Aktualitet

Ambasada e SHBA mesazh prekës në 1-vjetorin e tërmetit tragjik: Shqipëria ka treguar një forcë të jashtëzakonshme

26 Nëntor 2020, 08:43 Nga DOSJA
Ambasada e SHBA mesazh prekës në 1-vjetorin e tërmetit tragjik:

TIRANË– Tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019 që mori jetë njerëzish dhe shkatërroi banesa të shumta është kujtuar nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë.

Ambasada shkruan se “Përgjatë vitit të kaluar, Shqipëria ka treguar një forcë të jashtëzakonshme, jo vetëm në rindërtim, por edhe në përballjen me një pandemi globale”.

Mesazhi i ambasadës së SHBA:

Në 26 nëntor bëhet një vit qëkur një tërmet goditi Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në solidaritet me popullin shqiptar, ndërsa ju përkujtoni këtë përvjetor solemn. Përgjatë vitit të kaluar, Shqipëria ka treguar një forcë të jashtëzakonshme, jo vetëm në rindërtim, por edhe në përballjen me një pandemi globale. Shtetet e Bashkuara kanë qënë me ju në çdo hap të kësaj rruge dhe do të vazhdojmë të jemi me ju. Pas dëmtimeve të menjëhershme të tërmetit, zyrtarë dhe ekspertë amerikanë ndihmuan në përpjekjet e kërkim – shpëtimit dhe vlerësuan qëndrueshmërinë e strukturave të shtëpive dhe bizneseve në zonat e prekura. Më vonë, në përgjigje të nevojës më të madhe humanitare, USAID punoi me Kryqin e Kuq Shqiptar për të shpërndarë furnizime emergjente dhe me UNICEF-in për të siguruar shërbime mbështetjeje psiko-sociale për fëmijët që pësuan humbje dhe zhvendosje. Në muajt që vijuan, Shtetet e Bashkuara qëndruan krah jush, ndërsa shihnit drejt së ardhmes. Për të forcuar aftësinë e Shqipërisë për t’iu përgjigjur katastrofave në të ardhmen, Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (EUCOM) ndihmoi në furnizimin e rezervave që mungonin dhe siguroi pajisje kritike për raste katastrofash. USAID i siguroi fonde Kryqit të Kuq Shqiptar për krijimin e një Qendre Operacionesh Emergjente, e cila drejton përgjigjen dhe koordinimin e një krize. Në vlerësim të trashëgimisë unike historike të Shqipërisë, ne dhamë një grant për restaurimin dhe ruajtjen e vendeve kulturore të dëmtuara në qytetin e Durrësit, qytetin e Krujës dhe fshatin e Prezës. Për të siguruar përgjegjshmëri ndaj popullit shqiptar, në shkurt ne shpallëm krijimin e Akademisë së Transparencës SH.B.A – Shqipëri, për të ofruar ndihmë teknike në qeverisjen transparente, qeverisjen e përgjegjshme ndaj qytetarëve, trajnimin anti-korrupsion dhe reformën në drejtësi. Akademia do të fillojë së shpejti punën e saj të rëndësishme këtu në Shqipëri. Sot është edhe Dita Amerikane e Falenderimeve, një ditë për të menduar mbi gjërat për të cilat jemi mirënjohës. Të gjithë ne në Ambasadën Amerikane jemi mirënjohës për miqësinë midis dy vendeve tona dhe urave të shumta midis dy popujve tanë. Së bashku, ne do të vazhdojmë të rindërtojmë Shqipërinë, do të qëndrojmë të fortë përballë fatkeqësive, dhe do të ecim drejt një të ardhmeje më të sigurt, më të begatë. Sot, Shqipëria është në mendimet tona.

Një vit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Si sot një vit më parë ndërruan jetë 51 persona ndërkohë që u plagosën mijëra të tjerë. Ende qindra mijëra qytetarë nuk janë futur në shtëpitë e tyre. Ndërkohë që hetimet për të gjetur fajtorët ende vazhdojnë. Prokuroritë kanë zhgënjyer më punën e bërë, pasi e vetmja dosje, që u finalizua dhe dërgua në gjykatë, ishte ajo e prokurorisë së Durrësit me 16 të pandehur, biznesmenë dhe ish-zyrtarë të ALUIZNI-t. Nuk kanë munguar as reagimet. I pari ishte kryeministri Edi Rama, i cili tregoi edhe njëherë me detaje ngjarjen e ndodhur dhe përjetimet e tij, ndërkohë që nuk kanë munguar as reagimet e politikanëve të tjerë. Kur është shënuar 1 vit nga lëkundjet e tokës, ende ka qytetarë që nuk kanë hyrë në banesat e reja të premtuara.

(A.B)/Dosja.al

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet termeti i 26 nentorit yuri kim termeti i 26 nentorit yuri kim

Sondazh

Poll