LIVE UPDATES
Politike

Fried pas deklaratave të Osmanit: Vlerësimi për administratën Trump është taktikë e mirë

Fried e shoqëroi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në disa takime që zhvilloi javën e kaluar në SHBA.

15 Korrik 2025, 14:31 Nga E. D
Fried pas deklaratave të Osmanit: Vlerësimi për
Daniel Fried

SHBA- Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, thotë se, edhe nëse administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, nuk është plotësisht e fokusuar te Kosova tani, është e rëndësishme të vazhdohet dialogu dhe të kërkohen aleatë brenda saj.

“Është e dobishme të fillosh të krijosh kontakte dhe zakone komunikimi për kur të vijë momenti”, thotë ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Fried e shoqëroi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në disa takime që zhvilloi javën e kaluar në SHBA.

I pyetur të komentojë deklaratat e saj se Trump ka parandaluar së voni një përshkallëzim të situatës nga Serbia në Kosovë, Fried thotë se nuk i di detajet.

“...por është gjithmonë e mirë si taktikë t’ia atribuosh meritat administratës Trump”, thotë ai.

Në intervistën dhënë REL-it, Fried flet edhe për ngërçin në Kuvendin e Kosovës, zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe SHBA-së e të tjera.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Fried, do të doja ta filloja këtë intervistë duke ju pyetur për krizën politike që po vazhdon në Kosovë. Tash e tre muaj, vendi është pa Kuvend funksional. Partia fituese në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje, këmbëngul në kandidaten e saj për kryeparlamentare dhe në votim të fshehtë. Partitë që ishin në opozitë, kundërshtojnë.

Si e shihni këtë ngërç politik në aspektin e funksionimit demokratik dhe të përgjegjësisë institucionale?

Daniel Fried: Si amerikan, nuk jam në pozitë të filloj t’i kritikoj kosovarët për vështirësitë dhe mosfunksionimin politik. Mjafton ta shikoni Uashingtonin këto ditë...

Unë mendoj se Kosova ka nevojë për një qeveri funksionale, por i duhet edhe aftësi për t’u përballur me sfidat e saj në mënyrë të qëndrueshme dhe energjike.

Ngërçi i zgjatur politik nuk është problem në vetvete, për aq kohë sa zgjidhet me formimin e një qeverie që mund ta bëjë punën e vet.

Pra, nuk jam i alarmuar nga problemet aktuale, por Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të jetë e aftë të bashkëpunojë me SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe të përballet me sfidat e brendshme - përtej problemeve që ka me Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: Në një ngërç kaq të zgjatur institucional, si do të dukej një kompromis i përgjegjshëm?

Daniel Fried: Unë jam amerikan, jam i huaj. Nuk kam besuar kurrë se të huajt duhet t’u diktojnë aktorëve politikë në Kosovë se çfarë duhet të bëjnë.

Këtë qëndrim e kam jo vetëm për Kosovën, por më përgjithësisht për vendet e rajonit.

Si amerikanë, ne duhet vetëm të kërkojmë që të respektohen rregullat dhe të respektohet demokracia. Qeveria që do të formohet nga ky proces, duhet të jetë funksionale dhe e aftë të marrë vendime.

Unë nuk do t’u them politikanëve të Kosovës se çfarë duhet të bëjnë. Ajo që ka rëndësi, është që në fund të këtij procesi të dalë një qeveri që mund të funksionojë - kjo është thelbësore për mua.

Radio Evropa e Lirë: Tani që presidenti amerikan, Donald Trump, është në mandatin e tij të dytë, si do ta vlerësonit nivelin e interesimit dhe angazhimit të administratës së tij në Ballkanin Perëndimor, dhe veçanërisht ndaj Kosovës?

Daniel Fried: Administrata Trump ka një vëmendje të kufizuar ndaj çështjeve të jashtme në përgjithësi, sepse shumë pozita të rëndësishme në Departamentin e Shtetit dhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, thjesht nuk janë të plotësuara.

Ajo është aktive në Ukrainë, për shembull. Ndaj, është e pamundshme për të - për shkak të mungesës së burimeve dhe personelit të mjaftueshëm - të merret me çështje si Kosova, ose përkeqësimi i demokracisë në Gjeorgji.

Administrata Trump po merret edhe me çështjen e tarifave dhe luftërat e mundshme tregtare, ndërsa çështjet në Ballkanin Perëndimor, fatkeqësisht, marrin vëmendje të herëpashershme.

Dhe, mos harroni, në rrethin e Trumpit kishte njerëz që dukeshin të interesuar për marrëdhëniet dhe biznesin me Serbinë, në mënyra shqetësuese për mua.

Ideja e ndërtimit të hoteleve apo diçka e tillë më ka shqetësuar, sepse tregonte për një interes komercial afatshkurtër, në vend të një interesi strategjik afatgjatë.

Në këtë aspekt, ndoshta është më mirë që administrata Trump të mos jetë shumë e angazhuar në Ballkanin Perëndimor, sepse nuk do të donim që kjo përpjekje të shkonte në drejtim të gabuar. Mendoj se e kuptoni saktësisht se për çfarë po flas.

Radio Evropa e Lirë: A mund të na shpjegoni më shumë për lexuesit tanë?

Daniel Fried: Ka pasur raporte se disa persona të lidhur me Trumpin dhe familjen e tij ishin të interesuar për një projekt hotelier në Beograd.

Nuk ka asgjë të keqe në projektet e hoteleve në Beograd, por është shumë problematike nëse interesi për këto projekte i bën Shtetet e Bashkuara t’i harrojnë interesat strategjike në Ballkanin Perëndimor dhe të bëjnë ndonjë marrëveshje të dyshimtë me Serbinë.

Kjo do ta pengonte qëllimin tonë strategjik: që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin drejt Evropës dhe anëtarësimit në komunitetin evropian dhe transatlantik, dhe të mos mbeten të ngujuara në një nostalgji për perandoritë e humbura, që nuk do të kthehen më - ashtu si nuk do të kthehen as gjyshërit e tyre të ndjerë.

Radio Evropa e Lirë: Pra, mendoni se është më mirë të mos angazhohen sesa të angazhohen në drejtim të gabuar - siç thatë...

Daniel Fried: Po, por më së miri është të angazhohen në drejtim të duhur. Edhe ky ishte mesazhi i presidentes [së Kosovës, Vjosa] Osmani - së paku mesazhi që unë nxora nga disa prej takimeve të saj në Uashington.

Mendoj se ajo bëri një thirrje të fuqishme që Shtetet e Bashkuara të angazhohen në rrugën e duhur. Ajo është një personalitet i fortë dhe një folëse bindëse me shumë ndikim.

Radio Evropa e Lirë: A besoni se [ky angazhim më i madh i SHBA-së] është i mundshëm ose i nevojshëm në këtë fazë?

Daniel Fried: Mendoj se është gjithmonë ide e mirë që Shtetet e Bashkuara ta dinë se çfarë duan, dhe më bëri përshtypje të dëgjoj një mesazh me qartësi strategjike nga presidentja Osmani.

Nuk dua të hyj në detaje, por ajo e paraqet shumë mirë çështjen. Nuk e di se si kanë shkuar takimet e saj me administratën, por ajo është një person i fortë, udhëheqëse bindëse dhe sigurisht di se si t’u flasë amerikanëve.

Radio Evropa e Lirë: Gjatë vizitës së saj në Uashington, presidentja Osmani tha se presidenti Trump ka parandaluar së voni një përshkallëzim të situatës nga Serbia në Kosovë. I dërguari i Trumpit për misione speciale, Richard Grenell, e kundërshtoi publikisht këtë pretendim. Si e interpretoni ju këtë shkëmbim deklaratash?

Daniel Fried: Nuk dua të hyj në detaje, por mendoj se është gjithmonë një ide e mirë të angazhohesh me administratën e Trumpit. Të vazhdosh të bisedosh me të, të kërkosh aleatë dhe miq, edhe nëse administrata e Trumpit - siç e thashë më herët - nuk është ende gati t’i kushtojë shumë energji Kosovës në këtë moment.

Është e dobishme të fillosh të krijosh kontakte dhe zakone komunikimi për kur të vijë momenti.

Radio Evropa e Lirë: Pra, nuk do të ndani detaje rreth deklaratave për parandalimin e një përshkallëzimi midis Serbisë dhe Kosovës...

Daniel Fried: Nuk i di detajet, por është gjithmonë e mirë si taktikë t’ia atribuosh meritat administratës Trump.

Radio Evropa e Lirë: Të kalojmë te një çështje tjetër. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha së voni se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundur, por vetëm nëse SHBA-ja dhe aktorë të tjerë ushtrojnë më shumë presion ndaj Serbisë për t’i zbatuar marrëveshjet e vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve. A mendoni se Uashingtoni duhet ta ndryshojë qasjen dhe të ushtrojë presion më të drejtpërdrejtë ndaj Beogradit?

