Bota

Gjykata kushtetuese i përgjigjet ashpër kërcënimit të Kurtit

2 Maj 2020, 11:50 Nga DOSJA
Gjykata kushtetuese i përgjigjet ashpër kërcënimit të

KOSOVË – Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, më 23 prill i kishte dërguar një letër të pazakontë kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, në të cilën kontestonte punën e Gjykatës dhe e akuzonte për joprofesionalizëm dhe anshmëri.

Kurti në letrën e tij pretendonte se Kushtetuesja nuk i ka respektuar afatet ligjore dhe Rregulloren e Punës së Gjykatës Kushtetuese për rastin KO61/20 (Ankesa e deputetëve të PDK-së ndaj vendimeve të ministrit Vitia për kufizimin e masave). Përveç kësaj në letrën e tij, Kurti kishte konstatuar se Gjykata Kushtetuese me vendime të kundërligjshme ka vendosur në presion Qeverinë e Kosovës gjë që, sipas tij, është e papranueshme.

“Për ne, refuzimi për të zbatuar rregullat e vendosura nga vet Gjykata Kushtetuese në rrethanat e rastit konkret, është shqetësim serioz në lidhje me profesionalizmin dhe paanshmërinë e Gjykatës”, thuhej në letrën e Kurti drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Ndaj një letre të tillë të Kurtit sot ka reaguar Gjykata Kushtetuese në vendimin që ka marrë rreth ankesës së PDK-së rreth masave të reja të kufizimit të lëvizjes të marra nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Gjykata Kushtetuese në pikën 15, 16 dhe 17të aktgjykimit të publikuar sot thotë se një qasje e tillë e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti është e papranueshme dhe është në kundërshtim me vlerat themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Megjithatë, Gjykata thekson fuqishëm se qasja e Qeverisë ndaj Gjykatës që reflekton kjo parashtresë, është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat themelore të Kushtetutës së Republikës”, konstaton Kushtetuesja.

Gjithashtu i është bërë thirrje Kurtit që të mos ndërhyjë në pavarësinë e Gjykatës duke i rikujtuar kreut të Lëvizjes Vetëvendosje se pushtetet janë të ndara dhe se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen nga të gjitha degët e pushtetit në Kosovë.

“Gjykata rithekson se ajo është organ i pavarur në mbrojtje të Kushtetutës dhe është interpretuesi përfundimtar i Kushtetutës. Gjykata gjithashtu rikujton se Kushtetuta i atribuon asaj pavarësi të plotë në kryerjen e përgjegjësive të saj. Për më tepër, është detyrim kushtetues i Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Republikës të respektojnë dhe të mos ndërhyjnë në këtë pavarësi. Gjykata gjithashtu i rikujton Qeverisë se Kushtetuta nuk i atribuon asaj asnjë kompetencë përkitazi me vendimmarrjen e pushtetit gjyqësor. Respektimi i vlerave themelore kushtetuese, lidhur me ndarjen e pushteteve, pavarësinë e pushtetit gjyqësor, pavarësinë dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe mbrojtjen e sundimit të ligjit, është detyrim kushtetues i të gjitha degëve të pushtetit të Republikës së Kosovës”, theksohet në pikën 17 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin KO 61/20.

Marrë nga: Gazeta Express

(A.K.Dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

rajoni rajoni albin kurti kosove albin kurti kosove

Sondazh

Poll