Sport

Duka: “Fituesi nuk gjykohet, Reja vazhdon projektin që kemi nisur”

19 Nëntor 2020, 20:10 Nga DOSJA

TIRANE – Arritja e kombëtares shqiptare në Ligën e Kombeve mund të konsiderohet historike, për vetë faktin që na çon në një tjetër nivel të aspektit sportiv, por edhe një ndihmë e madhe financiare për FSHF-në. Pas mbylljes së këtij edicioni, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbolti, Armand Duka, në një intervistë për “News24” bëni një përmbledhje të këtij viti të suksesshëm sportiv në mes të pandemisë.

“Pas çdo gare, fituesi gëzon pas një ndeshjeje të rëndësishme apo jo. Por faktikisht kjo garë, për Shqipërinë ishte specifike. Në një periudhë të vështirë, në radhë të parë jemi të gëzuar që e përfunduam këtë garë në kushtet e pandemisë dhe nën kërcënimin e virusit. Mund t’ju them se ekipi ynë kishte vetem 18 lojtarë në dispozicion në këtë ndeshje të fundi, kjo për shkak të dëmtimeve dhe virusit,” – tha Duka.

Sa i përket arritjes së objektivit numri 1 i futbollit shqiptar, shton: “Grupi ishte me skudra të nivelit të barabartë me ne dhe ta synoje kreun, ishte një objektiv i realizueshëm. Sigurisht mund të kishte paraqitje më të mira dhe pikë më shumë, por fituesi nuk gjykohet dhe tashmë na mbetet të festojmë.”

Ndërkaq, një pikë e përfolur në prag të ndeshjes me Bjellorusinë ishte vazhdimësia e bashkëpunimit me trajnerin Edi Reja. “Në mëndjen time nuk është se kam kushtëzuar jo vetëm Rejan, por edhe trajnerët e tjerë që kemi patur, nga vetëm një rezultat. I shoh gjërat në vazhdimësi dhe rezultati është pjesë e atij vlerësimi. Pa tjetër rezultati të bën të ecësh përpara, por nuk kam qenë në dyshim që Edi Reja ka bërë mirë me gjithë vështirësitë që ka patur dhe mendoj që duhet ta vazhdojë këtë projekt në të ardhmen.”

Oreksi vjen duke ngrënë dhe me sa duket e njëjta gjë ndodh në çdo fushë të jetës. Pas objektivit që ishte vendi i parë në grup, tashmë “kuqezinjtë“, për Dukën, kanë një tjetër objektiv edhe më madhor edhe më të rëndësishëm. “Objektivi ynë më i madh se sa kaq është pjesëmarrja në Euro 2024. Puna e gjithë këtyre viteve është që ne të marrim maksimalen e këtyre rezultateve, pra është pikërisht për të arritur në Europian, duke rinovuar paralelisht ekipin. Kjo nuk do të thotë që nuk do të luajmë në ndeshjet eliminatore për Botërorin, por atje ndeshjet janë më të vështira. Prurjet që ka ekipi i parë me shumë të rinj, siç pamë në ndeshjen me Kosovën, lojtarë si Çepele vetëm 17 vjeç, por edhe disa të tjerë, janë një shenjë pozitive dhe kur i sheh që janë vetëm 22 apo 23 vjeç mund të themi se kemi një ekip të mirë.”

Sa i përet kritikave ndaj trajnerit për skemën apo edhe për mënyrën e lojës në disa ndeshje, presidenti i FSHF, shtoi: “Futbolli është i bukur edhe për atë që diskutohet pas ndeshjes. Nuk duhet të harrojmë që edhe ne kemi 2-3 milionë trajnerë, sepse i gjithë populli bëhet trajner, sidomos kur luan kombëtarja. Megjithatë, përderisa arrin rezultate mund të them se zgjedhjet e tij kanë qenë pozitive jo vetëm skema e lojës, por edhe për përzgjedhjet. Të gjithë pas ndeshjes mund të kuptojmë disa gabime, ndoshta edhe vetë trajneri, por e rëndësishme është që të vendosësh para ndeshjes.”

Në një stadium si “Air Albania”, pika kyçe e diskutueshme është tapeti i barit, i cili gjithmonë nuk ka qenë në kushte të mira. “Fusha e stadiumit nuk është në gjëndje optimale dhe ka një shpjegim, ky është një stadium i mbyllur dhe i njëjti problem ndodh në të gjithë Europën, ku ka stadiume të ngjashëm, pasi kanë vështirë në qarkullimin e ajrit dhe depërtimin e diellit. Ne e menduam kështu stadiumin për më mirë, por rezultoi që nuk ishte zgjedhje e mirë dhe mund të them se do ta ndryshojmë dhe do të vendosim fushë hibride, si disa shtete të tjera. Ne s’kemi luksin të ndryshojmë 2 apo 3 herë në vit siç ndodh në stadiume të ngjashëm që kanë këto karakteristika, për këtë arsye do të mendojmë një zgjidhje si kjo”.
B.T (Dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

sport sport

Sondazh

Poll