Daniel Fried: Nuk dua të jap shumë këshilla të drejtpërdrejta, sepse nuk e kam ndjekur në shumë detaje. Por, si një rregull i përgjithshëm, SHBA-ja dhe Evropa do të duhet ta kenë atë që ne e quajmë “moment i së vërtetës” me udhëheqjen serbe. Me fjalë të tjera, një bisedë serioze, për t’i thënë se nuk mund të bëjë dy gjëra njëkohësisht: të pretendojë se është në rrugën e integrimit në Evropë dhe, ndërkohë, të përpiqet ta rikthejë Kosovën.

Ideja që do të veprojë për të avancuar interesat e Rusisë, është e rrezikshme dhe shkatërruese.

Tani, nuk jam i sigurt nëse ky është momenti i duhur për këtë bisedë, por, në përgjithësi, mendoj se po.

[Presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq po përballet me presion nga protestat dhe nga perceptimi i gjerë për korrupsion dhe dështim në udhëheqjen e tij në Serbi.

Edhe pse politika e brendshme serbe nuk është puna jonë, ne e kemi duruar për shumë vite qasjen e dyfishtë të Vuçiqit, dhe kjo duhet të marrë fund.

Radio Evropa e Lirë: Dua t’i rikthehem prapë vizitës së Osmanit në SHBA. Marrë parasysh deklaratat e saj për të forcuar lidhjet ekonomike me Shtetet e Bashkuara, a mendoni se Kosova po përpiqet të ndërtojë një lloj të ri marrëdhënieje me SHBA-në, që bazohet më shumë në interesat ekonomike?

Daniel Fried: Është gjithmonë mirë të forcohen marrëdhëniet ekonomike. Për këtë, nevojitet një qeveri që merr vendime, është e hapur ndaj biznesit dhe e lehtë për investitorët që të bashkëpunojnë me të. Kjo është një gjë e mirë.

Sa më shumë zhvillim të ketë Kosova, aq më mirë; sa më shumë bashkëpunim ekonomik me SHBA-në, aq më mirë.

Dhe natyrisht, Kosova do të bashkohet me Evropën, jo me Shtetet e Bashkuara, por një qeveri që mund të punojë me bizneset dhe investitorët e huaj amerikanë, mund të punojë gjithashtu edhe me evropianët.

Bashkëpunimi ekonomik me Shtetet e Bashkuara nuk duhet të presë derisa të zgjidhen të gjitha çështjet me Serbinë. Duhet të nisë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Radio Evropa e Lirë: Kosova po tregon gatishmëri për investime amerikane, por a ka ajo vërtet diçka që SHBA-ja do apo kërkon?

Daniel Fried: Nuk e njoh biznesin, nuk di për burimet minerale apo për mundësitë e investimeve, por e di që, si rregull i përgjithshëm, investitorët që kanë një vizion dhe hyjnë herët në një treg, mund të përfitojnë shumë.

Radio Evropa e Lirë: Por, pse kjo dëshirë për bashkëpunim ekonomik tani? Mos është përpjekje për t’u përshtatur me politikat e Trumpit?

Daniel Fried: Ndoshta, dhe nuk mendoj se kjo është një gjë e keqe. Trump dëshiron të dijë se cili është interesi i biznesit amerikan, ndaj është mirë që të fokusohet biseda në terma të tillë.

Së dyti, edhe nëse Qeveria dhe presidentja e Kosovës po përpiqen për më shumë përparim në marrëdhëniet me Serbinë, është mirë që të mos bllokohet gjithçka duke pritur për atë përparim, por të veprohet në sa më shumë fusha njëkohësisht dhe të arrihet sa më shumë progres. Pra, të mos pritet për zgjidhjen e çështjeve politike.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të duhej të ndodhte që Uashingtoni ta merrte seriozisht Kosovën si partnere ekonomike, në këtë epokë të re të diplomacisë transaksionale?

Daniel Fried: Nuk e di se çfarë marrëveshjesh biznesi mund të ketë, por mendoj se një qasje agresive nga ana e Kosovës për zhvillimin e mundësive të biznesit, mund të funksionojë. Dhe, pastaj, kur ke disa rezultate, i promovon ato dhe tregon se Kosova është një vend i mirë për të bërë biznes./REL

daniel fried

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet