Dikur

‘Ulërita nëpër shtëpi si një e plagosur!’, Nexhmije Hoxha tregon për herë të parë sherrin me Ramizin pas rrëzimit të bustit të Enverit

E veja ka treguar edhe reagimin pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, frika nga turmat që donin të digjnin vilën në Bllok, shpërndarjen e familjes nëpër njerëz të njohur apo në Shtëpinë e Partisë, braktisjen nga të gjithë shokët e “armëve” dhe përplasja me Ramiz Alinë dhe Adil Çarçanin,
Featured image of article: ‘Ulërita nëpër shtëpi si një e plagosur!’, Nexhmije Hoxha tregon për herë të parë sherrin me Ramizin pas rrëzimit të bustit të Enverit Ramiz Alia, rrëzimi i bustit të Enverit dhe Nexhmije Hoxha

TIRANË- Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit Enver Hoxha, jetën e saj politike e ka shkruar në një libër me titull, “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”. Në këtë libër, Nexhmije Hoxha tregon për jetën e saj politike dhe personale, në krah të Enver Hoxhës. Që nga njohja, vitet në qeverisje dhe deri tek vdekja e Enverit dhe tërheqja zvarrë e monumentit në 20 shkurt të vitit 1991,  Nexhmija ka vendosur t’i rrëfejë në një libër. 

E veja ka treguar edhe reagimin pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, frika nga turmat që donin të digjnin vilën në Bllok, shpërndarjen e familjes nëpër njerëz të njohur apo në Shtëpinë e Partisë, braktisjen nga të gjithë shokët e “armëve” dhe përplasja me Ramiz Alinë dhe Adil Çarçanin, të cilët jo vetëm lejuan që monumenti të rrëzohej e të tërhiqej zvarrë nëpër Tiranë, por nuk treguan asnjë lloj interesi për 24 orë me radhë për familjen Hoxha. Për më tepër, rrëfen vetë Nexhmije Hoxha në librin e saj.

PJESË NGA LIBRI 

Dy evenimente mbizotëruan ditën e sotme dhe emisionet e televizionit: dita e Bajramit dhe pesë vjetori i rrëzimit të monumentit të Enverit. Për Bajramin, gratë u veshën e u lyen, kënduan e kërcyen. Ishte për to ditë feste, kurse për mua ditë zie. 20 shkurti më dyndi valë e kreshta kujtimesh nga më të hidhurat e jetës sime. Kaq shumë i kam përjetuar ngjarjet e asaj dite, ditët e netët që e pasuan, dhe i kam shkruar nëpër mend në këta pesë vjet në vetminë time në burg, sa nuk jam e sigurt nëse i kam shkruar në letër apo i kam të shkruara dhe të pashlyera në kokë. Po i shënoj vetëm si kronikë, pa u ndalur në emocionet e mia dhe të njerëzve të familjes sime, sepse edhe vetë kujtimi i tyre më trondit. Isha në zyrën time, nuk mbaj mend sa ishte ora, veçse ishte pak para drekës, kur erdhën dhe me thanë: “Shoku Ramiz tha të shkoni në sallonin e pushimit, të Byrosë Politike” (ku anëtarët e saj pinin kafe në intervalet e seancave të mbledhjeve). U duk se isha thirrur vetëm për të asistuar dhe për t’u njohur me çfarë po ngjiste. Aty ishin, Adil Çarçani, Hekuran Isai, Kiço Mustaqi, Xhelil Gjoni, Sofo Lazri dhe dikush tjetër. Të gjithë ishim në dijeni të së ashtuquajturës grevë e urisë e studentëve, në Qytetin Studenti, për t’i hequr Universitetit emrin e Enverit. Hekurani rrinte me një takli-valki në dorë e në vesh e vinte e njoftonte se ç’po ngjiste jashtë. Erdhën e njoftuan një grup grash me në krye të shoqen e Abdi Baletës, ishin ngulur para Presidencës dhe kërkonin takim me Ramiz Alinë.

