Aktualitet

Theu masën ‘arrest shtëpie’/ Shkoi nga Tepelena në Sarandë të vriste ish-gruan, kapet 34-vjeçari

Policia ka arrestuar në flagrancë të riun Kleo Hysi, i cili rezulton të jetë edhe person me precedentë të mëparshëm penalë.

10 Korrik 2022, 15:08 Nga k.m.
Theu masën ‘arrest shtëpie’/ Shkoi nga Tepelena në
Foto ilustruese

SARANDË- Policia e Sarandës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale. Por fatmirësisht “blutë” e qytetit kanë ndërhyrë në kohë duke parandaluar krimin në familje, duke prangosur edhe 34-vjeçarin, i cili ka tentuar t’i marrë jetën ish-bashkëshortes dhe partnerit të saj, Isuf Jaçaj. Policia ka arrestuar në flagrancë të riun Kleo Hysi, i cili rezulton të jetë edhe person me precedentë të mëparshëm penalë. Dyshohet se ai kishte udhëtuar enkas nga Tepelena në Sarandë për të vrarë ish-bashkëshorten, shtetasen me iniciale F.Ç., me të cilën ka dy fëmijë, respektivisht 9 dhe 13 vjeç.

NJOFTIMI I PLOTË:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pasi kanë marrë njoftim se në lagjen nr.4, Sarandë, shtetasi K. H. kishte konflikt me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen F. C., 31 vjeçe dhe bashkëjetuesin e saj, shtetasin I. J, të cilët i kërcënonte se do t’i vriste me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “On time”.

Si rezultat i operacionit, shërbimet e Policisë kanë vënë në pranga shtetasin K. H., 34 vjeç, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Gjatë kontrollit fizik të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, gati për qitje.

Po gjatë këtij operacioni, u bë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit I. J., 55 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e ftohtë (përforcues grushti). Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale ” Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Dhuna në familje”, në ngarkim të shtetasit K. H, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” në ngarkim të shtetasit I. J.

Kleo Hysi, është arrestuar në 2020 për “vjedhje me dhunë në bashkëpunim”, ku pasi ka dhunuar 91-vjeçarin Dhimitër Papa, i vodhën atij 20 mijë lekë të reja dhe një armë gjahu “Baikal” ruse kalibër 12 mm. Në pranga përfunduan dhe dy shokët e tij që e ndihmuan në grabitje. Por për 2 vite ka dalë nga burgu dhe ka vendosur që të shkojë dhe të përndjekë ish-bashkëshorten e tij, me të cilën ka edhe dy fëmijë të mitur.

kleo hysi policia e sarandes sarande burri tenton te vrase ish-gruan

Sondazh

Poll