Aktualitet

INTERVISTË/ Kërkimet sekrete për uraniumin e pamundur shqiptar: Shteti komunist shpenzoi për 15 vjet miliona dollarë

25 Korrik 2020, 08:40 Nga DOSJA
INTERVISTË/ Kërkimet sekrete për uraniumin e pamundur shqiptar:

TIRANË- Gëzim Shima u lindi në 15 shtator 1939 në Tiranë. Vazhdoi studimet në fakultetin Gjeologji-Minierë. Specializohet për Stratigrafi e punime Radiometrike, kërkime minerale radioaktive. Ka botuar, si autor e bashkautor, mbi 100 projekte, manuale e libra shkencorë. 10 vitet e para punoi në ndërmarrjen gjeologjike në Rubik. Në 20 vitet e ardhshme, punoi në ndërmarrjen Gjeofizike në Tiranë. Në shtator ‘91 u largua nga Shqipëria.  

Në një intervistë për gazetarin Leonard Veizi botuar në DITA, ai tregon për përpjekjet e pasuksesshme të shtetit komunist në Shqipëri për të gjetur uranium. Në 1972 Shimën e emërojnë në krye të ekipit që kërkonte uraniumin e pamundur.

“Në Ndërmarrjen Gjeofizike të Tiranës u hodhën për herë të parë idetë për kërkim/vlerësimet e mineraleve të rralla, të çmuara dhe radioaktive. Kisha dëgjuar për një ekspeditë që kërkonte uranium, se ajo ishte pjesë e ndërmarrjes sonë, por e dija mirë se gjithçka ruhej sekret e nuk guxoja të pyesja më shumë. .

Zona ku nxirrej uranium në përqindje të vlefshme për t’u shfrytëzuar, kishte shumë pak në Evropë. Nxirrej vetëm në Çeki, Francë e Suedi. Ndërkohë që në Rusi, SHBA, Afrikë të Jugut, Kongo, Gabon e Australi, përqindjet e përmbajtjes së uraniumit në mineral ishin shumë më të mëdha”, – thotë Shima.

Në vitet 1970- 1986, ishin dy galeri ku u gërmua me qëllim kërkimin e mineralit të uraniumit. Një prej galerive u rrëmua në këmbë të lumit Topojan, në zonën e Shishtavecit në Kukës, kurse galeria tjetër në Muhur të Dibrës, në breg të lumit Setë.

Sot, shumë vjet pas mbylljes së galerive ku u gjet mineral me përqindje të pakët uraniumi, Shima thotë se gjithsesi kërkimi intensiv i përket së ardhmes.

Më poshtë pjesë nga një intervistë e tij botuar në Dita:

Cila ishte detyra juaj si ekip inxhinierësh gjeologë?

Hartat tona ishin më të rëndësishme se ato të topografisë ushtarake dhe puna jonë vlerësohej më shumë se sa e uzinave sekrete të ushtrisë. Detyra parësore ishte të gjenim gjurmët e uraniumit, kudo që të ndodhej ai, në Jug apo Veri.

Ishte një detyrë e cila duhej zbatuar me çdo kusht, pasi vetëm në këtë mënyrë, gjithë bota do kuptonte se ekspeditat e huaja që kishin rrëmuar tokën shqiptare për të njëjtën çështje, kishin dështuar. Në këtë mënyrë, Shqipëria do tregonte gjithashtu se ishte e aftë të ndërtonte socializmin duke pasur si pasuri, lëndën e rrallë radioaktive që përdorej gjerësisht në elektricitet, mjekësi e armatim.

Ndërkohë specialistë të huaj kishin kërkuar për uranium në territorin shqiptar?

Specialistët rusë, që u larguan nga Shqipëria më 1960, thanë se Shqipëria kishte nivel të varfër me lëndë radioaktive të tipit uranium, por këtë duket se nuk donin ta besonin qeveritarët e lartë, të cilët në kërkime të këtij lloji orientuan dhe specialistët kinezë.

Por duket se as kinezët nuk ishin optimistë në gjetjen me sasi të konsiderueshme të uraniumit shqiptar. Kishim hartat e lëna nga rusët. Ata kishin përcaktuar disa zona, por pasi i verifikuam, nuk doli gjë. Kështu që na ra pjesa ne shqiptarëve t’i shtrohemi punës.

Në fakt kishte Shqipëria vendburime uraniumi?

Formacionet ku lokalizoheshin vendburimet e uraniumit në Shqipëri, kjo e mbështetur saktësisht në shkencën gjeologjike, kishin përhapje të kufizuar dhe rezervat ishin të papërfillshme. Në vitin 1972, në gazetën Zëri i Rinisë, në faqen e saj shkencore, botova një artikull të titulluar shkencërisht “Lantanidet”, por që në shqip vjen me emrin “Elementët e tokave të rralla”.

Në këtë artikull, flitej për elementët në “tokat e rralla shqiptare”, mënyrën e përpunimit të tyre dhe koston e një shpenzimi të tillë. Mesatarisht gjatë përpunimit të 10 mijë tonëve mineral dilte 1-kilogram Metal, i cili përmbante në vetvete 14 elementë të rëndësishëm.

Ky Metal, përdorej gjerësisht në të gjitha fushat e teknikës dhe në atë kohë në tregun evropian kushtonte më shumë se 200 mijë dollarë për kile. Gjithsesi, një punë e tillë kishte një kosto të lartë për një vend si Shqipëria. Në maj të vitit 1974, në një mbledhje ku merrte pjesë dhe Teki Biçoku, Drejtor i Drejtorisë Gjeologjike, relatova haptazi, që forcat e mëdha që përdoreshin në frontin e lëndëve radioaktive, të hidheshin për t’u marrë me kromin e bakrin, që ishin dhe mineralet nga të cilat vareshin më së shumti eksportet shqiptare.

Por kjo gjë nuk u erdhi për mirë drejtuesve. Gjatë kësaj mbledhjeje, paraqita dhe pjesë nga punimi im, që cilësonte se zonat me material radioaktiv ishin: në mal të Dajtit dhe në Krujë për lëndën boksid, në Gjirokastër dhe Sarandë për lëndën fosforid, si dhe në Gur të Zi në Shkodër, ku kampionët e analizuar tregonin gjurmë metali radioaktiv tip uranium. Që të përpunoheshin e shfrytëzoheshin lëndët radioaktive, duheshin ngritur laboratorë të kushtueshëm, gjë që Shqipëria e kishte të vështirë t’i përballonte.

Industria jonë kishte nevojë për uranium?

Nuk është se industria jonë në ato vite mund ta përdorte uraniumin. Kërkimi i tij kishte lidhje me psikozën që duhet të krijohej në popull se nëntoka jonë kishte gjithçka, flori edhe argjend, bakër edhe krom e në fund edhe lëndë radioaktive.

Për këtë arsye shteti shpenzoi miliona dollarë e mbajti për më shumë se 15 vjet rreth 250 specialistë e punëtorë me rroga të larta, të cilët hapën galeri kërkimi prej qindra metrash.

Ku raportonit për punën tuaj?

Kryeministrin Mehmet Shehu e takonim sistematikisht një herë në 6 muaj për t’i raportuar. Nëpër biseda kam kuptuar se ai e konsideronte uraniumin si rezervë, që mund të hynte në punë më vonë. Pra, Mehmeti ishte më i moderuar në koncept.

(Marrë nga Gazeta Dita)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet gëzim shima kerkimet per uranium uraniumi ne shqiperi gëzim shima kerkimet per uranium uraniumi ne shqiperi

Sondazh

Poll

Aktualitet 25 Korrik 2020, 05:24

TIRANË- Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho, ka analizuar situatën e pandemisë në Shqipëri dhe ka treguar se cilat kanë qenë vendimet e duhura dhe të ...