ndërhyrë më, të paktën për një kohë të gjatë?

Ambasador Bernd Borchardt: Shumë faleminderit për këtë pyetje. Do të doja të qartësoja të tërë tablonë e debatit. Së pari, OSBE/ODIHR-i ka formuluar, që prej vitit 2013, rekomandime për përmirësimin e Kodit Zgjedhor. Pjesa e dytë e diskutimit, nisi pas zgjedhjeve të 2017-s dhe kishte të bënte me përdorimin e teknologjive të reja në votim dhe me votimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Pjesa e tretë e debatit është më e vonë dhe ka të bëjë me ndryshimin e tërë sistemit zgjedhor. Po i shtjelloj paksa të tria këto aspekte.

Së pari, rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Për ne, këto janë rekomandime. Ne nuk kemi mandat ekzekutiv këtu dhe, sigurisht, as që duam të kemi. Por patjetër, ne do të dëshironim të ndihmojmë Shqipërinë të përmirësojë sistemin e saj zgjedhor, përmes zbatimit të këtyre rekomandimeve. Për këtë qëllim, vitin e shkuar, organizuam gjashtë takime pune të gjera, ku u diskutuan praktikat më të mira. Rekomandimet janë të shumta; disa janë shumë teknike, por disa nga aspektet më të rëndësishme janë: përcaktimi i mekanizmave për të shmangur presionin ndaj administratës publike gjatë zgjedhjeve, shmangia e abuzimit të administratës gjatë zgjedhjeve, hetimi i të gjitha akuzave për abuzime, përfshirë shitblerjen e votës, depolitizmi i administratës zgjedhore, përmirësimi i financimit të fushatave, mbikëqyrja e financimit përmes një KQZ-je të depolitizuar, ndalimi i kronikave të gatshme të përgatitura nga partitë dhe lejimi i gazetarëve për të ndjekur veprimtaritë dhe për të raportuar në mënyrë të pavarur. Ka edhe shumë të tjera. Disa rekomandime janë tepër teknike, prandaj nuk po ndalem në to. Në këto tryeza, kemi diskutuar se si zgjidhen këto probleme në vende të tjera, në sisteme të tjera. Ne do të vijojmë të mbështesim Shqipërinë në këtë mënyrë. Vendimi i parlamentit gjerman, që kërkon nga Shqipëria zbatimin e reformës, i jep një hov të ri këtij debati. Në fund të vitit të shkuar, u hartuan dy projektligje që adresonin rekomandimet e OSBE/ODIHR-it deri në vitin 2017. Njëri prej tyre mbulonte rreth 90 për qind të tyre, ndërsa projektligji tjetër ishte paksa më i dobët, por, gjithsesi, janë një pikënisje e mirë.

Aspekti i dytë i diskutimeve është ai për teknologjitë e reja të votimit dhe ai i votimit të shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Edhe për këto dy çështje, organizuam dy takime pune vitin e shkuar dhe diskutuam me ekspertët e partive se si mund të arrihen. Për votimin e emigrantëve ekzistojnë modele të ndryshme dhe ekspertët tanë paraqitën të mirat dhe të këqijat e secilit model, qoftë ai i votimit në ambasada apo me postë. Sa i takon votimit elektronik, ekspertët tanë, gjithashtu, shpjeguan përparësitë, të metat dhe rreziqet. Nëse bëhet online, rreziqet janë të larta. Nëse bëhet offline, përgatitjet duhet të nisin shumë kohë më parë, pasi duhet zhvilluar një fushatë e hollësishme për t’u shpjeguar zgjedhësve se si funksionon. Pasi duhet siguruar që të moshuarit nëpër fshatra, të cilët nuk luajnë me smartfon përditë, të jenë në gjendje të përdorin pajisjen e votimit. Kjo është e bëshme, për kërkon kohë për t’u zbatuar dhe është shumë e kushtueshme. Një aspekt tjetër është numërimi elektronik, i cili është shumë më i lirë dhe më i lehtë.

Aspekti i tretë i diskutimit, i cili ka filluar kohët e fundit, është debati për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Edhe ky ka dy anë. Nga njëra anë, kemi rregullat e përgjithshme. Rregulli i përgjithshëm, që është një rekomandim i fortë nga ne dhe nga Këshilli i Evropës, është që, nëse ndryshohet sistemi, kjo të ndodhë të paktën një vit përpara zgjedhjeve, në mënyrë që njerëzit të informohen si duhet. Nga ana tjetër kemi pyetjen: çfarë lloj sistemi zgjedhor? Ne nuk bëjmë rekomandime. Ekzistojnë shumë sisteme të ndryshme, që të gjitha legjitime dhe që mund të funksionojnë, por vetëm shqiptarët mund të vendosin se cili është sistemi më i mirë për vendin. Nëse ju, shqiptarët, me politikanët dhe deputetët tuaj, vendosni me shumicë se cilin sistem doni, ajo që mund të bëjmë ne është t’ju vëmë në dukje aspektet teknike të atij sistemi që duhen pasur parasysh. Ky do të ishte roli ynë në këtë kontekst. Ky diskutim është ende në fazë mjaft të hershme. Tryeza, që organizuam në fund të shtatorit, kishte pikërisht të bënte me këtë diskutim, me këto elemente.

Së fundi, do të doja të theksoja që, për ne, gjëja më e rëndësishme janë rekomandimet. Duket se ato janë element themelor edhe në debatin e BE-së, prandaj ne do ta nxitim komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore të punojë në këtë drejtim dhe të gjejë një zgjidhje, maksimumi deri në fund të vitit.

Zëri i Amerikës: Partia Demokratike jashtë parlamentit propozoi në tryezë ngritjen e një strukture të re me ekspertë të OSBE-së, Bashkimit Evropian, dhe SHBA, duke mos njohur komisionin aktual bipartizan të reformës . Si e vlerëson OSBE-ja këtë propozim?

Ambasador Bernd Borchardt: Këtu ngërthehen dy aspekte. Njëri aspekt është si të diskutohen çështjet e zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it apo çështja e sistemit të ri zgjedhor dhe kjo mund të bëhet në tryeza pune, si ato që organizuam vitin e kaluar. Ne jemi më se të gatshëm t’i organizojmë këto takime pune. Ka edhe kërkesa të tjera, si ajo e parlamentit gjerman, për shembull, për të ndryshuar mënyrën e financimit të partive. Do të ishim më se të lumtur të organizonim debate edhe për këtë çështje. Nuk mund të flas në emër të partnerëve tanë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo të Bashkimit Evropian, por besoj se edhe ata do të ishin të gatshëm të kontribuonin në këtë debat. Di që edhe partnerë të tjerë të Shqipërisë dhe miqtë tanë të Këshillit të Evropës kanë punuar me strukturat shqiptare për financimin e partive, për shembull. Por, sa i takon vendimarrjes, kushtetuta e Shqipërisë e përcakton shumë qartë: duhet shumicë e cilësuar në parlament.

Zëri i Amerikës: Pra propozimin e PD-së, e shihni jashtë kornizës parlamentare dhe PD-ja është e ftuar të marrë pjesë aty, apo jo?

Ambasador Bernd Borchardt: Komisioni i posaçëm i ka bërë ftesë Partisë Demokratike, por nëse ata nuk duan të marrin pjesë në komision, unë do t’i nxitja të jepnin kontributin e tyre në diskutime. Nëse Partia Demokratike dëshiron ta bëjë këtë në një format tjetër dhe të pasurojë diskutimet – dhe unë e di që ata kanë ekspertë të shkëlqyer – ne do të ishim të gatshëm t’i ndihmonim. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë një kornizë për këto diskutime. Por vendimi merret nga Shqipëria dhe vendimet merren brenda kornizës kushtetuese. Se si mund të diskutohen këto vendime përpara se të merren, kjo është çështje tjetër.

Zëri i Amerikës: Ekspertët dhe vëzhguesit e zgjedhjeve shohin një përkeqësim të situatës, bazuar te rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, pikërisht kur bëhet fjalë për shitblerjen e votës, një term që nuk ka ekzistuar në rekomandimet e mëhershme. Ju rekomandoni dhe hetime të të gjitha akuzave përfshi dhe shitblerjen e votës. Si i vlerësoni deri tani hetimet për këto çështje?

Ambasador Bernd Borchardt: Më lejoni të jemi i saktë. Raporti i OSBE/ODIHR-it thoshte që ka akuza të përhapura gjerësisht për blerjen e votave dhe se kjo ul besimin e publikut në procesin zgjedhor, prandaj duhet bërë më shumë në këtë fushë. Ekzistojnë disa rekomandime se si mund të bëhet kjo dhe në kuadër të diskutimeve të komisionit të posaçëm, vitin e shkuar, pati disa ide. Një rekomandim kryesor i zgjedhjeve të fundit, i cili nuk fokusohej te blerja e votës, por te të gjitha llojet e shkeljeve në kuadër të zgjedhjeve, ishte hetimi i plotë dhe i menjëhershëm. Pas zgjedhjeve të 2017-s, pati rreth 400 akuza për blerje vote. Policia dërgoi rreth njëqind në prokurori dhe, në raportin e fundit të prokurorisë, thuhej që katër hetime vazhdonin. Kjo është shumë pak. Unë e nxis prokurorinë të punojë shumë intensivisht për të gjitha shkeljet, qofshin presion i paligjshëm ndaj zgjedhësve, qofshin shitblerje të votës apo shkelje të tjera.

Zëri i Amerikës: Deputetët e opozitës në parlament e kushtëzojnë votën e tyre për reformën zgjedhore me ndryshimin e sistemit. Pa votën e tyre kjo reformë nuk miratohet. A krijon kjo vështirësi?

Ambasador Bernd Borchardt: Besoj se nëse ka vullnet politik, rekomandimet e OSBE/ODIHR-it mund të zbatohen apo të paktën, të hartohen dhe të dakordësohen në komisionin e posaçëm, deri në fund të vitit. Vitin e kaluar u bë shumë punë dhe nëse kjo punë merret për bazë, është e mundur të arrihet kjo gjë. Debati për rishikimin e sistemit zgjedhor filloi në fund të shtatorit. Mendoj se, për të, do të duhet më shumë kohë. Pra, do të ishte sfidë e madhe të përmbyllet deri në fund të vitit. Por megjithatë duhet bërë deri në pranverë ose në fillim të verës të vitit tjetër, pasi ekziston një rekomandim shumë i fortë nga Këshilli i Evropës dhe OSBE/ODIHR-i që ndryshimi i sistemit të bëhet jo më vonë se sa një vit përpara zgjedhjeve. Pra puna duhet zhvilluar në paralel.

Zëri i Amerikës: Kemi një insistim të vazhdueshëm nga opozita për zgjedhje të parakohshme. A mund të jetë gati reforma në rast zgjedhjesh të parakohshme?

Ambasador Bernd Borchardt: Di që ka shumë spekulime për zgjedhje të parakohshme, por Shqipëria ka një kushtetutë dhe sipas kësaj kushtetute, zgjedhjet zhvillohen në vitin 2021, pra diçka më shumë se pas një viti e gjysmë. Ka mekanizma në kushtetutën e Shqipërisë për zgjedhje të parakohshme, por ky është një vendim politik, në të cilin unë, sigurisht, nuk kam zë.

Zëri i Amerikës: Pra, për një reformë të plotë, të saktë, që respekton edhe afatet e Kodit Zgjedhor, sa kohë duhet? Pra, jemi gati për zgjedhjet e 2021-shit?

Ambasador Bernd Borchardt: Këto janë rekomandime të forta nga OSBE/ODIHR-i nga Këshilli i Evropës, pra që ndryshimi i sistemit zgjedhor të bëhet jo më vonë se një vit përpara zgjedhjeve.

Marrë nga VOA

(k.m/dosja.al)

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

politike politike bernd borchardt reforma zgjedhore tryeza per reformen zgjedhore bernd borchardt reforma zgjedhore tryeza per reformen zgjedhore

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet