LIVE UPDATES
Politike

"Bursa e votës", BIRN: Shkodra mes rivalitetit PS-PD dhe faktorit "Doshi"

Partia Socialiste po tenton të ruajë avantazhin e zgjedhjeve lokale në bastionin e djathtë me kantieret e hapura në prag fushate dhe administratën, por përplasjen më të madhe duket se e ka me aleatin Tom Doshi, i cili po lufton gjithashtu për të zgjeruar elektoratin.

6 Maj 2025, 09:55 Nga Blerina Gjoka
"Bursa e votës", BIRN: Shkodra mes rivalitetit PS-PD dhe faktorit
benet beci

SHKODËR- Xhamia e re shkëlqen nën diellin e drekës ndërsa rrugët janë bosh në qendrën e fshatit Trush, një nga fshatrat më të populluar në njësinë administrative Bërdicë, pak kilometra larg qytetit të Shkodrës. Asnjë flamur apo gjurmë fushate nuk duket në rrugët e fshatit, madje as posterat e Tom Doshit, kreut kontrovers të Partisë Socialdemokrate, që edhe për shkak të origjinës, e konsideron zonën bastion të tij.

“S’ka nevojë ai për zyrë elektorale, këtu të gjithë e dun dhe e votojnë Tomën,” thotë Arnel Brahimi, një berber 25 vjeçar dhe nipi i kandidatit për deputet të PSD, Besnik Brahimi. Biznesmeni Tom Doshi ka mbijetuar si faktor elektoral në qarkun e Shkodrës, pavarësisht përjashtimit nga Partia Socialiste në vitin 2015 dhe shpalljes si person “non grata” për korrupsion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2018.

Ai arriti të rizgjidhet deputet në vitin 2017 në qarkun e Shkodrës nën siglën e PSD dhe dy vjet më vonë mori drejtimin e kësaj partie, duke ruajtur një aleancë të pashpallur me Partinë Socialiste të Edi Ramës në Parlament. Votuesi tipik i Tom Doshit nuk duket gjithsesi i trazuar nga CV-ja e tij politike me dritëhije; ai e sheh atë si bamirës – një individ me influencë që ndërhyn aty ku shteti mungon dhe zgjidh halle personale që lidhen me shëndetin, punën apo shërbime të tjera.

“E votojnë se ka bo për njerëzit,” thotë pronari i një marketi në Trush, i cili shfleton mbi banak blloqet e borxheve që i kanë banorët e varfër të zonës.  “Fukarallëk,” thotë duke rrudhur buzët me keqardhje, sikur në duar mban peshën e varfërisë së bashkëfshatarëve të tij. Një blerës i rastit po ashtu e quan Doshin ‘bamirës’ dhe na tregon se një kushëririn e tij e ndihmoi financiarisht për një operacion të vështirë. “Ai s’ma ka kërku votën, po a ma mban zemra mos ta votoj?” drejtohet me pyetjen e tij retorike.

Të dy burrat flasin me zhgënjim të thellë për politikën në përgjithësi dhe premtimet e pambajtura nga dy partitë e mëdha, ndërsa votën për partinë e Doshin e shohin më shumë si ‘votë bese’. “Jena regj me rrena,” thotë blerësi, një burrë tek të 60-at, i cili e quan Doshin “mik buke”.

Edhe në qendrën e Bërdicës banorët të japin të pak a shumë të njëjtën përgjigje se pse votohet partia e Doshit. “Ka bo për njerëzit,” thotë pronari i një bar-kafeje në anë të rrugës, i cili i hakërrehet klientit të vetëm në lokal që i kundërpërgjigjet me të qeshur se “votat i merr çanta me lekë 3 ditë para zgjedhjeve”. Për Erzen Koperajn, pedagog dhe gazetar lokal, Bërdica është njëlloj “burse e votës” në Shkodër, pasi zona ka ndërruar krah disa herë në favor të individëve me influencë nga socialistët, republikanët, demokratët dhe së fundmi socialdemokratët. Ai beson megjithatë se blerja e drejtpërdrejtë e votës ka dalë jashtë mode, ndërsa përdoren metoda më pragmatiste për të ndikuar votuesit.

“Merr përsipër një rrugë të re apo forcimin e një biznesi që punëson njerëz,” thotë Koperaj.

Konflikti Doshi-Beci

Qarku i Shkodrës ka një shtrirje të madhe gjeografike nga bregu i detit në male, duke përfshirë dhe bashkitë Velipojë, Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Pukë e Fushë-Arrës, duke çuar në Kuvendin e ri 11 deputetë. Në qark bëjnë fushatë dhe partitë e reja, por lufta kryesore për vota bëhet mes Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe PSD-së së Doshit, e cila ka shprehur ambicien për të nxjerrë 3 mandate vetëm në qarkun Shkodër.

Prej disa javësh, Doshi po përplaset publikisht me drejtuesin politik të PS-së në Shkodër, kryebashkiakun Benet Beci, të cilin e akuzon se po i spastron njerëzit e tij nga puna në bashki apo në institucionet vendore. Doshin nuk e gjetëm në qytet, po nëpërmjet telefonit, ai rreshtoi një sërë akuzash dhe u sigurua që t’ia faturonte ato vetëm një njeriu, Benet Becit.

“Po na largojnë njerëz nga puna, simpatizantë të PSD-së, që nga drejtorë e deri te punonjës të thjeshtë,” tha Doshi përmes telefonit.

Por ai thekson se ky konflikt nuk është mes dy partive në qendër, por në nivel lokal.

S’kam gjë me Ramën, me Benetin e kam,” saktëson ai, duke shtuar se “prej nesh është aty ku është sot” referuar rezultatit të 2023-it ku ndikimi elektoral i Doshit solli për herë të parë në krye të bashkisë së Shkodrës një socialist. Edhe pse e fajësoi PS-në për presion, Doshi pranoi se aleancën paszgjedhore ai e sheh sërish me Ramën.

Vetë Beci i priti me buzëqeshje akuzat në zyrën e tij në bashki, ku një foto e Marubit e vitit 1870 që tregonte qytetin e vjetër të Shkodrës, parë nga kalaja e Rozafës, zinte faqen kryesore të murit. Beci e protretizon veten si kryebashkiak apolitik, që mban afër tij të majtë e të djathtë. Ai kërkoi që një përgjigje të plotë ta niste me shkrim pas takimit, ndërsa bisedën në zyrë tentoi ta fokusojë tek investimet që po bëhen në Shkodër, duke anashkaluar një përgjigje direkte për akuzat e Doshit.

“S’kam konflikte personale me askënd dhe nuk kam as kohën, as dëshirën dhe as natyrën që të merrem me çfarë thonë të tjerët për mua,” tha Beci në përgjigjen me shkrim për BIRN.

Në lidhje me pushimet nga puna në administratë, Beci tha se vendimmarrja e tij “bazohet në parimet e ligjshmërisë” dhe nuk është “ hakmarrje politike”, edhe pse në Shkodër të gjithë janë të bindur se të shkarkuarit në prag fushate kanë qenë njerëzit e Doshit. Dy partitë aleate kanë krijuar dhe më herët fërkime të ngjashme në fushata elektorale dhe pas zgjedhjeve, i kanë bashkuar forcat në parlament.

“Fushata e heqjeve nga puna është strategjia e Becit për të rritur kapacitetin e PS-së në qark,” thotë Koperaj në një kafe në qendër të Shkodrës, ndërsa vlerëson se sherri Doshi -Beci është jashtë politikës së madhe dhe nuk do të ndikojë në aleancën e dy partive të tyre. Ndërsa Emi Kalaja, gazetare me qendër në Shkodër, mendon se “gara PSD-PS është një betejë për të njëjtin elektorat”.

“Ka ndryshuar situata nga 2023 kur Doshi mbështeste Becin, sot ai po lufton për të rritur elektoratin e tij,” tha Kalaja. Simpatizantët e të dyja palëve përpiqen gjithsesi që të qëndrojnë jashtë vorbullës që ka krijuar sherrnaja mes “të mëdhenjve”.

“Shiko, këta kshu e kanë ba dhe herë tjera e pajtohen prapë, po për ne të vegjlit ça mbetet me u përla me njani-tjetrin kot,” tha një simpatizant i PS.

