Politike

“Maks Velo nuk e duronte dot mungesën e lirisë”/ Edi Rama kujton arkitektin: Hijen e tij e kam para syve qyshse ai vdiq

31 Gusht 2020, 08:30 Nga DOSJA
“Maks Velo nuk e duronte dot mungesën e lirisë”/ Edi Rama

TIRANË– Kryeministri Edi Rama ka kujtuar artistin e famshëm Maks Velo, në 85-vjetorin e lindjes së tij. Shefi i qeverisë shkruan, se Velo ishte një njeri që pëlqente vetminë dhe nuk kishte miq.

Më tej ai tregon, se Velo qeshte shumë rrallë, ndërsa shton se nuk e mban mend kur e ka bërë për herë të fundit një gjë të tillë. Rama shprehet gjithashtu, se arratia e artistit nëpër botë, ishte ajo që e frymëzonte për artin dhe poezinë e tij.

Kryeministri e përkufizon Velon, si një njeri që nuk e mbaje dot lidhur, pasi nuk qëndronte dot pa u zhdukur. Sipas Ramës, hija e artistit vijon të jetë ende mes nesh, pavarësisht se ai ka ikur.

Postimi i Ramës

MAKS VELO u lind në 31 gusht të 85 vjetëve më parë. Kjo është e para ditëlindje pas ikjes së tij nga kjo botë, ku ai jetoi vetëm me hijen e tij, pa grua, pa fëmijë, pa miq. Ishin si dy dashnorë xhelozë, që e donin njëri-tjetrin me gjithsej e që grindeshin sa herë dikush hynte në jetën e Maksit apo jeta e tij sillte diçka të re. Unë e kisha mik Maksin, po jo ai mua dhe më vinte keq për disa si unë, miq të tij, që ngase s’e kuptonin që Maksi s’mund t’i kishte miq, hatërmbeteshin si t’i kishte tradhëtuar, shpërfillur, zhgënjyer. Po ç’faj kishte Maksi që miqtë e tij i kishte gënjyer mendja se ai ishte miku i tyre!

Kur Maksi vdiq nuk arrija dot t’i mbaja mend të qeshurën, as sot që përpiqem t’ia kujtoj nuk ia mbaj dot mend. Është e sigurtë që edhe kemi qeshur, por jo, duket sikur ai është kujdesur të fshijë me penelin e ujshëm çdo buzëqeshje nga akuareli i kujtesës sime për të. Edhe nja dy miq që kam pyetur, nuk e mbajnë mend të qeshurën e Maksit. Hijen e tij po, e kam para syve dhe qyshse ai vdiq, ajo është e qartë dhe qartësisht shkaktarja e jetës vetmitare, e vuajtjeve të mëdha, e sherreve me miqtë, e xhirove natën nëpër qytet dhe e ikjeve të tij arratiake nëpër botë, e padiskutim është ajo frymëzuesja e artit dhe poezisë së tij. Edhe e shpërthimeve të tij publike, padyshim.

Maksi nuk ishte një talent si ata që e kanë artin në vena dhe ngjyrat, tingujt, fjalët u dalin si fryma që marrin. Kishte sforcim në artin e tij. Figurat e tij kanë një gjymtim sekëlldisës, ngjyrat e tij kanë një pengim lodhës, poezitë e tij kanë një ngërç sfilitës, opinionet e tij kanë një ton çjerrës. Arti i tij është si një pasqyrë e sherrit të xhelozisë mes tij dhe hijes së vet. Edhe jeta e tij, me burgun si një kulmim të saj, ishte një siklet i jetuar me pasionin e dashurisë të shfrenuar mes vetes dhe vetvetes, Maksit dhe hijes së vet. Prandaj edhe s’kishte diktaturë ideologjike a rend normash shoqërore, që e fuste dot në rresht Maks Velon, s’kishte lloj marrëdhënieje të kësaj bote që e mbante dot Maksin lidhur me çfarëdo filli. Ai ishte një asket, po ama që nuk rrinte dot pa u dukur dhe ishte një ekzibicionist, që ama nuk rrinte dot pa u zhdukur.

Maks Velo nuk e duronte dot mungesën e lirisë, po njeri i lirë nuk ishte. Sepse hija e tij nuk i’a lejonte. Sot, kur ai s’është më dhe ndjej mall për mikun tim të penguar, që mik s’më kishte dot, fryma më lehtësohet nga ideja që së paku ai është ndarë nga hija e vet dhe ka shpëtuar. Nuk e di çfarë do të thotë historia e artit shqiptar për Maksin, po jam i bindur se kushdo do të ndeshet me pikturat e tij, do të pyesë: Kush ishte ky Maks Velo? Hija e tij do të jetë vërdallë, po nuk do të përgjigjet dhe Maksi do vazhdojë të jetojë përmes xhelozisë së saj.

#TëPAHARRUESHËM?

Maks Velo ka lindur në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku ai kaloi edhe fëmijërinë. Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Pastaj, vitet ’78-’79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg për shkak të veprës dhe mendimeve të tij.

Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura ” etj. Si artist, ai krijon në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi e publicistikë.

(k.m/g.sh./dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike edi rama maks velo edi rama maks velo

Sondazh

Poll

Politike 31 Gusht 2020, 08:21

MALI I ZI-Shqiptarët në Malin e Zi arritën objektivin në zgjedhjet parlamentare, duke siguruar dy deputetë, nga një për secilin koalicion. Menjëherë pas shpallj...