Politike

Dëshmia e Jozef Hejsek, reagon Ilir Meta: Do të publikohen edhe të dhëna të tjera në lidhje me dosjen CEZ-DIA, dëshmia u mbajt e fshehur nga SPAK

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Meta thotë së  do të publikohen edhe të dhëna të tjera në lidhje me dosjen CEZ-DIA.

3 Prill 2026, 18:57 Nga E.d
Dëshmia e Jozef Hejsek, reagon Ilir Meta: Do të publikohen edhe
Foto ilustruse

TIRANË- Ish-presidenti i vendit, Ilir Meta ka reaguar pas publikimit të dëshmisë së Jozef Hejsek. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Meta thotë së do të publikohen edhe të dhëna të tjera në lidhje me dosjen CEZ-DIA. Meta pretendon se ato janë mbajtur të fshehta nga SPAK. 

Reagimi i Ilir Metës

Për transparencë të plotë para opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar, po publikoj sot të plotë dëshminë e Z. Josef Hejsek dhënë më 20 dhjetor 2011 para prokurorit nën betim, e vetmja dëshmi ku ai flet për DIA-n, përpara një organi të procedurës penale. Këtë deklarim të tij, prokurorët e SPAK-ut e fshihnin me këmbëngulje për një kohë të gjatë deri në seancën paraprake, kur e kuptuan që ne e dispononim këtë provë ligjore. Siç e shihni, ne e kemi me vulë të OSHEE, jo vetëm këtë dëshmi por edhe të gjitha materialet që kanë të bëjnë me çështjen CEZ-DIA sepse një zyrtar i dikurshëm i ndershëm i OSHEE na i vuri në dispozicion, fill pasi kishte dëgjuar që Edi Rama me të tijët po përgatisnin një intrigë për të përfshirë Ilir Metën te kjo aferë, siç u paralajmërua edhe në letrën zyrtare të ish-Kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Z. Spartak Braho më 27 shtator 2015.

Siç e shihni, këtu jo vetëm që nuk përmendet Ilir Meta por as Qazim Tepshi ish-ambasador, as Sali Berisha ish-Kryeministër, dhe askush tjetër. Këtu tregohet se, jo vetëm procesi është bërë i hapur, por se vendimtare për vendimin që është marrë në Pragë kanë qenë referencat që janë paraqitur nga DIA e Uashingtonit, që sipas tyre kishte përvojë prej 4 miliard dollarë për mbledhjen e borxheve dhe garancitë që i ishin dhënë nga kompanitë amerikane në Çeki. Po kështu, po publikoj të plotë dëshminë e dhënë nga Z. Tomas Pleskaç i cili ka qenë shefi i Z. Hejsjek në Pragë, ku është marrë vendimi për lidhjen e kontratës CEZ-DIA dhe ku do të shikoni përgjigjen e tij me letërporosi dhënë SPAK-ut, në të cilën konfirmon se nuk ka asnjë dijeni për ndonjë lidhje mes tre personave, Ilir Metës, Qazim Tepshit dhe Kastriot Ismailaj. Herën tjetër, do t’ju njohim me prova të reja që tregojnë se DIA ishte një krijesë amerikane dhe as ka patur dhe as mund të kishte lidhje me Ilir Metën.

Pas Metës, ka reaguar edhe Tedi Blushi. Përmes një deklarate për mediat, Blushi u shpreh se Partia e Lirisë do të vijojë të publikojë të dhëna. Ai tha se për çështjen CEZ-DIA, i pari që duhet hetuar dhe të merret i pandehur është krteministri Edi Rama, i cili sipas tij i fali 479 milionë euro CEZ-it, duke i shkaktuar një dëm kolosal buxhetit të shtetit.

Reagimi i Tedi Blushit 

Tanimë është e qartë si drita e diellit se hetimi 6-vjeçar ndaj Presidentit Meta, i nisur nga kallëzues të rremë dhe me probleme me drejtësinë, jo vetëm që ka prodhuar zero fakte penale kundër tij, por edhe se standardet e këtij procesi po faktohet se kanë qenë identike me standardet e rrëmbimit kriminal dhe me ato të paraburgimit politik, ku z. Meta, në kundërshtim me ligjin, Kushtetutën dhe KEDNJ, vijon të qëndrojë në izolim ekstrem për më shumë se 18 muaj. Për çështjen CEZ-DIA, i pari dhe i vetmi njeri që duhet hetuar dhe të merret i pandehur është Edi Rama, i cili i fali 479 milionë euro CEZ-it, duke i shkaktuar një dëm kolosal buxhetit të shtetit, por që, afërmendsh, as nuk hetohet dhe as nuk merret i pandehur nga prokuroria e tij politike, edhe pse ka një padi zyrtare nga KLSH, që vazhdon të ‘flejë’ në Prokurori./Dosja.al

cez-dia ilir meta tedi blushi

Sondazh

Poll