LIVE UPDATES
Politike

Vetëvendosja, nga lëvizje kundër pushtetit në pushtet kundër të gjithëve

Kriza politike në qendër është thelluar nga pamundësia e VV-së për të gjetur partnerë koalicioni, ndërsa kritikat ndaj kreut të partisë, Albin Kurti, lidhen me taktizime dhe përpjekje për të krijuar realitete të reja juridike përmes krizave.

16 Nëntor 2025, 09:40 Nga E.d
Vetëvendosja, nga lëvizje kundër pushtetit në pushtet
Foto ilustruse

Lëvizja Vetëvendosje po e portretizon situatën politike si një front të bashkuar kundër saj, megjithëse vëzhguesit thonë se ky narrativ është më shumë strategjik se real. Kriza politike në qendër është thelluar nga pamundësia e VV-së për të gjetur partnerë koalicioni, ndërsa kritikat ndaj kreut të partisë, Albin Kurti, lidhen me taktizime dhe përpjekje për të krijuar realitete të reja juridike përmes krizave. Përveç disa rezultateve pozitive në ekonomi dhe punësim, qeverisja e Kurtit është karakterizuar edhe nga tensionet me aleatët perëndimorë.

“Të gjithë janë bashkuar kundër nesh”, thotë Albin Kurti duke përshkruar skenën politike në Kosovë sipas Lëvizjes së tij Vetëvendosje. Për partinë më të madhe në vend, çdo veprim i opozitës është një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj saj. Por për disa vëzhgues, ky perceptim është më shumë një zgjedhje strategjike e Vetëvendosjes sesa pasqyrë e realitetit politik. Natën e rundit të dytë të zgjedhjeve lokale, më 9 nëntor, kreu i Vetëvendosjes trumbetoi fitoren e partisë së tij në shtatë komuna të Kosovës, përkundër atyre që ai i quajti kushte të pazakonta politike.

“I falënderoj kandidatët tanë, ekipet e tyre, shtabet zgjedhore dhe aktivistët tanë, të cilët kanë pasur një betejë të jashtëzakonshme, meqenëse në të gjitha këto raste, të gjithë të tjerët janë bashkuar kundër Vetëvendosjes”, tha Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë.

Në vazhdën e këtij diskursi, ai edhe në një postim në Facebook, ku falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen në balotazh, tha se Vetëvendosjen “s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve”.  Këtë qasje e përforcoi edhe bashkëpartiaku i tij, Xhelal Sveçla, i cili humbjen e Vetëvendosjes në Prishtinë e cilësoi si rezultat të “koalicionit të pazareve”, e jo ideve. Në një postim në Facebook, ai shkroi se “koalicioni LDK-PDK-AAK, oligarkë e disa kuazimedia do t’i kushtojnë më së shumti qytetarit. Mbetet që angazhimi ynë të minimizojë dëmin e zvogëlojë çmimin, gjithmonë në të mirë të qytetarit e shoqërisë”. Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë, nuk e sheh situatën si një front të bashkuar kundër Vetëvendosjes. Ai thekson se në zgjedhjet lokale, kjo parti ka bashkëpunuar me pothuajse të gjitha partitë tjera, ashtu si edhe të tjerat me njëra-tjetrën.

“Për shembull, AAK-ja e ka përkrahur Vetëvendosjen në Fushë Kosovë; Vetëvendosja e ka përkrahur AAK-në në Junik; Vetëvendosja e ka përkrahur PDK-në në Dragash, e kështu me radhë. Të gjitha këto kanë ndodhur në këto zgjedhje lokale, përkundër polarizimit në nivel qendror të partive politike”, thotë Ymeri për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Në skenën qendrore, Vetëvendosje nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme në zgjedhjet e 9 shkurtit për të qeverisur e vetme, dhe dështoi të gjente partnerë për bashkëpunim. Me asnjërën palë që nuk pranonte kushtet e tjetrës, Kuvendi mbeti i bllokuar dhe Qeveria vazhdon të funksionojë në detyrë. Mandatarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i skadon afati ligjor për të paraqitur përbërjen e re qeveritare më 19 nëntor. Pa mbështetjen e partive të tjera, rruga e Kosovës duket e hapur drejt zgjedhjeve të parakohshme. Partitë e mëdha tashmë kanë deklaruar se nuk do të japin votë për Konjufcën. Përfaqësuesit e tyre akuzojnë Kurtin se ka humbur tetë muaj me manipulime e taktizime politike, ndërsa situata aktuale, sipas tyre, dëshmon se partia e tij nuk mund të sigurojë shumicën “as në ëndrrat më të mira”.

Në sytë e vëzhguesve, të dyja taboret që vetëparaqiten si konstruktive, kanë mundur të bëjnë më shumë, por barra kryesore bie mbi partinë më të madhe, e cila, duke pasur mundësi për të ndërmjetësuar dhe lehtësuar dialogun, ka zgjedhur të forcojë narrativin e polarizimit. Agon Maliqi thotë se Vetëvendosjes i ka shërbyer narrativi i “forcës më të mirë kundër gjithë së keqes së të shkuarës” në vitin 2021, kur ka fituar mbi 50 për qind të votave. Por sot, ky mesazh ka humbur fuqinë dhe nuk e mbështet më partinë si dikur.

“... për shkak se partitë ish-opozitare nuk janë më njësoj, edhe ato kanë lidership tjetër. Është dukur qartë edhe në zgjedhjet e fundit nacionale se ato kanë pasur rritje dhe e kanë kthyer një pjesë të besimit - jo të gjithën. E, po ashtu, edhe në zgjedhjet lokale kanë fituar shumë komuna”, thotë Maliqi për Exposenë.

Vetëvendosje edhe në zgjedhjet nacionale të vitit 2019 ka dalë e para, por me rreth një të katërtën e votave, ka qëndruar në pushtet vetëm rreth 50 ditë, pasi koalicioni me LDK-në është shembur.

Rritja e partisë dy vjet më vonë i është atribuar pjesërisht edhe aleancës së Kurtit me presidenten e atëhershme në detyrë, Vjosa Osmani, e cila është larguar nga LDK-ja për t’iu bashkuar Kurtit.

E njohur për veprime provokuese, si hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend, Vetëvendosje ka lindur në fillim të viteve 2000 si një lëvizje proteste kundër elitave vendore dhe ndikimit ndërkombëtar në Kosovën e pasluftës - atëherë nën administrimin e OKB-së.

Me hyrjen në politikë në vitin 2011, ajo ka nisur të transformohet në një forcë institucionale, duke zbutur me kohë edhe tonin e saj radikal. Në zgjedhje ka garuar me narrativ kundër korrupsionit, duke e paraqitur veten si alternativë ndaj klasës së vjetër politike, e cila, sipas saj, ka abuzuar me pushtetin. Sipas analistit Agon Maliqi, edhe tani duket se bëhet fjalë për një përpjekje të Vetëvendosjes për ta imponuar vullnetin e saj me çdo kusht, duke e përsëritur në një formë tjetër logjikën e forcës që dikur kritikonte.

“Po rikthehet në origjinën e saj, në projektin e saj që e vë në dyshim jo vetëm dialogun me Serbinë, Marrëveshjen e Brukselit, por edhe vetë natyrën e sistemit juridik të Kosovës, pra Pakon e Ahtisaarit. Dhe, e vetmja mënyrë për t’i çmontuar disa elemente të saj, është shkaktimi i një krize kushtetuese. Ky është i vetmi shpjegim përse një parti insiston të barrikadohet në këtë formë, sepse një parti që do të donte të qeveriste, do të gjente mënyra për të bashkëpunuar me së paku njërën prej partive të tjera të mëdha”, thotë Maliqi.

Maliqi, duke përmendur edhe sulmet e Vetëvendosjes ndaj institucioneve të pavarura, si Gjykata Kushtetuese, vlerëson se qëllimi i Kurtit është të krijojë realitete të reja juridike përmes krizave. Radio Evropa e Lirë kërkoi komente nga Lëvizja Vetëvendosje për këtë temë, por pa sukses. Ndërkohë, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë në shtator, vetë Kurti deklaroi se Kosova ka nevojë për “një republikë të tretë”.

“E kemi thënë disa herë që Kosova ka nevojë për një republikë të tretë, por jo si një republikë e shpallur në Kuvendin e saj prej 120 deputetësh, pra jo si një republikë e re, por si një republikë e rinuar, si një republikë e përtrirë, e cila frymon sipas idealeve përparimtare të rilindasve shqiptarë”, tha Kurti.

Në të njëjtën mbledhje, ai theksoi se bllokadat dhe pengesat nuk vijnë vetëm nga partitë kundërshtare, por edhe nga vonesat e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka 18 ligje në pritje të vendimmarrjes. Sipas tij, kjo situatë pengon zhvillimin e vendit dhe kufizon funksionimin e demokracisë, ndërsa tregon përpjekjen e Vetëvendosjes për të çuar përpara agjendën e saj edhe në kushte të vështira.

Qeveria e Kurtit, ndër vite, e ka gjetur veten në raporte të Departamentit amerikan të Shtetit për korrupsion qeveritar, apo të Reporterëve pa Kufij për kufizimin e lirisë së mediave.

Por, papunësia nga viti 2021 ka qenë në trend të rënies dhe rritja ekonomike është sjellë nën 4 për qind. Pagat dhe pensionet janë rritur, ashtu si edhe investimet e huaja direkte.

E, ajo që e ka karakterizuar më së shumti qeverisjen e Kurtit ka qenë përpjekja e tij për të zgjeruar autoritetin e Kosovës në veri të vendit, përmes veprimeve si heqja e dinarit serb dhe mbyllja e institucioneve të Serbisë. Këto masa, ndonëse në përputhje me vizionin e tij për një Kosovë sovrane, i kanë shkaktuar tensione me BE-në dhe SHBA-në. Visari Ymeri, një nga figurat e larta të Vetëvendosjes që ndër vite kanë dezertuar nga partia, thotë se polarizimi politik e shoqëror është një strategji e vetëdijshme e Vetëvendosjes. Sipas tij, edhe pse partia pretendon të jetë e hapur për bashkëpunim, në praktikë ushqehet nga përplasja me të tjerët - një fenomen që Ymeri e konsideron të ri në skenën politike të Kosovës pas luftës.

“Te partitë tjera politike, që i kemi pasur në të kaluarën, natyrisht që ka pasur kundërshtime, shpeshherë edhe shumë të zjarrta, madje edhe armiqësi... por nuk ka ekzistuar logjika ‘ne dhe ata’. Ato e kanë parë procesin e shtetndërtimit në Kosovë si bashkëpunim. Dhe ky bashkëpunim ka rezultuar, pastaj, në rritje të kohezionit shoqëror - pra në depolarizim të shoqërisë”, thotë Ymeri. Ymeri thekson se dalja nga situata e krijuar kërkon vetëdijesim të të gjitha partive se bashkëpunimi dhe kompromisi janë thelb i politikës, sidomos në periudha krizash.

“Për ta shpëtuar demokracinë, nevojitet bashkim i forcave, edhe mes atyre që nuk pajtohen”, thotë ai, duke shtuar se nuk do të dëshironte që zgjidhja të vinte përmes ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare.

“Unë mendoj se shoqëria kosovare duhet të piqet që vetë t’i zgjidhë problemet, e ky është një prej problemeve që e kemi sot. Këtë ngërç unë e shoh pak me vlerë në këtë drejtim. Nuk e di nëse do ta ketë këtë rezultat, por ngërçet nganjëherë janë të mira, sepse i mësojnë shoqëritë për një domosdo tjetër, të cilën nuk e shohin pa e pasur problemin”, thotë Ymeri.

Edhe komentet në rrjetet sociale dhe debatet televizive japin pamjen e një ndarjeje të thellë në shoqëri, por një anketë e zhvilluar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan në periudhën maj-korrik të këtij viti, nxori në pah se vetëm 38 për qind e qytetarëve të Kosovës e shohin të nevojshëm ndryshimin e udhëheqësve kryesorë dhe të partive në pushtet. Nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të reja këtë vit, nuk është ende e qartë, por Vetëvendosje, ndonëse ‘e rrethuar nga kundërshtarë’ sipas saj, mbetet tash për tash ajo që përcakton fushën dhe ritmin e lojës./REL

vetëvendosja albin kurti politika

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet