Sociale

1 vit nga tragjedia e 26 nëntorit! 51 persona ndërruan jetë nën rrënoja, mijëra të plagosur dhe në qiell të hapur. Rama rikujton momentet e tmerrshme, asnjë fjalë për të mbeturit në çadra. Zhgënjen dhe drejtësia!

Një vit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Si sot një vit më parë ndërruan jetë 51 persona ndërkohë që u plagosën mijëra të tjerë. Ende qindra mijëra qytetarë nuk janë futur ende në shtëpitë e tyre. Ndërkohë që hetimet për të gjetur fajtorët ende vazhdojnë. Prokuroritë kanë zhgënjyer me punën e bërë. Nuk kanë munguar as reagimet. I pari ishte kryeministri Edi Rama, i cili tregoi edhe njëherë me detaje ngjarjen e ndodhur dhe përjetimet e tij.
Featured image of article: 1 vit nga tragjedia e 26 nëntorit! 51 persona ndërruan jetë nën rrënoja, mijëra të plagosur dhe në qiell të hapur. Rama rikujton momentet e tmerrshme, asnjë fjalë për të mbeturit në çadra. Zhgënjen dhe drejtësia! Erion Veliaj, Edi Rama dhe Sandër Lleshaj

DURRËS– Një vit më parë, orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit, nëntoka u ‘tund’ duke shënuar një prej tërmeteve më të fuqishme në historinë e vendit. 51 persona ndërruan jetë të bllokuar nën rrënojat e gaodinave që nuk i rezistuan dot tërmetit, ndërsa mijëra të tjerë mbetën të plagosur, megjithatë ende në jetë.

Epiqendra e tërmetit 6.4 ballë, ishte në Durrës. Fillimisht vendi u godit nga një valë më pak e fuqishme për t’u ndjekur nga një tjetër që u ndje në gjithë vendin dhe përreth. Qindra godina u shembën duke zënë poshtë qytetarë, pak prej të cilëve ishin aq me fat saqë t’i mbijetonin orëve të tëra në mungesë oksigjeni dhe peshë mbi trupat e tyre.

Familja më e dëmtuar nga lëkundjet e tokës, ishte ajo e Albert Carës. Kryefamiljari është personi i vetëm që i shpëtoi rrënimit të godinës ku jetoi prej vitesh, por humbi 9 anëtarët e familjes. Albert Cara, nga Thumana dëshironte që të qëndronte vetë pranë forcave speciale teksa gërrmonin nën rrënoja, por edhe gjendja e tij u përkeqësua, ndaj u dërgua në Itali për mjekim më të specializuar. Për disa muaj, Cara qëndroi jashtë vendit me idenë se kur të kthehej do të takohej me fëmijët e tij dhe me bashkëshorten.

51 persona humbën jetën nën rrënoja, 25 në Durrës, 25 në Thumanë dhe 1 në Lezhë. Midis viktimave ishin dhe 10 fëmijë të moshave 2-10 vjeç. Ndërkohë, pas tërmetit humbën jetën edhe 2 persona nga Kurbin, njëri në spital nga plagosjet gjatë lëkundjeve dhe një tjetër përmes vetëvrasjes, për shkak të stresit post-traumatik.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kanë ndarë në profilet e tyre sociale pamje nga tragjedia e një viti më parë dhe kanë shprehur mesazhet e tyre ngushëlluese për viktimat që humbën jetën. Rama në videon e ndarë në rrjetet e tij sociale tregoi gjithë ndjesitë e tij lidhur me tërmetin, ndërkohë “harroi” të përmendte ata që jetojnë edhe sot në çadra teksa presin banesat e tyre të reja.

Ndërkohë që ditët dhe muajt kanë kaluar, vendi ka nisur nga puna për shërimin e plagëve të shkaktuara. Në një konferencë donatorësh, qeveria europianë vendosi që të japë 1,15 miliardё euro tё mbledhura nё formё grantesh dhe kredishë për procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit. Puna në disa kantiere ndërtimi ka nisur, ndërkohë që kryeministri Edi Rama premton se të gjithë të prekurit do të futen në banesat e tyre të reja natën e ndërrimit të viteve. Se sa do të realizohet mbetet për t’u parë…

Zhgënjyese është edhe puna e bërë nga organet hetimore, të cilat kanë arritur që të kopsitin vetëm një dosje, ndërsa për të tjerat janë ende në sirtarët e Prokurorirve. E vetmja dosje, që u finalizua dhe dërgua në gjykatë, ishte ajo e prokurorisë së Durrësit me 16 të pandehur, biznesmenë dhe ish-zyrtarë të ALUIZNI, e zyrës së urbanistikës të Bashkisë Durrës. Kur edhe një vit ka kaluar, të prekurit nga tërmeti ende presin drejtësinë…

(k.m./dosja.al)

  • 16:26

    1 vit nga tërmeti/ Meta me kritika: E papranueshme që ka ende familje të pastrehuara

    Në 1-vjetorin e tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit të kaluar, Presidenti Meta ka zgjedhur që të flasë nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut. Në prononcimin për mediat, Meta u shpreh se është i papranueshëm fakti që ende nuk është garantuar strehimi për shumë familje, që humbën banesat e tyre nga tërmeti i nëntorit. Në fjalën e tij, kreu i shtetit shtoi se duket më shumë punë nga ana e qeverisë dhe më pak propagandë.

    “Meqenëse sot është edhe përvjetori i tërmetit mjaft të fortë dhe të rëndë dhe tragjik që mori 51 jetë të qytetarëve tanë dhe që shkatërroi banesat dhe pronat e aq shumë qytetarëve të Krujës, Kurbinit, Durrësit, Kavajës, Tiranës e kështu me radhë. Dua të shpreh solidaritetin me të gjithë që edhe pas një viti vuajnë ende moszgjidhjen e çështjes jo vetëm të banimit por edhe të ndihmës së vazhdueshme. Një pjesë e tyre jetojnë në kushte të vështira dhe dimri tashmë ka hyrë. Për shkak të këtyre kushteve mund të jenë edhe më të rrezikuar për rënien e imunitetit dhe prekjen e tyre nga COVID-19. Është e rëndësishme të shtohen të gjitha përpjekjet për të qenë sa më pranë tyre. Sa më pak propagandë, sa më shumë punë, sa më shumë transparencë dhe njëkohësisht ndëshkim për të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi për cilësinë e dobët të ndërtesa të cilat u shkatërruan një vit më parë”, tha Meta.

  • 10:26

    Humbi nënën dhe djalin në tërmetin e 26 nëntorit/ Servet Vata rrëfen momentet e tmerrit: Isha në Greqi më morën në telefon, banesa ka pasur plasaritje nga muaji shtator

    Servet Vata

    Servet Vata është një burrë nga Thumana, i cili ka humbur nënën dhe djalin e tij 7-vjeçar, për shkak të tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar, ditën e sotme ai i është drejtuar varrit të tyre, ku dhe ka rrëfyer momentin e tmerrit. Në një intervistë të dhënë në Fax News, kryefamiljari ka rrëfyer momentin e tmerrit, sesi e ka mësuar lajmin e hidhur.

    Vate ka treguar se ai vetë ndodhej në Greqi, pasi kishte shkuar për punë sezonale, kur e morën në telefon dhe i treguan për tërmetin, ai mori vesh lajmin e hidhur se nëna dhe djali i tij nuk mundën të mbijetonin. Sakaq, ai ka rrëfyer se ata jetonin në një pallat 5- katësh, i cili kishte pasur plasaritje që në muajin shtator, por nuk ishte rregulluar. Ndërkohë, nga familja e tij kanë mbijetuar vetëm gruaja dhe një djalë, të cilët jetojnë në një banesë sociale në Tiranë të paguar nga shteti bashkë me të, pasi ai ka treguar se nuk është kthyer më në Greqi pas tërmetit.

    “Më morën në telefon dhe na thanë se kishte rënë tërmet. Isha në Greqi në atë kohë, kur erdha këtu, ça me pa ishte bërë katastrofë. Familja jetonte në pallatin 5 katësh, mbijetuan veç nusja me djalin, nëna me djalin tjetër nuk dolën dot, nuk shpëtuan. Më keq nuk ka më, është një tragjedi shumë e keqe, ishte një tragjedi, u doli shpirti mezor, kishim 23 vite që jetonim në atë shtëpi. Banesa ka pasur plasaritje që prej shtatorit, por edhe Korrikut të 2018-tës. I patën pa kështu, dhe thanë që do e rregullonin e do na vinin në ndihmë, nuk u mor asnjë gjë për bazë. Pa ndodhur e keqja nuk bëhet asgjë, jetojmë në Tiranë në banesa sociale, na e paguan shteti banesën. Nuk jam kthyer më në Greqi, pas tërmetit”, tregon Servet Vata.

  • 12:13

    FOTOT: Lot dhimbjeje në Thumanë! Familjarët përkujtojnë viktimat e tërmetit të 26 Nëntorit, banesa e fundit e tre familjeve që u shuan nën rrënoja

    Lot dhe dhimbje në Thumanë!  Familjarët e viktimave të tërmetit të 26 nëntorit kanë shkuar në varrezat e atyre që humbën jetën për t’u kryer ritet e nderimit. Në Thumanë u shuan tre familje, ato Lala, Cara dhe Gregu, por ata nuk janë harruar nga familjarët e tyre. Në fotot e mëposhtme, duken qartë momentet e vështira që po kalojnë, ndërsa nuk i kursejnë as lotët.

  • 12:11

    “Një vit pa ju”/ Evi Reçi kujton familjarët që humbi nga tërmeti i 26 nëntorit: Më mungoni shumë…

    Një vit më parë, këngëtarja dhe moderatorja Evi Reçi humbi shtatë persona të afërm për shkak të tërmetit shkatërrues në qytetin e Durrësit. Sot ajo ka ndarë në rrjetet e saj sociale, fotot e tyre krahas të cilave shkruan se i mungojnë shumë.

    “Më keni munguar shumë! Një vit pa ju!,”-shkruan ajo.

  • 11:43

    Një vit nga tërmeti/ Kryemadhi: Zemrat tona u ndanë më dysh, shumë familje janë ende sot në mes të rrugës

    Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në 1-vjetorin e tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Me anë të një postimi në Facebook, Kryemadhi kujton edhe ata që ende sot janë në çadra pasi procesi i rindërtimit nuk ka përfunduar.

    “Ndërsa ekonomia dhe papunësia vazhdon përkeqësimin, shqiptarët vazhdojnë emigrimin. Rindërtimi nuk duhet të përdoret nga qeveria si një program propagande. Krizat kërkojnë lidership të përgjegjshëm në drejtim, që nuk nxit probleme por zgjidh probleme,”-tha Rama.

    POSTIMI I PLOTË:

    Një vit më parë, zemrat tona u ndanë më dysh prej tërmetit që tronditi themelet e Shqipërisë, duke rezultuar në humbjen e jetëve të 51 qytetarëve tanë. Solidariteti vëllazëror mes shqiptarëve dhe mbështetja e miqve të huaj na mundësoi të qëndronim në këmbë gjatë atyre momenteve shumë kritike pasigurie për familjet shqiptare, për ekonominë shqiptare, për biznesin dhe punonjësit. Lëkundjet e tokës, treguan për të gjithë, Shqipërinë përtej fasadës së Rilindjes. Pas tyre, Shqipëria pati një përballje katastrofike me krizën që la pas tërmeti. Ende sot, 1 vit nga ngjarja tragjike, familjeve që i mbijetuan tërmeteve nuk iu është mundësuar një strehim i sigurtë por janë lënë në mes të rrugëve, pa zgjidhje. Ndërsa ekonomia dhe papunësia vazhdon përkeqësimin, shqiptarët vazhdojnë emigrimin. Rindërtimi nuk duhet të përdoret nga qeveria si një program propagande. Krizat kërkojnë lidership të përgjegjshëm në drejtim, që nuk nxit probleme por zgjidh probleme. Ka nevojë për drejtues që të kenë ndjeshmëri ndaj qytetarëve dhe vizion bashkimi për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe të plotë të krizave, të problemeve ekonomike dhe sociale që ato shkaktojnë. Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që punon për të gjithë, jo vetëm për ata të lidhur me të.

  • 11:11

    ‘S’ka më fëmijë me qa për nënën, s’ka më nënë me qa për fëmijët’/ Dedikimi prekës për anëtarët e familjes Cara, i mbijetuari u shkruan poezinë: Më plasi zemra, mendova se do bëhem gjysh, as baba s’mbeta!

    Tërmeti i 26 nëntorit dëmtoi më së shumti familjen Cara, e cila humbi 5 persona, ndërsa gjallë mbeti vetëm kryefamiljari Albert Cara. Ky i fundit i ka bërë një dedikim prekës familjarëve të tij në banesën e tyre të fundit.

    Atë të martë të zezë nëntorit, ai tërmet i zi jetën ua mori. Erdhi nëntokë papritur dhe u vërsul mbi ju si i uritur. Eh tërmet fort me lëkundje mi dhe dhimbje shpirtit tim, s’ka më fëmijë me qa për nënën, s’ka më nënë me qa për fëmijët. Qau dhe qielli mbi rrënona leshun lot dhe ret e zeza familja e Bert Carës u shpërngul, në varrezë sa shumë u luta poshtë nën rrënoja, por ishte errësirë dhe s’ju shikoja, sa shumë qava dhe rënkova, por asnjë dot nga ju nuk shpëtova. Mendova se do bëhem gjysh, por as baba nuk mbeta. M’u ça jeta në dysh nga plagët që më dha jeta. Më plasi zemra nuk di ku të shkoj, s’ka doktor të më shërojë, veç i lutem të madhit Zot të vij te ju në tjetrën botë. Emrat tuaj në zemër i kam shkruar, ju jeni kujtimi më i bukur që s’kam për t’iu harruar. Përjetësisht në zemrën time, Fatmira, Alrimi , Stela, Erisa Hasan,“-shkruhet në dedikim.

  • 11:02

    ‘Ishte ankth dhe tmerr’/ Humbi gjithë familjen gjatë tërmetit, Albert Cara nuk i përmban lotët, fjalët prekëse që i tha të birit të varri: Kishte emrin e babait tim

    Albert Cara është një prej më të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri. Ai humbi të gjithë anëtarët e familjes, të cilët mbetën nën rrënojat e banesës së tyre. Për homazhe në varrezat e të ndjerëve ishte edhe nëna e nuses së familjes Cara, nënës së Stelës. Të dy kanë ndarë momentet e ferrit.

    PJESË NGA INTERVISTA:

    E ëma e Stelës: U nisa për në punë mora vesh lajmin. Në rendinim spital në spital, vajza ime dhe dhëndri kanë dalë të fundit fare. Ishte ankth dhe tmerr.

    Albert Cara: E di që kam qënë 8 orë nën rrënoja. Isha i mpirë, u thashë që më keni nxjerrë trupin, por këmbët i kam brenda.

    Arsen Rusta: I the djalit tek varrezat: Ike shpejt, nuk e përballove

    Albert Cara: *përlotet E kisha shok jo djalë. I vogli kishte emrin e babait tim, por e la shumë shpejt. Djalin e madh e kisha shok, vajzën adrenalinë, ndërsa nusja ishte mjalti i mjaltit.

  • 10:02

    “Edhe 7 sekonda, tragjedia do të kishte ndodhur”, gazetarja rrëfen traumën pas tërmetit të 26 nëntorit: S’jetoj më tek i njëjti pallat, bashkia e ka lënë rikonstruksionin në 3D, erdhën dhe pseudoekspertët nga prokuroria…(RRËFIMI)

    Një vit nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019, por trauma ende nuk ka kaluar për një pjesë të mirë të dëshmitarëve të asaj nate. Një prej tyre, gazetarja Armela Ferko, tregon se nga ajo natë nuk banon më në apartamentin e saj, pasi pallati është shpallur i pabanueshëm. Përtej traumës së rëndë dhe frikës pas asaj që ndodhi, gazetarja denoncon se që prej asaj dite ende nuk ka nisur puna për rikonstruksionin e pallatit, ndërsa shton se edhe prokuroria nuk e ka lëvizur gishtin.

    POSTIMI I PLOTË I ARMELA FERKOS: 

    Nese lekundjet do vazhdonin edhe 7 sekonda, tragjedia do kishte ndodhur”…”Do kishte perfunduar si Thumana”… Keto fjale te disa prej eksperteve qe inspektuan pallatin tone me kane ngelur ne mendje ende sot. Me kane bere te kuptoj sa i holle eshte filli qe ndan jeten nga vdekja, por edhe sesa pak vlen jeta ne Shqiperi. Babezia per te fituar para edhe nga cimentoja, me te cilen behet betoni- kaq vlente jeta e familjes sime dhe dhjetra familjeve te tjera ne kompleksin ku une BANOJA. Po, po BANOJA! Sepse qe prej dhjetorit 2019 pallati eshte shpallur i pabanueshem ne shkallen DS4. Ai ka demtim te kolonave dhe te struktures mbajtese. Por historia mbyllet me kaq! Bashkia ka prezantuar nje projekt per rikonstruksion qe ne daten 16 korrik, e gjithcka eshte stopuar aty, si gjithmone ne projekt 3D. Tani pervec harreses se bashkise Tirane, rreth dates 1 nentor 2020 (pak dite nga nje vjetori i termetit tragjik) u kujtua edhe prokuroria qe nuk ka mbledhur ende provat!!!!!!!!
    Ishin dy pseudo-eksperte nga prokuroria, te cilet as dinin cfare kerkonin dhe as cfare do benin, por ama per nje gje ishin te sigurte: pallati nuk mund te nise rikonstruksionin, pasi prishen “provat” dhe eshte ende nen hetim…..
    Nderkohe taksapaguesit shqiptare vijojne te paguajne per bonuset e qirave, qe as nuk mjaftojne per te siguruar nje banese me qira ne Tirane. Gjithsesi, jane para te shperdoruara, sepse pallati mund te ishte rregulluar, e nuk do kishte nevoje per shpenzime te tilla, qe nuk jane as zgjidhje.
    A ka banore qe jane rikthyer ne pallatin qe rrezikon te shembet ne termetin e radhes? Sigurisht qe po!….sepse te lodhur nga pritja e kot, shumekush ka vendosur te rrezikoje jeten e vet dhe te femijeve, duke u rikthyer ne strehen e vet (qe per shume njerez, eshte me e sigurta ne bote)
    E kuptoni se cfare neverie kam kur shoh gjithe shoën propagandistik mbi gjerat fantastike te rindertimit? Kur nje pallat ne Tirane, me projektin gati, nuk arrin te beje thjesht nje rikonstruksion permes forcimit te struktures, imagjinoni per dhjetra pallate apo banesa, ne Durres apo me gjere…. Ne keto ore te para te 26 nentorit trupi me dridhet, sepse mengjesi i nje viti me pare eshte ende prezent tek une…jam e bindur, si tek shume prej jush. Por trauma me e madhe eshte ajo qe krijohet nga tallja e vet shtetit. Uroj qe Zoti mos te na sprovoje me nje tronditje tjeter, sepse justifikimi per viktimat eshte gati…njejte si fatkeqet qe u lane te vdisnin brenda pallateve ne Thumane.

  • 9:16

    ‘Kam parë pallatin që shkërmoqej’/ Humbi gruan, vajzën dhe mbesën gjatë tërmetit, burri nga Durrësi: Unë jetoj kot, nuk shpëtohen njerëzit me thonj

    Tërmeti i një viti më parë la pas shumë viktima të plagosur, shtëpi të rrënuara dhe familje të cilat u shkatërruan pasi humbën familjarë të tyre. Një prej tyre është dhe Ajet Meçja, oficer policie prej 4 dekadash, i cili humbi në rrënojat e një pallati në Durrës bashkëshorten, vajzën, dhe mbesën e tij vetëm 9-vjeçare. Për ‘Fax news’, Meçja shprehet se ai kërkon drejtësi, dhe hedh akuza për shtetin, që gërmimet për vajzën e mbesën e tij e ka kryer pa mjetet e duhura.

    “Ne ishim mbledhur si çdo familje, biles vajzat erdhën aty me idenë që pallati ynë ishte i sigurt. E kam parë pallatin që shkërmoqej, kam dëgjuar ulërimat e mbesës, gjithçka u shemb brenda në sekondë. Dhe lutesh që të shpëtojë dikush nga të afërmit e tu. Nuk shpëtohen njerëzit me thonj, pas asnjë mjet, specialistët erdhën shumë vonë. Ka një vit dhe ende nuk është bërë drejtësi, unë jetoj kot, shpirtrat e tyre kërkojnë drejtësi. Fatkeqësi e madhe, mos e pastë njeri fatin tim”, shprehet Meçja, të cilit iu shkatërrua jeta para syve një vit më parë.

  • 9:10

    Një vit pas tërmetit, Prokuroria e Krujës merr 10 persona nën hetim për shkollën “Ramazan Jangozi” në Thumanë, mes tyre funksionarë të Bashkisë

    Një vit pas tërmetit të 26 nëntorit të 2019, Prokuroria e Krujës ka regjistruar procedimin penal për shkollën e dëmtuar ”Ramazan Jangozi” në Thumanë. Për godinën e dëmtuar janë vënë nën hetim 10 persona, të cilët akzuohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumentave.

  • 8:41

    Veliaj ndan videon e Ramës, kujton tragjedinë e një viti më parë: Më e keqja është pas krahëve dhe më e mira është e gjitha përpara nesh

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj ka ripostuar në Facebook videon e kryeministrit Rama në lidhje me 1 vjetorin e tërmetit fatkeq të 26 nëntorit 2019. Veliaj shkruan se kujtimi i viktimave do të jetë i paharrueshëm e se më e keqja ka kaluar. Ndër të tjera Kreu i Bashkisë thotë se më e mira është para nesh. I paharruar kujtimi i viktimave të tragjedisë së një viti më pare. Më e keqja është pas krahëve dhe më e mira është e gjitha përpara nesh’.

    Tërmeti i 26 nëntorit me magnitudë 6.4 ishte një nga më të fortët që është regjistruar ndonjëherë në vendin tonë. Si pasojë e lëkundjeve të forta u shembën qindra ndërtesa, duke lënë të pastrehë mijëra shqiptarë. Po ashtu humbën jetën edhe 51 persona, të cilët mbetën nën rrënojat e ndërtesave.

  • 8:34

    1 vit nga tërmeti i 26 nëntorit, Lleshaj: Respekt e mirënjohje për punonjësit e Policisë, zjarrfikësit, personelin shëndetësor që shpëtuan jetë

    Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka kujtuar ditën e sotme tërmetin e një viti më parë që mori 51 jetë njerëzish dhe plagosi qindra të tjerë. Lleshaj ka ndarë në Facebook një foto nga rrënimi i një pallati ku krahas saj shkruan se shpreh respektin për punonjësit e policisë, zjarrëfikëset, personelin shëndetësor dhe të gjithë miqtë që na ndihmuan nga bota.

    ‘Sot përkujtojmë me dhimbje viktimat e tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe shprehim respekt e mirënjohje për punonjësit e Policisë, zjarrfikësit, personelin shëndetësor, miqtë që erdhën nga bota dhe gjithë ata që me përkushtim, solidaritet dhe sakrificë kontribuan që të shpëtohej jeta e shumë shqiptarëve të tjerë’- shkruan Lleshaj.

  • 7:58

    1 vit nga tërmeti, Rama rrëfehet: Ishin ditët më të çmendura të jetës… Një tmerr! Nuk mbaja më mend as datat, i çova SMS disa liderëve botërorë

    Kryeministri Edi Rama ka rikthyer përmes një klipi të shkurtër të gjitha përjetimet e tërmetit të një viti më parë. Në një video të shpërndarë në rrjetet e tij sociale, Rama kujton edhe njëherë momentin kur lëkundjet u ndjenë në të gjithë vendin duke treguar se në makinë, rrugës për në Durrës, u kishte dërguar mesazh disa prej kryetarëve të qeverive që mendonte se mund t’i ndodheshin pranë Shqipërisë, por nuk i bëri me dije emrat e tyre. Më pas, Rama përshkruan me detaje gjithë çfarë pa duke përfshirë edhe mendimet lidhur me tragjedinë, duke përfunduar tek rindërtimi. Në “fjalimin e tij”, kreu i qeverisë premton se të gjithë atyre që tërmeti u rrënoi banesat, do të marrin gjithçka pas por duhet të bëjnë durim.

    U zgjuam natën nga tundjet e shtëpisë, ishin tmerr! Menjëherë telefonatat. Durrësi keq. Aty ishte dhe epiqendra. Mbërrin makina dhe nisem direkt për Durrës. Gjatë githë rrugës flisja me kë mundesha, ministrat, kryetarë bashkish. Laçi keq! Thumana shumë keq! Të gjithë ishin në këmbë, se kishim provuar kurrë më parë diçka të tillë në jetën tonë. i kam çuar aty në makinë në atë stres dhe në atë nxitim sms disa nga shefat e qeverive që i ndjeja më afër në atë moment. Arrij në Durrës, arritja ishte drithëruese tek rrënojat e pallatit që kishte zënë poshtë banorët. Shoh përpara Edisonin, një ish-deputet tonin që kërkonte motrën bashkë me fëmijët. Një tmerr! Ndërkohë që kisha një frikë, një frikë të çuditshme nga vetmia. Nga një ndjenjë vetmie. Si dilet nga kjo situatë katastrofike për mijëra e mijëra njerëz!? Kanë qënë ditët dhe netët më të çmendura të jetës time. Nuk mbaja mend më as datat pas dy apo tre ditësh. Nuk kënaqem nga puna por kam mësuar se duhet durim. Punët e mira duan kohën e tyre. Bota i ka ngritur shumë kohë më parë atë që shohin ne sot. Na duhet vetëm kohë, punë dhe durim. Përkushtimi i madh nuk na mungon. Kjo mbase është pak por kjo është e sigurtë. Ndërkohë kujtoj frikën e njerëzve dhe grumbullimet jashtë , natën, turma-turma. Ato daljet me furi, kur dikush shpërndante lajmin se po vjen prapë tërmeti. Ankthi ishte sa kampe, sa kampe mund të ngremë me çadra në kushte minimale për të gjithë këtë milet? E pamundur! Duke kaluar me makinë në rrugën eplazhit më lindi ideja e hoteleve. Dhe çfarë lehtësimi idhte për çdo familje që futej në autobuz për të shkuar në hotel. Iku dhe një, iku dhe një. Dhe ndërkohë hoetelet që mbusheshin e mbusheshin. U jam shuëm mirënjohës në radhë të parë atyre që hapën dyert e stafeve me shumë përkushtim. Pastaj atyre që erdhën për të na ndihmuar për kërkim shpëtimin. As vetë nuk e besoj që na u gjendën aq shumë miq, që Shqipëria pati aq shumë miq në atë moment aq të zymtë. Pastaj konferenca, konferenca e madhe e Brukselit. Përgatiteshim. Varavingo rrugëve sa në Thumanë, sa rrotull Tiranës. Telefonata me miqtë e huaj në makinë, por frika kishte kaluar. Kukuvajkat në Shqipëri natyrisht nuk mungonin, pr arritëm të mbledhim më shumë se 1 miliadë në Bruksel. Njerëzit kanë filluar që të rikthehen në shtëpi. Gjithnjë e më shumë hyjnë në shtëpitë e tyre të reja javë pas jave. Njerëzit ankohen me të drejtë sepse ka ende për të bërë, unë nuk kënaqem kurrë nga vetja. Në këtë punë kam mësuar durimin. Duhet shumë durim. Na duhet vetëm kohë, punë dhe durim. Përkushtimi i madh nuk na mungon. Kjo mbase është pak por kjo është e sigurtë. 

Shto Koment