Kopertina e librit

Ky dha porosi t’i presë Eleni Selenica si anëtare e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Kjo ishte edhe nënpresidente e Bashkimit të Grave të Shqipërisë dhe zëvendëssekretare e Gjykatës së Lartë. Gratë nuk pranonin të takoheshin me të dhe insistonin e kërkonin takim me Ramiz Alinë. Xhelil Gjoni tha: “Po sikur të shkonit ju, shoku Ramiz?…” Ky nuk iu përgjigj, nuk tha as po, as jo. Kishte të tjera preokupime në kokë. Erdhi sekretari i ri i Partisë për Tiranën, Robert Koli, që unë e shihja për herë të parë dhe nuk më bëri përshtypje të mirë, madje më çuditi me pamjen e tij aspak të shqetësuar, aspak të mobilizuar, sikur ai s’kishte të bënte fare me ato që po ndodhnin në qytetin e Tiranës. Raportoi me një ton të qetë se masa të mëdha qytetarësh dhe nga ndërmarrjet e Tiranës po ngjiteshin drejt sheshit të Qytetit Studenti. “Po tani ç’do të bëjmë?”, pyeti Ramizi. Këtë pyetje e pasoi një heshtje, që e theu Kiço Mustaqi (atëherë ministër i Mbrojtjes). Ai nxori nga xhepi një letër të palosur, që e lëmoi me pëllëmbë, dhe tha: “Ja ku e kam tekstin e vendimit që duhet të marrë Presidiumi i Kuvendit Popullor për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, por, pa u firmosur nga Kryetari i Presidiumit, unë nuk jap asnjë urdhër dhe nuk marr asnjë masë”. Ramizi, si gjithnjë, i pavendosur për të marrë përgjegjësi personale, tha: “Të mbledhim përsëri Plenumin e KQ”. Natyrisht, ky, në fakt, nuk do të ishte veçse një Plenum i cunguar se koha nuk priste.

U dha porosi të njoftoheshin anëtarët e KQ, që ishin në Tiranë, për një mbledhje urgjente në orën 14:00. Plenumi i KQ ishte mbledhur një ditë më parë dhe, pas diskutimesh të zjarrta e kontradiktore, pranoi (nuk mund të them vendosi se nuk u votua) një formulë kompromisi, që u propozua jo pa dijeninë e Ramizit. Universiteti të ndahej në dy pjesë, degët shoqërore dhe ato teknike, të hiqej nga njëri. Kështu anulohej përgjysmë vendimi i Qeverisë që të mos hiqej emri i Enverit. Natyrisht, unë për çështjen që po diskutohej veçse mund të heshtja, me një dhimbje e keqardhje të thellë në zemër. Dukej se po shkohej drejt lëshimit. Në orët 14, në sallën e madhe të mbledhjeve të Plenumit kishin ardhur anëtarët e KQ që ishin në Tiranë, dhe ndoshta, edhe nga Durrësi, sepse mbaj mend që ishte edhe Moikom Zeqo, që ishte sekretar i Komitetit të Partisë për Durrësin, por jo anëtar i KQ. Në presidium ishin ulur Ramiz Alia, Adil Çarçani, Xhelil Gjoni e dikush tjetër. Ramizi informoi pjesëmarrësit se si mund të dilej nga kjo gjendje. Nuk kishte kaluar shumë nga fillimi i diskutimeve dhe debatit, kur hyri në sallë ndihmësi i Ramizit dhe i dorëzoi këtij një copë letër. Ai e lexoi vetë, pastaj na e lexoi neve. Në të thuhej: “Demonstruesit në Sheshin “Skënderbej” kanë rrëzuar monumentin e shokut Enver…”. Ramizi e ktheu letrën përmbys mbi tavolinë, përplasi pëllëmbën mbi të dhe kaq.

Asnjë fjalë a koment për këtë akt vandal, vetëm tha: “Siç e shikoni shokë, gjendja po acarohet…”. Nga kjo unë nënkuptova se, me një fjalë, “duhet të tërhiqemi…” (ç‘u tha konkretisht në atë moment dhe ç’u diskutua më pas, unë nuk e di…). Aty ku isha ulur, fillova të qaj në heshtje, e lot të nxehtë që rridhnin vetë dhe koka më buçiste fort nga rrahja e tëmthave. Nuk kaluan veçse disa minuta, kur Ramizit i dorëzuan një njoftim të dytë. Ai e lexoi dhe tha: “Monumentin po e heqin zvarrë për ta çuar te studentët në grevë…”. Unë nuk durova më, jo vetëm nga dhimbja, por shumë e revoltuar nga kjo mbledhje forumi, gjoja kolegjial, ndaj mblodha letrat me shënime, i futa në çantë, u ngrita dhe pa marrë leje dola nga salla.  Jam penduar shumë, që para se të largohesha, nuk iu drejtova Ramizit e t’i thosha: “Ç’bëhet kështu, shoku Ramiz, në rrugë po heqin zvarrë monumentin e udhëheqësit tonë, Enver Hoxhës, për t’ua çuar “kurban” studentëve, gjoja në grevë urie, e ne rrimë e diskutojmë këtu si t’i kënaqim ata, duke i hequr dhe emrin e tij universitetit, që ai ngriti…”.

Por, ndoshta, nuk do të arrija t’ia thosha këto fjalë, sepse isha shumë e ngashëryer. Dola nga salla, kalova gjithë korridorin, ku, deri tek ashensori, punonjës të aparatit, shokë e shoqe, oficerët shoqërues, më përqafonin, më hidhnin dorën në sup, por unë as u ndala, as fola, vazhdova rrugën pa e ulur kokën. Kur dola jashtë nga dera e madhe, njëri nga oficerët e shërbimit deshi të më shoqëronte, por unë e falënderova dhe shkova vetëm, më këmbë në shtëpi, që siç dihet nuk ishte larg. Sa u futa brenda, më dolën përpara fëmijët e mi dhe njerëzit e familjes e më përqafuan. Kur vdiq Enveri, ata qanin, unë jo, isha e ngurtësuar dhe s’doja ta jepja veten, kurse tani, ata nuk qanin, ndërsa unë shpërtheva, pa e përmbajtur veten as në lot e as në fjalë, deri edhe duke bërtitur: “Jo, jo! Kjo nuk duhej të ndodhte! Kjo nuk duhej lejuar!”. Se ç’kam thënë të tjera, as nuk i mbaj mend dhe as nuk dua t’i shënoj. Veçse duhet të them që, atë ditë, me rrëzimin e monumentit dhe me egërsinë me të cilën po silleshin turmat e ndezura nga forcat e errëta, të brendshme e të jashtme, realizova se edhe në vendin tonë u ça diga e sistemit socialist, duke humbur edhe çdo iluzion e shpresë se do të ruheshin fitoret e arritura me aq gjak e djersë nga populli, nën udhëheqjen e Partisë sonë të Punës.

U ngrys ajo ditë e përzishme dhe askush nuk më erdhi, askush nuk më mori në telefon, asnjë nga anëtarët e Byrosë Politike a sekretarë të KQ, asnjë nga shokët e shoqet më të ngushtë. Unë, tashmë e kisha mbledhur veten plotësisht. Nga kjo braktisje dhe nga paniku i shokëve e miqve më të afërm, më mbeti veç një shije e hidhur dhe e ndjeva se më duhej të notoja e vetme në dallgët e këtij vërshimi kundërrevolucionar e antikomunist, të mbaja e të shpëtoja familjen time, fëmijët e mi e të vegjlit e tyre, që nuk m’u ndanë, dhe, pa shumë fjalë, më shumë me sjelljen e tyre, donin të më tregonin që s’ishin fare të frikësuar. Atë natë, bashkë me dy djemtë e mi dhe me një nga oficerët e shtëpisë, që ndihmonte edhe në lëvizjet dhe në bartjen e dosjeve të arkivit familjar, të Enverit dhe të miat, duke ndarë veç ato që ishin origjinale e në dorëshkrim, nga ato të daktilografuara a të fotokopjuara, punuam deri në të gdhirë/ në mëngjes, menjëherë pas orës 7, oficeri në fjalë i çoi në KQ të gjitha dosjet kryesore që seleksionuam, si dorëshkrime, etj., të cilat i depozitoi për ruajtje dhe siguri. Për mua, tashmë, ishte fare e qartë që do të largohesha jo vetëm nga shtëpia ku rrinim, por edhe nga shtëpia e vogël, ku banuam për 30 vjet, pas çlirimit, të cilën, me vendim të firmosur nga Kryeministri Adil Çarçani, ma linin mua për banim, kurse fëmijët ishin në kërkim të apartamenteve për strehimin e tyre. Prandaj gjithë mëngjesin u mora me sirtarët, me librat dhe sendet e tjera të mia.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Më 21 shkurt, banda vandalësh erdhën afër shtëpisë sonë, me kërcënimin për ta djegur. Afër drekës, oficeri dezhurn më njoftoi se po flitej që në drejtim të shtëpisë po vijnë banda, që djegin e shkatërrojnë. Unë kisha dëgjuar për kërcënimet e bandave të Azem Hajdarit dhe të PD-istëve të ekzaltuar të Kavajës, që bërtisnin e shkruanin mureve të qyteteve: “Të shkatërrojmë çerdhen e familjes së Enver Hoxhës”, “Familja Hoxha në burg”, “Nexhmije Hoxha në litar”, por nuk ma merrte mendja se puna mund të arrinte vërtet në këtë pikë. Duke ruajtur gjakftohtësinë, i thashë oficerit të lajmërojnë djemtë e mi dhe Pranverën që të vinin në shtëpi sa më parë. Me të ardhur ata, u thashë: “Merrni fëmijët tuaj dhe shkoni në familjet e krushqve dhe, në qoftë se nuk jeni as aty të qetë, mund të futeni në ndonjë familje të mirë po në atë shkallë”. Ata morën fëmijët dhe u larguan me një makinë, kurse unë zbrita për të biseduar me kunatën time, Sanon. Aty gjeta mbesën e Enverit, Katerinën, e cila qe martuar me një aviator, që në këtë kohë, megjithëse akoma i ri, kishte dalë në pension për arsye shëndetësore. Ai kishte dalë partizan kur që 14 vjeç. I them mbesës: “Shko pyete E. (të shoqin), a pranon të strehohemi te ju për ndonjë ditë, unë e Sanoja”. Sa iku ajo, gjendja precipitoi. Vjen oficeri i rojës dhe më thotë: “Shoqja Nexhmije, duhet të largoheni nga shtëpia, sepse te kreu i rrugës janë grumbulluar huliganë, me thasë në krahë (siç dukej, për të grabitur ç’mund të grabitnin) dhe bërtasin ‘do ta djegim shtëpinë e Enver Hoxhës’.

Te hyrja e shtëpisë, – shtoi ai, – ka ardhur një autoblindë e gardës, që t’ju dërgojë diku, jashtë qytetit…”. “Jeni në vete, – i thashë, – unë të hipi e të largohem me autoblindë?! Jo! Kurrë!”. Unë i kisha larguar fëmijët dhe për vete nuk kisha më frikë. Kthehem te kunata  dhe i them: “Vishu shpejt, se do të shkojmë te Shtëpia e Partisë” (kjo ishte vetëm disa hapa larg shtëpisë sonë; nga përpara kishte zyrat e KQ dhe në krah të saj ishte shtëpia e Ramiz Alisë). Mendova: “Në qoftë se ka ardhur puna që as aty të mos jesh e sigurt, në dreq të vejë!”. Tani që po shkruaj këtë libër, po shtoj këtu se, kur qemë bërë gati për të dalë, ia behën katër oficerët e shërbimit të brendshëm të shtëpisë sonë, që erdhën vullnetarisht në krye të detyrës, jashtë turneve të tyre. Për këtë akt të tyre, fëmijët dhe ndonjë nga oficerët kanë shkruar në kujtimet e tyre, por unë po shënoj këtu vetëm fjalët që u thashë atyre: “Në asnjë mënyrë nuk duhet të derdhet gjak në shtëpinë e Enver Hoxhës. Lërini ta djegin!”.

Shënimet e burgut vazhdojnë: Dolëm me Sanon nga porta anësore dhe hymë në Shtëpinë e Partisë. Ndërkohë, banditët i qenë afruar shtëpisë me thirrje të egrish, por një breshëri-qitje në ajër nga autoblinda, që kishte rrëzuar përdhe gjethet e drurëve të blirit të rrugës, i vuri në ikje me vrap huliganët e paguar, të cilët panë se nuk ishin plumba gome, si ata të Policisë së Hekuran Isait. Ata nuk ishin aq të vendosur sa të linin kokën në këtë aventurë të shëmtuar. Siç më thanë më pas, oficerët e shërbimit kishin ardhur të mbronin shtëpinë, nëse guxonin banditët të hynin brenda. Gjithashtu, me iniciativën e tij, kishte ardhur shefi i gardës, megjithëse nuk kishte marrë ndonjë urdhër nga lart. Ai kishte thënë: “Kjo bën pjesë në detyrat e Gardës… ç’ndryshim ka nëse ky kërcënim nuk vjen nga jashtë, por nga brenda?”. Ky ushtarak trim e besnik i betimit që kishte bërë për mbrojtjen e Republikës e të Socializmit, me mençurinë e tij, e dinte se përballë nuk kishte kundërshtarë idealistë, të vendosur për të derdhur gjakun e tyre, por banda hajdutësh dhe vrasësish, të lëshuar si të tërbuar nga hekurat e burgjeve, prandaj mjaftonin një a dy breshëri në ajër dhe të evitohej një akt vandal dhe një skandal i turpshëm për shtetin tonë socialist.

Tani mendoj, po pse, a nuk mund të veprohej po kështu edhe për Monumentin e Enverit, i cili mbrohej edhe me ligj?! Përse u lanë autoblindat a tanket (nuk e di sa ishin dy a tri) të fshehura pas Muzeut Historik dhe nuk u lejuan ato të vendoseshin anash e përpara monumentit dhe me praninë e tyre t’u thoshin turmës së grumbulluar në Sheshin “Skënderbej”: “Mos guxoni të vini dorë mbi të, se është një akt barbar, që dënohet me ligj”? A nuk do të ishte një vendim më i mençur që t’u jepej urdhër drejtuesve të këtyre mjeteve që “në asnjë mënyrë të mos qëllonin mbi turmën a ndonjë personazh të veçantë në veprim, por veç të qëllonin në ajër për ‘intimidim’ e frikësim”. Pasi u qetësua gjendja rreth shtëpisë sonë, nuk po e duroja dot ndarjen nga fëmijët. Pyesja: Ku janë ata? Si janë? I them oficerit shoqërues të informohet dhe t’u thoshte ku jam unë dhe se do të desha të ishim bashkë, për të vendosur ç’do të bënim më tej. Fëmijët erdhën njëri pas tjetrit, me të vegjlit e tyre. Nuk dukeshin fare të tronditur ose, të paktën, nuk e tregonin këtë, si para meje dhe para të vegjëlve të tyre. Përkundrazi, përpiqeshin të më bënin të qeshja, duke më treguar si ishin larguar nga shtëpia, çfarë tipash kishin parë në rrugicat rreth shtëpisë, të parruar, me flokë të gjatë, disa me thasë plastmase e të llojeve të tjera në supe.

Të vegjlit ishin euforikë, se e kishin përjetuar këtë si një aventurë nga ato që shohin në filmat televizivë. Sigurisht, ata nuk mund të kuptonin se çfarë rreziku dhe “kthese e fortë” po ndodhte në jetën e tyre. Kishte kaluar ora e drekës, por asnjëri nga fëmijët nuk kishte ngrënë gjë. Oficeri shoqërues shkoi në shtëpi, mori ca bukë e djathë e ç’gjeti, për të vegjlit. Ne, të mëdhenjtë, biseduam mes nesh. Në shtëpinë ku ishim, nuk mund të rrinim as edhe një natë. Shtëpia e Partisë kishte një sallë bilardoje e ping-pongu, sallë kinemaje, ndërsa në katin e dytë kishte vetëm dy dhoma, me nga dy krevate, ku flinin shokë të Byrosë Politike, të cilët punonin në rrethe si sekretarë partie. Ndërkohë, ne nuk dinim ç’po ndodhte në qytet. Që nga dita e djeshme e rrëzimit të monumentit, u bënë më shumë se 24 orë, që tek unë nuk erdhi asnjë shok nga Byroja, asnjë nga sekretarët e KQ. Madje, nuk më mori në telefon asnjë prej këtyre dhe asnjë kuadër i ngarkuar nga aparati i KQ ose nga Ministria e Brendshme, për të pyetur si ishim ose për të na thënë se ç’duhet të bënim. Orët po kalonin, po afrohej mbrëmja. I them oficerit shoqërues të lidhej me drejtorin e Drejtorisë së Ministrisë së Brendshme që merrej me lëvizjen e udhëheqjes së lartë të Partisë e të shtetit. Na erdhi një zyrtar, që unë e shihja për herë të parë.

Ishte i ri dhe në moshë dhe, me sa dukej, zëvendësonte kuadrin e vjetër, Xhule Çirakun, që kishte qenë partizan. Isha ca e zemëruar nga ky qëndrim neglizhent, por, duke parë se ai ishte i ri në detyrë, u përmbajta dhe i thashë: “Ç’keni vendosur për ne? Jeni në dijeni ju se çfarë ndodhi rreth shtëpisë sonë, jam vetë i pesëmbëdhjetë, bashkë me shtatë të vegjlit dhe këtu s’mund të rrimë. Ku mund të shkojmë?”. Ai, shumë i prekur, tha: “Është shumë e drejtë vërejtja juaj… kemi qenë shumë të zënë… unë s’kam marrë ndonjë urdhër për ju…”. “Mirë, – i thashë, – shko u thuaj përgjegjësve të tu që të vendosin ku duhet të shkojmë sonte dhe të marrin masa!”. (Kur i thashë “përgjegjësve të tu”, kisha të parasysh drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Brendshme) Një takim i pangjarë ndonjëherë, me Ramiz Alinë dhe Adil Çarçanin. Nuk kaloi shumë kohë dhe erdhën Ramizi me Adilin. I prita me një fytyrë të zymtë. U ulëm në një kënd të sallonit. Ramizi, me një zë të këputur, tha: “Na vjen keq për atë që ngjau dje…”. Unë e ndërpreva: “Keq? Turp, turp, turp i pashlyeshëm! Ju e dini, -vazhdova, – kur vdiq Enveri, ju dhe askush tjetër nuk më pa të qaja. Qe një ngushëllim i madh për mua që atë e qau një popull i tërë… kurse dje, qava dhe ulërita nëpër shtëpi, si një e plagosur… Enveri u la të tërhiqej zvarrë në sheshin ku ti u betove, shoku Ramiz, u la për t’ua çuar kurban studentëve, që gjoja bënin grevë urie me këngë rrok, për t’i hequr emrin e Enverit universitetit, që u ngrit me iniciativën e tij. Më vjen keq shoku Adil, që ju e mbyllët karrierën tuaj me një firmë për heqjen e emrit të Enverit…”.

“Jo, nuk është ashtu, – ndërhyri Ramizi, – Adili do të vazhdojë të punojë e të luftojë…” Buzëqesha lehtë dhe hidhur me këto lloj iluzionesh që, tashmë, ishin përmbysur bashkë me shtatoren e Enverit dhe ishin djegur në flakën e veprave të tij, ashtu si vënin dikur skuadronet naziste, kur ngjiste shkallët e pushtetit Hitleri në Gjermani. U thashë: “Ju kanë raportuar se çfarë ngjau sot rreth shtëpisë? Si shpëtoi shtëpia e Enverit nga grabitjet, rrënimi, djegia dhe shpëtoi familja e tij nga linçimi..? Si është e mundur që kanë kaluar 24 orë nga ajo, që, për mua qe vdekja e dytë dhe më e rëndë e Enverit, dhe s’u kujtua asnjë nga ju, as nga anëtarët e Byrosë, asnjë nga sekretarët e KQ, asnjë shok, asnjë shoqe të vinte të më thoshte një fjalë ngushëlluese dhe tani ndodhem në rrugë, vetë i pesëmbëdhjetë, dhe nuk di ku të shkoj…!”. “E drejtë, – tha Ramizi, – por kemi qenë shumë të zënë, se gjendja është shumë e acaruar dhe ishim të angazhuar në disa mbledhje…”.

(A.B.:E.K/Dosja.al)

Një Koment në “‘Ulërita nëpër shtëpi si një e plagosur!’, Nexhmije Hoxha tregon për herë të parë sherrin me Ramizin pas rrëzimit të bustit të Enverit

  1. Lexova fragmentin. Shkruan ne menyre te sinqerte. Duket qarte se cfare mendon ajo per popullin dhe cfare populli per te. Duket pak e pandergjegjshme dhe e papergjegjeshme se perse e urrejne te gjithe? Duket e zhgenjyer nga ramizi dhe adili. Me sa duket ka qene e sigurte qe do te kishte nje rreth njerezish te fuqishem qe sdo ta lejonin te humbte kurre pushtetin. I shoqi, diktatori, ishte me largpames dhe do te kishte luajtur me mire me bllefin e hijes se tij te frikshme. Megjithate edhe ai do tia kishte mbathur sepse nuk mund te ishte me i forte se koha.

Shto Koment