17 Prill 2026, 20:10
Nga E.d
Eda Grimci
TIRANË- Kryetarja e degës nr. 9 të PD-së në Tiranë, Eda Grimci deklaroi se shpopullimi që po pëson Shqipëria është një tragjedi. Gjatë fjalës së tij në protestën e opozitës, Grimci tha se kjo protestë është zëri i një populli të vjedhur që ngrihet kundër padrejtësisë.
Grimci tha se Rama iu ka marrë shtëpitë qytetarëve, i ka arrestuar për drita dhe ujë dhe në fund i ka gënyer për integrimin në Europë.
Grimci:Të dashur qytetarë, që keni guximin të jeni sot këtu. Të dashura nëna, motra, prindër, të rinj të këtij vendi. I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha. Ky nuk është një fjalim, është një thirrje për çdo shqiptar. Një thirrje për ty që je lodhur nga mashtrimi dhe propaganda, për ty që ke heshtur shumë gjatë, por sot po paguan heshtjen, për ty që ndien çdo ditë padrejtësi në kurriz, por sërish gjen forcë të ngrihesh çdo mëngjes. Ju drejtohem me respekt dhe me përgjegjësi të plotë, juve që jeni sot këtu, sepse të dalësh në protestë sot kërkon guxim, kërkon zemër, kërkon vendim për të mos heshtur më.
Ju që jeni sot këtu, jeni zëri i atyre që nuk flasin dot. Jeni forca e atyre që janë të lodhur, por nuk dorëzohen. Jeni jehona e një populli të vjedhur dhe të tallur. Shikoni rreth e rrotull. Ky shesh nuk është turmë, kjo është ndërgjegje. Jemi njerëz të lirë, jemi njerëz që nuk përkulen, që nuk u shiten, që nuk tremben. Sepse liria nuk negociohet, dinjiteti nuk blihet dhe frika mbaron sot. Unë sot nuk jam këtu si politikane.
Atë e bën doktor Berisha. Unë sot jam këtu si nënë që nuk pranon të rrisë fëmijët në një vend ku largimi shihet si mundësi. Prandaj, nga ky shesh, së pari ju drejtohem pikërisht nënave, atyre që çdo ditë përcjellin fëmijët me lot në sy në aeroport. Atyre që jetojnë mes mallit dhe frikës për të ardhmen e tyre. Çohuni për fëmijët tuaj! Mos lejoni t'ua largojnë! Jam këtu si bijë e dy prindërve që meritojnë dinjitet, respekt, shërbime dhe jo mashtrime apo bonuse gjysma gjeli të këtij mashtruesi këtu. Mendoni për vete. Sot ju drejtohem prindërve, gjyshërve tanë që keqpërdoren në çdo fushatë. Mendoni për fëmijët tuaj, të cilët me paratë e fituara me mund nëpër botë, duhet të kujdesen edhe për juve.
Mos i lejoni më t'ju poshtërojnë! Reagoni kundër hajdutëve! Mos i votoni më! Mbi të gjitha, ju drejtohem të rinjve, atyre që sot janë në shesh, por dhe atyre që janë jashtë e nuk mund të jenë sot me ne. Ju jeni arsyeja pse kjo betejë nuk ndalet. Ju jeni shpresa, energjia. Mos i dëgjoni kur ju thonë se jeni brez dembelësh e indiferentësh. Këtë duan këta që ju të mendoni, pasi kanë frikë nga ju. Reagoni e mos i lejoni t'ju marrin ëndrrat, shpresën, punën, mundësinë. Mos ikni nga ky vend me valixhe në duar e me dhimbje në zemër. Kjo nuk është mundësi, jo. Kjo është tragjedi, ky është popullim, kjo është vrasje e të ardhmes. Shkolla pa kushte, arsimi i shitur, mësues të detyruar të bëhen ushtarë politikë. Të rinj që mësojnë me dhimbje vetëm një gjë: që në këtë vend nuk fiton më i miri, por më i lidhuri, më patronazhisti.
Dhe ti, sipas tyre, duhet të heshtësh. Po deri kur? Kështu, nuk është jetë, është poshtërim. Në çdo shtëpi shqiptare ka një plagë. Ka një djalë larg, ka një vajzë larg, ka një nënë që pret një telefonatë, një baba që mban lotët nga pamundësia dhe nga frika për një vend të mjerë pu
ne. Mjaft më! Ndërkohë, këta, këta pasurohen, këta vjedhin. Këta sillen si pronarë të këtij vendi. Mjaft më me nënshtrim dhe frikë, sepse nga sot këta duhet të kenë frikë nga ju. Kanë frikë nga ty, nga zëri jot, nga qëndresa jote, sepse e dinë që vetëm kur ne të zgjohemi, këta do të largohen nga pushteti i vjedhur. Unë e kam parë frikën e këtyre. I kam parë sa trima janë. Këta trimërinë e tregojnë vetëm me qytetarët kur protestojnë, sepse kam parë qytetarë të ndershëm të tërhiqen zvarrë nëpër komisariate. Kam parë dhunë, kam parë njerëz që arrestoheshin vetëm se kishin një faj: protestonin. Këta, këta i bëjnë. Këta që paguhen për të na mbrojtur. Këta na godasin me gaz, na godasin me ujë, përdorin dhunën, përdorin uniformën, përdorin kamxhikun e pushtetit.
Është frika e atij! Ai që sot mendon se është i paprekshëm, se është i fortë, se mund të blejë, mund të kërcënojë. Ai tradhtar, që juve ju gënjeu e ju premtoi Europa. Ku e ke Europën?!
Ai që ju mori shtëpitë, ai që ju arrestoi për drita, për ujë, ai që ju nxori gratë nga shtëpia me gaz e me dhunë, ai që ju vjedh votën, ai që ju vjedh të drejtën, ai që ju vjedh të ardhmen e fëmijëve. Ai ka frikë, sepse e di që i vjen fundi vetëm kur ne të ngrihemi, të jemi shumë e të jemi bashkë. Sot, nga ky shesh, po i drejtohem dhe kryetarit të Partisë Demokratike. I nderuar doktor Berisha. Këta qytetarë nuk janë thjesht mbështetës. Ata janë shpresë, janë përgjegjësi, ata kërkojnë drejtim, kërkojnë vendosmëri, kërkojnë një opozitë që nuk tërhiqet, që nuk hesht, që nuk bën kompromis me të keqen.
Sot është momenti i të gjithë neve për të qenë në lartësinë e kësaj sakrifice qytetare, për të qenë zëri i tyre i palëkundur e i pandalshëm, sepse njerëzit nuk dalin për fjalë, kanë dalë për ndryshim. Dhe ndryshimi nuk pret më. Le ta bëjmë këtë betejë bashkë, me guximin e qytetarëve, me forcën e grave dhe nënave, me energjinë e të rinjve, me përgjegjshmërinë e padiskutueshme të doktor Berishës dhe lidershipit të Partisë Demokratike. Sepse Shqipëria meriton më shumë, sepse shqiptarët meritojnë dinjitet. Ky është momenti, ky është vendimi, ky është zgjimi! Shqipëria nuk është e tyre, Shqipëria është e jona!/Dosja.al
eda grimci pd proteste
Politike
17 Prill 2026, 19:59
E. D
TIRANË- Mesazhet pikante të qytetarëve më anë të pankartave nuk kanë munguar në protestën e sotme të op...
Politike
17 Prill 2026, 19:55
E.d
Besart Xhaferri
TIRANË- Deputeti demokrat, Besart Xhaferri ka deklaruar se paratë e qytetarëve shkojnë në xhepat e nj&eu...
Politike
17 Prill 2026, 19:34
E.d
Foto ilustruse
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë nga selia e partisë për t’iu bashkuar protestë...
Politike
17 Prill 2026, 19:03
E. D
Marta Kos
BRUKSEL- Komisonierja për Zgjerimin Marta Kos ka folur lidhur me ecurinë e procesit të anëtarësimit të vendev...
Politike
17 Prill 2026, 19:01
E.d
Foto ilustruse
Tridhjetë e pesë zyrtarë nga institucione të ndryshme pritet të gjobiten nga Agjencia për Parandalimin e Korru...
Politike
17 Prill 2026, 18:44
E. D
Sali Berisha
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbërritur në selinë blu pak para nisjes së protestes....
Politike
17 Prill 2026, 17:01
E.d
Sali Berisha
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar lidhur me protestën kombëtare të opoztës, e cila do ...
Politike
17 Prill 2026, 16:42
E. D
GJKKO
TIRANË- Gjykata e Posaçme ka liruar nga burgu ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesm...
Politike
17 Prill 2026, 15:01
E.d
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi me homologun e tij kosovar, Ejup Maqedonci,
Kosova dhe Shqipëria po diskutojnë që t&...
Politike
17 Prill 2026, 14:59
D.S
Bardh Spahia
TIRANË- Gjykata e Posaçme ka gjobitur deputetin e Partisë Demokratike, Bardh Spahia, pasi nuk ka zbatuar vendimin e...