Rajoni

“Nuk i autorizova unë”/ Kurti reagon për firmosjen e marrëveshjeve në Mynih: I bëri qeveria paraprake

Në një status në Facebook, Kurti shkruan se marrëveshjet janë nënshkruara pa njohurinë e tij dhe nga zyrtarë të qeverisë paraprake. Kurti shton se nuk ka dhënë asnjë lloj autorizimi për të negociuar me Serbinë e as për të nënshkruar marrëveshje.
Featured image of article: “Nuk i autorizova unë”/ Kurti reagon për firmosjen e marrëveshjeve në Mynih: I bëri qeveria paraprake
Përditësuar:

KOSOVË– Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka reaguar për marrëveshjet e nënshkruara sot mes Kosovës e Serbisë, në Mynih të Gjermanisë. Në një status në Facebook, Kurti shkruan se marrëveshjet janë nënshkruara pa njohurinë e tij dhe nga zyrtarë të qeverisë paraprake. Kurti shton se nuk ka dhënë asnjë lloj autorizimi për të negociuar me Serbinë e as për të nënshkruar marrëveshje.

Reagimi i Albin Kurtit në Facebook:

Sot në Munih janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish-ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare. Sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit Evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së.

Për më tepër, nëse bazohemi te një verzion i marrëveshjes, po qe se analizohet për nga rëndësia ekonomike, hekurudha për në Leshak është më me prioritet dhe më e levërdishme sesa ajo për Merdare. Në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në Munih sot u nënshkrua marrëveshja për hekurudhat dhe autostradat mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje është arritur me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell që njëherit është edhe i Dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Pak javë më parë  u nënshkrua marrëveshja për linjën ajërore Prishtinë-Beograd, në ambasadën e SHBA-së në Berlin, nga sekretari shtetëror në ministrinë serbe të Ekonomisë Milun Trivunaç, dhe Eset Berisha drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.  Të dy udhëheqësit më të lartë të shtetit të Kosovës,  Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri në largim Ramush Haradanaj e mirëpritën nënshkrimin e marrëveshjes në Berlin. Fluturimet Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas në të ardhmën do të realizohen nga kompania gjermane Lufthansa.

(f.m/dosja.al)

Shto Koment