Politike

Opozita jashtëparlamentare kërkoi TJETËR takim të KP, Gjiknuri gati për mbledhje: Na sillni propozimet!

23 Korrik 2020, 19:28 Nga DOSJA
Opozita jashtëparlamentare kërkoi TJETËR takim të KP,

TIRANË– Përfaqësuesi i maxhoranës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri i ka kthyer përgjigje emailit të opozitës jashtëparlamentare për një tjetër mbledhje të Këshillit Politik ditën e nesërme. Në emailin e tij, Gjiknuri fillimisht u kujton Petrit Vasilit dhe Oerd Bylykbashit që ftesa për të diskutuar lidhur me ndryshimet në Kushtetutë u ishte bërë nga vetë kryeministri Edi Rama më 21 korrik por ata e kishin refuzuar. Megjithatë, Gjiknuri shton se nuk e hedhin poshtë kërkesën e tyre për takim por kërkon paraprakisht që t’i vihen në dispozicion propozimet e opozitës së bashkuar lidhur me ndryshimet kushtetuese. 

“Duke e përshëndetur këtë reflektim tuajin nëse është i tillë, ju kërkoj që të dërgoni paraprakisht propozimet tuaja në funksion të reflektimit në ligjin elektoral të hapjes së listave që sanksionohet nga ndryshimi kushtetues. Duke ju rikujtuar se në datën 30 Korrik, Kuvendi voton amendamentin kushtetues që hap listat, ju shpreh gatishmërinë e mazhorancës për tu ulur në tryezë sapo ju të keni dërguar paraprakisht propozimet që do ti bëni Këshillit për këtë çështje,”-shkruan socialisti. 

E-MAILI I GJIKNURIT

Të nderuar z.Bylykbashi dhe z.Vasili, E kuptoj nevojën tuaj të motivuar politikisht për të nisur letra pune në formë deklaratash politike për qëllime mediatike. Por unë nuk kam dizinformuar askënd dhe thjesht kam thënë të vërtetën e mbledhjes si gjithmonë. Takime që siç i gjithë opinioni publik e di, bëhen me rekorde dhe nën vëzhgimin nga afër të partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Më lejoni të ju rikujtoj se në mbledhjen e datës 21 Korrik, Kryetari i Partisë Socialiste z.Edi Rama ju ftoi të jepni kontributin tuaj në funksion të përshtatjes së ligjit elektoral me nismën e opozitës parlamentare për hapjen e listave zgjedhore, nismë tashmë e miratuar në Këshillin e Rregullores dhe Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore, administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Z.Rama ju ftoi që të shtroni çdo pikëpyetje tuajën, të diskutoni çdo merak dhe të dakordësohemi për sa i takon korrektimeve që nevojitet të bëhen në ligjin elektoral për të reflektuar sanksionimin e hapjes së listave zgjedhore. Qëndrimi juaj ishte kategorik dhe refuzues për të diskutuar mbi këtë çështje pa u miratuar paraprakisht amendamentet e ligjit elektoral bazuar mbi produktin e marrëveshjes politike të 5 Qershorit.

Jo më larg se dje keni refuzuar të vini në Këshillin Politik, pikërisht sepse siç e keni shprehur edhe publikisht nuk donit të diskutonit për temën e ndryshimeve kushtetuese, që sipas jush jo thjesht cënon marrëveshjen por as nuk ekziston si temë. Edhe thënia që në mesazhin tuaj i vini në gojë Kryeministrit, nuk ka aspak kuptimin që ju qëllimisht i mvishni në komentin tuaj. Besoj ju e dini se ndryshimet kushtetuese në procedurën parlamentare janë të pandryshueshme si të tilla, çka sidoqoftë nuk kam asnjë problem ta diskutojmë nëse qëndron apo jo qoftë edhe si fakt i shkruar e zeza mbi të bardhë. Ditën e sotme, Kuvendi i Shqipërisë miratoi pa asnjë ndryshim projektligjin e amendimeve në ligjin zgjedhor. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik ju kërkova të shpreheni nëse jeni dakord të diskutoni mbi këtë çështje. Ju refuzuat që të diskutoni duke mos njohur dhe injoruar nismën e 28 deputetëve të opozitës parlamentare dhe gjithë procedurat e ndjekura nga një organ plotësisht legjitim si Kuvendi i Shqipërisë.

Nga emaili juaj i fundit, nënkuptohet se keni reflektuar dhe keni ndryshuar qëndrim ndërsa shpreheni të gatshëm të jepni kontributin tuaj për reflektimin në ligj elektoral të sanksionimit kushtetues për hapjen e listave. Duke e përshëndetur këtë reflektim tuajin nëse është i tillë, ju kërkoj që të dërgoni paraprakisht propozimet tuaja në funksion të reflektimit në ligjin elektoral të hapjes së listave që sanksionohet nga ndryshimi kushtetues. Duke ju rikujtuar se në datën 30 Korrik, Kuvendi voton amendamentin kushtetues që hap listat, ju shpreh gatishmërinë e mazhorancës për tu ulur në tryezë sapo ju të keni dërguar paraprakisht propozimet që do ti bëni Këshillit për këtë çështje.

Në fund, do të ju lutesha shumë që t’i lini mënjanë paragjykimet dhe opinionet propagandistike. Vërtetë ju mungon foltorja e Parlamentit prej ku u larguat me vullnetin tuaj të lirë, por e-mailet e punës dhe tryeza e punës së Këshillit nuk janë mjete propagandistike. Gjithashtu, do ju lutesha të hiqni dorë nga paralajmërimet kërcënuese në komunikimet elektronike sepse e bëjnë qesharake tryezën e punës sonë të përbashkët dhe dëmtojnë qëllimin e saj. Në funksion të konfirmimit të mbledhjes së rradhës së Këshillit, ju lutem edhe njëherë sa më shpejt të na vini në dispozicion paraprakisht propozimet tuaja. Faleminderit  Damian Gjiknuri

Ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit Politik qëndrimi i opozitës së bashkuar kundër ndryshimeve në Kushtetutë ka nxitur debate në mbledhje. Rudina Hajdari u bëri me dije se me votat e opozitës së re, ndryshimet do kalojnë. Kryeministri Edi Rama u shpreh se ndjente keqardhje për qëndrimin e PD e i bën thirrje pë reflektim.

(k.m/dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike damian gjiknuri keshilli politik opozita e bashkuar takimi ne kp per listat e hapura damian gjiknuri keshilli politik opozita e bashkuar takimi ne kp per listat e hapura

Sondazh

Poll