Garë e pabarabartë

Shkodra konsiderohej si një bastion i fortë i së djathtës, produkt ky i historisë së persekutimit të shumëfishtë nga regjimi komunist në këtë krahinë. Ndodh rrallë që të takosh një shkodran që nuk ka të paktën një histori familjare të persekutimit komunist, çka i ka penguar ata për dekada që ta çojnë votën te socialistët, trashëgimtarët e ish-Partisë së Punës. Gjërat duket se kanë ndryshuar vitet e fundit me krijimin e një elektorati pragmatist, që në vitin 2023 i dha për herë të parë pushtetin lokal Partisë Socialiste. Në zgjedhjet e 11 majit, Partia Demokratike dhe aleatët e saj synojnë që të rimarrin primatin në Shkodër, por kandidati demokrat, Bardh Spahia ankohet se gara është jashtëzakonisht e pabarabartë.

Pasditen e së martës, Spahinë e gjetëm në shtëpinë e Hilmi Zenelit, fermer në Bahçallëk, një lagje që shtrihet buzë lumit Bunë në hyrje të Shkodrës. Hilmiu, një mbështetës pa kushte i së djathtës, kujdeset bashkë me familjen për serat me rukola, domate dhe borzilok që shtrihen pas shtëpisë së tij. Në nder të Spahisë, vajza e tij ka përgatitur disa ëmbëlsira të vogla me hurma arabie dhe çokollatë në një paketim me foton e kandidatit.  “Nuk ma ban zemra me votu tjetër parti, nuk mundem,” thotë duke tundur kokën Hilmiu, ndërsa e përcjell Spahinë në oborr me pakon e ëmbëlsirave dhe trëndafila të sapokëputur në bahçen e tij.

Spahia, kandidat i listës së hapur për koalicionin Aleanca për Shqipërinë Madhështore, thotë se bashkia ka hapur kantiere pune për fushatë, ndërkohë që pretendon se administrata është përfshirë në mbledhje votash dhe se hija e ndikimit të krimit të organizuar në zgjedhje nuk është larguar.

“Gara është shumë e pabarabartë në përdorimin e resurseve publike financiare, njerëzore dhe logjistike në funksion të zgjedhjeve,” tha Spahia.

“Anëtarë influentë në radhët e PD kanë marrë telefonata nga qelitë e burgut. Janë telefonuar nga disa nga personazhet e dosjes Metamorfoza,” shtoi Spahia, duke paralajmëruar denoncimin e rasteve në institucionet ligjzbatuese. Investimet e Bashkisë së Shkodrës janë kthyer në argumentin kryesor të debatit mes PS dhe PD gjatë fushatës elektorale, ku socialistët mburren se po bëjnë atë që nuk është bërë për 30 vjet për Shkodrën, ndërsa demokratët i denoncojnë projektet si propagandë dhe investime që nuk sjellin dobi.

Vetë Beci e pranon që fushata e PS-së po bazohet në projektet e ndërtimit të bashkisë, që nisin që nga rruga hyrëse në qytet që po zgjerohet në 4 korsi, rehabilitimi i bregut të Bunës përsëri në hyrje të qytetit apo punimet në Zdrale ku po ribëhet pazari i qytetit. Investimet lokale kanë ndikuar dhe përbërjen e listës së kandidatëve, ku në pjesën e sigurtë është ish-nënkryetari i bashkisë, Onid Bejleri, një inxhinier ndërtimi me profesion dhe përgjegjës për projektet infrastrukturore.

“Kam profil apolitik, teknicien,” thotë Bejleri në një kafe në pedonalen e Shkodrës dhe e konsideron futjen në politikë si pasojë e punës që ka bërë në ekipin e Becit, të cilit i referohet gjatë bisedës si ‘kryetari’. Bejleri thotë se pika e tij e fortë në fushatë është puna që ka bërë në mbikëqyrjen e punëve publike të bashkisë, ndërsa beson se ‘modeli i punës’ që ai ofron do të ndikojë tek vota e shkodranëve.

Në lulishten përpara Bashkisë, tre pensionistë që po luajnë domino, e krahasojnë të gjithë fushatën elektorale me një teatër. “Do votoj atë që ma dyfishon pensionin,” thotë Goni, 80 vjeç, i cili shton se “nuk do me i pa me sy as socialistët, as demokratët”.

Shoku i tij, Shefqeti, përpiqet të mos jetë kaq kategorik në zemërimin për politikën dhe me diplomaci thotë se nuk është problemi tek interesi personal, por e mira e përgjithshme.

“Për një thes miell nuk votojmë na,” përfundoi ai./ Reporter.al

zgjedhjet e 11 majit zgjedhjet ne shkoder

Sondazh

Poll

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje

"Studentët të ndërrojnë qeverinë"/ I riu thirrje të forta nga protesta: Mos u largoni nga Shqipëria

Protestuesit nuk i tremb as shiu, thirrje të forta nga Kryeministria: Revolucion!

“I preve në besë banorët e Rrjollit dhe Thethit”/ Protestuesi thirrje Ramës: Malet i nxore në shitje

PAMJE PREKËSE/ Vogëlushja mes lotësh mesazh Ramës: Pelikanin kaçurrel do ta sjellim në Surrel

Qytetarët njëzëri para Kryeministrisë: Rama në burg, Berisha në Burg

Banorja e Rrjollit: Mos bini pre e provokimeve! Këtu do rrimë deri sa Rama të japë dorëheqjen

Protesta kundër projektit të Zvërnecit/ Protestesit mesazh Ivanka Trump: Mbaj duart larg Nartës

Tensionohet situata në protestë, policia nuk kursen qytetarët hedh ujë me piper me presion

Protesta për Zvërnecin, përplasje mes qytetarëve dhe policisë

Përplasjt mes qytetarëve dhe policisë në protestë, çahet kordoni

PAMJE nga tubimi i i katërt kundër projektit në Zvërnec #dosja #protesta #zvernec

Protestë në Durrës kundër projektit në Zvërnec, qytetarët mblidhen para Bashkisë

Berisha: Shteti duhej të ishte garanti në Zvërnec.Ndërtimet të bëhen në përputhje me standardet e BE

Berisha: Aeroporti i Vlorës kurrë nuk mund të ndërtohej aty

Zvërneci,Berisha:Ne mbështesim plotësisht investimin e huaj.Sazani nuk është një investim i thjeshtë

Berisha në grupin parlamentar: Pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re

Berisha: Meta është një i burgosur politik, Rama po vazhdon me besnikëri rrugën e babait të vet

Burgun apo dorëheqje? Rama kapet me gazetarin: Nuk meriton përgjigje

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen, Rama: Film i vjetër, përfaqësoj të paktën 800 mijë shqiptarë

Protesta për Zvërnecin, Rama: SPAK po mban të ngrira fondet pa i lënë të kalojë te shitësi

Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thotë të mbështesësh Shqipërinë drejt BE

Rama: Jemi këtu për të ndërtuar Shqipërinë e së ardhmes

Rama: Bëmë ligjin për hapjen e dosjeve të komunizmit, partia jonë u përball me të keqen në opozitë

"Kryeministri gënjeu"/ Gazetarja thirrje qytetarëve: Ai që të vjedh sot, do e bëjë dhe nesër

35-vjetori i PS në Tiranë/ Rama: Arsyeja e fitores së PS është aftësia për t’u hapur!

Mbyllet protesta për Zvërnecin #dosja #protesta #zverneci

Protesta për Zvërnecin/ Qytetarja: Ne nuk e lëshojmë sheshin pa u heq gardhi në Zvërnec dhe Rrjoll

Qytetarja: Kërkojmë anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura, nuk ka negociata

"Anulo projektin"/ Me pankarta në duar, të rinjtë 'pushtojnë' kryeministrinë: Jep dorëheqjen

"Janë provokime"/ Çfarë po ndodh para ambienteve të Kryeministrisë?

Protestuesit i përgjigjen kryeministrit Rama: Jep dorëheqje nuk ka dialog!

Qytetarët zbresin sërish në shesh, protestojnë kundër projektit në Zvërnec

Ermonela Jaho mbështet protestën për Zvërnecin, shpërndan pamjet në rrjetet sociale

Skandali me ADS/ Berisha: U ngrit pa vendim qeverie, Rama krijoi një monstër për të vjedhur

"Populli flet në ditën e zgjedhjeve"/ Kryeministri: Thirrjet 'O Rama të QR' nuk funksionojnë me mua

Projekti për Zvërnecin/ Rama për hetimet e SPAK: Investimi nuk ndalon sa kohë unë jam këtu!

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën

Mesazhi i Antonio Costës: Përshpejtoni luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend

Grabitet me armë një bankë e nivelit të dytë në Tiranë