LIVE UPDATES
Aktualitet

Punëtorët grevistë të Poçemit, viktimat e privatizimit të dështuar të ARMO

23 Shkurt 2020, 12:16 Nga DOSJA
Punëtorët grevistë të Poçemit, viktimat e

Bastri Sabaj, pompist i nënstacionit elektrik dhe hidrik të Poçemit është futur në grevë urie prej një jave së bashku me 8 punëtorë të tjerë, të cilët kanë pa marrë 27 rroga dhe nuk paguhen asnjë kacidhe prej 5 muajsh.

“Gjithë këtë periudhë kam jetuar me të marrë borxh,” thotë 53-vjeçari, baba 5 fëmijëve. “Në grevë urie jam futur vetëm për lekët që kam pa marrë,” shpjegoi ai, i shtrirë mbi një batanije në sallën e komandimit të fiderave të nënstacionit, i cili furnizon me energji elektrike dhjetra fshatra në njësitë administrative të Fratarit, Poçemit, Kutës, Klosit, si dhe rafinerinë e Ballshit.

“Nuk po kërkoj rritje rroge, por kërkoj thjesht lekët sa ke vendos të m’i japësh ti, ato lekë kërkoj,” tha ai, duke rrjedhur në një bisedë imagjinare me administratorët e kompanisë, për të cilët thotë se kanë gënjyer duke i ushqyer me premtime.

Nënstacioni i Poçemit u privatizua në vitin 2008 si pjesë e Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, e cila sot administrohet nga kompanitë Tosk Energji dhe Bylis Energji. Në tetor 2019, rafineria e Ballshit e ndërpreu punën, pasi kompania Bankers Petroleum i kufizoi furnizimin me naftë bruto, duke lënë mijëra punëtorë të papunë.

Ndryshe nga punëtorët e tjerë të kompanisë, punëtorët e nënstacionit elektrik dhe ata të pompave në fshatin Poçem nuk e kanë luksin të mos paraqiten në punë, edhe pse nuk paguhen. Për shkak të statusit të nënstacionit si ‘objekt strategjik’ për rafinerinë dhe furnizimin me ujë dhe energji elektrike të Mallakastrës, mesazhi i kompanisë ka qenë i qartë.

“Do t’iu fusim brenda – brenda në burg, pasi nuk lejohet të lihet puna,’ kujton Sabaj.  “Këto pompa ushqejnë me ujë 75%-80% të Mallakastrës,” shpjegoi ai, ndërsa zhurma e stacionit të pompimit të burimit të Poçemit depërtonte në sallën e komandimit, ku grevistët ishin mbledhur të shtrirë përqark dy furnelave elektrike.

Tosk Energji fajëson kompaninë Bankers Petroleum për pezullimin e prodhimit në rafineri, duke nënvizuar se kjo e fundit nuk mund të prodhojë nëqoftëse nuk furnizohet me 50,000 ton naftë bruto në muaj.

“Ju më mirë se unë e dini se ajo rafineri duhet të punojë më të paktën 50,000 ton në muaj naftë bruto dhe jo me sasitë e ofruara nga Bankers Petroleum, që asnjëherë nuk e kanë kaluar sasinë prej 20,000 ton në muaj,” iu drejtua përmes një letre të hapur grevistëve, administratori i Tosk Energji, Blerim Hoxha.

Prej gati 13-muajsh, Tosk Energji ka depozituar një ankesë në Autoritetin e Konkurrencës kundër Bankers Petroleum, për të cilën ka filluar një hetim, por ende nuk ka një përfundim nga Autoriteti.

Pas deklaratë së Hoxhës, ka reaguar dhe kompania Bankers Petroleum, e cila e ka akuzuar Tosk Energji se ka prishur në mënyrë të njëanshme marrëveshjen midis dy palëve për furnizimin e rafinerisë me naftë.

“Bankers Petroleum Albania tashmë ka ngritur padi në Gjykatën e Tiranës për shpifje, bazuar në deklaratat e rreme të bëra nga përfaqësuesit e Tosk Energy & Bylis Energy në të kaluarën,” tha kompania.

“Ne i qëndrojmë fort deklaratave tona të mëparshme, të cilat bazohen në fakte të vërteta dhe kjo është arsyeja pse ne kemi qenë gjithmonë bashkëpunues me çdo hetim në lidhje me veprimtarinë tonë, përfshirë edhe atë nga Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës,” shtoi Bankers.

Kompania Tosk Energji nuk i përgjigj një kërkese për koment nga BIRN. Edhe Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës nuk komentoi deri në botimin e këtij shkrimi, nëse kishte një plan afatshkurtër ose afatgjatë për gjetjen e një zgjidhjeje për stacionin elektrik në Poçem.

Përpara privatizimit të vitit 2008, ARMO ishte një kompani e shëndetshme financiarisht. Kompania nuk kishte borxhe ndaj bankave dhe furnitorëve dhe përveçse punësonte mijëra punëtorë mbi organikë, i paguante shtetit rreth 30- 35 milionë USD në vit nëpërmjet taksave të akcizës, tatim-fitimit, sigurimeve shoqërore dhe taksës së karbonit.

Ajo u privatizua në vitin 2008 nga biznesmeni famëkeq i hidrokarbureve, Rezart Taci për 128 milionë euro nëpërmjet kompanisë të regjistruar në Zvicër, AMRA Oil. Operacioni i privatizimit u financua nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit.  Pas privatizimit të kompanisë së hidrokarbureve nga AMRA Oil, problemet me mospagimin e taksave dhe tatimeve u shfaqën shpejt.

Ndërsa Rezart Taçi shfaqej në publik si një biznesmen i suksesshëm duke blerë vepra arti në ankande bamirësie dhe duke financuar ndeshje futbolli midis Realit të Madridit dhe Milanit me skuadrën e qytetit të lindjes, Gramozin, ARMO akumulonte borxhe ndaj tatimeve dhe palëve të treta.

Kur kompania u shit në vitin 2013 tek një fond azer investimesh, Heaney Assets Corporation e regjistruar në Ishujt Britanik Virgjin – një parajsë fiskale e njohur, detyrimet ndaj tatimeve arrinin në 73.2 milionë USD dhe kompania ishte e koletarizuar për rreth 47.5 milionë USD në banka.  Në momentin e shitjes tek azerët, ARMO kishte më shumë se 100 milionë USD të pashlyera ndaj palëve të treta.

Megjithë borxhet e ARMO-s,  70% të aksioneve të Rezart Taçit në AMRA Oil iu shitën Heaney Assets Corporation për 35 milionë euro. Pasi mori kontrollin e kompanisë ARMO në gusht 2013, kompania azere e pezulloi punën për 1 vit dhe më pas lidhi dy marrëveshje kontraktuale me kompanitë Deveron Oil dhe TP&D Oil, për dhënien me qira të rafinerisë së Ballshit dhe asaj të Fierit.

Pas dhënies me qira të dy rafinerive, për shkak se kompania ARMO mbarte të gjitha detyrimet fiskale, ato ndaj punëtorëve dhe koston për energji elektrike dhe ujë, borxhet e saj u rritën në mënyrë eksponenciale pas vitit 2014.

Një raport i Ministrisë së Energjisë i shkurtit 2016, një kopje të cilit është siguruar nga BIRN, tregon që deri në janar 2016, ARMO kishte për të paguar ndaj kreditorëve një shumë prej 595 milionë USD gjithsej.

Ngjashëm me ARMO-n, edhe Deveron Oil edhe TP&D Oil akumuluan borxhe ndaj buxhetit të shtetit. Sipas Ministrisë së Energjisë, në janar 2016 kompania “Deveron” ka pasur për të paguar borxhe prej 81.2 milionë USD. Ndërsa TP&D Oil ka pasur për të likuiduar në atë periudhë 55.2 milionë USD borxhe.

Në një ankand të dyshimtë në tetor 2016, Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh i kalon Bankës Credins, për shlyerjen e një kredie. Banka nga ana e saj ia jep me qira kompanisë Ionian Refining and Trading Co, IRTC.

E regjistruar në Ishujt Virgjin Britanikë, IRTC kishte në krye të Këshillit Mbikëqyrës Mustafa Abu Naba’a- biznesmen domenikan i njohur në arenën ndërkombëtare të tregtisë së naftës dhe Harry Sargeant IV, një biznesmen amerikan nga Florida. Që prej dhjetorit 2016, administratori i IRTC në Shqipëri është emëruar Mitat Sulaj, vëllai i pronarit të kompleksit ‘Taiëan’ në Tiranë, Besnik Sulaj.

Pasi menaxhoi rafinerinë për gati një vit, edhe IRTC u tërhoq si paraardhësit e saj duke akumuluar dhjetëra miliona euro borxhe ndaj shtetit. Pas tërheqjes së IRTC, si pronar i rafinerisë shfaqet një tjetër kompani e regjistruar jashtë vendit, Allum Enterprises.

Nga ana e saj, Allum Enterprises ia kalon në mars 2018 administrimin rafinerinë së Ballshit kompanive Tosk Energji dhe Bylis Energji, të cilat janë në pronësi të dy kompanie zvicerane, CFD Conseils Sarl dhe PGFS Pilotage & Gestion S – të dyja të lidhura me avokatin Christophe Darbord.

Darboard nuk është një emër i panjohur në fushën e industrisë së naftës në Shqipëri. Nga viti 2013 deri në vitin 2015, ai ka shërbyer si administrator i kompanisë ARMO, në periudhën kur kjo e fundit kontrollohej nga  fondi i investimeve nga Azerbajxhani – Heaney Assets Corporation.

Operacionet e kompanisë Tosk Energji në rafinerinë e Ballshit – nga marsi 2018 në tetor 2019, janë financuar nga kompania Gunvor, së cilës më vonë i kanë kaluar 50 % të aksioneve të Tosk Energji. E themeluar në vitin 2000 nga oligarku rus, Genady Timchenko dhe biznesmeni suedez Torbjorn Tornqvist, Gunvor është kompania e katërt më e madhe në botë e tregtimit të naftës bruto. Në vitin 2014, për shkak të sanksioneve të vendosura nga SHBA ndaj Timchenkos, ai ia shiti aksionet e tij partnerit suedez, Torbjorn Tornqvist.

Bajram Binjaku, elektricist në nënstacionin e Poçemit që kur filloi të instalohej gati gjysmë shekulli më parë, ankohet se kompanitë e ndryshme që e kanë marrë në dorë rafinerinë pas privatizimit, e kanë keqmenaxhuar atë në kurriz të punëtorëve.

“Vijnë kompanitë, shfrytëzojnë nëntokën tonë, marrin naftën dhe të mirat materiale dhe punëtorët i lënë në rrugë,” tha Binjaku, cili nuk ka hyrë në grevë urie për shkak të moshës dhe gjendjes shëndetësore. “Nuk jemi për të parën herë, por për të katërtën dhe të pestën herë që ne mashtrohemi,” shtoi elektricisti 64-vjeçar, që është dhe punëtori më i vjetër i nënstacionit.

Mallakastra pa drita dhe ujë

Stacioni i pompave dhe ai elektrik në Poçem filloi të ndërtohej në vitin 1972 dhe përfundoi në vitin 1975. Ai përdorte ujë nga burimin i Poçemit për të furnizuar rafinerinë e Ballshit. Në sallën e komandimit të stacionit elektrik, Festim Lalaj më tregon fiderat e ndryshëm që ushqehen me energji nga ky nënstacion.

“Ky nënstacion është ndërtuar në vitin 1975, në pronësi dhe në përdorim të Uzinës, sepse është i bashkangjitur stacioni elektrik dhe stacioni i pompimit, janë bërë vetëm për një qëllim, për t’u çuar ujë Uzinës dhe uji është i pazëvendësueshëm për të gjitha proceset teknologjike në Uzinë,” shpjegon Lalaj, që punon si operator ose elektricist i parë në nënstacionin e Poçemit.

“Duke qenë së është i fuqishëm dhe nga më modernit që ka qenë në atë kohë, u vendos dhe në përdorim të popullatës, ose siç ka qenë të energjetikës dhe furnizon disa fidra komunalë,” shtoi ai.

Sipas Lalaj, përveç rafinerisë së Ballshit dhe puseve të naftës, nënstacioni i Poçemit furnizon mbi 30 fshatra në njësitë administrative Fratar, Kutës, Poçem dhe Klos. Nënstacioni i pompave furnizon gjithashtu me ujë qytetin e Ballshit dhe të gjithë fshatrat përreth. Ndërkohë, edhe nënstacioni tjetër i pompimit në Kutë, i cili furnizon me ujë Fratarin, merr energji elektrike nga nënstacioni elektrik i Poçemit.

“Ndërprerja e energjisë elektrike do të thotë me një fjalë ndërprerja e jetës në Mallakastër,” tha Lalaj.

Një zëdhënës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i tha BIRN se kompania ishte në dijeni të problemit dhe kishte planifikuar prej vitesh një investim për të ndarë fiderat që furnizojnë me energji elektrike fshatrat e Mallakstrës nga ato të rafinerisë së Ballshit, ndërsa shtoi se privatizimi i nënstacionit me rafinerinë kishte qenë një zgjedhje e gabuar.

Ik se të vrava, rri se të vrava

Nënstacioni i Poçemit ka aktualisht 9 elektricistë dhe 8 pompistë në organikën e tij. Për shkak të ndryshimeve të shpeshta të pronësisë së rafinerisë së Ballshit, këta punëtorë kanë 27 rroga të prapambetura pa marrë, ndërkohë që prej muajit tetor nuk paguhen nga kompania Tosk Energji, edhe pse janë të detyruar të paraqiten në punë.

“Nuk e kemi ndaluar punën, sepse e kemi të shkruar në kontratë, e gjitha kjo është një objekt strategjik i rëndësisë së veçantë, i cili me furnizon me energji elektrike rreth 70 % të Mallakastrës dhe rreth 90 % të Mallakastrës e furnizon me ujë,” shprehet Lalaj.

Lalaj shpjegon se Kodi i Punës dhe kontrata me kompaninë Tosk Energji i dikton punëtorëve të nënstacionit që të mos e braktisin detyrën, ndryshe mund të ndiqen penalisht dhe rrezikojnë 1 deri në 3 vjet burg.

“Ne për të ndenjur kemi ndenjur, por nuk është se mund të rrimë dot më, ky ishte fundi me një fjalë, fundi i çdo gjëje,” tha ai.

Në fillim të vitit, 17 punëtorët e nënstacionit të Poçemit bënë një peticion drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministres së Energjetikës, Belinda Balluku dhe prefektit të qarkut Fier, Beki Bala, duke u kërkuar një zgjidhje për problemin e pagave deri më 12 shkurt. Pasi nuk morën asnjë përgjigje, nëntë prej punëtorëve që ishin në shëndet të mirë u futur në grevë urie më 14 shkurt, ndërsa të tjerët si Lalaj – i cili vuan nga hipertensioni, i mbështesin pa marrë pjesë në grevën e urisë.

“Me kompaninë kemi bërë kontakte dhe nuk na e ka vënë veshin njeri, nuk na ka pyetur njeri fare,” tha Lalaj. “Asnjë nuk mban përgjegjësi për ne, thjesht, firmat venë dhe ikin dhe ne mbetemi në punë,” shtoi ai.

Pas një jave në grevë, punëtorët kanë filuar të shfaqin probleme me hipertensionin dhe dehidratimin dhe dy prej tyre të mërkurën po trajtoheshin me serum.

Sokrat Lame punon prej 32 vitesh në nënstacionin e Poçemit. I shtrirë mbi një batanije, Lame e krahasoi trajtimin e punëtorëve të rafinerisë ‘me fashizëm të gjallë.”

“Më keq s’ka ku vete, po vete ditë e gjashtë sot, nuk kemi asnjë lloj përgjigje nga shteti, sepse ne punojmë për shtetin,” tha 57-vjeçari.

“Pavarësisht që e anashkalojnë, që ne jemi privat, ne jemi në punë 24 orë, jemi një nënstacion jetik që punohet në çdo sekondë dhe në çdo minutë,” shtoi Lame.

Kolegu i tij, Luan Hushaj, një pompist 54 vjeç, shpjegon se shumica e bashkëshorteve të punonjësve të nënstacionit – që dikur punonin gjithashtu në rafineri, e humbën punën shumë vite më përpara për shkak të një politike të kompanisë që mbante vetëm një anëtar familjeje të punësuar.

“Ore nuk na pyet njeri fare, mirë kompania që nuk na pyet, por ne nuk kemi dhe shtet, këtu është një institucion që transporton ujë dhe energji,” u ankua Luani.

“I faturohet dhe komunitetit i gjithë, ato i fusin lekët në arkën e shtetit dhe ne nuk na kthejnë asnjë kacidhe,” tha ai, ndërsa shtoi se zgjidhja halleve të tyre “është shumë e thjeshtë, por nuk duan ta bëjnë.”

Përpara se të fillonte punë në nënstacionin e Poçemit pas privatizimit, Festim Lalaj, 51 vjeç ka punuar si elektricist në sektorin e remontit të rafinerisë së Ballshit. Burrin me trup të bëshëm dhe sy jeshilë përçues, baba i tre fëmijëve, e tradhton një lot që i rrjedh mbi faqe teksa kujton borxhet që ka marrë për të shkolluar vajzën e madhe – studente në degën e Kimisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës.

“E kam shumë mirë me mësime, e kam të shkëlqyer,” thotë ai, ndërsa ndez një cigare për të mbledhur veten. “Kam marrë kredi për fëmijët, kam marrë borxhe, kam marrë dhe kredi për gruan që e operova, ke kalamajtë e kemi dobësinë” më shpjegon Lalaj, ndërsa shton se situata ku ndodhet “është maskarallëk, ik se të vrava, rri se të vrava.”

Ngjashëm me Festimin, edhe kolegu i tij, Sokrat Lame po i shkollon dy djemtë me borxhe dhe kredi. I madhi studion për inxhinieri ndërtimi, kurse i vogli për gjeologji burimesh.

“Unë jam vet i pestë dhe vetëm unë jam me rrogë,” thotë Lame. “Në këtë moment që ata janë në shkollë, unë jam në krizë,” shtoi ai.

Bajram Binjaku shpjegon se i kanë njoftuar të gjitha instancat shtetërore mbi rëndësinë e nënstaciont për Mallakastrën, por shton se të gjithë bëjnë një vesh shurdh dhe ‘askush nuk do t’ia dijë.”

“Ne nuk lëmë dot punën se me Kushtetutë, uji dhe dritat janë jetike. Jemi të ndërgjegjësuar edhe vetë, se lëmë tërë këtë komunitet, fëmijët tanë, motrat tona – e tërë Mallakastra merr ujë këtu,” tha ai. “Problemi është ‘krenari që jemi shqiptarë, por gjynah që jemi në Shqipëri,” përfundoi ai.

Marrë nga Reporter.al

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet armo punëtorët grevistë të poçemit armo punëtorët grevistë të poçemit

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet