LIVE UPDATES
Bota

Preferencat për djem në Mal të Zi, qeveria kërkon zvogëlimin e përqindjes së vajzave

9 Qershor 2021, 09:56 Nga DOSJA
Preferencat për djem në Mal të Zi, qeveria kërkon

MAL I ZI– Gjatë debatit të fundit në Parlament për zvogëlimin e përqindjes së vajzave të porsalindura në Mal të Zi, një ligjvënës “e dënoi sinqerisht” trendin, por tha se është rezultat i pashmangshëm i “teknikës” mjekësore dhe i gjendjes së botës sot.

“Çdo qytetar ka të drejtë të ndikojë në riprodhimin e fëmijëve të tij”, tha Dragan Ivanoviq, deputet i koalicionit qeverisës, gjatë një fjalimi më 24 maj.

Përdorimi i abortit për të zgjedhur djem përballë vajzave është i paligjshëm në Mal të Zi – vend me 623,000 banorë – qysh në vitin 2009.

Por, komentet e Ivanoviqit nuk shkaktuan bujë tek aleatët e koalicionit, shumica e të cilëve u zgjodhën me një platformë të mbështetjes së fuqishme për Kishën Ortodokse Serbe, e cila e kundërshton abortin.

Ivanoviq, megjithatë, mori vëmendjen e mbrojtësve të të drejtave të grave.

Drejtoresha ekzekutive e Lobit të Grave në Mal të Zi, Aida Petroviq, i cilësoi deklaratat e tij si “të turpshme” dhe të barasvlershme me “mbështetjen e publikut për abortet selektive”.

Qendra për të Drejtat e Grave – një OJQ në Podgoricë që lufton për ndalimin e atyre që njihen si aborte në bazë të gjinisë – tha se “e drejta” në të cilën është thirrur Ivanoviq është joekzistente dhe shkelje e Kushtetutës së Malit të Zi dhe ligjeve kundër diskriminimit.

“Një anëtar i Parlamentit malazez duhet ta dijë këtë”, tha Qendra për të Drejtat e Grave.

Duke nuhatur zemërimin, politikanët e tjerë u bashkuan.

Partia Demokratike e Socialistëve në opozitë tha se deklaratat pasqyrojnë një qeveri të prapambetur, që i trajton gratë si “të padëshiruara”.

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Alleksa Beçiq, i kërkoi falje publikut dhe bëri thirrje për “mesazhe respekti për të drejtën e secilit për të lindur, pavarësisht nëse fetusi është mashkull apo femër”.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për barazinë gjinore, Bozhena Jellushiq, i dënoi deklaratat e Ivanoviqit, ndërsa abortin selektiv e përshkroi si kancer në shoqërinë malazeze.

Më 25 maj, Ivanoviq kërkoi falje gjithashtu. Ai tha se i kundërshton abortet selektive dhe se deklaratat e tij ishin “të pamatura”.

“U kërkoj falje të gjitha nënave dhe të gjithë atyre që u prekën” nga deklaratat, tha Ivanoviq.

Danijella Gjuroviq, aleate partiake e Ivanoviqit dhe anëtare e Komisionit parlamentar për barazinë gjinore, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se Ivanoviq e ka thënë atë që “për fat të keq, është realitet në Mal të Zi” dhe se ai e ka dënuar atë.

“Pozicioni i tij është se diskriminimi për shkak të gjinisë, para lindjes ose pas lindjes, ose për ndonjë arsye tjetër, është diçka që padyshim është e papranueshme”, tha Gjuroviq.

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe ekspertë të tjerë pajtohen se ndryshimi që ndodh natyrshëm në lindjet e njerëzve, aktualisht është rreth 105 meshkuj për 100 femra.

Diferenca ose çekuilibri midis numrave të pritur dhe shifrave aktuale të një vendi është rezultat i faktorëve të shumtë, por shpesh është një shenjë treguese e abortit selektiv.

Në raste të tilla, gratë shtatzëna përdorin rezultatet e teknologjisë – të dizajnuara për të dalluar anomalitë e fetusit – për të vendosur nëse do ta mbajnë ose jo një fetus.

Procedurat e tilla, bashkë me braktisjen pas lindjes, janë të zakonshme në Kinë dhe Indi, ku paragjykimet kulturore dhe të tjera i inkurajojnë preferencat për djem.

Edhe pse trajektorja e tij është përmirësuar pak gjatë dekadës së kaluar, Mali i Zi ka një nga 10 çekuilibrat më të lartë në botë: rreth 108 djem të porsalindur për 100 vajza, në vitin 2020.

Për shkak të rritjes së aborteve selektive pas rënies së komunizmit, Mali i Zi i ka ndaluar ato më shumë se një dekadë më parë.

Përdorimi i testeve të hershme gjenetike për të përcaktuar gjininë është gjithashtu i ndaluar me ligjin malazez.

Megjithatë, ekspertët e Kombeve të Bashkuara dhe ata evropianë kanë vlerësuar më herët se Mali i Zi vuan më shumë se shumica nga çekuilibri i lindjeve.

Tregues të shumtë për një dukuri të tillë ka edhe në fqinjët e tij rajonalë: Shqipëri, Kosovë dhe pjesë të Maqedonisë së Veriut.

Në vitin 2012, komisionari i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut ka nxitur, por pa sukses, autoritetet malazeze që të hetojnë mbizotërimin e aborteve selektive.

Dy vjet më vonë, Këshilli i Evropës ka kërkuar ndalesa kombëtare midis vendeve anëtare, duke e cilësuar praktikën si “një rast të qartë diskriminimi, me elemente të forta të dhunës fizike dhe psikologjike”.

Afati i fundit për të kryer abort të ligjshëm në Mal të Zi është dhjetë javë pas mbetjes shtatzënë.

Një indeks i madh kombëtar për barazinë gjinore, i porositur dhe zhvilluar nga organet lokale, të BE-së dhe të Kombeve të Bashkuara, është publikuar dy vjet më parë, duke e nxjerrë Malin e Zi me 55 pikë – prapa mesatares së BE-së prej 67+.

Kohëve të fundit, disa studime sociologjike, antropologjike dhe etnografike kanë sugjeruar se Mali i Zi mbetet i cenueshëm ndaj abortit selektiv, të bazuar në gjini.

Diana Kiscenko, ligjëruese e antropologjisë sociale në Universitetin Riga Stradins, publikoi në muajin prill një studim etnografik për “preferencat ndaj djemve dhe praktikat e trashëgimisë në Mal të Zi”.

Në raportin që përmbante studimin, autorët vunë në dukje lidhjet komplekse midis rrethanave materiale dhe ekonomike në njërën anë dhe mendësitë shoqërore dhe kulturore në anën tjetër.

Ata përmendën edhe rolin e farefisnisë dhe marrëdhëniet pronësore në praktikat gjinore.

“Është diçka shumë komplekse”, tha Kiscenko për Radion Evropa e Lirë.

“Nuk ka të bëjë vetëm me traditën, ku djali vazhdon trashëgiminë, merr pronën e familjes, biznesin dhe shihet si ai që do të kujdeset për prindërit e plakur, por edhe me aspektet praktike të jetës së përditshme të burrave dhe grave në Mal të Zi”, tha ajo.

Sipas saj, situata në Mal të Zi është “statistikisht e vështirë për t’u vlerësuar” për shkak të përmasave, ndërsa “studimet faktike janë të pakta”.

Në studim, Kiscenko nxjerr përvojën e një nëne të re nga Podgorica, të cilën e quan “Ivana”, për të ilustruar pengesat familjare, të punës dhe pronësisë, me të cilat përballen gratë në Mal të Zi.

Edhe pse të varfër, prindërit e Ivanës fituan para duke shitur rroba, për të ndërtuar shtëpinë e tyre dykatëshe në Podgoricë.

Ivana kishte një motër më të madhe, por gjithmonë dëshironte edhe një vëlla më të vogël.

Më vonë, ajo mësoi se babai i saj dhe familja e tij po ia kërkonin me ngulm nënës së saj të njëjtën gjë.

Përfundimisht, Ivanës dhe pjesës tjetër të familjes iu plotësua dëshira.

Disa vite më vonë, sipas Ivanës, nëna i tregoi asaj dhe motrës së shtëpia e familjes do t’i jepet vëllait të tyre, ndërsa ato duhet të martohen “për të siguruar shtëpinë”.

“U mësova me këtë”, tha Ivana.

Sipas Kiscenkos, Ivana më vonë e kuptoi se nëna e saj, sa herë që ka mbetur shtatzënë, ka shkuar në Beograd për të zbuluar gjininë e fetusit – nëse do të ishte vajzë, do ta abortonte.

Nëna e Ivanës iu nënshtrua katër aborteve gjatë një dekade.

Jennifer Zenovich, një ligjëruese në Universitetin shtetëror të San Franciskos, që shkroi një auto-etnografi për “pronën e gjinisë” në Mal të Zi në vitin 2016, tha për Radion Evropa e Lirë se ajo “dyshon se ekziston një epidemi e abortit të fetuseve femra” atje.

Ajo përmendi këtu nivelin e ulët të lindjeve, koston e një procedure të tillë, stigmat kulturore, praktikat e kontrollit të lindjeve dhe numrat e grave të punësuara.

“Unë do të thosha se pronësia dhe trashëgimia e pasurisë, si një praktikë gjinore, ndikojnë në shtatzënitë dhe abortet në Mal të Zi. Megjithatë, nuk do të pohoja se janë të vetmet arsye për dikë që të ndërpresë shtatzëninë”, tha Zenovich.

Sipas saj, shtatzënat kanë “absolutisht të drejtë” për të marrë vendime në lidhje me trupin e tyre.

“Arsyet pse dikush përfundon një shtatzëni ndikohen me siguri nga ana kulturore, por vendimi për të pasur një fëmijë ose jo është përfundimisht i personit shtatzënë”, tha Zenovich.

Sipas saj, raportet për çekuilibër gjinor në shoqëri “mund të shkaktojnë shqetësime nacionaliste për shtetin dhe aftësinë e tij për të riprodhuar”.

Por, Christophe Guilmoto, demograf dhe studiues në Qendrën për Popullsinë dhe Zhvillimin, pranë Universitetit të Parisit, i cili ka shkruar gjerësisht për abortin selektiv në Ballkan dhe në botë, është i bindur se Mali i Zi ka problem.

Për më tepër, sipas tij, Mali i Zi është “i pastudiuar dhe i vetmi vend sllav ku mund të evidentohen abortet selektive në bazë të gjinisë”.

Në vitin 2017, Qendra për të Drejtat e Grave, me seli në Podgoricë, ka bërë një fushatë të ndërgjegjësimit publik, të titulluar “E padëshiruar”.

Me të është bërë përpjekje që Qeveria të detyrohet ta kufizojë në mënyrë më agresive abuzimin me testet e paralindjes dhe të ndalojë abortin selektiv.

Organizatorët kanë sfiduar “vlerat negative patriarkale”, ndërsa kanë theksuar ngurrimin e grave për të folur hapur për përvojat e tyre.

Sipas Agjencisë së Statistikave në Mal të Zi Monstat, bilanci në vitin 2020 ka qenë 108 djem për 100 vajza.

Shifra më e ulët e dekadës është regjistruar më 2016, me 104 djem për 100 vajza. Kjo shifër ka dalë pas lindjes së 3,850 djemve dhe 3,719 vajzave.

Sipas Guilmotos, ndalimi dhe kriminalizimi i abortit selektiv “është një strategji e domosdoshme, por nuk është domosdoshmërisht efektive”.

Qeveritë duhet “të marrin një qëndrim dhe t’u thonë mjekëve se ajo që po bëjnë ata, është në kundërshtim me ligjin”, u shpreh ai.

Guilmoto përmendi edhe lehtësinë me të cilën gratë mund të shkojnë në një vend për testimin që përfshin edhe identifikimin e gjinisë së një fetusi dhe pastaj të shkojnë diku tjetër për të kryer abortin.

Sipas tij, çekuilibri në Mal të Zi është përmirësuar gjatë dekadës së fundit dhe “mbase në 15 ose 20 vjet, problemi do të zgjidhet”.

Ai tha se “ideja për të pasur shumë djem është në rregull në letër, por nuk është e qëndrueshme”.

Ministria e Arsimit e Malit të Zi ka bërë të ditur se 35,719 djem dhe vetëm 32,787 vajza janë regjistruar në shkollat fillore të vendit në vitin 2020.

Sipas Guilmotos, mbizotërimi i djemve mund të ndikojë në gjëra si martesa, punësimi e madje edhe migrimi.

Ai tha se gratë luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në shumë aspekte të shoqërisë së Malit të Zi, çfarë u jep atyre më shumë të drejtë për të vendosur për strukturën e familjes.

“Shumë gra në Mal të Zi nuk duan ta luajnë më atë lojë”, tha Guilmoto, “kështu që struktura e familjes po ndryshon dhe ‘nevoja’ për djem po zvogëlohet”.

Marrë nga REL.

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

rajoni rajoni christophe guilmoto diana kiscenko dragan ivanovic jennifer zenovich christophe guilmoto diana kiscenko dragan ivanovic jennifer zenovich

Sondazh

Poll

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale