LIVE UPDATES
Politike

Nga mikëpritja te hetimi/ BIRN: Historia e ndërlikuar e opozitës iraniane në Shqipëri

Kjo u bë e qartë në fillim të gushtit përmes një deklarate të përbashkët të 14 shteteve Perëndimore, përfshirë Shqipërinë, të cilat denoncuan përpjekjet e shërbimeve inteligjente iraniane për të përndjekur disidentë, politikanë, gazetarë dhe minoritete fetare në territoret e tyre.

1 Shtator 2025, 14:47 Nga I.A
Nga mikëpritja te hetimi/ BIRN: Historia e ndërlikuar e opozitës
Foto Ilustruese

Edhe pse lufta 12 ditore që shpërtheu në qershor në Lindjen e Mesme mund të ketë përfunduar, Republika Islamike e Iranit konsiderohet sot një kërcënim serioz për sigurinë e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo u bë e qartë në fillim të gushtit përmes një deklarate të përbashkët të 14 shteteve Perëndimore, përfshirë Shqipërinë, të cilat denoncuan përpjekjet e shërbimeve inteligjente iraniane për të përndjekur disidentë, politikanë, gazetarë dhe minoritete fetare në territoret e tyre.

“Ne jemi të bashkuar në kundërshtimin e përpjekjeve të shërbimeve inteligjente të Iranit për të vrarë, marrë peng apo përndjekur njerëz në Europë dhe Shtetet e Bashkuara në dhunim të qartë të sovranitetit tonë,” thuhej në deklaratën e përbashkët.

Shqipëria nuk është vetëm një firmëtare simbolike e kësaj deklarate.

Prej vitit 2013, kur vendosi të strehonte anëtarët në ekzil të opozitës iraniane, pjesë e organizatës Mojahedin-e-Khalq, MEK, Shqipëria është targetuar vazhdimisht nga Irani përmes propagandës dhe dizinformimit, planeve për sulme terroriste apo një lufte hibride kibernetike.

Megjithatë, problemet e sigurisë nuk kufizohen vetëm tek Irani.

Përgjatë dy viteve të fundit, institucionet ligjzbatuese shqiptare janë përfshirë në një hetim kompleks edhe ndaj anëtarëve të MEK, të cilët akuzohen se kanë ndërmarrë sulme kibernetike ndaj Iranit në shkelje të marrëveshjes që u jep atyre mbrojtje humanitare në Shqipëri.

Prokuroria e Posaçme po i heton anëtarët e MEK për veprat penale të provokimit të luftës, përgjimit të paligjshëm të të dhënave kompjuterike dhe ndërhyrjes në sisteme kompjuterike.

“Jemi në fazën e vijimit të hetimeve të thelluara, kryesisht ekspertimet e qindra pajisjeve që janë sekuestruar,” i tha BIRN prokurori i çështjes, Vladimir Mara. “Mund t’u them që në këtë hetim janë involvuar edhe partnerët ndërkombëtarë,“ shtoi ai.

Shqipëria strehon aktualisht rreth 2500 anëtarë të organizatës Mojahedin-e-Khalq në kampin e stërmadh Ashraf 3 në Manzë të Durrësit. Edhe pse statusi i tyre i mbrojtjes nuk ka ndryshuar, Ministria e Brendshme i tha BIRN se “po i shqyrtonte rast pas rasti kërkesat për rinovimin e lejeve të qëndrimit” nga ana e anëtarëve të MEK.

Ndonëse nuk ishin të paparashikuara, implikimet e sigurisë për shkak të strehimit të MEK e ekspozojnë vendin ndaj një rreziku afatgjatë, pasi anëtarët e kësaj organizate “nuk mund të dëbohen apo të riatdhesohen”.

“Shqipëria e ka ditur këtë rrezik të aktivitetit politik që në fillim, kur pranoi t’i strehonte [MEK], por duhet thënë që ka qenë e paaftë për ta mbajtur nën kontroll për të mos cenuar sigurinë” tha Endri Tafani, analist i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Drejtuesit e organizatës MEK nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.

Mojahedin-e-Khalq, MEK, është një grup me një histori të ndërlikuar. I themeluar në vitin 1965 nga studentë marksistë kundër regjimit të Shahut të Iranit, ai u kthye kundër Republikës Islamike pas revolucionit të vitit 1979 dhe udhëhoqi një fushatë sulmesh.

Në mesin e viteve ‘80 disa mijëra anëtarë të MEK-ut u zhvendosën nga Irani për në Irak, ku ish-diktatori Saddam Hussein i përdori ata si një forcë të armatosur gjatë luftës Iran-Irak. SHBA-ja e listoi MEK-un si organizatë terroriste në vitin 1997, por e hoqi nga lista e zezë në vitin 2012, pasi grupi deklaroi se hiqte dorë nga dhuna dhe armët për t’u përqendruar tek advokimi politik kundër regjimit iranian.

Pas pushtimit të Irakut të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin në 2003, forcat aleate ofruan mbrojtje për MEK-un dhe në vitin 2012, filluan t’i zhvendosin ata në Shqipëri.

Tafani e krahason historinë e tanishme të opozitës iraniane në ekzil me komunitetin antikomunist shqiptar në Europën Perëndimore gjatë Luftës së Ftohtë, që me kalimin e viteve u rudh në numra dhe në rëndësi politike.

“Njerëzit shkëputen nga komunitetit dhe ndjekin interesa duke bërë zgjidhjet e tyre në jetë të ligjshme ose jo. Në këto kushte, bëhet e lehtë dhe për shërbimet sekrete iranianë të penetrojne brenda organizatës dhe të rekrutojnë anëtarët e saj,” theksoi Tafani.

Prej vitit 2018, anëtarët e MEK në Shqipëri janë strehuar në kampin “Ashraf 3” – një qytezë e fortifikuar prej 127 godinash, e shtrirë në një kodër prej gati 40 hektarësh në Manzë të Durrësit. Nga rreth 3000 shtetas iraninë të sjellë në Shqipëri, rreth 450 persona vlerësohet se janë larguar deri më tani nga kampi dhe nga vendi, një pjesë në mënyrë ilegale.

Grupi opozitar shpesh përshkruhet si një sekt nga kritikët, për shkak të adhurimit ndaj udhëheqësit të tij të zhdukur, Masoud Rajavi, dhe gruas së tij, Maryam. Që nga vitet 1980, anëtarët e MEK-ut deklarojnë kanë hequr dorë nga lidhjet familjare dhe marrëdhëniet intime për atë që ata e përshkruajnë si një jetë revolucionare.

Nga kompleksi i tyre në Manëz, përmes internetit dhe konferencave ndërkombëtare, anëtarët MEK-u agjitojnë për rrëzimin e regjimit të mullahëve në Iran.

Në fillim të vitit 2023, departamenti i Krimit Kompjuterik dhe ai i Antiterrorit në Policinë e Shtetit nisën një hetim të përbashkët ndaj anëtarëve të MEK, me dyshimin se ata ishin përfshirë në aktivitete politike dhe sulme kibernetike përkundrejt disa institucioneve të Republikës Islamike të Iranit.

Hetimi u bazua fillimisht në monitorimin e rrjeteve sociale, kryesisht në Telegram, dhe kulmoi me një aksion kontrolli në kampin “Ashraf 3” në Manzë më 20 qershor 2023, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme.

Hyrja e forcave të policisë në kampin e Manzës u prit me revoltë dhe përplasje nga anëtarët e MEK, duke sjellë si rrjedhojë plagosjen e 15 punonjësve të policisë dhe 21 anëtarëve të kampit.

Në fund të operacionit u sekuestruan 96 njësive kompjuterike, dhjetra lap-topë, tableta si dhe materiale të bollshme shkresore, të cilat sipas policisë, disa anëtarë të MEK tentuan që t’i asgjësonin pa sukses me zjarr.

Operacioni policor në kampin e Manzës, dy vjet më parë, ishte një akt i detyruar për të minimizuar kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare.

Sipas dokumenteve hetimore, për shkak të strehimit të MEK, Shqipëria u kthye në një target për shërbimet inteligjente Iraniane, të cilat përmes aktiviteteve propagandistike dhe ato të dezinformimit synonin që të shkëpusnin sa më shumë anëtarë të saj, me qëllim shpërbërjen e plotë të organizatës.

Hetimet paraprake tregojnë se organizata MEK ishte duke bërë të njëjtën gjë ndaj Iranit.

“Organizata “MEK” është duke bërë të njëjtën gjë dhe nga ana e tyre kanë rritur aktivitetin për t’ju kundërvënë kësaj strategjie,” thuhet në dokument.

Historia e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit është e shkurtër dhe e mbushur me tensione. Ato u lidhën në vitin 1999 dhe u shkëputën në vitin 2022 me dëbimin e diplomatëve iranianë nga ambasada në Tiranë.

Në vitin 2019, Policia shqiptare në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë zbuluan një celulë terroriste të njësisë së jashtme të forcave iraniane, QUDS, e cila u akuzua se kishte për qëllim të kryente sulme ndaj lëvizjes opozitare MEK.

Në korrik të vitit 2022, Irani akuzohet se ndërmorri një seri sulmesh kibernetike ndaj portalit shtetëror “E-Albania” dhe infrastrukturës digjitale të Shqipërisë, që sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme ishte “në nivelin e një lufte kibernetike”.

“Vendi ynë i konsideroi këto sulme në kundërshtim me frymën dhe shkronjën e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, duke u ngjitur në nivelin e një lufte kibernetike të nisur nga Republika Islamike e Iranit kundër Republikës së Shqipërisë,” tha Ministria e Jashtme për BIRN.

“Nisur nga kjo situatë, në muajin shtator 2022, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, me efekt të menjëhershëm. Që nga ndërprerja e tyre marrëdhëniet dypalëshe me Iranin mbeten të ngrira dhe kjo situatë nuk ka ndonjë ndryshim edhe aktualisht,” shtoi Ministria e Jashtme.

Ndërsa në dhjetor 2022, Gjykata e Posaçme dënoi me 15 vjet burg për terrorizëm Bijan Pooladrag, një ish-anëtar i MEK, i akuzuar për pjesmarrje në një komplot në tentativë ndaj kampit Ashraf 3 për llogari të shërbimeve sekrete iraniane. Pooladrag i mohoi akuzat dhe theksoi përmes një avokati se ishte viktimë për shkak të përpjekjeve për të ndërtuar një jetë jashtë kampit.

Historiku i konflikteve me Iranin rrit shqetësimet për sigurinë e vendit, ndërkohë që vihen në dyshim edhe kapacitetet për të mbajtur nën kontroll anëtarët e grupit MEK.

“Shqipëria e pranoi MEK kryesisht për arsye humanitare dhe me presion nga SHBA dhe OKB, por mungesa e infrastrukturës së avancuar të sigurisë dhe kapaciteteve për të monitoruar aktivitetet e kampit ka krijuar sfida,” thotë Redi Këlliçi, jurist dhe njohës i çështjes.

Sipas tij, Shqipëria nuk mund ta përballojë e vetme këtë situatë delikate, ndaj çdo vendim do të kërkojë kordinim me Shtetet e Bashkuara dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Vendi varet nga mbështetja e huaj për të adresuar kërcënimet komplekse, si sulmet kibernetike ose operacionet e shërbimeve sekrete,” shtoi Këlliçi.

Ndërkohë, Endri Tafani nënvizon se Shqipëria nuk ka një strategji të qartë se çfarë do të bëjë me komunitetin e MEK, veçanërisht pasi i lejoi ata që të ndërtonin një qytet më vete, duke e vështirësuar integrimin e tyre në shoqërinë shqiptare.

“Problemi është se nëse Shqipëria do vepronte në këtë mënyrë, atëherë binte gjithë organizata politike dhe kjo nuk pranohet as nga një pjesë e mire e komunitetit, por as nga shtete të tjera aleate, që e shikojnë organizatën politike si një pjesë të opozitës iraniane që duhet mbështetur si një armë kundër regjimit Iranian,” tha Tafani.

“Në këto kushte, Shqipëria është në një ngërç strategjik dhe thjesht mundohet të minimizojë pasojat që vijnë nga kjo situatë,” përfundoi ai./Reporter.al

opozita iraniane


Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet